MARRËVESHJA NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË DANIMARKËS PËR LEHTËSIMIN E LËSHIMIT TË VIZAVE
Neni 4
Provat shkresore në lidhje me qëllimin e udhëtimit
1. Për kategoritë e mëposhtme të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dokumentet e mëposhtme janë të mjaftueshme për të provuar qëllimin e udhëtimit në Palën tjetër:
a) Për anëtarët e delegacioneve zyrtare që, në bazë të një ftese zyrtare drej tuar Republikës së Shqipërisë, marrin pjesë në takime, konsultime, negociata ose programe shkëmbimi, si dhe në aktivitetet e organizuara në territorin e Danimarkës nga organizatat ndërqeveritare:
– një shkresë lëshuar nga autoriteti shqiptar që konfirmon që kërkuesi është anëtar i delegacionit shqiptar që udhëton për në territorin e Danimarkës për të marrë pjesë në ngjarjet e sipërpërmendura, të shoqëruar me një kopje të ftesës zyrtare.
b) Për biznesmenët dhe përfaqësuesit e organizatave të biznesit:
– një kërkesë me shkrim nga një person juridik ose një shoqëri, organizatë pritëse ose një zyrë apo degë e këtij personi juridik apo shoqërie, shteti ose autoritetet lokale të Danimarkës ose komiteteve organizuese të ekspozitave tregtare dhe industriale, konferencave dhe simpoziumeve të mbajtura në territorin e Danimarkës, të miratuara nga një dhomë tregtie e Republikës së Shqipërisë.
c) Për gazetarët:
– një certifikatë ose dokument tjetër të lëshuar nga një organizatë profesionale që provon që personi i interesuar është një gazetar i kualifikuar dhe një dokument i lëshuar nga punëdhënësi i tij/saj, që deklaron se qëllimi i udhëtimit është ushtrimi i aktivitetit të gazetarisë.
d) Për personat që marrin pjesë në aktivitetet shkencore, kulturore dhe artistike, duke përfshirë universitetin dhe programe të tjera shkëmbimi:
– një kërkesë me shkrim nga organizata pritëse për të marrë pjesë në këto aktivitete.
e) Për përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile gjatë ndërmarrjes së udhëtimeve për qëllimet e trajnimit edukativ, seminareve, konferencave, duke përfshirë brenda kuadrit të programeve të shkëmbimit:
– një kërkesë me shkrim lëshuar nga organizata pritëse, një konfirmim që personi përfaqëson organizatën e shoqërisë civile dhe vërtetimin për themelimin e kësaj organizate nga regjistri përkatës e lëshuar nga autoriteti shtetëror në pajtim me legjislacionin e brendshëm.
f) Për nxënësit, studentët, studentët pasuniversitarë dhe mësuesit shoqërues që ndërmarrin udhëtime për qëllimin e studimit ose trajnimit arsimor, duke përfshirë në kuadrin e programeve të shkëmbimit, si dhe aktivitete të tjera në lidhje me shkollën:
– një kërkesë me shkrim ose një vërtetim regjistrimi nga universiteti, akademia, instituti, kolegji ose shkolla pritëse, ose libreza e studentit ose vërtetimi i lëndëve që do të ndiqen.
g) Për pjesëmarrësit në aktivitetet sportive ndërkombëtare dhe personat shoqërues të tyre në cilësinë profesionale:
– një kërkesë me shkrim nga organizata pritëse: autoritetet kompetente, federatat kombëtare sportive ose Komiteti Kombëtar Olimpik i Danimarkës.
h) Për pjesëmarrësit në programet zyrtare të shkëmbimit të organizuara nga qytetet e binjakëzuara:
– një kërkesë me shkrim të kreut të administratës/kryetarit të bashkisë së këtyre qyteteve.
i) Për të afërmit e afërt – bashkëshort, fëmijë (duke përfshirë të adoptuarit), prindërit (duke përfshirë kujdestarët), prindërit e prindërve dhe fëmijët e fëmijëve – që vizitojnë qytetarët shqiptarë me banim të ligjshëm në territorin e Danimarkës:
– kërkesë me shkrim nga personi pritës.
j) Për arsye të vizitave për varrimet civile dhe ushtarake:
– një dokument zyrtar që konfirmon ekzistencën dhe ruajtjen e varrit, si dhe marrëdhënieve familjare ose të tjera ndërmjet kërkuesit dhe të varrosurit.
k) Për personat e përndjekur për motive politike gjatë regjimit komunist në Republikën e Shqipërisë:
– një vërtetim i lëshuar nga Instituti për Integrimin e Personave të Persekutuar në pajtim me nenin 3 të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, që tregon statusin e qenies së një personi të përndjekur për motive politike gjatë regjimit komunist në Republikën e Shqipërisë dhe një ftesë nga një autoritet kompetent, organizatë kombëtare ose ndërkombëtare duke përfshirë një OJF të Danimarkës ose nga një institucion evropian për pjesëmarrje në aktivitete, sipas rastit, duke përfshirë aktivitetet në lidhje me statusin e tyre.
l) Për shoferët që kryejnë shërbime transporti ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve në territorin e Danimarkës në automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë:
– një kërkesë me shkrim nga shoqata (bashkime) kombëtare e transportuesve të Republikës së Shqipërisë që parashikon transport ndërkombëtar rrugor, që cakton qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e udhëtimeve.
m) Për personat që udhëtojnë për turizëm:
– një vërtetim ose faturë nga një agjenci udhëtimi ose operator i turit të akredituar nga Danimarka dhe anëtarë të tjerë të Shengenit në kuadrin e një bashkëpunimi konsullor lokal që konfirmon rezervimin e një udhëtimi të organizuar.
n) Për personat që bëjnë viza për qëllime mjekësore dhe personat e nevojshëm shoqërues:
– një dokument zyrtar të institucionit mjekësor që konfirmon domosdoshmërinë e kujdesit mjekësor në këtë institucion, domosdoshmërinë e të qenit të shoqëruar, dhe prova për mjete të mjaftueshme financiare për të paguar për trajtimin mjekësor.
o) Për anëtarët e profesioneve që marrin pjesë në ekspozita ndërkombët are, konferenca, simpoziume, seminare ose ngjarje të tjera të ngjashme të mbajtura në territorin e Danimarkës:
– një kërkesë me shkrim nga organizata pritëse që konfirmon që personi i interesuar do të marrë pjesë në aktivitet.
p) Për anëtarët e ekuipazhit të trenave, frigoriferëve dhe lokomotivave në trenat ndërkombëtarë, që udhëtojnë në territoret e Danimarkës:
– një kërkesë me shkrim nga shoqëria kompetente e hekurudhave të Republikës së Shqipërisë që tregon qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e udhëtimeve.
q) Për personat që bëjnë vizita për ceremonitë e varrimeve:
– një dokument zyrtar që konfirmon faktin e vdekjes, si dhe konfirmimin e marrëdhënies familjare ose tjetër ndërmjet kërkuesit dhe të varrosurit.
r) Për përfaqësuesit e komuniteteve fetare:
– një kërkesë me shkrim nga një komunitet fetar i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, që tregon qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e udhëtimeve.
2. Kërkesa me shkrim e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni përmban elementet e mëposhtme:
a) për personin e ftuar – emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes, seksin, shtetësinë, numrin e dokumentit të identifikimit, kohën dhe qëllimin e vizitës, numrin e hyrjeve dhe, sipas rastit, emrin e bashkëshortit dhe fëmijëve që shoqërojnë personin e ftuar;
b) për personin që bën ftesën – emrin, mbiemrin dhe adresën; ose
c) për personin juridik, shoqërinë ose organizatën që bën ftesën – emrin dhe adresën e plotë dhe
– nëse kërkesa është lëshuar nga një organizatë, emrin dhe pozicionin e personit që ka nënshkruar kërkesën,
– nëse personi që bën ftesën është person juridik ose shoqëri, apo një zyrë ose degë e një personi juridik apo shoqërie të tillë të themeluar në territorin e Danimarkës, numri i regjistrimit sipas kërkesave të ligjit të brendshëm të Danimarkës.
3. Për kategoritë e personave të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni, të gjitha kategoritë e vizave lëshohen në pajtim me procedurën e thjeshtuar pa kërkuar ndonjë provë, ftesë ose vërtetim tjetër në lidhje me qëllimin e udhëtimit, të parashikuar nga legjislacioni i Danimarkës.
Neni 5
Lëshimi i vizave me shumë hyrje
1. Misionet diplomatike dhe zyrat konsullore të Danimarkës lëshojnë viza hyrjeje me një afat vlefshmërie deri në pesë vjet për kategoritë e mëposhtme të personave:
a) anëtarët e Këshillit të Ministrave, Parlamentit, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nëse ata nuk janë përjashtuar nga kërkesa për vizë në bazë të kësaj Marrëveshjeje, në ushtrim të detyrave të tyre, me një afat vlefshmërie të kufizuar brenda afatit të tyre të detyrës nëse është më pak se 5 vjet;
b) anëtarët e përhershëm të delegacioneve zyrtare që, në bazë të një ftese zyrtare drejtuar Republikës së Shqipërisë, marrin pjesë rregullisht në mbledhje, konsultime, negociata ose programe shkëmbimi, si dhe në aktivitetet e organizuara në territorin e Danimarkës nga organizatat ndërqeveritare;
c) bashkëshortët dhe fëmijët (duke përfshirë të adoptuarit), që janë nën moshën 21 vjeç ose janë persona të varur, që vizitojnë shtetas shqiptarë me banim të ligjshëm në territorin e Danimarkës brenda afatit të vlefshmërisë të kufizuar në kohëzgjatjen e vlefshmërisë së autorizimit të vendbanimit të tyre të ligjshëm.
2. Misionet diplomatike dhe zyrat konsullore të Danimarkës lëshojnë viza me shumë hyrje brenda afatit të vlefshmërisë deri në një vit për kategoritë e mëposhtme të personave, me kusht që gjatë vitit të kaluar të kenë marrë të paktën një vizë, ta kenë përdorur atë në pajtim me ligjet për hyrjen dhe qëndrimin në shtetin e vizituar dhe ka edhe arsye të tjera për të kërkuar viza me shumë hyrje:
a) anëtarët e delegacioneve zyrtare që, në bazë të një ftese zyrtare drejtuar Republikës së Shqipërisë, marrin pjesë rregullisht në mbledhje, konsultime, negociata ose programe shkëmbimi, si dhe në aktivitetet e organizuara në territorin e Danimarkës nga organizatat ndërqeveritare;
b) biznesmenët dhe përfaqësuesit e organizatave të biznesit që udhëtojnë rregullisht për në Danimarkë;
c) personat që marrin pjesë në aktivitetet shkencore, kulturore dhe artistike, duke përfshirë programet universitare dhe të tjera të shkëmbimit, që udhëtojnë rregullisht për në Danimarkë;
d) pjesëmarrësit në aktivitetet ndërkombëtare të sportit dhe personat që i shoqërojnë në cilësinë zyrtare;
e) gazetarët;
f) pjesëmarrësit në programet zyrtare të shkëmbimit të organizuara nga qytetet e binjakëzuara;
g) shoferët që kryejnë shërbime transporti ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve për në territorin e Danimarkës në automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë;
h) personat që duhet të bëjnë rregullisht vizita për arsye mjekësore dhe personat e nevojshëm shoqërues;
i) anëtarët e ekuipazheve të trenave, frigoriferëve dhe lokomotivës në trenat ndërkombëtarë, që udhëtojnë për në territorin e Danimarkës;
j) studentët dhe studentët pasuniversitarë që udhëtojnë rregullisht për qëllimet e studimit ose trajnimit arsimor, duke përfshirë në kuadrin e programeve të shkëmbimit;
k) përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Republikën e Shqipërisë, që udhëtojnë rregullisht për në Danimarkë;
l) përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që udhëtojnë rregullisht për në Danimarkë për qëllimet e trajnimit arsimor, seminare, konferenca, duke përfshirë në kuadrin e programeve të shkëmbimit;
m) anëtarët e profesioneve që marrin pjesë në ekspozita ndërkombëtare, konferenca, simpoziume, seminare dhe aktivitete të tjera të ngjashme që udhëtojnë rregullisht për në Danimarkë;
3. Misionet diplomatike dhe zyrat konsullore të Danimarkës lëshojnë viza me shumë hyrje me një afat vlefshmërie prej minimalisht 2 vjet dhe maksimalisht 5 vjet për kategoritë e personave të përmendur në paragrafin 2 të këtij neni, me kusht që gjatë viteve të kaluara ata t’i kenë përdorur vizat njëvjeçare me shumë hyrje në pajtim me ligjet për hyrjen dhe qëndrimin të shtetit të vizituar dhe shkaqet për kërkimin e vizës me shumë hyrje të jenë ende të vlefshme.
4. Periudha e plotë e qëndrimit për personat e përmendur në paragrafët 1 deri 3 të këtij neni nuk i kalojnë 90 ditë për një periudhë 180 ditë në territorin e Danimarkës dhe të ndonjë shteti tjetër anëtar i Shengenit.
Neni 6
Tarifa për përpunimin e kërkesave për viza
1. Tarifa për përpunimin e kërkesave për vizë të shtetasve të Republikës së Shqipërisë është 35 euro.
Shuma e sipërpërmendur mund të rishikohet në pajtim me procedurën e parashikuar në nenin 13(4).
Nëse Republika e Shqipërisë do të rivendoste kërkesën për vizë për qytetarët e BE-së, tarifa e vizës, që duhet të caktohet nga Republika e Shqipërisë, nuk do të jetë më e lartë se 35 euro ose shuma e rënë dakord, nëse tarifa rishikohet në pajtim me procedurën e parashikuar në nenin 13(4).
2. Tarifat për përpunimin e kërkesës për vizë nuk paguhen për kategoritë e mëposhtme të personave:
a. të afërmit – bashkëshortët, fëmijët (duke përfshirë të adoptuarit), prindërit (duke përfshirë kujdestarët), prindërit e prindërve dhe fëmijët e fëmijëve të shtetasve shqiptarë me banim të ligjshëm në territorin e Danimarkës;
b) anëtarët e delegacioneve zyrtare që, në bazë të një ftese drejtuar Republikës së Shqipërisë, marrin pjesë në mbledhje, konsultime, negociata ose programe shkëmbimi, si dhe aktivitetet e organizuara në territorin e Danimarkës nga organizatat ndërqeveritare;
c) anëtarët e Këshillit të Ministrave, Parlamentit, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nëse nuk janë të përjashtuar nga kërkesat për vizë nga kjo Marrëveshje;
d) nxënësit, studentët, studentët pasuniversitarë dhe mësuesit që i shoqërojnë, që kryejnë udhëtime për qëllimet e studimit ose trajnimit arsimor;
e) fëmijët nën 6 vjeç;
f) personat me aftësi të kufizuar dhe personat që i shoqërojnë ata, nëse është e nevojshme;
g) personat që kanë paraqitur dokumente që provojnë domosdoshmërinë e udhëtimit të tyre për qëllime humanitare, duke përfshirë marrjen urgjent të trajtimit mjekësor dhe personi që shoqëron këtë person, ose për të ndjekur një varrim të një të afërmi, ose për të vizituar një të afërm shumë të sëmurë;
h) pjesëmarrësit në aktivitetet sportive ndërkombëtare dhe personat që i shoqërojnë ata në cilësinë zyrtare;
i) personat që marrin pjesë në aktivitetet shkencore, kulturore dhe artistike, duke përfshirë programe të tjera universitare të shkëmbimit;
j) pjesëmarrësit në programet zyrtare të shkëmbimit, të organizuara nga qytetet e binjakëzuara;
k) personat e përndjekur për motive politike gjatë regjimit komunist;
l) pensionistët;
m) përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që udhëtojnë për të marrë pjesë në takime, seminare, programe shkëmbimi ose kurse trajnimi;
n) gazetarët;
o) përfaqësuesit e komuniteteve fetare të regjistruara në Republikën e Shqipërisë;
p) shoferët që kryejnë shërbime transporti ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve për në territorin e Danimarkës në automjete të regjistruara në Republikën e Shqipërisë;
q) anëtarët e ekuipazheve të trenave, frigoriferëve ose lokomotivave në trenat ndërkombëtarë, që udhëtojnë për në territorin e Danimarkës;
r) anëtarët e profesioneve që marrin pjesë në ekspozita ndërkombëtare, konferenca, simpoziume, seminare ose aktivitete të tjera të ngjashme që organizohen në territorin e Danimarkës.
[1] Republika e Shqipërisë ka ratifikuar këtë Marrëveshje me ligjin nr. 9923, datë 29.5.2008, botuar në Fletore Zyrtare nr. 86, dt.11 Qershor 2008, faqe 3789