Ligji Nr. 9518, dt 18.4.2006 “PËR MBROJTJEN E TË MITURVE NGA PËRDORIMI I ALKOOLIT”
L igji Nr. 9695, datë 19.3.2007
“PËR PROCEDURAT E BIRËSIMIT DHE KOMITETIN SHQIPTAR TË BIRËSIMIT“
(i ndryshuar)
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton procedurat e birësimit, si dhe organizimin, funksionimin e detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim:
a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet vendosjes së përhershme në një familje birësuese;
b) marrjen e masave, që birësimet, vendase dhe ndërvendase, të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës, i cili është mbizotërues ndaj çdo interesi tjetër;
c) krijimin e një sistemi bashkëpunimi, brenda dhe jashtë vendit, për marrjen dhe respektimin e masave mbrojtëse, që parandalojnë dështimin e birësimit, rrëmbimin, shitjen ose trafikimin e fëmijëve;
ç) sigurimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore, autoritetet qendrore të vendeve të tjera apo organizatave të miratuara prej tyre, për mbarëvajtjen e periudhës pasbirësuese.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Birësim” është procedura administrative dhe gjyqësore, nëpërmjet së cilës fëmijës, që i është privuar ose jo mjedisi familjar, i sigurohet një familje alternative, me të drejta dhe detyrime të njëjta me prindërit biologjikë.
2. “Birësues” është personi/personat që, nëpërmjet birësimit, marrin fëmijë, të privuar ose jo nga mjedisi familjar, duke i trajtuar si fëmijë të lindur prej tyre.
3. “I birësuar” është fëmija i privuar ose jo nga mjedisi familjar, i cili, nëpërmjet birësimit, vendoset në një familje tjetër, për t’u rritur dhe edukuar nga birësuesit, si të ishte fëmija i tyre biologjik.
4. “Familje biologjike” janë prindërit, që e kanë lindur fëmijën, të dy së bashku ose një i vetëm, të martuar ose të pamartuar.
5. “Përshtatshmëri” është aftësia e aplikantit për të qenë birësues, e vlerësuar nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.
6. “Ndërmjetësim” është veprimtaria e agjencive të licencuara për vendosjen e kontakteve ndërmjet aplikantëve birësues dhe organeve kompetente të birësimit.
7. “Agjenci ndërmjetësuese” janë organizatat jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, të licencuara ose të miratuara nga organet kompetente të birësimit.
8. “Periudhë e provës” është procesi i bashkimit të aplikantit birësues dhe të fëmijës, pas pëlqimit të dhënë nga Komiteti, për një periudhë kohe deri në 3 muaj, gjatë së cilës verifikohet përshtatshmëria e kësaj marrëdhënieje.
9. “Konventa e Hagës” është konventa nr.33 “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”.
KREU II
KOMITETI SHQIPTAR I BIRËSIMIT
Neni 4
Detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit
1. Komiteti Shqiptar i Birësimit (më poshtë Komiteti) është autoriteti qendror në fushën e birësimit, vendas dhe ndërvendas.
2. Komiteti shqyrton dhe vendos për përshtatshmërinë e aplikantit birësues dhe jep pëlqimin për realizimin e çdo birësimi.
3. Komiteti mbikëqyr periodikisht të gjitha rastet e birësimeve dhe, në rastet e birësimeve ndërvendase, bashkëpunon me autoritetet qendrore të vendeve të tjera, ku është kryer birësimi.
Neni 5
Organizimi
(Shtuar togfjalësh në pikën 3 me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Komiteti funksionon në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me këtë ligj, Kodin e Familjes, konventën “Për të drejtat e fëmijës” dhe Konventën e Hagës.
2. Komiteti përbëhet nga:
a) këshilli drejtues;
b) kryetari;
c) sekretariati ekzekutiv.
3. Këshilli drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Komitetit dhe përbëhet nga kryetari, si dhe nga një përfaqësues, të nivelit të mesëm ose të lartë drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil, i Ministrisë së Drejtësisë, i ministrisë që mbulon fushën e shëndetësisë, i ministrisë që mbulon fushën e arsimit dhe shkencës, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i ministrisë që mbulon fushën e rendit publik, i ministrisë që mbulon fushën e financave, i ministrisë që mbulon fushën e çështjeve sociale, një pedagog i së drejtës familjare nga universitetet publike dhe një përfaqësues i shoqatës së jetimëve.
4. Kryetari i Komitetit drejton këshillin drejtues dhe sekretariatin ekzekutiv.
5. Sekretariati ekzekutiv i Komitetit përbëhet nga specialistë të fushave të ndryshme dhe personeli i shërbimit, të cilët ndihmojnë këshillin drejtues në ushtrimin e funksioneve të veta. Veprimtaria e sekretariatit përcaktohet në këtë ligj dhe në rregulloren e brendshme të Komitetit.
6. Struktura dhe organika e Komitetit miratohen nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Rregullorja e brendshme e Komitetit miratohet nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e këshillit drejtues të Komitetit.
Neni 6
Statusi i Komitetit
1. Kryetari i Komitetit emërohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë.
2. Këshilli drejtues funksionon si organ kolegjial, në bazë të legjislacionit shqiptar.
3. Specialistët e sekretariatit ekzekutiv gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil.
4. Personeli i shërbimit emërohet nga kryetari i Komitetit dhe gëzon të drejtat e detyrimet e parashikuara në Kodin e Punës.
Neni 7
Financimi
(Ndryshuar me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Burimet e financimit të Komitetit janë:
a) Buxheti i Shtetit;
b) dhuratat, trashëgimitë dhe donacionet publike;
c) financime të tjera të ligjshme, të marra nga burime të ndryshme.
2. Tarifa për shërbimet, ndarja e të ardhurave, kriteret e procedurat e administrimit dhe të shpërndarjes së të ardhurave përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë e të Ministrit të Financave.
Neni 8
Marrëdhëniet e Komitetit
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Komiteti, në zbatim të Kodit të Familjes dhe të këtij ligji, bashkëpunon me:
a) ministritë që mbulojnë çështjet sociale dhe shëndetësinë për shkëmbime informacioni për respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e birësimit;
b) Inspektoratin e Ndihmës Ekonomike, Pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe me shërbimet shoqërore, si autoritet i ngritur për kontrollin e zbatimit të legjislacionit dhe të standardeve të shërbimeve shoqërore;
c) organet e institucioneve të mësipërme pranë njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë:
i) sektorin e shërbimit social, i cili dërgon në Komitet raporte periodike 6-mujore për fëmijët e vendosur në kujdestari jashtë institucioneve;
ii) institucionet e përkujdesjes sociale të fëmijëve, publike dhe private, të cilat dërgojnë në Komitet raporte periodike 3-mujore për fëmijët që kanë në institucionet e tyre, për afatet dhe arsyet e qëndrimit në institucion.
2. Kur vihen re shkelje të detyrimeve ligjore në procedurën e birësimit, kryetari i Komitetit i propozon:
a) autoritetit shtetëror përgjegjës masa disiplinore për drejtuesit apo punonjësit e institucionit shtetëror të përkujdesjes sociale;
b) Inspektoratit të Ndihmës Ekonomike dhe Pagesës për Personat me Aftësi të Kufizuar heqjen e licencës për institucionet private të përkujdesjes shtetërore.
Neni 9
Detyrat e këshillit drejtues të Komitetit
(Shfuqizuar pika 12 me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
Këshilli drejtues i Komitetit ka këto detyra:
1. Vendos për përshtatshmërinë e aplikantëve birësues.
2. Jep pëlqimin, me shkrim dhe në mënyrë kolegjiale, për birësimin e fëmijës nga aplikantët birësues, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës.
3. Merr masat e nevojshme për të shmangur dështimin e birësimeve, përfitimet e padrejta, si dhe çdo lloj veprimtarie, që synon trafikimin e fëmijëve.
4. Cakton kohëzgjatjen, mënyrën dhe vendin ku do të realizohet periudha e provës për përshtatshmërinë e birësuesve me të birësuarin.
5. Miraton projektbuxhetin e Komitetit dhe propozon strukturën organike të tij.
6. Miraton programet e punës së Komitetit dhe politikat përkatëse për përmirësimin e procedurave të birësimit.
7. Analizon, në fund të çdo viti, veprimtarinë financiare dhe administrative të Komitetit.
8. Propozon për miratim, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave, tarifat për shërbimet e kryera për birësim.
9. Përmbush detyrimet që rrjedhin nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara për të drejtat e fëmijëve në birësim.
10. Bën propozime për përmirësimin e legjislacionit në fushën e birësimit, në interes të fëmijës.
11. Vlerëson për çdo rast përfundimet për bashkimin birësues – i birësuar, që ka miratuar dhe mbikëqyr nëse birësimi i përgjigjet interesit më të lartë të fëmijës.
12. Shfuqizohet.
13. U kërkon agjencive, vendase dhe të huaja, informacion për gjendjen e fëmijës së birësuar, në afate të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar me to.
14. Nxit bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore të vendeve të tjera, si dhe hartimin e marrëveshjeve dypalëshe me agjencitë e huaja ndërmjetëse.
15. Miraton veprimtarinë e agjencive të huaja, që punojnë në fushën e birësimit në Shqipëri.
16. Informohet për veprimtarinë e agjencive të licencuara, pas kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Komitetit dhe, kur vëren se ato kanë kryer shkelje të detyrimeve ligjore, propozon masa administrative deri në heqjen e licencës.
Neni 10
Kriteret e emërimit të kryetarit të Komitetit
Kryetar i Komitetit emërohet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
1. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
2. Të ketë arsimin e lartë, si rregull juridik, shkencat sociale ose pedagogji.
3. Të ketë një përvojë jo më pak se 3 vjet në fushën e të drejtave të fëmijëve.
4. Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të gëzojë reputacion të mirë.
Neni 11
Detyrat e kryetarit të Komitetit
Kryetari i Komitetit drejton veprimtarinë e këshillit drejtues dhe të sekretariatit ekzekutiv dhe ka këto detyra:
a) thërret këshillin drejtues në mbledhje të zakonshme dhe të jashtëzakonshme dhe përcakton rendin e ditës;
b) drejton mbledhjet e këshillit drejtues;
c) nënshkruan vendimet e marra në emër të këshillit drejtues dhe të institucionit që përfaqëson;
ç) vërteton përputhjen e birësimit ndërvendas me dispozitat e konventës;
d) nënshkruan marrëveshje me institucione analoge jashtë vendit, me agjenci vendase dhe të huaja, që ndërmjetësojnë në fushën e birësimit;
dh) raporton për veprimtarinë e sekretariatit ekzekutiv përpara këshillit drejtues dhe për veprimtarinë e Komitetit përpara Ministrit të Drejtësisë;
e) përfaqëson Komitetin në marrëdhënie me institucione të tjera, brenda dhe jashtë vendit;
ë) emëron ose largon nga detyra personelin e sekretariatit ekzekutiv, në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe Kodin e Punës.
Neni 12
Largimi nga detyra i kryetarit të Komitetit
Kryetari i Komitetit largohet nga detyra kur:
a) shkel kompetencat e parashikuara në këtë ligj;
b) dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
c) bëhet i paaftë për të kryer detyrën për shkak sëmundjeje;
ç) jep dorëheqjen.
Neni 13
Detyrat e sekretariatit ekzekutiv të Komitetit
Sekretariati ekzekutiv i Komitetit kryen këto detyra:
1. Harton dhe administron listat e fëmijëve që mund të birësohen brenda ose jashtë vendit.
2. Pranon kërkesat e paraqitura nga shtetas shqiptarë ose të huaj, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë dhe ndihmon në plotësimin e dokumentacionit.
3. Kujdeset për t’u dhënë këshillat e nevojshme personave, pëlqimi i të cilëve kërkohet për birësim dhe jep të dhëna në kohë për pasojat e pëlqimit të tyre dhe të birësimit.
4. Bashkëpunon me institucionet e përkujdesit social për fëmijët, publike dhe private, brenda vendit, për të siguruar mbrojtjen e interesave të fëmijëve që janë në këto institucione.
5. Shqyrton, verifikon dhe vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët birësues dhe dokumentacionin e fëmijës për t’u birësuar.
6. Siguron informacion të hollësishëm për prejardhjen e fëmijës, përfshirë prejardhjen kombëtare, fetare, kulturore dhe gjuhësore.
7. Realizon intervista me aplikantët birësues dhe përgatit studimin për ta.
8. Organizon këshillime, seminare dhe veprimtari të tjera në fushën e birësimit.
9. I kërkon sektorit të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore dhe agjencive ndërmjetësuese të dhëna për gjendjen e fëmijës së birësuar.
10. Realizon intervista për marrjen e mendimit/pëlqimit të fëmijës për birësimin, sipas parashikimeve të nenit 15 të këtij ligji.
11. Ushtron kontrolle në institucionet e përkujdesjes publike dhe private për fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u birësuar dhe verifikon raportet periodike, të paraqitura prej tyre në Komitet për gjendjen e fëmijëve.
12. Mbikëqyr veprimtarinë e agjencive ndërmjetësuese për përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare të tyre.
KREU III
PËRGATITJA E DOKUMENTACIONIT BIRËSUES
Neni 14
Paraqitja e kërkesës
(Shtuar fjalia e fundit në pikën 4 me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit. Ata mund të birësojnë vetëm fëmijë, emrat e të cilëve janë në listat e Komitetit.
2. Shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga Komiteti.
3. Shtetasit e huaj, rezidentë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.
4. Shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tyre të rezidencës. Ky rregull zbatohet edhe kur shtetasi shqiptar ka lidhur martesë me një shtetas të huaj apo person pa shtetësi.
Neni 15
Mendimi/pëlqimi i fëmijës që birësohet
1. Kur fëmija ka mbushur moshën 10 vjeç, birësimi kryhet vetëm kur Komiteti ka marrë mendimin e tij dhe pasi siguron se:
a) fëmija është këshilluar dhe informuar për pasojat e birësimit dhe të dhënies së mendimit të tij për birësimin;
b) janë marrë parasysh mendimet dhe dëshirat e fëmijës, kur ato janë në interes të tij;
c) mendimi i fëmijës është dhënë në mënyrë të vullnetshme dhe është dokumentuar apo evidentuar me shkrim, sipas formës së përcaktuar nga Komiteti;
ç) mendimi nuk është dhënë kundrejt pagesës apo çdo lloj kompensimi tjetër.
2. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç, për birësim kërkohet pëlqimi i tij, në përputhje me kërkesat e tjera të pikës 1 të këtij neni.
Neni 16
Legjislacioni që zbatohet
1. Për fëmijën e huaj, që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, në gjendje faktike braktisjeje, për të cilin kërkohet një ndërhyrje emergjente ligjore, zbatohet legjislacioni shqiptar në fuqi.
2. Shtetasi shqiptar, që dëshiron të birësojë një fëmijë me shtetësi të huaj, duhet të përmbushë kërkesat e Kodit të Familjes, të këtij ligji, si dhe ato të ligjit të vendbanimit të fëmijës. Kërkesa i drejtohet Komitetit.
3. Shtetasi shqiptar, që ka dhe një shtetësi tjetër të huaj dhe banon në mënyrë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në rast birësimi të një fëmije shqiptar, duhet të përmbushë kërkesat përkatëse ligjore të birësimit të vendbanimit të përhershëm.
Neni 17
Birësimi i fëmijës refugjat
1. Nuk mund të kryhet birësimi i një fëmije refugjat nëse:
a) ka shpresë të arsyeshme për gjetjen e familjes së tij dhe për bashkimin familjar, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës;
b) nuk ka kaluar dy vjet nga data e marrjes së azilit, kohë gjatë së cilës janë ndërmarrë të gjitha masat për gjetjen e prindërve ose anëtarëve të tjerë të familjes së fëmijës;
c) është në kundërshtim më interesin e fëmijës;
ç) është i mundshëm në një të ardhme të afërt rikthimi i sigurt dhe me dinjitet në vendin e origjinës dhe nëse mundësitë e fëmijës në vendin e origjinës janë më të mira sesa birësimi në vendin e azilit ose në një vend të tretë.
2. Në procesin e birësimit të fëmijëve refugjatë, Komiteti bashkëpunon me strukturën përkatëse shtetërore që mbulon çështjet e refugjatëve.
Neni 18
Dokumentacioni i aplikantit birësues
(Ndryshuar pika 5 dhe 6 me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Kërkesën me motivimin e birësimit.
2. Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit.
3. Të dhënat për gjendjen civile, si kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e martesës, certifikatën e zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit.
4. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.
5. Deklaratën për fëmijërinë, mënyrën e rritjes, edukimin dhe profesionin.
6. Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes.
7. Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme.
8. Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit.
9. Deklaratën me të dhënat për gjendjen ekonomike dhe sociale.
10. Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale.
11. Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.
Të dhënat, që do të përfshihen në deklaratat e parashikuara në pikat 5, 9 dhe 11 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë, me propozim të Komitetit Shqiptar të Birësimit. Deklaratat përpilohen përpara noterit, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 7829, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar. Në rastin e përpilimit të këtyre deklaratave jashtë shtetit, ato paraqiten të legalizuara.
Neni 19
Studimi i aplikantit birësues
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse nga sekretariati ekzekutiv për të drejtën e aplikantit birësues për të birësuar, bëhet studimi i aftësisë së tij birësuese. Studimi i përgatitur i paraqitet këshillit drejtues për shqyrtim në mbledhjen e tij të radhës.
Neni 20
Regjistrimi në listat e Komitetit
Në listat e Komitetit regjistrohen ata fëmijë shqiptarë, për të cilët:
a) është deklaruar braktisja me një vendim gjyqësor të formës së prerë;
b) është dhënë pëlqimi nga prindërit biologjikë;
c) është dhënë pëlqimi nga gjykata për fëmijët që ndodhen në përkujdesje, sipas paragrafit të tretë të nenit 246 të Kodit të Familjes.
Neni 21
Heqja nga listat e Komitetit
Hiqen nga listat e Komitetit dhe nuk mund të birësohen fëmijët kur:
a) është tërhequr pëlqimi i prindërve biologjikë për birësim, sipas Kodit të Familjes;
b) është vendosur nga gjykata, që fëmija të qëndrojë pranë prindërve biologjikë, me ndërhyrjen në proces të prindërve, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës;
c) janë bërë madhorë;
ç) fëmija vdes;
d) fëmija mbi 12 vjeç kundërshton birësimin.
Neni 22
Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet
(Ndryshuar shkronja d) me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Sekretariati ekzekutiv verifikon dhe vlerëson dokumentacionin për çdo fëmijë që do të birësohet, të përgatitur nga institucionet e përkujdesjes sociale ose të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore. Vlerësimi i këtij dokumentacioni shërben për gjetjen e familjeve të përshtatshme, për të përballuar nevojat e fëmijës.
2. Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet përmban:
a) certifikatën e lindjes;
b) raportin për gjendjen psikologjike, fizike dhe sociale të tij;
c) raportin për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor;
ç) mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur 10 vjeç, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç paraqitet pëlqimi i vet;
d) kopje të letërnjoftimit e prindërve të tij biologjikë, nëse ata njihen;
dh) raportin me të dhëna mbi historikun mjekësor të prindërve, nëse ato dihen, informacion për shtatzaninë dhe lindjen;
e) deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin ose vendimin gjyqësor, që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;
ë) historikun e kalimit në kujdestari të fëmijës, nëse ka dhe të dhëna për kushtet në të cilat ka jetuar;
f) hollësi rreth jetës dhe zakoneve të tij.
3. Data e lëshimit të raportit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni, duhet të jetë jo më parë se dy javë nga data e dorëzimit në Komitet e dokumentacionit për birësim.
KREU IV
PROCEDURAT E BIRËSIMIT
Neni 23
Përparësia në birësim
1. Sekretariati ekzekutiv, për fëmijën, emri i të cilit është në listat e tij, propozon një familje birësuese shqiptare të përshtatshme. Nëse kjo nuk është e mundur dhe kur emri i fëmijës ka qenë në listat e Komitetit që prej 6 muajve, aplikant birësues mund të jetë edhe një familje e huaj.
2. Në raste të veçanta, kur nga plotësimi i afatit të sipërpërmendur mund të dëmtohet shëndeti i fëmijës, nisur nga interesi më i lartë i tij, Komiteti mund të japë pëlqimin për birësim edhe pa u përmbushur ky afat, duke e motivuar këtë pëlqim.
Neni 24
Shqyrtimi nga këshilli drejtues
Dokumentacioni i përgatitur nga aplikanti birësues për procedurën e birësimit të fëmijës dhe dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet, i propozuar nga sekretariati ekzekutiv, shqyrtohet nga këshilli drejtues, i cili:
a) vendos nëse aplikanti birësues është i përshtatshëm ose jo për të birësuar;
b) jep pëlqimin me shkrim për birësimin e fëmijës nga aplikanti birësues.
Neni 25
Periudha e provës
1. Me dhënien e pëlqimit për çdo birësim, me propozimin e sekretariatit ekzekutiv, këshilli drejtues përcakton periudhën e provës, e cila nuk mund të jetë më shumë se 3 muaj.
2. Në përfundim të periudhës së provës, sekretariati ekzekutiv përgatit raportin për përshtatshmërinë e aplikantëve birësues me fëmijën dhe dokumentacionin e përgatitur ia dërgon gjykatës.
3. Në rast se aplikantët birësues e kanë pasur fëmijën në kujdestari familjare për një periudhë më të gjatë se tre muaj dhe vërtetohet se kjo marrëdhënie ka qenë afektive, periudha e provës nuk është e domosdoshme.
Neni 26
Përmbajtja e dokumentacionit
Dosja që i dërgohet gjykatës nga Komiteti përmban:
a) dokumentacionin e përgatitur për aplikantin birësues;
b) dokumentacionin e përgatitur për fëmijën që do të birësohet;
c) vendimin për përshtatshmërinë e aplikantëve;
ç) pëlqimin e këshillit drejtues për birësimin e fëmijës nga aplikantët;
d) raportin e përshtatshmërisë së aplikantit me fëmijën.
KREU V
BIRËSIMI NDËRVENDAS
Neni 27
Kushtet
Për birësimet ndërvendase, që do të shpallen në Republikën e Shqipërisë, këshilli drejtues i Komitetit verifikon:
a) vlefshmërinë e dokumentacionit të aplikantëve birësues;
b) miratimin, nga organi kompetent i huaj, i përshtatshmërisë së aplikantëve birësues;
c) dokumentacionin e plotë dhe të saktë të aplikantëve;
ç) përputhjen e parimeve të legjislacionit shqiptar me atë të shtetit të birësuesit;
d) bashkëpunimin me autoritetet e vendit pritës, që birësimi të mos dështojë dhe fëmija të autorizohet të hyjë për të banuar përgjithmonë në shtetin pritës.
Neni 28
Dokumentacioni plotësues
Në birësimin ndërvendas, veç dokumenteve të parashikuara në nenin 27 të këtij ligji, Komiteti i dërgon gjykatës:
a) vërtetimin se fëmija nuk ka pasur mundësi të birësohet në Shqipëri për një afat prej 6 muajsh, me përjashtimin e parashikuar në pikën 2 të nenit 23 të këtij ligji;
b) vërtetimin se në vendin e aplikantëve fëmija do të gëzojë të njëjtat të drejta si në Shqipëri dhe se birësimi është i parevokueshëm.
Neni 29
Birësimi i fëmijës rezident jashtë vendit
Mund të birësohen nga shtetas shqiptarë ose rezidentë të huaj në Shqipëri fëmijë, shqiptarë ose të huaj, rezidentë në shtete të tjera, që e kanë ratifikuar Konventën e Hagës ose kanë lidhur marrëveshje dypalëshe me autoritetet kompetente apo agjencitë, në përputhje me parimet e kësaj konvente, me kusht që:
a) fëmija të jetë deklaruar i birësueshëm nga organi kompetent i huaj dhe të jenë ndërprerë marrëdhëniet prindër-fëmijë;
b) të jetë dhënë autorizimi ose pëlqimi i nevojshëm nga autoriteti qendror i huaj ose nga ndonjë organ tjetër që barazohet me të.
Neni 30
Procedura e birësimit ndërvendas
Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë të huaj ose shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet t’i drejtohen Komitetit me kërkesë, së cilës t’i bashkëlidhin të gjithë dokumentacionin e parashikuar në nenin 18 të këtij ligji.
Këshilli drejtues, pasi verifikon nëse ekzistojnë kushtet, vendos për:
a) përshtatshmërinë e aplikantëve birësues, duke pasur parasysh të gjithë informacionin për identitetin e tyre, për familjen, gjendjen shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndryshimet kulturore ose fetare të fëmijës;
b) dërgimin tek autoriteti kompetent i huaj të dokumentacionit, të vendimit të përshtatshmërisë dhe të karakteristikave të fëmijës, që aplikanti dëshiron të birësojë.
Neni 31
Njohja e vendimit të huaj
Birësimi i shpallur në një vend të huaj, me kërkesën e shtetasve shqiptarë, do të prodhojë pasoja juridike në Republikën e Shqipërisë nëse gjykata, në bazë të vërtetimit të lëshuar nga Komiteti, vëren se janë zbatuar kriteret e parashikuara në nenin 4 të Konventës së Hagës dhe parimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.
KREU VI
AGJENCITË NDËRMJETËSUESE
Neni 32
Fusha e veprimtarisë
1. Agjencitë ndërmjetësuese ushtrojnë veprimtarinë e tyre ndërmjet Komitetit dhe autoriteteve kompetente të huaja në birësimet ndërvendase.
2. Agjencitë ndërmjetësuese mund të jenë vendase ose të huaja.
3. Veprimtaria e tyre rregullohet me këtë ligj.
Neni 33
Agjencitë ndërmjetësuese në fushën e birësimit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Agjencitë ndërmjetësuese vendase licencohen sipas legjislacionit për licencat, për një afat 5-vjeçar, dhe në licencë përcaktohen territori dhe shtetet, për të cilat do të ndërmjetësojnë. Veprimtaria e këtyre subjekteve përfshihet në kategorinë XI.3 të shtojcës bashkëlidhur ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
2. Agjencitë ndërmjetësuese të huaja njihen dhe miratohen nga komisioni i miratimit të agjencive ndërmjetësuese të huaja, pranë Ministrisë së Drejtësisë, për një afat 5-vjeçar për ushtrimin e veprimtarisë në këtë fushë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Përbërja dhe rregullat e funksionimit të komisionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i komisionit për njohjen dhe miratimin e ushtrimit të veprimtarisë dërgohet për publikim në Qendrën Kombëtare të Licencimit brenda 10 ditëve. Nëse komisioni rrëzon kërkesën, agjencia ndërmjetësuese ka të drejtë që, brenda 10 ditëve, të paraqesë ankim pranë Ministrit të Drejtësisë, i cili shprehet me vendim brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
3. Agjencitë ndërmjetësuese, vendase ose të huaja, duhet:
a) të ndjekin vetëm qëllime jofitimprurëse, sipas kushteve të përcaktuara nga Komiteti;
b) të drejtohen dhe të kenë personel me integritet moral dhe të kualifikuar në fushën e birësimit, me punonjës socialë, psikologë dhe juristë;
c) të sigurojnë një administrim kontabël, transparent, për kostot e domosdoshme për realizimin e procedurës së birësimit;
ç) të mos paragjykojnë dhe të mos diskriminojnë aplikantët birësues, për shkaqe të tilla, si raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike e filozofike apo shkaqe të tjera diskriminuese;
d) të jenë regjistruar në gjykatë.
Neni 34
Detyrat e agjencive ndërmjetësuese
(Shtuar shkronja g) me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
Agjencitë ndërmjetësuese kryejnë këto detyra:
a) përgatisin dokumentacionin dhe studimin e aplikantëve birësues për birësimet ndërvendase dhe ia paraqesin atë Komitetit;
b) realizojnë këshillime për aplikantët birësues për birësimin dhe pasojat e tij, si dhe i informojnë ata për të drejtat dhe detyrimet e tyre;
c) ndjekin procedurën e birësimit pas marrjes së vendimit të përshtatshmërisë, të dhënë nga Komiteti, duke ia dërguar të gjithë dokumentacionin autoriteteve ose agjencive kompetente të vendeve me të cilat kanë marrëdhënie;
ç) marrin nga autoriteti i huaj propozimin për realizimin e takimit ndërmjet aplikantëve për birësim dhe fëmijës që do të birësohet. Gjatë takimit duhet të paraqiten të gjitha informacionet e nevojshme për gjendjen shëndetësore të fëmijës, familjen biologjike dhe për përvojat e tij të jetës;
d) u japin shtetasve shqiptarë informacionin e nevojshëm për fëmijën që do të birësojnë;
dh) realizojnë takimin ndërmjet aplikantit birësues dhe fëmijës që do të birësohet, duke ndërmjetësuar në këtë veprimtari;
e) informojnë me shkrim Komitetin për rezultatin e takimit;
ë) përgatisin raportin pas birësimit dhe japin informacione të hollësishme edhe për birësime të veçanta;
f) ndërmjetësojnë për transferimin e fëmijës nga vendi i origjinës në vendin pritës dhe ndjekin procedurën për njohjen e vendimit;
g) të paraqesin pranë Komitetit raporte me shkrim ç do 6 muaj për veprimtarinë e tyre dhe në çdo rast që Komiteti i kërkon një raport të tillë.
Neni 35
Mbarimi i veprimtarisë së agjencisë
Veprimtaria e agjencisë ndërmjetësuese mbaron:
a) kur mbaron afati, për të cilin është dhënë licenca ose miratimi;
b) kur hiqet licenca ose miratimi, për shkak se ka shkelur kërkesat e ligjit ose kur kërkohet nga vetë agjencia;
c) kur ka kryer vepër penale;
ç) kur shteti i huaj i ka hequr autorizimin si agjenci ndërmjetësuese.
KREU VII
ADMINISTRIMI I TË DHËNAVE PERSONALE DHE DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 36
Mbrojtja e të dhënave personale
(Ndryshuar me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
1. Komiteti respekton dhe përgjigjet për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijës në procedurat e birësimit. Ai merr masat organizative dhe teknike të domosdoshme për mbrojtjen e të dhënave personale, duke zbatuar kushtet, kriteret dhe procedurat për përpunimin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Nëse gjatë procedurave të birësimit lind nevoja për marrjen e autorizimit nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për një veprim të caktuar, kryetari i Komitetit paraqet kërkesë me shkrim.
3. Agjencitë ndërmjetësuese vendase, në cilësinë e kontrolluesit, detyrohen të zbatojnë të gjitha kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Punonjësit publikë dhe privatë që, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, vihen në dijeni për të dhënat e përpunuara dhe kanë informacion për birësim, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të detyrës. Këto të dhëna nuk mund të përhapen apo bëhen të ditura, përveç rasteve të parashikuara me ligj.
Neni 37
E drejta për informim
1. Prindërit birësues dhe i birësuari, që ka arritur moshën madhore, mund t’i kërkojnë Komitetit të dhëna për origjinën e të birësuarit dhe historinë e tij.
2. Ky informacion mund të kufizohet ose të refuzohet në raste të veçanta, kur ka arsye se prej tij vijnë pasoja të rënda.
Neni 38
Dispozitë kalimtare
(Shtuar paragrafët pas paragrafit të parë me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010)
Punonjësit ekzistues, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji punojnë në vende pune që vlerësohen si pjesë e shërbimit civil, janë nëpunës në periudhë prove tremujore dhe për ta zbatohen përcaktimet e bëra në nenin 14 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
Komiteti, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, merr masat për:
a) paraqitjen pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit të informacionit të nevojshëm të agjencive ndërmjetësuese të licencuara prej tij përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji;
b) depozitimin pranë Ministrit të Drejtësisë të kërkesave për licencë dhe të dokumentacionit shoqërues, të paraqitura nga agjencitë ndërmjetësuese përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të cilat Komiteti nuk ka vendosur ende;
c) depozitimin e të dhënave të agjencive ndërmjetësuese të licencuara, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, pranë Ministrisë së Drejtësisë, për qëllime të regjistrimit, sipas pikës 4 të nenit 33 të këtij ligji.
Ministri, që përfaqësohet në këshillin drejtues të Komitetit Shqiptar të Birësimit, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, merr masa për caktimin e përfaqësuesit, në përputhje me pikën 3 të nenit 5 të këtij ligji.
Neni 39
Shfuqizime
Ligji nr.7650, datë 17.12.1992 “Për birësimin e të miturve nga shtetas të huaj dhe për disa ndryshime në Kodin e Familjes”, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 40
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
[1]Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 36, datë 4 Prill 2007, faqe 690.
[2] Varianti i përditësuar.
[3] Ligji nr. 9695/2007 është ndryshuar me ligjin nr. 10358, datë 16.12.2010, botuar në Fletore Zyrtare nr.174, datë 27 Dhjetor 2010, faqe 8922