MARRËVESHJA NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR LËVIZJEN E NDËRSJELLË TË SHTETASVE DHE TË PROTOKOLLIT TË SAJ PËR LËVIZJEN E NDËRSJELLË TË SHTETASVE GJATË QARKULLIMIT NË ZONAT KUFITARE
Neni 2
1. Shtetasit e palëve kontraktuese, mbajtës të pasaportave të vlefshme diplomatike ose të shërbimit/zyrtare, të lëshuara nga Ministritë e Punëve të Jashtme të palëve kontraktuese, mund të hyjnë, të kalojnë transit, të qëndrojnë dhe largohen nga territori i palës tjetër kontraktuese pa vizë, për një periudhë jo më të gjatë se 90 (nëntëdhjetë) ditë brenda një periudhe 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditore nga data e hyrjes së parë.
2. Shtetasit e secilës palë kontraktuese, mbajtës të pasaportave të vlefshme diplomatike ose të shërbimit/zyrtare, të cilët janë pjesëtarë të stafit të një misioni diplomatik ose një posti konsullor, të një organizate ndërkombëtare, të një shërbimi tregtar dhe ekonomik brenda misionit diplomatik ose një qendër e informacionit kulturor, e krijuar mbi bazën e një marrëveshjeje ndërqeveritare, të cilat ndodhen në territorin e palës tjetër kontraktuese, hyjnë në territorin e saj pa vizë, pas njoftimit zyrtar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Akreditimi vijon në përputhje me procedurën e brendshme të palës kontraktuese pritëse. Ata qëndrojnë pa vizë, deri në largimin e tyre nga territori i palës kontraktuese pritëse gjatë gjithë periudhës së akreditimit të tyre.
3. Dispozitat e paragrafit 2 të këtij neni shtrihen deri te pjesëtarët e familjes së shtetasve në fjalë: bashkëshorti(ja), fëmijët nën moshën 26 vjeç, të cilët nuk kanë kryer martesë civile dhe që vazhdojnë mësimet me kohë të plotë në institucionet arsimore në territorin e palës kontraktuese pritëse dhe që jetojnë së bashku me ta gjatë mandatit të tyre në detyrë, nëse janë mbajtës të pasaportave diplomatike ose shërbimi/zyrtar.
4. Dispozitat e paragrafit 2 të këtij neni nuk zbatohen për personat që mbulon paragrafi 3, kur ata janë shtetas të një vendi të tretë, për të cilët palët kontraktuese zbatojnë regjimin e vizave. Në këtë rast, personat në fjalë pajisen me llojin përkatës të vizës që në hyrjen e tyre të parë në territorin e palës kontraktuese pritëse.
Shtojcë
Neni 4
1. Leja e qarkullimit në zonat kufitare lëshohet nga një autoritet kompetent shtetëror i palës kontraktuese, mbështetur në kërkesën e miratuar nga autoritetet kompetente të policisë kufitare vendore të palës tjetër kontraktuese, brenda 5 (pesë) ditë pune.
2. Leja jepet me një vlefshmëri kohore prej 5 vjetësh.
3. Leja përmban:
a) fotografinë e kërkuesit (me ngjyra) jo më të vjetër se 6 (gjashtë) muaj, emrin dhe mbiemrin, datëlindjen, shtetësinë dhe vendbanimin;
b) autoritetin lëshues, datën e lëshimit dhe vlefshmërinë;
c) numrin e dokumentit mbi bazën e të cilit përcaktohet identiteti i kërkuesit;
d) data dhe fotografia e fëmijëve nën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç të përfituesit të lejes;
e) shpjegimin se zotëruesi i lejes mund të lëvizë lirisht vetëm në zonën kufitare dhe se në rast keqpërdorimi pasojnë sanksione.
4. Leja përfshin sa më shumë që të jetë e mundur karakteristikat mbrojtëse, në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian.
[1] Republika e Shqipërisë ka ratifikuar këtë Marrëveshje me ligjin nr. 10203, datë 23.12.2009, botuar në Fletore Zyrtare nr. 194, dt.20 Janar 2009, faqe 8547