Neni 2

Përkufizime

Për qëllimin e kësaj Konvente:

a) “Shtetësi” do të thotë lidhja juridike ndërmjet një personi dhe një shteti dhe që nuk tregon origjinën etnike të personit.

b) “Shtetësi e shumëfishtë” do të thotë mbajtja e njëkohshme e dy ose më shumë shtetësive nga i njëjti person.

c) “Fëmijë” do të thotë çdo person nën moshën 18 vjeç në qoftë se, sipas ligjit të zbatueshëm për fëmijën, mosha madhore nuk është fituar më parë.

d) “E drejtë e brendshme” do të thotë të gjitha llojet e dispozitave të sistemit ligjor kombëtar, duke përfshirë edhe Kushtetutën, legjislacionin, rregullat, dekretet, precedentët ligjorë, rregullat dhe praktikën zakonore, si dhe rregullat që rrjedhin nga instrumente detyrues ndërkombëtarë.

 

Neni 6

Fitimi i shtetësisë

1. Çdo Shtet Palë do të parashikojë në të drejtën e tij të brendshme që shtetësia e tij të fitohet ex lege  nga personat e mëposhtëm:

a) fëmijët, njëri nga prindërit e të cilëve mban në momentin e lindjes së këtyre fëmijëve, shtetësinë e atij Shteti Palë, me ndonjë përjashtim që mund të parashikohet në të drejtën e brendshme në lidhje me fëmijët e lindur jashtë shtetit. Lidhur me fëmijët, prindërit e të cilëve caktohen nëpërmjet njohjes, urdhri gjyqësor apo procedurave të ngjashme, çdo Shtet Palë mund të parashikojë që fëmija të fitojë shtetësinë e tij duke ndjekur procedurën e përcaktuar nga e drejta e tij e brendshme;

b) foshnjat e gjetura në territorin e tij, të cilat përndryshe do të ishin pa shtetësi.

2. Çdo Shtet Palë do të parashikojë në të drejtën e tij të brendshme që shtetësia e tij të fitohet nga fëmijët, e lindur në territorin e tij, të cilët nuk fitojnë në lindje një tjetër shtetësi. Kjo shtetësi do t’u jepet:

a) në lindje ex lege; ose

b) më pas, fëmijëve që mbeten pa shtetësi, pas një kërkese drejtuar autoritetit përkatës, nga apo për fëmijën e interesuar, në mënyrën e parashikuar nga e drejta e brendshme e Shtetit Palë. Një kërkesë e tillë mund të bëhet duke u mbështetur edhe në qëndrimin e ligjshëm dhe të vazhdueshëm në territorin e tij për një periudhë jo më shumë se pesë vjet menjëherë përpara paraqitjes së kërkesës.

3. Çdo Shtet Palë do të parashikojë në të drejtën e tij të brendshme mundësinë e natyralizimit të personave që qëndrojnë në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e tij. Në vendosjen e kushteve për natyralizim, ai nuk do të parashikojë një periudhë qëndrimi më të gjatë se dhjetë vjet përpara paraqitjes së kërkesës.

4. Çdo Shtet Palë do të lehtësojë në të drejtën e tij të brendshme fitimin e shtetësisë së tij për personat e mëposhtëm:

a) bashkëshortët e shtetasve të tij;

b) fëmijët e një prej shtetasve të tij, që bien nën përjashtimin e nenit 6 paragrafi 1 nënparagrafi a;

c) fëmijët, njëri nga prindërit të të cilëve fiton apo ka fituar shtetësinë e tij;

d) fëmijët e birësuar nga një shtetas i tij;

e) personat që kanë lindur në territorin e tij dhe qëndrojnë aty ligjërisht dhe në mënyrë të vazhdueshme;

f) personat që qëndrojnë në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e tij për një periudhë kohe që fillon para moshës 18 vjeç, periudhë që përcaktohet nga e drejta e brendshme e Shtetit Palë të interesuar;

g) personat pa shtetësi dhe refugjatë të njohur, që qëndrojnë ligjërisht dhe në mënyrë të vazhdueshme në territorin e tij.

 

Neni 7

Humbja e shtetësisë ex lege ose me iniciativën e një Shteti Palë

1. Një Shtet Palë nuk mund të parashikojë në të drejtën e tij të brendshme humbjen e shtetësisë së tij ex-lege ose me iniciativën e një Shteti Palë, përveç rasteve të mëposhtme:

a) fitimi vullnetar i një shtetësie tjetër;

b) fitimi i shtetësisë së një Shteti Palë nëpërmjet sjelljes së paligjshme, informacionit të rremë apo fshehjes së fakteve përkatëse që lidhen me kërkuesin;

c) shërbimi vullnetar në një forcë ushtarake të huaj;

d) sjellje seriozisht paragjykuese për interesat jetësore të Shtetit Palë;

e) mungesë e një lidhjeje të vërtetë ndërmjet Shtetit Palë dhe një shtetasi që qëndron jashtë shtetit në mënyrë të vazhdueshme;

f) atëherë kur është vendosur gjatë moshës minore të fëmijës se parakushtet e përcaktuara nga e drejta e brendshme, të cilët çuan në fitimin ex-lege të shtetësisë së Shtetit Palë, nuk përmbushen më;

g) birësimi i një fëmije, nëse fëmija fiton ose mban  shtetësinë e huaj të njërit apo të të dy prindërve.

2. Një Shtet Palë mund të parashikojë humbjen e shtetësisë së tij nga fëmijët prindërit e të cilëve e humbasin atë shtetësi, përveç rasteve që mbulohen nga nënparagrafët c dhe d të paragrafit 1. Sidoqoftë, fëmijët nuk do ta humbasin atë shtetësi në qoftë se njëri nga prindërit e mban atë.

3. Një Shtet Palë nuk mund të parashikojë në të drejtën e tij të brendshme humbjen e shtetësisë së tij sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, në qoftë se personi i interesuar do të mbetej pa shtetësi si rrjedhojë, me përjashtim të rasteve të përmendura në paragrafin 1 nënparagrafin b të këtij ligji.

 

Neni 14

Rastet e shtetësisë së shumëfishtë ex-lege

Një Shtet Palë do të lejojë:

a) fëmijët që kanë shtetësi të ndryshme, të fituar automatikisht në lindje, t’i mbajnë këto shtetësi;

b) shtetasit e tij të mbajnë një shtetësi tjetër, aty ku kjo shtetësi tjetër është fituar automatikisht me martesë.

Mbajtja e shtetësive të përmendura në paragrafin 1 do t’i nënshtrohet klauzolave përkatëse të nenit 7 të kësaj Konvente.

 

 

 


[1] Republika e Shqipërisë ka ratifikuar  Konventën me ligjin nr. 8942, dt. 19.9.2002, botuar në Fletore Zyrtare nr. 67, dt.31 Tetor 2002, fq.1872.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim