LIGJI Nr. 9062, datë 8.5.2003 “KODI I FAMILJES”
Në mbështetje të neneve 53, 54, 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
PJESA E PARË
PARIME TË PËRGJITHSHME
***
Neni 2
Prindërit, organet kompetente dhe gjykatat, në vendimet dhe veprimtarinë e tyre, duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës[3].
Neni 3
Prindërit kanë detyrë dhe të drejtë të kujdesen për mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të lindur nga martesa ose jashtë martese.
Shteti dhe shoqëria duhet t’u ofrojnë familjeve mbështetjen e nevojshme për të mbajtur në gjirin e tyre fëmijët, për të parandaluar keqtrajtimin dhe braktisjen e tyre, si dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes.
Neni 4
Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si fëmijët e lindur nga martesa.
Neni 5
Çdo fëmijë, për një zhvillim të plotë dhe harmonik të personalitetit, ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar, në një atmosferë gëzimi, dashurie dhe mirëkuptimi.
Neni 6
Në çdo procedurë që i përket të miturit, ai ka të drejtë të dëgjohet, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar, duke ruajtur të drejtën që i japin dispozitat e veçanta që garantojnë ndërhyrjen dhe dhënien e pëlqimit nga ana e tij.
Në rastet kur i mituri kërkon të dëgjohet, kërkesa e tij nuk mund të rrëzohet, veçse për shkaqe të rënda dhe me një vendim tepër të motivuar.
I mituri mund të dëgjohet vetë, nëpërmjet një avokati ose një personi të zgjedhur prej tij.
Në çdo procedurë që i përket të miturit, prania e psikologut është e detyrueshme për të vlerësuar thëniet e të miturit, në përputhje me zhvillimin mendor dhe situatën e tij sociale.
MOSHA E LIDHJES SË MARTESËS
Neni 7
Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.
***
Neni 39
Martesa e lidhur nga personi që nuk ka mbushur moshën e parashikuar në këtë Kod është e pavlefshme.
Një martesë e tillë nuk shpallet e pavlefshme kur personi ka arritur moshën e kërkuar, ose kur gruaja ka lindur fëmijë ose ka mbetur shtatzënë.
***
Neni 49
Pasojat e pavlefshmërisë
Martesa që shpallet e pavlefshme me vendim të formës së prerë konsiderohet se nuk është lidhur.
Për bashkëshortin që nuk ka ditur shkakun e pavlefshmërisë së martesës, pasojat fillojnë nga data që vendimi merr formë të prerë.
Fëmijët e lindur nga një martesë që shpallet e pavlefshme, quhen si të lindur nga martesa dhe marrëdhëniet midis tyre dhe prindërve rregullohen si në rastet kur zgjidhet martesa.
***
Neni 52
Mbiemri i fëmijëve
Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.
Neni 53
Detyrimi ndaj fëmijëve
Martesa vendos mbi të dy bashkëshortët detyrimin për të mbajtur, arsimuar dhe edukuar fëmijët, duke pasur parasysh aftësitë, prirjet natyrore dhe dëshirat e fëmijëve.
***
Neni 55
Vendbanimi i bashkëshortëve
Bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët.
Vendbanimi i familjes është vendi që bashkëshortët zgjedhin me marrëveshje të përbashkët.
Në rast mosmarrëveshjeje, secili nga bashkëshortët mund t’i drejtohet gjykatës, e cila, pasi dëgjon mendimet e të dy bashkëshortëve dhe, nëse është rasti, edhe mendimin e fëmijës që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mundohet të arrijë një zgjidhje me mirëkuptim.
Kur kjo nuk është e mundur, gjykata vendos zgjidhjen që e quan më të përshtatshme për kërkesat e familjes.
***
Neni 60
Veprime pa pëlqimin e bashkëshortit
Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njëri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër.
Përgjegjësia solidare nuk ka vend për shpenzimet haptazi të tepërta, duke pasur parasysh mënyrën e jetesës në familje, dobishmërinë e veprimit të kryer, si dhe mirëbesimin ose keqbesimin e personave të tretë kontraktues.
***
Neni 67
Të drejta të pashmangshme
Bashkëshortët nuk mund t’i shmangen të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin për ta nga martesa, si dhe përgjegjësisë prindërore dhe rregullave të administrimit ligjor dhe të kujdestarisë.
***
Neni 70
Në rastin e martesës së të miturit, sipas nenit 7 paragrafi i dytë, zbatohet regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore derisa të mbushë moshën 18 vjeç, çast pas të cilit mund të kërkohet ndryshimi i regjimit ligjor të pasurisë.
***
PJESËTIMI I PASURISË NË BASHKËSI
Neni 103
Pjesëtimi i pasurisë në bashkësinë ligjore bëhet duke u nisur nga barazia e aktivit dhe pasivit të saj.
Pasi të jenë zbritur nga bashkësia detyrimet që ajo ka ndaj bashkëshortëve ose të tretëve, pasuria që mbetet ndahet në pjesë të barabarta midis bashkëshortëve.
Gjykata, në bazë të nevojave të fëmijëve dhe nga fakti se kujt do t’i besohen ata, mund të vendosë në favor të një bashkëshorti kalimin e një pjese të pasurisë së bashkësisë që i takon bashkëshortit tjetër.
***
Neni 127
Gjykata vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është real dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Në të njëjtin vendim, gjykata miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.
Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore.
Neni 128
Refuzimi i miratimit
Në rast se gjykata konstaton se marrëveshja nuk siguron në mënyrë të mjaftueshme interesat e fëmijëve ose të njërit prej bashkëshortëve, pezullon gjykimin për 3 muaj dhe u kërkon bashkëshortëve të bëjnë rregullimet e duhura në marrëveshje.
Në qoftë se edhe pas afatit të parashikuar në paragrafin e parë nuk janë bërë rregullimet e duhura, gjykata refuzon miratimin dhe rrëzon kërkesën për zgjidhjen e martesës me pëlqim reciprok të bashkëshortëve.
***
Neni 137
Pezullimi i gjykimit me kërkesën e gruas shtatzënë
Kur gruaja është shtatzënë, me kërkesën e saj, gjykata mund të pezullojë gjykimin e padisë së zgjidhjes së martesës, por jo më tepër se 1 vit nga çasti i lindjes së fëmijës.
Neni 138
Bashkimi i kërkimeve të tjera
Në kërkesëpadinë për zgjidhjen e martesës mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës.
Gjykata veçon likuidimin e regjimit pasuror martesor në rast se vështirësohet shqyrtimi i çështjes, sipas kërkesave të paragrafit të parë të këtij neni.
Neni 139
Marrja e masave të përkohshme
Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të mitur, për detyrimin për ushqim të bashkëshortit, kur shihet e arsyeshme, për sigurimin e banimit, si dhe administrimin dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës, nëse është rasti.
Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet ose të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta.
***
Neni 146
Përdorimi i mbiemrit
Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës.
Gjykata, me kërkesën e bashkëshortit dhe kur është në interes të tij ose të fëmijëve, mund të lejojë që ai të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës.
***
KONTRIBUTI KOMPENSUES
Neni 149
Në përcaktimin e nevojave dhe të burimeve, gjykata merr në konsideratë:
a) moshën dhe gjendjen shëndetësore të ish-bashkëshortëve;
b) kohën e shpenzuar dhe atë që i duhet të shpenzojnë për edukimin e fëmijëve;
c) kualifikimin e tyre profesional;
ç) predispozitën e tyre për punë të reja;
d) të drejtat që ata gëzojnë dhe ato që parashikohen për të ardhmen;
dh) pasurinë e tyre, si kapital ose si e ardhur, pas likuidimit të regjimit pasuror martesor.
***
Neni 153
E drejta e përdorimit të banesës
Në rast se banesa familjare është në pronësi të njërit ish-bashkëshort dhe bashkëshorti tjetër nuk ka në pronësi banesë tjetër të përshtatshme në vendbanimin e tyre, gjykata mund të lejojë përdorimin nga ish-bashkëshorti jopronar të banesës kur:
a) fëmijët i janë lënë për rritje dhe edukim këtij të fundit, derisa ata të arrijnë moshën madhore;
b) zgjidhja e martesës bëhet nga ish-bashkëshorti pronar për ndërprerje prej tij të jetesës së përbashkët. Në këtë rast e drejta e përdorimit të banesës është deri në 7 vjet, por në rast se ish-bashkëshorti jopronar rimartohet, e humbet këtë të drejtë;
c) kur ish-bashkëshorti jopronar ka instaluar në banesën e ish-bashkëshortit pronar një kabinet profesional me vlerë të madhe, lëvizja e të cilit do të kërkonte shpenzime të mëdha. Në këtë rast e drejta e përdorimit është deri në 3 vjet.
Në këto raste gjykata përcakton afatin e përdorimit dhe masën e qirasë që detyrohet të paguajë ish-bashkëshorti jopronar në përputhje me të ardhurat e tij.
Në çdo rast gjykata mund të zgjidhë kontratën e qirasë, në qoftë se kjo justifikohet nga rrethana të reja.
PASOJAT E ZGJIDHJES SË MARTESËS PËR FËMIJËT
Neni 154
Zgjidhja e martesës nuk prek të drejtat dhe detyrimet që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë Kod.
Neni 155
Para se gjykata të marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, të drejtës së vizitës ose të besuarit të fëmijës njërit ish-bashkëshort, duhet të thërrasë një psikolog ose punonjës social, i cili, para se të japë mendimin, duhet të marrë të dhëna për gjendjen materiale dhe morale të familjes, kushtet në të cilat jetojnë dhe ku është më e përshtatshme të jetojë fëmija.
Në rast se gjykata arrin në konkluzionin se fëmija, përkohësisht, duhet t’i besohet një personi të tretë ose një familjeje kujdestare, duhet të marrë mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë së vendit ku zhvillohet gjykimi.
Neni 156
Gjykata vendos për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose për t’i besuar fëmijën një të treti, mbi bazën e kërkesës së njërës prej palëve, pjesëtarëve të familjes ose prokurorit, në rast se ka shkaqe të rënda që janë të lidhura me ushtrimin abuziv të përgjegjësisë prindërore.
Neni 157
Gjyqtari, në këtë rast, merr në konsideratë:
a) marrëveshjen e bërë ndërmjet ish-bashkëshortëve;
b) mendimin dhe ndjenjat e shprehura nga fëmija i mitur, duke vlerësuar moshën dhe zhvillimin e tij;
c) mendimin e psikologut ose të sektorit të shërbimeve sociale pranë bashkisë, pasi këta të kenë dëgjuar fëmijën.
Neni 158
Prindi, që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër.
E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës.
Neni 159
Vendimi lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të ndryshohet në çdo çast nga gjykata, me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, një të afërmi ose të prokurorit.
Neni 160
Në rast të zgjidhjes së martesës me kërkesë të përbashkët, kushtet e marrëveshjes së miratuar nga gjyqtari, lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, mund të rishqyrtohen për shkaqe me rëndësi dhe sipas kërkesës së njërit prej ish-bashkëshortëve ose të prokurorit.
Neni 161
Në vendimin e zgjidhjes së martesës caktohet dhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe për ish-bashkëshortin, nëse është rasti, sipas parashikimeve të kreut “Detyrimi për ushqim” të këtij Kodi.
Neni 162
Çdonjëri prej ish-bashkëshortëve është i detyruar t’i japë tjetrit të dhëna të sakta për pasurinë dhe të ardhurat e tij, kur ato janë të nevojshme për të caktuar detyrimin për ushqim. Me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, punëdhënësi, organet financiare përkatëse, zyrat e tatimeve dhe çdo organ tjetër ku mund të merren prova, janë të detyruar të japin gjithë informacionin e nevojshëm për gjendjen pasurore të ish-bashkëshortit tjetër dhe për të gjitha të ardhurat e tjera të tij.
***
KUPTIMI I BASHKËJETESËS
Neni 164
Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës.
PJESA E TRETË
FËMIJËT
TITULLI I
AMËSIA DHE ATËSIA
KREU I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 165
Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile.
Neni 166
Nuk mund të ngrihet padi për vërtetimin e amësisë ose atësisë për një fëmijë që nuk ka lindur i gjallë.
Neni 167
Nga njohja e amësisë ose e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese nuk mund të hiqet dorë.
Neni 168
Në rastin e ngatërrimit ose zëvendësimit të fëmijës, në çdo rast, edhe kur bëhet në mënyrë të pavullnetshme, mund të kërkohet me padi njohjeje ose kundërshtimi një identitet i ndryshëm i fëmijës, nëse konstatimi është bërë përpara ose pas marrjes së aktit të lindjes.
Neni 169
Në mungesë të aktit të lindjes ose në qoftë se fëmija është regjistruar me emër të rremë, ose pa treguar emrin e nënës dhe të atit, amësia dhe atësia mund të vërtetohen me vendim gjyqësor.
Neni 170
Njohja e amësisë dhe atësisë së fëmijës të lindur jashtë martese
Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe për prindërit krijon të drejta dhe detyrime të njëjta, në mënyrë prapavepruese, si për fëmijët e lindur nga martesa.
MBIEMRI I FËMIJËS SË LINDUR JASHTË MARTESE
Neni 171
Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në qoftë se amësia dhe atësia vendosen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshjeje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit.
Neni 172
Njohja e një fëmije nuk mund të pasohet nga një njohje tjetër, e ndryshme nga e para, në rast se kjo e fundit nuk është kundërshtuar në rrugë gjyqësore.
Neni 173
Kundërshtimi i njohjes
Njohja mund të kundërshtohet nga të gjithë personat që kanë një interes të ligjshëm dhe që kanë dijeni se njohja e bërë është e pavërtetë. Kundërshtimi mund të bëhet edhe nga personi që ka bërë njohjen, kur ajo është bërë në kushtet e mashtrimit ose kanosjes.
Të drejtën e kundërshtimit të njohjes e ka edhe prokurori, në rast se, nga të dhënat që figurojnë në aktet e gjendjes civile, rezulton pavërtetësia e amësisë dhe atësisë së deklaruar.
Neni 174
Efektet e vendimit
Vendimi i gjykatës që përcakton amësinë ose atësinë ka efekt që nga lindja e fëmijës.
KREU II
Amësia
Neni 175
Amësia e fëmijës vërtetohet me aktin e lindjes.
NJOHJA E AMËSISË
Neni 176
Kur fëmija është regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur, nëna mund ta njohë fëmijën. Njohjen e fëmijës mund ta bëjë edhe vetë nëna e mitur.
Njohja mund të bëhet para nëpunësit të gjendjes civile ose me testament. Njohja e bërë nuk mund të revokohet edhe sikur të jetë bërë me testament.
Neni 177
Fëmija i regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur mund të kërkojë nga gjykata vërtetimin e amësisë.
E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk u kalon trashëgimtarëve të fëmijës, por gjykimi i filluar që më parë mund të vazhdojë nga trashëgimtarët.
Padia për vërtetimin e amësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të gruas që kërkohet të vërtetohet se është nëna.
E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk parashkruhet gjatë gjithë kohës që fëmija jeton.
Neni 178
Kundërshtimi i amësisë
Amësia e treguar në aktin e lindjes mund të kundërshtohet nga gruaja e regjistruar si nënë e fëmijës ose nga gruaja që kërkon të njihet si nënë ose nga fëmija kur bëhet madhor.
E drejta e padisë nuk u kalon trashëgimtarëve, por gjykimi i filluar mund të vazhdojë prej tyre.
Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të gruas së regjistruar si nënë.
E drejta e padisë për kundërshtimin e amësisë nuk parashkruhet.
Neni 179
Kundërshtimi i njohjes së amësisë
Njohja e amësisë mund të kundërshtohet në gjykatë nga gruaja që kërkon të njihet si nënë, nga fëmija kur bëhet madhor ose nga prokurori.
E drejta e padisë nuk u kalon trashëgimtarëve, por gjykimi i filluar më parë mund të vazhdojë nga trashëgimtarët e paditësit.
Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të nënës që ka njohur fëmijën.
E drejta e padisë për kundërshtimin e amësisë nuk parashkruhet.
KREU III
ATËSIA
Neni 180
Fëmija që ka lindur gjatë martesës prezumohet se ka për atë bashkëshortin e nënës.
Fëmija që ka lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës ose nga shpallja e pavlefshmërisë së martesës prezumohet se ka për atë ish-bashkëshortin e nënës.
Kur fëmija ka lindur gjatë vazhdimit të martesës së dytë të nënës, prezumohet se ka për atë bashkëshortin e nënës me martesë të dytë, edhe sikur fëmija të ketë lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës së parë ose nga shpallja e pavlefshmërisë së saj.
NJOHJA E ATËSISË
Neni 181
Atë i fëmijës së lindur jashtë martese është personi madhor që e njeh fëmijën si të tij.
Njohja e atësisë është e vlefshme kur për këtë jep pëlqimin nëna e fëmijës, të cilën e lajmëron nëpunësi i gjendjes civile. Kur nëna e kundërshton këtë njohje ose nuk përgjigjet brenda 1 muaji nga marrja e lajmërimit, burri që ka njohur fëmijën si të tij mund të ngrejë padi para gjykatës kompetente për të vërtetuar se ai është i ati i fëmijës.
E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti nga data e marrjes së lajmërimit nga nëpunësi i gjendjes civile, për mospranimin nga ana e nënës.
Neni 182
Ati që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç mund të njohë në çdo kohë fëmijën e tij të lindur jashtë martese para nëpunësit të gjendjes civile ose me testament.
Njohja e bërë nga i ati ka efekt vetëm ndaj tij, në rastin kur nuk tregohet emri i nënës dhe kur ajo nuk ka dhënë pëlqimin për njohjen e fëmijës.
Njohja e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese nuk mund të revokohet edhe sikur të jetë bërë me testament.
Neni 183
Padia për vërtetimin e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese mund të ngrihet nga nëna e fëmijës edhe kur ajo është e mitur ose nga kujdestari i saj, me pëlqimin e gjykatës.
E drejta e padisë së nënës parashkruhet me kalimin e 3 vjetëve nga lindja e fëmijës.
Padia për vërtetimin e atësisë mund të ngrihet edhe nga vetë fëmija madhor.
E drejta e padisë nuk parashkruhet.
Padia për vërtetimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të atij që kërkohet të vërtetohet se ishte i ati i fëmijës.
KUNDËRSHTIMI I ATËSISË SË PREZUMUAR
Neni 184
Burri, që sipas nenit 180 të këtij Kodi, prezumohet se është atë i një fëmije, mund të kundërshtojë atësinë e këtij fëmije.
Padia për kundërshtimin e atësisë ngrihet kundër fëmijës, i cili përfaqësohet nga nëna. Kur nëna është në pamundësi dhe fëmija është i mitur, i caktohet një kujdestar i posaçëm nga gjykata.
E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti, nga data që burri ka marrë dijeni për lindjen e fëmijës.
Neni 185
Nëna mund të kundërshtojë që të jetë i ati i fëmijës së saj burri që, sipas nenit 180 të këtij Kodi, prezumohet i ati i këtij fëmije.
Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit.
E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e një 1 viti nga lindja e fëmijës.
Neni 186
Fëmija, kur bëhet madhor, mund të kundërshtojë që të jetë i ati i tij bashkëshorti i nënës.
Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të të atit.
E drejta e padisë nuk parashkruhet.
KUNDËRSHTIMI I NJOHJES SË ATËSISË
Neni 187
Fëmija, kur bëhet madhor, mund të kundërshtojë që të jetë i ati i tij burri që e ka njohur.
Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit që ka bërë njohjen.
E drejta e padisë nuk parashkruhet.
Neni 188
Burri që e quan veten si i ati i fëmijës së lindur jashtë martese, mund të kundërshtojë që një burrë tjetër, i cili e ka njohur fëmijën, të jetë i ati i tij.
Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit që ka njohur fëmijën si të tij.
E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti nga regjistrimi i atësisë në regjistrin e gjendjes civile.
VËRTETIMI I ATËSISË SË FËMIJËS TË LINDUR JASHTË MARTESE
Neni 189
Atësia e një fëmije të lindur jashtë martese mund të vërtetohet me vendim të gjykatës, në rast se gjatë gjykimit provohet se në kohën e zënies së fëmijës i ati bashkëjetonte me nënën e fëmijës, ose ka kryer marrëdhënie seksuale me apo pa dhunë, ose i ka premtuar martesë, ose nga një gjykim penal apo civil rezulton në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi atësia e fëmijës së lindur jashtë martese, si dhe kur dihet publikisht se ai e ka njohur fëmijën si të tijin.
Neni 190
Kur ka shkaqe të përligjura, gjykata mund të zgjasë afatet e mësipërme të parashkrimit, me kërkesën e personit të interesuar.
Neni 191
E drejta e padisë, e parashikuar në nenet 184, 185, 186, 187 dhe 188 të këtij Kodi, nuk u kalon trashëgimtarëve të paditësit, por gjykimi i filluar më parë mund të vazhdojë nga trashëgimtarët e tij.
Në rast se fëmija është zënë kur mungonte bashkëshorti i nënës dhe ky ka vdekur pa u plotësuar afati brenda të cilit mund të ngrihet padia për kundërshtimin e atësisë, të paralindurit ose të paslindurit e tij mund ta ngrenë padinë brenda 6 muajve nga data e vdekjes së tij.
TITULLI II
DETYRIMI PËR USHQIM
KREU I
PERSONAT E DETYRUAR
Neni 192
Detyrim për ushqim kanë, sipas radhës:
a) bashkëshorti ndaj bashkëshortit tjetër dhe fëmijët ndaj prindërve të tyre;
b) prindërit ndaj fëmijëve të tyre;
c) të paslindurit ndaj të paralindurve të tyre, që nuk janë prindër, sipas radhës më të afërt;
ç) të paralindurit ndaj të paslindurve të tyre, që nuk janë fëmijë të tyre, sipas radhës më të afërt;
d) vëllezërit dhe motrat ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre, sipas radhës më të afërt.
Neni 193
Detyrimi i përfituesit të dhurimit
Përfituesi i dhurimit, në preferencë kundrejt çdo të detyruari tjetër, detyrohet t’i japë dhuruesit detyrimin për ushqim, përveçse kur bëhet fjalë për dhurim të bërë lidhur me një martesë ose për një dhurim me kusht.
Neni 194
Detyrimi midis njerkut, njerkës dhe thjeshtërve të tyre
Kanë detyrim për ushqim edhe njerku e njerka ndaj thjeshtërve të tyre të mitur, përveç rasteve kur këta kanë persona të tjerë që kanë detyrimin për ushqim ndaj tyre dhe janë në gjendje ta japin këtë detyrim.
Thjeshtërit kanë detyrimin për ushqim për njerkun dhe njerkën e tyre, kur këta ia kanë dhënë për një kohë të gjatë këtë detyrim dhe janë kujdesur për ta në mituri, jo më pak se 10 vjet. në këtë rast thjeshtërit ngarkohen me dhënien e detyrimit për ushqim njëlloj si ndaj prindërve të tyre.
Neni 195
Detyrimi për ushqim pushon në qoftë se martesa ndërmjet prindit dhe njerkës ose njerkut është zgjidhur.
Neni 196
Pamundësia e dhënies së detyrimit për ushqim
Kur personat e ngarkuar për dhënien e detyrimit për ushqim nuk janë në gjendje që ta japin këtë tërësisht ose pjesërisht, ky detyrim u kalon tërësisht ose pjesërisht personave që janë në radhë të mëpasme.
Prindërit nuk shkarkohen nga detyrimi për ushqim ndaj fëmijëve të tyre, edhe sikur t’u jetë hequr përgjegjësia prindërore.
DETYRIMI PËR USHQIM NDËRMJET PRINDËRVE DHE FËMIJËVE
Neni 197
Prindërit kanë detyrimin për ushqim ndaj fëmijëve të tyre, kur këta nuk kanë mjete të mjaftueshme për të jetuar.
Një fëmijë i mitur mund t’u kërkojë prindërve të tij detyrimin për ushqim edhe kur ka pasuri, kur të ardhurat nga pasuria dhe nga puna e tij nuk i përmbushin nevojat e tij.
Detyrimi për ushqim vazhdon edhe për kohën që fëmijët madhorë ndjekin shkollën e mesme ose të lartë, deri në moshën njëzetepesë vjeç.
Neni 198
Detyrimi për ushqim lind vetëm kur personi që kërkon këtë detyrim është i paaftë për punë dhe nuk ka mjete të mjaftueshme për të jetuar.
Neni 199
Detyrimi ndërmjet bashkëshortëve
Bashkëshorti që është i paaftë për punë dhe pa mjete të mjaftueshme për të jetuar, ka të drejtë të kërkojë detyrimin për ushqim nga bashkëshorti tjetër.
Detyrimi për ushqim kërkohet në të njëjtën kohë me padinë për zgjidhjen e martesës.
Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe brenda 6 muajve, nga data që vendimi për zgjidhjen e martesës ka marrë formë të prerë, me kusht që paaftësia dhe mungesa e mjeteve të mjaftueshme për të jetuar të kenë ekzistuar gjatë martesës.
Neni 200
Mbarimi i detyrimit ndërmjet bashkëshortëve
Detyrimi për ushqim, sipas nenit 199 të këtij Kodi, caktohet për një kohë jo më të gjatë se 6 vjet pas zgjidhjes së martesës.
Ky detyrim pushon para këtij afati, kur bashkëshorti, që e gëzonte këtë të drejtë, lidh martesë të re ose bëhet i aftë për punë, ose siguron mjete të mjafueshme për të jetuar, ose kur gjykata, duke marrë parasysh rrethanat, çmon se nuk është i denjë për të përfituar nga kjo e drejtë.
KUFIJTË E DETYRIMIT PËR USHQIM
Neni 201
Detyrimi për ushqim mund të kërkohet vetëm nga ai që është nevojtar dhe nuk është në gjendje të sigurojë nevojat e domosdoshme të tij.
Detyrimi për ushqim duhet të caktohet në raport me nevojat e atij që e kërkon dhe mundësitë ekonomike të atij që detyrohet. Ai nuk duhet të kapërcejë atë që është e nevojshme për jetën e personit që përfiton detyrimin për ushqim, duke pasur parasysh rrethanat e jetës së tij.
Neni 202
Në rastin e dhurimit, përfituesi i tij nuk mund të detyrohet më shumë sesa vlera e pasurisë së dhuruar që ekziston në pasurinë e tij.
Neni 203
Kufijtë e detyrimit midis vëllezërve dhe motrave
Detyrimi për ushqim midis vëllezërve dhe motrave kufizohet vetëm në nevojat e domosdoshme.
Këtu mund të përfshihen edhe shpenzimet e edukimit dhe arsimimit, kur bëhet fjalë për vëllezërit dhe motrat e mitura.
KONKURRIMI I TË DETYRUARVE
Neni 204
Nëse për dhënien e detyrimit për ushqim ka shumë të detyruar të së njëjtës shkallë, të gjithë janë të detyruar solidarisht në dhënien e këtij detyrimi, secili në raport me mundësitë e tij ekonomike.
Nëse personat e thirrur në një shkallë të mëparshme nuk janë në gjendje që ta përballojnë plotësisht ose pjesërisht detyrimin për ushqim, ky u kalon plotësisht ose pjesërisht personave të thirrur në një shkallë të mëpasme.
Neni 205
Nëse personat e detyruar nuk bien dakord për kufijtë e detyrimit për ushqim, për shpërndarjen dhe mënyrën e dhënies së tij, sipas rrethanave konkrete, vendos gjykata.
KONKURRIMI I PERSONAVE QË MARRIN DETYRIMIN PËR USHQIM
Neni 206
Kur disa persona marrin detyrimin për ushqim nga i njëjti person i detyruar dhe kur ky i fundit nuk është në gjendje të përballojë nevojat e secilit prej tyre, gjykata vendos detyrimin për ushqim, duke marrë parasysh shkallën e afërsisë dhe nevojat që ka secili prej personave që merr këtë detyrim.
Neni 207
Heqja, pakësimi ose shtimi i detyrimit për ushqim
Gjykata, me kërkesën e personit të interesuar, mund të pakësojë, të heqë ose të shtojë detyrimin për ushqim, të caktuar me vendim të formës së prerë, kur rrethanat në bazë të të cilave është dhënë vendimi kanë ndryshuar më vonë.
Detyrimi për ushqim mund të pakësohet edhe për shkak të sjelljes së çrregullt ose të qortueshme të personit që e përfiton atë.
Nëse pas përcaktimit të detyrimit për ushqim konstatohet se një nga personat e detyruar në shkallë të mëparshme është në gjendje që ta japë atë, gjykata vendos zëvendësimin këtij detyrimi.
Në këtë rast, personi i detyruar në shkallën e mëpasme nuk çlirohet nga ky detyrim, pa u caktuar detyrimi për ushqim ndaj personit në shkallën e mëparshme.
Neni 208
Pagimi i shpenzimeve
Cilido që ka bërë shpenzime për ushqimin e një personi, pa qenë i detyruar, ka të drejtë të kërkojë me padi kthimin e asaj që ka paguar nga ai që ka qenë i detyruar për ushqim, në qoftë se shpenzimet e bëra kanë qenë të nevojshme.
Neni 209
Mënyra e përmbushjes së detyrimit për ushqim
Personi që ka detyrimin për ushqim ka të drejtën e zgjedhjes për përmbushjen e detyrimit nëpërmjet pagesës bankare ose të drejtpërdrejtë, që parapaguhet periodikisht, ose duke e mbajtur në shtëpinë e tij atë që merr detyrimin për ushqim.
Gjykata, sipas rrethanave, përcakton mënyrën e dhënies së detyrimit për ushqim.
Në rast nevoje urgjente, gjykata vendos detyrimin për ushqim në ngarkim të njërit prej personave të detyruar. Në këtë rast, personi i detyruar ruan të drejtën e padisë së regresit ndaj personave të tjerë.
FILLIMI I DETYRIMIT PËR USHQIM
Neni 210
Detyrimi për ushqim fillon nga data e ngritjes së padisë.
Pakësimi ose heqja e detyrimit për ushqim, të caktuar me vendim të formës së prerë dhe të paekzekutuar, fillon nga data kur kanë ndryshuar rrethanat, në bazë të të cilave është dhënë vendimi, kurse shtimi i tij fillon nga data e ngritjes së padisë.
Neni 211
Kur një vendim, që përmban një detyrim për ushqim, vihet në ekzekutim pas 6 muajve nga data që ka marrë formë të prerë, detyrimet e prapambetura për ushqim janë të kërkueshme vetëm për 6 muajt e fundit.
Neni 212
Pushimi i detyrimit për ushqim
Detyrimi për ushqim pushon me vdekjen e personit të detyruar, personit që e përfiton atë, edhe sikur ky detyrim, që përmbahet në një vendim të formës së prerë, të mos jetë ekzekutuar.
NDALIMI I KOMPENSIMIT DHE I ZËVENDËSIMIT TË DETYRIMIT PËR USHQIM
Neni 213
E drejta për të kërkuar detyrimin për ushqim nuk mund t’i kalojë një personi tjetër.
Personi që ka detyrimin për ushqim nuk mund të kërkojë që ky detyrim të shlyhet me një kredi që ka ndaj personit që e përfiton atë, edhe sikur të ketë detyrime të prapambetura për ushqim.
Neni 214
Heqja dorë
Heqja dorë nga e drejta për të marrë detyrimin për ushqim për kohën e ardhshme është e pavlefshme.
TITULLI III
PËRGJEGJËSIA PRINDËRORE
KREU I
KUPTIMI I PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE
Neni 215
Përgjegjësia prindërore përfshin tërësinë e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake me të, duke i siguruar atij mirërritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij.
Neni 216
Kufijtë e përgjegjësisë prindërore
Fëmija ndodhet nën përgjegjësinë prindërore deri në arritjen e moshës madhore.
Neni 217
Detyrimi reciprok
Prindërit dhe fëmijët reciprokisht duhet të ndihmojnë, të duan dhe të respektojnë njëri-tjetrin.
Neni 218
Kthimi i fëmijës
Prindërit mund të kërkojnë nga gjykata kthimin e fëmijës së tyre të mitur, kur nuk jeton pranë tyre dhe mbahet pa të drejtë nga persona të tjerë.
Gjykata, për rrethana të rënda, mund të mos vendosë kthimin, në qoftë se ky vjen në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës. Gjykata merr edhe mendimin e fëmijës kur ka mbushur moshën dhjetë vjeç.
Neni 219
Marrëdhëniet e fëmijës me gjyshërit
Prindërit nuk mund të ndalojnë fëmijën të ketë marrëdhënie vetjake me gjyshërit e tij, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë shkaqe të rënda. Në rast mosmarrëveshjeje midis palëve, gjykata mund të vendosë për mënyrën e rregullimit të këtyre marrëdhënieve.
KREU II
USHTRIMI I PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE
Neni 220
Përgjegjësia prindërore u përket dhe ushtrohet së bashku nga të dy prindërit në lidhje me fëmijën e lindur gjatë martesës së tyre ose jashtë martese, nëse është njohur nga të dy prindërit.
Neni 221
Në qoftë se prindërit nuk bien dakord për atë që kërkon interesi i fëmijës, ata mund t’i drejtohen gjykatës, e cila vendos pasi është përpjekur ta zgjidhë çështjen me pajtim.
Neni 222
Kur njëri nga prindërit kryen një veprim të zakonshëm me të tretët, që lidhet me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, ai prezumohet se ka marrë edhe pëlqimin e prindit tjetër.
Neni 223
Humbja e përgjegjësisë prindërore
Prindërit e fëmijës mund të humbasin përgjegjësinë prindërore nëpërmjet një vendimi penal që i ka dënuar ata si autorë ose si bashkëpuntorë për një vepër penale ndaj fëmijës së tyre, si bashkëpunëtorë në një vepër penale të kryer nga fëmija i tyre ose nëse janë dënuar për ndonjë nga shkaqet e braktisjes së familjes, për sa kohë që ata nuk kanë marrë përsipër detyrimet që kanë ndaj saj.
PAMUNDËSIA E USHTRIMIT TË PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE
Neni 224
Në qoftë se prindërit e fëmijës kanë vdekur, janë në pamundësi të ushtrojnë përgjegjësinë prindërore për shkak të pazotësisë për të vepruar, të mungesës ose për arsye veçanërisht të rënda, fëmija mund t’i besohet një anëtari të familjes, një personi të caktuar si kujdestar, një familjeje kujdestare ose edhe një institucioni të përkujdesjes.
Në këtë rast merret mendimi i sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale, sipas dispozitave për kujdestarinë.
Neni 225
Në qoftë se njëri nga prindërit është para pamundësisë së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose kur njëri nga prindërit ka vdekur, përgjegjësia prindërore ushtrohet nga prindi tjetër.
Neni 226
Përgjegjësia prindërore pas zgjidhjes së martesës
Në qoftë se prindërit e fëmijës kanë zgjidhur martesën, ushtrimi i përgjegjësisë prindërore bëhet sipas Kreut III “Pasojat e zgjidhjes së martesës” të këtij Kodi.
Neni 227
Përgjegjësia prindërore ndaj fëmijës së lindur jashtë martese
Përgjegjësia prindërore ndaj fëmijës së lindur jashtë martese ushtrohet nga prindi që e ka njohur fëmijën si të tij. Në qoftë se ai është njohur nga të dy prindërit, përgjegjësinë prindërore e kanë të dy prindërit.
Me kërkesë të të atit, të nënës ose të prokurorit, gjykata mund të ndryshojë kushtet e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore dhe të vendosë që ai të ushtrohet nga njëri prind ose nga të dy bashkërisht. Gjykata në këtë rast vendos se me cilin prind do të banojë fëmija.
Gjykata vendos për të drejtën e vizitës dhe të mbikëqyrjes së prindit, me të cilin fëmija nuk banon.
HEQJA E PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE
Neni 228
Kur prindi shpërdoron përgjegjësinë prindërore ose tregon pakujdesi të rëndë në ushtrimin e saj, ose me veprimet e tij ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijëve, me kërkesën e prindit tjetër, të të afërmve të fëmijës ose të prokurorit, mund t’i hiqet përgjegjësia prindërore.
Heqja e përgjegjësisë prindërore bëhet me vendim të gjykatës, duke u thirrur si i paditur prindi, për të cilin kërkohet kjo heqje.
Neni 229
Gjykata vendos që heqja e përgjegjësisë prindërore të shtrihet mbi të gjithë ose mbi disa nga fëmijët e lindur para vendimit të gjykatës për heqjen e përgjegjësisë.
Heqja e përgjegjësisë prindërore e shkarkon fëmijën nga detyrimi për ushqim ndaj prindërve, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos ndryshe.
Neni 230
Kthimi i përgjegjësisë prindërore
Përgjegjësia prindërore mund të kthehet me vendim të gjykatës, kur pushon shkaku për të cilin është hequr kjo përgjegjësi.
KREU III
PËRGJEGJËSIA PRINDËRORE PËR PASURINË E FËMIJËS
Neni 231
Prindërit e fëmijës kanë të drejtën e administrimit dhe të përdorimit të pasurisë së fëmijës së tyre.
Neni 232
Prindërit përfaqësojnë fëmijën e tyre të mitur që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç në të gjitha veprimet juridike, me përjashtim të atyre që, sipas ligjit, i mituri mund t’i kryejë vetë.
I mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç i kryen vetë veprimet juridike, por kurdoherë me pëlqimin paraprak të prindërve, me përjashtim të atyre që, sipas ligjit, mund t’i kryejë vetë.
Neni 233
Pasuria e të miturit që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç administrohet nga prindërit në dobi të fëmijës, kurse pasuria e të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç administrohet nga vetë i mituri, por gjithmonë me pëlqimin paraprak të prindërve.
Neni 234
Tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme të çdo fëmije të mitur deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, lënia hipotekë, ngarkimi me një barrë, marrja hua në emër të të miturit, heqja dorë nga trashëgimia apo legu ose mospranimi i një dhurimi, si dhe përgjithësisht veprimet që kapërcejnë kufijtë e një administrimi të thjeshtë të çdo pasurie të të miturit, mund të kryhen vetëm kur e kërkon interesi i të miturit dhe me autorizim të gjykatës së vendbanimit të të miturit.
Veprimi juridik, që është kryer pa u marrë autorizimi i gjykatës, mund të shpallet i pavlefshëm me kërkesën e prokurorit, të prindit ose të kujdestarit të të miturit.
Në qoftë se gjykata jep pëlqimin më vonë, veprimi juridik nuk shpallet i pavlefshëm.
Neni 235
Përdorimi i të ardhurave të fëmijës
Prindërit mund të përdorin të ardhurat nga pasuria e fëmijës, që ata administrojnë, për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e tij.
Ata mund t’i përdorin këto të ardhura, për të plotësuar nevojat e domosdoshme të familjes, kur nuk kanë pasuri të mjaftueshme për t’i plotësuar vetë ato. Të ardhurat e mbetura kthehen në pasurinë e fëmijës.
Neni 236
Administrimi i pasurisë
Administrimi i pasurisë së fëmijës bëhet nga të dy prindërit bashkërisht, në rastin kur ata e ushtrojnë përgjegjësinë prindërore bashkërisht dhe në rastet e tjera ose nga i ati apo nga nëna nën kontrollin e gjykatës, sipas neneve 234 dhe 235 të këtij Kodi.
E drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës është e lidhur me të drejtën e administrimit ligjor. Kjo e drejtë u takon të dy prindërve bashkërisht ose atij që është i ngarkuar me administrimin e pasurisë së fëmijës.
Neni 237
E drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës nga prindi pushon:
a) kur fëmija bëhet madhor;
b) për shkaqet për të cilat merr fund përgjegjësia prindërore ose administrimi ligjor;
c) për të gjitha shkaqet që lidhen me marrjen fund të uzufruktit.
Neni 238
Detyrimet që lidhen me të drejtën e përdorimit të pasurisë së fëmijës janë:
a) detyrimet që kanë personat që gëzojnë të drejtën e uzufruktit në një pasuri;
b) detyrimi për ushqim, mirërritje, edukim dhe arsimim të fëmijës, në bazë të pasurisë.
Neni 239
E drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës nuk shtrihet mbi pasurinë që ai fiton nga puna e tij, as mbi pasurinë që i është dhuruar ose që i ka kaluar me trashëgimi, kur prindi është ndaluar shprehimisht të ketë të drejtën e përdorimit mbi këtë pasuri.
TITULLI IV
BIRËSIMI
Neni 240
Interesi i të miturit
Birësimi lejohet vetëm në rast se është në interesin e lartë të të miturit dhe garanton respektimin e të drejtave të tij themelore.
KUSHTET E BIRËSIMIT
Neni 241
Birësohet vetëm i mituri.
Birësuesi duhet të ketë një diferencë moshe të paktën 18 vjet me të birësuarin.
Në qoftë se birësohet fëmija i bashkëshortit, diferenca e moshës duhet të jetë jo më pak se 15 vjet.
Neni 242
I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë.
Birësimi i ri lejohet pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve apo pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa është paraqitur nga bashkëshorti i ri i birësuesit.
NDALIMET E BIRËSIMIT
Neni 243
Nuk mund të birësohet një person nga të paralindurit e tij, si edhe vëllai nga motra dhe anasjelltas.
Neni 244
Nuk mund të birësohet një person nga kujdestari i tij, pa u parë përpara nga gjykata administrimi i pasurisë së të miturit prej tij, dorëzimi i pasurisë së të miturit, si dhe vlerësimi i detyrimeve në ngarkim të kujdestarit ose dhënia e garancisë nga kujdestari për përmbushjen e këtyre detyrimeve.
Neni 245
Personi nuk mund të birësojë kur:
a) i është hequr nga gjykata përgjegjësia prindërore;
b) vuan nga një sëmundje psikike ose ka zhvillim mendor të metë, si dhe vuan nga një sëmundje, e cila mund të vërë në rrezik shëndetin dhe jetën e atij që do të birësohet;
c) nuk ka garancinë si person, se do të kryejë në rregull detyrën e birësuesit në lidhje me mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e atij që do të birësohet.
PËLQIMI PËR BIRËSIM
Neni 246
Për birësimin e të miturit kërkohet pëlqimi i të dy prindërve të tij.
Në qoftë se njëri nga të dy prindërit ka vdekur, nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij ose i është hequr përgjegjësia prindërore, pëlqimi i prindit tjetër është i mjaftueshëm.
Kur fëmijës i kanë vdekur të dy prindërit, kur atyre u është hequr zotësia për të vepruar ose janë të panjohur, gjykata vendos nëse fëmija duhet të birësohet.
Kur birësuesi është i martuar, duhet të merret pëlqimi i bashkëshortit të tij.
Kur i birësuari ka mbushur moshën dhjetë vjeç merret mendimi i tij dhe në moshën dymbëdhjetë vjeç kërkohet pëlqimi i tij.
Neni 247
Pëlqimi për birësim jepet përpara gjykatës kompetente. Në rast se personi ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij në një shtet tjetër, mund të japë pëlqimin para agjentit diplomatik ose konsullor pranë ambasadës ose konsullatës shqiptare.
Neni 248
Pëlqimi për birësim mund të tërhiqet nga prindërit biologjikë, brenda 3 muajve nga çasti i dhënies së tij.
Kjo periudhë shërben edhe si periudhë provë për marrëdhëniet midis birësuesve dhe të birësuarit.
Periudha e provës shërben për të vendosur një marrëdhënie birësuese midis një fëmije dhe një familjeje.
Prindërit mund të tërheqin pëlqimin e tyre edhe pas kalimit të afatit tremujor, deri në çastin e marrjes së vendimit nga gjykata kompetente.
Gjykata, përpara se të vendosë, duhet të verifikojë nëse janë plotësuar afatet e mësipërme, nëse janë bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për kthimin e fëmijës pranë prindërve biologjikë dhe nëse gjatë bashkimit ka funksionuar marrëdhënia e të miturit me birësuesit.
Në qoftë se personi, që i është besuar fëmija gjatë periudhës së provës dhe më pas, refuzon ta kthejë atë, prindërit mund t’i drejtohen gjykatës, e cila mund të vendosë kthimin e fëmijës në rast se kjo është në interesin e tij.
Neni 249
Nëse birësuesi vdes pasi ka dhënë pëlqimin dhe para dhënies së vendimit, gjykata mund të vazhdojë procedurën e gjykimit për përfundimin e birësimit.
Trashëgimtarët e birësuesit mund të paraqesin në gjykatë pretendime për të kundërshtuar birësimin.
Nëse birësimi pranohet nga gjykata, ai sjell efekte që nga çasti i dhënies së pëlqimit nga birësuesi.
DEKLARIMI I BRAKTISJES
Neni 250
Gjykata e rrethit mund të deklarojë të braktisur të miturin që ndodhet pranë një institucioni të përkujdesjes sociale, publik ose privat, ose te personi që e ka në përkujdesje, kur prindërit e tij, në mënyrë të dukshme, nuk janë interesuar për të gjatë një viti, përpara paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes.
Kur i mituri ka qenë strehuar që nga lindja e tij në një institucion, afati prej 1 viti kufizohet në 3 muaj.
Konsiderohen në mënyrë të dukshme të painteresuar për fëmijën prindërit që vullnetarisht nuk kanë mbajtur marrëdhënie të përzemërta të nevojshme për rritjen e tij dhe që kanë treguar pakujdesi të rëndë në ushtrimin e përgjegjësisë prindërore.
Gjykata i kërkon personit që ka paraqitur kërkesën shpjegime nëse ka bërë përjekje për gjetjen e prindërve biologjikë të fëmijës dhe kthimin e fëmijës në familjen biologjike, nëse kjo është e mundur.
Braktisja nuk deklarohet kur, gjatë afatit të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, një anëtar i familjes ka kërkuar të marrë përsipër rritjen e fëmijës dhe kjo kërkesë është konsideruar në përputhje me interesin e fëmijës.
Neni 251
Kërkesa për deklarimin e braktisjes bëhet nga drejtuesi i institucionit ku ndodhet fëmija ose nga personi që e ka në përkujdesje. Kërkesa i dërgohet gjykatës, nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni ose vendbanimi i personit që e ka marrë në përkujdesje të miturin.
Çdo person që ka një interes ligjshëm për mbrojtjen e fëmijës, mund të ndërhyjë në procesin e gjykimit.
Gjykata, që deklaron të braktisur të miturin, cakton në të njëjtin vendim edhe kujdestarin për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e fëmijës, një institucion të përkujdesjes sociale ose një person të caktuar, nisur nga interesi më i lartë i të miturit.
Neni 252
Paraqitja e kërkesës
Personat që dëshirojnë të birësojnë të mitur shqiptarë mund të birësojnë vetëm të miturit që figurojnë në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit.
Komiteti Shqiptar i Birësimit është autoritet qendror i pavarur, veprimtaria e të cilit rregullohet me ligj të veçantë.
Shtetasit e huaj nuk mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit Shqiptar të Birësimit.
Kërkesa e tyre i paraqitet Komitetit Shqiptar të Birësimit nëpërmjet autoriteteve publike kompetente ose organizmave privatë të parashikuar në ligj. Kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të legalizuara, sipas ligjit të vendit ku jeton birësuesi.
Shtetasit shqiptarë që kanë vendbanimin e tyre jashtë vendit dhe shtetasit e huaj rezidentë prej 2 vjetësh në Shqipëri, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit Shqiptar të Birësimit.
Neni 253
Detyrimi i Komitetit Shqiptar të Birësimit
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse, Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon gjykatës studimin për personin që kërkon të birësojë dhe atë të të miturit që mund të birësohet.
Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon gjykatës edhe pëlqimin me shkrim për këtë birësim dhe për birësimet ndërvendase, si dhe konfirmimin se i mituri nuk ka pasur mundësi të birësohet në Shqipëri për një afat prej 6 muajsh nga data e regjistrimit në listat e këtij Komiteti.
Neni 254
Gjykata Kompetente
Kërkesa për birësim, e bërë nga një shtetas shqiptar, bëhet në gjykatën e vendbanimit të personit që kërkon të birësojë.
Kërkesa për birësim, e bërë nga një shtetas i huaj ose shqiptar që banon jashtë shtetit, paraqitet në gjykatën nën juridiksionin e së cilës ndodhet vendbanimi i të miturit.
Kërkesa për birësimin e të miturit shqiptar që banon jashtë shtetit paraqitet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.
NDËRHYRJA NË PROCES
Neni 255
Çdo person që ka një interes të ligjshëm për mbrojtjen e të miturit si dhe prokurori mund të ndërhyjnë në procesin e birësimit, si dhe kanë të drejtën e ankimit kundër vendimit të gjykatës.
Neni 256
Në rast se gjatë procedurës për birësimin e një fëmije rezulton se është paraqitur një kërkesë në gjykatë, për njohje atësie, procedura pezullohet deri në përfundim të gjykimit për njohjen e atësisë.
Neni 257
Ndalimet për birësimin ndërvendas
Kushtet dhe efektet e birësimit të shpallur në Shqipëri përcaktohen nga legjislacioni shqiptar.
Birësimi ndërvendas nuk lejohet kur:
a) birësimi nuk njihet në shtetin ku banojnë birësuesit;
b) arrihet në përfundimin së birësimi është me pasoja të rënda për të miturin;
c) i mituri, në shtetin ku banojnë birësuesit, nuk gëzon të njëjtat të drejta që njihen në Shqipëri.
Birësimi ndërvendas lejohet pasi fëmija ka qëndruar në pritje për 6 muaj në listat e komitetit shqiptar të birësimit dhe, gjatë kësaj periudhe, janë ezauruar të gjitha mundësitë për të bërë birësimin brenda vendit.
Neni 258
Efektet e birësimit
Birësimi i prodhon efektet e tij nga data që vendimi merr formë të prerë.
Birësimi është i parevokueshëm.
Gjykata i dërgon vendimin e formës së prerë për regjistrim zyrës së gjendjes civile, ku ka regjistrin themeltar birësuesi.
MARRËDHËNIET NDËRMJET BIRËSUESIT DHE TË BIRËSUARIT
Neni 259
Me birësimin ndërmjet birësuesit dhe gjinisë së tij, nga njëra anë, dhe të birësuarit dhe të paslindurve të tij, nga ana tjetër, lindin të drejta dhe detyra të njëjta me ato që kanë ndërmjet tyre personat që janë gjini. Të drejtat dhe detyrat ndërmjet të birësuarit dhe të paslindurve të tij, nga njëra anë, dhe gjinisë së tij, nga ana tjetër, pushojnë.
Kur njëri nga prindërit e të birësuarit është bashkëshort i birësuesit, i birësuari nuk i shkëput lidhjet me këtë prind dhe gjininë e tij.
ATËSIA, MËMËSIA DHE MBIEMRI I TË BIRËSUARIT
Neni 260
I birësuari merr mbiemrin e birësuesit dhe në rast të birësimit nga të dy bashkëshortët, mbiemrin e përbashkët të tyre; në qoftë se ata kanë mbiemra të ndryshëm vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë i birësuari; në rast mosmarrëveshjeje fëmija merr mbiemrin e të atit.
Me kërkesë të birësuesit ose të birësuesve, gjykata mund të ndryshojë emrin e të birësuarit.
I birësuari merr për emër nëne dhe ati atë të birësuesit ose birësuesve të tij.
Neni 261
Për birësimin surrogativ, të parashikuar në ligjin nr.8876, datë 4.4.2002 “Për shëndetin riprodhues”, zbatohen të njëjtat kritere dhe procedura për birësimin, sipas këtij Kodi dhe legjislacionit përkatës.
Neni 262
I mituri, prindërit biologjikë dhe birësuesit kanë të drejtën e mirëbesimit për procesin dhe dokumentacionin e birësimit, si shprehje të respektimit të jetës private.
Kur mosha dhe niveli i pjekurisë e lejojnë, i mituri ka të drejtë të njihet me historinë e tij dhe, nëse është e mundur, me të dhënat për prindërit biologjikë.
TITULLI V
KUJDESTARIA
KREU I
KUJDESTARIA MBI TË MITURIT
Neni 263
Vendosja e kujdestarisë
Fëmijët e mitur vendosen në kujdestari dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur si të pagjetur, u është hequr përgjegjësia prindërore ose u është hequr zotësia për të vepruar, si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata.
Gjykatë kompetente për vendosjen në kujdestari të të miturit është ajo e vendbanimit ose vendqëndrimit të të miturit.
E DREJTA PËR PARAQITJEN E KËRKESËS
Neni 264
Të drejtën për paraqitjen e kërkesës në gjykatë për kujdestar mbi të miturin e kanë:
a) të afërmit e fëmijës së mitur;
b) cilido që merr njoftim për mbetjen e fëmijës pa prindër ose për lindjen e një fëmije me prindër të panjohur;
c) vetë i mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç;
ç) prokurori;
d) noteri, i cili në çeljen e një testamenti vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari.
Neni 265
Gjykata vendos si kujdestar personin e caktuar nga prindi, që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, me testament ose deklaratë noteriale.
Kujdestari i caktuar, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nuk është i detyruar të pranojë kujdestarinë.
Në rastet kur kujdestari i caktuar sipas këtij neni nuk plotëson kushtet e kërkuara nga ky Kod, kujdestaria vendoset nga gjykata.
FAMILJA KUJDESTARE
Neni 266
Familja kujdestare është një familje alternative, e vendosur nga gjykata, për t’i ofruar fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale.
Evidentimi i familjeve kujdestare është përgjegjësi e sektorit të ndihmës dhe shërbimit social pranë bashkisë ose komunës ku banon i mituri, e cila realizohet me firmosjen e një deklarate gatishmërie nga familja për të marrë fëmijë në kujdestari.
Numri i fëmijëve që i jepen në kujdestari një familjeje kujdestare duhet të jetë i kufizuar, duke u dhënë prioritet në këtë vendosje fëmijëve që janë vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin.
Neni 267
Në rast se nuk është caktuar kujdestar nga prindi që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, gjykata i jep prioritet zgjedhjes së kujdestarit midis paraardhësve, personave të afërt të të miturit, një familjeje kujdestare dhe, si alternativë të fundit, institucionin publik ose privat.
Para se gjyqtari të caktojë kujdestarin, duhet të dëgjojë personin e zgjedhur si të tillë dhe të marrë mendimin e të miturit nëse ai ka mbushur moshën dhjetë vjeç.
Gjykata, në çdo rast, merr mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës së vendit ku zhvillohet gjykimi, i cili përmban ekzaminimin e zhvillimit të personalitetit të fëmijës në kontekstin familjar edukativ e social dhe ekzaminimin e kushteve dhe përshtatshmërisë së fëmijës me personin kujdestar të ardhshëm, të familjes kujdestare ose institucionit të përkujdesjes.
Caktimi i kujdestarit nga gjykata bëhet duke parë cilësitë e personit kujdestar, të familjes kujdestare të zgjedhur ose të institucionit të përkujdesjes, sipas paragrafit të tretë të këtij neni, si dhe pasi ka dëgjuar mendimin e një psikologu, që duhet të jetë i pranishëm gjatë gjykimit.
Neni 268
Njoftimi i gjykatës
Nëpunësi i gjendjes civile, që merr njoftimin për vdekjen e të dy prindërve ose prindit të vetëm, që ka lënë fëmijë në moshë të mitur, ose të lindjes së një fëmije nga prindër të panjohur, dhe noteri që çel një testament, ku parashikohet caktimi i një kujdestari, duhet të njoftojnë gjykatën për faktin brenda 10 ditëve.
Njoftimi i gjykatës mund të bëhet edhe nga të afërmit e të miturit ose persona të tjerë të interesuar.
Gjykata, brenda 30 ditëve nga marrja njoftim ose nga paraqitja e kërkesës, vendos për caktimin e kujdestarit të të miturit.
Neni 269
Kujdestaria mbi disa të mitur
Për të miturit që janë vëllezër e motra caktohet një kujdestar i vetëm, përveç rastit kur rrethanat e veçanta kërkojnë domosdoshmërinë e caktimit të më shumë se një kujdestari.
PAAFTËSIA DHE PAPAJTUESHMËRIA PËR TË QENË KUJDESTAR
Neni 270
Nuk mund të caktohet kujdestar personi që:
a) është vetë në kujdestari;
b) ka konflikt interesash me të miturin;
c) nuk ka administrimin e lirë të pasurisë së tij;
ç) është përjashtuar nga kujdestaria për shkak të deklarimit me shkrim të prindit që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore;
d) ka humbur ose i është hequr përgjegjësia prindërore, ose i është hequr detyra e kujdestarit në një rast tjetër;
dh) është i dënuar me burgim për një vepër penale dhe është gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, si dhe kur është dënuar për krime ndaj të miturve.
e) ka mbushur moshën 65 vjeç;
ë) për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund ta ushtrojë me lehtësi kujdestarinë;
f) ushtron përgjegjësinë prindërore në më shumë se tre fëmijë;
g) është i ngarkuar me më shumë se dy kujdestari;
gj) nuk jep pëlqimin për të qenë kujdestar.
Neni 271
Kujdestaria në institucionet e përkujdesjes
Kujdestaria mbi të miturin, i cili nuk ka të afërm të njohur ose të aftë për të ushtruar detyrën e kujdestarit, mund t’i jepet nga gjykata një institucioni publik ose privat të licencuar për përkujdesjen e fëmijëve.
Drejtuesi i institucionit i delegon njërit nga punonjësit e tij të drejtën e ushtrimit të funksioneve të kujdestarit.
Drejtuesi i institucionit, brenda 10 ditëve nga caktimi i personit që merr funksionet e kujdestarit, i dërgon gjykatës aktin përkatës, i cili depozitohet në dosjen gjyqësore dhe pasqyrohet në regjistrin e kujdestarisë.
Neni 272
Funksionet e kujdestarit
Kujdestari kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë në të gjitha veprimet juridike dhe administron pasurinë e tij, sipas dispozitave të këtij Kodi.
Neni 273
Detyrat e të miturit
I mituri duhet ta respektojë dhe t’i bindet kujdestarit. Ai nuk mund të braktisë banesën ose institucionin ku është lënë pa lejen e kujdestarit.
Kur largohet pa leje, kujdestari ka të drejtë ta kërkojë të miturin dhe, nëse është e nevojshme, t’i drejtohet gjykatës për kthimin e tij.
Gjatë gjykimit duhet të dëgjohet dhe i mituri që ka mbushur moshën dhjetë vjeç, në praninë e psikologut.
Neni 274
Rastet e kujdestarisë së posaçme
Gjykata vendos caktimin e një kujdestari të posaçëm kur:
a) ka konflikt interesash midis të miturit dhe prindërve ose midis të miturit dhe kujdestarit të tij, si dhe kur midis tyre duhet të kryhet një veprim juridik;
b) ka konflikt interesash midis të miturve, vëllezër dhe motra, që kanë të njëjtin kujdestar ose kur duhet të kryhet një veprim juridik midis tyre;
c) për shkak sëmundjeje ose për shkaqe të tjera, kujdestari i caktuar pengohet të kryejë një veprim të caktuar ose të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi.
CAKTIMI I KUJDESTARIT TË POSAÇËM
Neni 275
Kujdestari i posaçëm caktohet nga gjykata mbi bazën e kërkesës së prindit, të kujdestarit, së të afërmve të të miturit, të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe personave të interesuar.
Neni 276
Me caktimin e kujdestarit të posaçëm, gjykata cakton kufijtë e detyrave dhe të drejtave të kujdestarit, sipas rrethanave të çdo rasti të veçantë.
Neni 277
Gjykata kompetente
Gjykatë kompetente për caktimin e kujdestarit të posaçëm është ajo e vendbanimit ose e vendqëndrimit të të miturit, ose e vendit ku ndodhet pasuria e tij.
Neni 278
Funksionet e kujdestarit të posaçëm
Kujdestari i posaçëm përfaqëson të miturin në rastet kur interesi i tij është në konflikt me interesin e kujdestarit.
Kur kujdestari i posaçëm ndodhet në konflikt interesash me të miturin, gjyqtari emëron një kujdestar tjetër.
Kujdestari i posaçëm duhet të kërkojë caktimin e një kujdestari të ri në rastin kur kujdestari nuk kryen ose braktis detyrën. Kujdestari i posaçëm kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë dhe mund të kryejë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe administrimin e pasurisë në raste urgjente.
Neni 279
Dhurimi ose disponimi me testament
Dhuruesi ose personi që disponon me testament në favor të një të mituri, edhe pse ky i fundit është nën përgjegjësinë e prindërve të tij, mund t’i caktojë atij një kujdestar të posaçëm për pranimin dhe administrimin e pasurisë së dhuruar ose të lënë atij me testament.
Nëse dhuruesi ose testatori nuk ka vendosur ndryshe, kujdestari i posaçëm duhet të ushtrojë të drejtat dhe detyrat e tij, sipas dispozitave për administrimin të këtij Kodi.
Neni 280
Mbarimi i kujdestarisë së posaçme
Kujdestaria e posaçme mbaron kur pushojnë shkaqet për të cilat është vendosur. Mbarimi i kujdestarisë së posaçme bëhet me kërkesën e personave, sipas nenit 275 të këtij Kodi.
Neni 281
Masa urgjente
Përpara se kujdestari të marrë përsipër funksionet e tij, i takon gjyqtarit që, qoftë kryesisht, qoftë me kërkesë të prokurorit, të një të afërmi ose të çdo personi të interesuar, të vendosë një kujdestar të përkohshëm ose të marrë masa të tjera urgjente që janë të nevojshme për mbrojtjen e të miturit ose për të ruajtur dhe administruar pasurinë e tij.
INVENTARI
Neni 282
Kujdestari, brenda 10 ditëve pasi ka marrë njoftimin ligjor për emërimin e tij, duhet të procedojë me inventarin e pasurisë së të miturit. Inventari duhet të bëhet brenda 30 ditëve.
Me kërkesën e kujdestarit, gjyqtari mund të zgjasë afatin e mësipërm, nëse rrethanat e kërkojnë atë.
Neni 283
Inventari bëhet në praninë e noterit, me pjesëmarrjen e kujdestarit dhe, nëse është e mundur, të të miturit që ka mbushur moshën dhjetë vjeç, si dhe në praninë e dy dëshmitarëve të zgjedhur nga gjykata, mundësisht midis të afërmve ose miqve të familjes. Gjyqtari mund të lejojë që inventari të bëhet pa praninë e noterit, nëse vlera e supozuar e pasurisë nuk e kalon shumën 50 mijë lekë.
Inventari depozitohet pranë gjykatës.
PËRMBAJTJA E INVENTARIT
Neni 284
Në inventar përfshihen pasuritë e paluajtshme, të luajtshme, kreditë dhe debitë dhe përshkruhen dokumentet, shënimet dhe shkresat e lidhura me gjendjen e aktivit dhe pasivit të pasurisë, duke iu përmbajtur formaliteteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.
Neni 285
Nëse në pasurinë e të miturit ka ndërmarrje, shoqëri, shoqëri tregtare ose bujqësore, procedohet sipas legjislacionit përkatës për hartimin e inventarit të ndërmarrjes ose të shoqërisë dhe në përputhje me nenin 283 këtij Kodi. Ky inventar depozitohet pranë gjykatës dhe i shtohet inventarit të përmendur në nenin 284 të këtij Kodi.
Neni 286
Administrimi nga kujdestari
Para se të bëhet inventari, administrimi i pasurisë nga kujdestari duhet të kufizohet në çështjet që, nga vetë natyra e tyre, janë të ngutshme.
Neni 287
Pas inventarit, gjykata, me propozim të kujdestarit, vendos për vazhdimin e veprimtarisë, tjetërsimin ose likuidimin e ndërmarrjes, shoqërisë, shoqërisë tregtare ose bujqësore, që janë pasuri e të miturit, si dhe për mënyrat përkatëse dhe masat paraprake.
Gjatë gjykimit, gjykata mund të lejojë funksionimin e përkohshëm të ndërmarrjes.
Neni 288
Pasuria e administruar nga kujdestari i posaçëm
Kujdestari duhet të përfshijë në inventarin e pasurisë së të miturit edhe pasuritë, administrimi i të cilave i është dhënë një kujdestari të posaçëm.
Nëse ky ka bërë një inventar të veçantë për këto pasuri, duhet t’i japë kopje kujdestarit, i cili e bashkon me inventarin e përmendur në nenin 284 të këtij Kodi.
Kujdestari i posaçëm duhet t’i japë kujdestarit kopje të llogarive periodike të administrimit të pasurisë, përveçse kur disponuesi me testament ose dhuruesi e ka përjashtuar këtë.
Neni 289
Deklarimi i debive ose kredive të kujdestarit
Kujdestari që ka debi, kredi ose deklarime të tjera kundrejt të miturit, duhet t’i bëjë të ditura para mbylljes së inventarit.
Kancelari i gjykatës ka detyrimin që ta pyesë lidhur me këto deklarime. Në rast të inventarit të bërë pa pjesëmarrjen e kancelarit të gjykatës, kujdestari pyetet nga gjyqtari lidhur me aktin e depozitimit.
Në çdo rast, fakti i pyetjes ose deklarimit të kujdestarit duhet përmendur në inventar ose në procesverbalin e depozitimit.
Neni 290
Mungesa e deklarimit
Kujdestari humbet çdo të drejtë, në qoftë se, duke qenë në dijeni të kredisë ose të të drejtave të tij, nuk i ka deklaruar edhe pse është pyetur shprehimisht.
Kujdestari shkarkohet nga detyra kur, duke e ditur që është debitor, nuk ka deklaruar borxhin e tij.
Neni 291
Depozitimi i parave, titujve dhe objekteve
Kujdestari duhet të depozitojë paratë, titujt e kredive te prurësi dhe objektet me vlerë që ekzistojnë në pasurinë e të miturit pranë një banke ose instituti tjetër krediti, të përcaktuar nga gjykata, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos ndryshe lidhur me ruajtjen e tyre.
Kujdestari nuk është i detyruar të depozitojë shumat që nevojiten për shpenzimet urgjente lidhur me të miturin.
Neni 292
Kapitalet e të miturit, me autorizim paraprak të gjykatës, mund të investohen nga kujdestari, në rastet që e shikon të përshtatshme dhe në interes të të miturit.
Neni 293
Autorizimi i gjykatës
Kujdestari, pa autorizim të gjykatës, nuk mund:
a) të blejë pasuri, përveç sendeve të luajtshme të nevojshme për përdorim nga i mituri, për ekonominë shtëpiake dhe për administrimin e pasurisë;
b) të marrë kapitale, të lejojë heqjen e hipotekave ose zgjidhjen e pengut, të marrë përsipër detyrime, me përjashtim të rastit kur këto lidhen me shpenzimet e nevojshme për mbajtjen e të miturit dhe për administrimin e zakonshëm të pasurisë të tij;
c) të pranojë trashëgimi ose të heqë dorë prej saj, të pranojë dhurime ose leg, që janë me barrë ose me kusht;
ç) të lidhë kontrata qiraje të pasurive të paluajtshme për një afat mbi 9 vjet ose që në çdo rast zgjasin më shumë se 1 vit pasi i mituri ka mbushur moshën madhore;
d) të ngrejë padi, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për kallëzim të një punimi të ri ose të dëmit të mundshëm, të padive të posedimit, ose për nxjerrjen nga shtëpia të qiramarrësit, dhe të padive për kërkimin e fryteve ose për marrjen e masave konservative;
dh) të tjetërsojë pasurinë e të miturit, përveç fryteve dhe të mirave të luajtshme që dëmtohen lehtësisht;
e) të krijojë pengje ose hipoteka;
ë) të fillojë procedurën e pjesëtimit të pasurisë ose të ngrejë padinë përkatëse;
f) të bëjë premtime dhe transaksione ose të pranojë marrëveshje.
Neni 294
Shitja e pasurisë
Në autorizimin për shitjen e pasurisë, gjykata vendos nëse shitja duhet bërë me ose pa ankand, duke përcaktuar në çdo rast çmimin minimal.
Kur në autorizim nuk është përcaktuar mënyra e shpërndarjes ose riinvestimit të të ardhurave të realizuara nga shitja, këtë e vendos gjykata në një autorizim të mëvonshëm.
Neni 295
Veprimet e kryera në kundërshtim me nenet paraardhëse
Çdo veprim që kujdestari kryen në kundërshtim me ligjin është i pavlefshëm.
Kujdestari, i mituri, trashëgimtarët e tij ose personat që kanë interes, mund të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve të kryera në kundërshtim me Kreun I të Titullit V “Kujdestaria” të këtij Kodi.
Neni 296
Ndalimet për kujdestarin dhe kujdestarin e posaçëm
Kujdestari dhe kujdestari i posaçëm as me ankand nuk mund të bëhen blerës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet personave të tjerë, të pasurisë dhe të të drejtave të të miturit. Ata nuk mund të marrin me qira pasuritë e të miturit pa autorizimin dhe masat mbrojtëse të vendosura nga gjykata.
Personat e përcaktuar në nenin 295 të këtij Kodi mund të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve të kryera në kundërshtim me ndalimet e përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, me përjashtim të kujdestarit dhe kujdestarit të posaçëm që i kanë kryer ato.
Neni 297
Shpërblimi i kujdestarit
Detyra e kujdestarit është pa pagesë.
Gjykata, duke pasur parasysh madhësinë e pasurisë dhe vështirësitë e administrimit ose shërbimit për të miturin, mund t’i caktojë kujdestarit një kompensim të arsyeshëm nga pasuria e të miturit.
Nëse e kërkojnë rrethanat e veçanta, gjykata, pasi ka dëgjuar kujdestarin e posaçëm, mund të autorizojë kujdestarin që të caktojë si zëvendës të tij në administrim, nën përgjegjësinë e tij vetjake, një ose më shumë persona me pagesë.
Neni 298
Mbajtja e kontabilitetit
Kujdestari duhet të mbajë kontabilitetin e rregullt të administrimit të pasurisë dhe t’i japë llogari një herë në vit gjyqtarit.
Gjyqtari mund t’ia nënshtrojë kontabilitetin e administrimit të pasurisë shqyrtimit vjetor nga ana e kujdestarit të posaçëm ndonjë të afërmi ose një personi në lidhje krushqie me të miturin.
Neni 299
Përgjegjësia e kujdestarit dhe kujdestarit të posaçëm
Kujdestari duhet ta administrojë pasurinë e të miturit me kujdesin e një prindi të mirë.
Kujdestari detyrohet të shpërblejë të miturin për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar këtij në kryerjen e parregullt të detyrës, ose për shkak të lënies pa arsye të detyrës së kujdestarit.
Të njëjtën përgjegjësi ka edhe kujdestari i posaçëm, për aq sa lidhen me detyrat e tij.
Neni 300
Zëvendësimi i kujdestarit
Gjykata e heq kujdestarin dhe e zëvendëson atë me një tjetër kur vëren se ai shpërdoron të drejtat e tij, tregohet i pakujdesshëm në kryerjen e detyrës ose, në mënyra të tjera, vë në rrezik interesat e të miturit, si dhe kur vetë kujdestari kërkon largimin e tij për shkaqe të arsyeshme. Kërkesa për zëvendësimin e kujdestarit mund të bëhet nga personat e interesuar ose prokurori.
Në këto raste gjykata dëgjon më parë pretendimet e kujdestarit.
Neni 301
Dorëzimi i pasurisë
Me mbarimin e kujdestarisë ose zëvendësimin e saj, kujdestari duhet të bëjë menjëherë dorëzimin e pasurisë së të miturit, sipas rastit, të miturit që është bërë madhor, trashëgimtarëve të tij ose kujdestarit të ri.
Brenda 2 muajve nga çasti i mbarimit ose zëvendësimit, kujdestari i paraqet gjykatës llogarinë përfundimtare të administrimit të pasurisë.
Gjykata, kur ka shkaqe të arsyeshme, vendos shtyrjen e dorëzimit të llogarisë tej këtij afati.
Neni 302
Miratimi i llogarisë
Gjykata thërret kujdestarin e posaçëm, të miturin që ka mbushur moshën madhore, nëse është rasti kujdestarin e ri dhe, në rast të vdekjes së të miturit, trashëgimtarët e tij, për të shqyrtuar llogarinë dhe për të bërë vërejtjet përkatëse.
Nëse nuk ka vërejtje dhe parregullsi ose mangësi në llogari, gjykata e miraton atë.
Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim nga kujdestari ose nga personat e tjerë të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni.
Neni 303
Parashkrimi i padive për kujdestarinë
Paditë e të miturit kundër kujdestarit dhe ato të kujdestarit kundër të miturit, për kujdestarinë, parashkruhen brenda 5 vjetëve, pasi i mituri ka mbushur moshën madhore ose ka vdekur.
Nëse kujdestari ka paraqitur llogarinë përpara se i mituri të mbushë moshën madhore ose përpara vdekjes, afati fillon nga data kur gjyqtari ka marrë vendim mbi llogarinë.
Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen për padinë e pagimit të diferencës që rezulton nga llogaria përfundimtare.
Neni 304
Ndalimi i marrëveshjes para miratimit të llogarisë
Midis kujdestarit dhe të miturit që ka arritur moshën madhore nuk mund të bëhet asnjë marrëveshje përpara miratimit të llogarisë së paraqitur nga kujdestari.
I mituri që ka arritur moshën madhore, trashëgimtarët e tij ose ata që kanë një interes të ligjshëm mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e marrëveshjes së bërë, sipas paragrafit të parë të këtij neni.
Neni 305
Regjistri i kujdestarisë
Në regjistrin e kujdestarisë, që ndodhet pranë gjykatës, nën përkujdesjen e kancelarit të gjykatës, regjistrohen vendosja dhe mbarimi i kujdestarisë, përjashtimi ose shkarkimi nga detyra i kujdestarit ose kujdestarit të posaçëm, rezultatet e inventarëve dhe të llogarive, raportet vjetore të përcaktuara në nenin 302 të këtij Kodi dhe të gjitha masat që sjellin ndryshime në statusin vetjak ose pasuror të të miturit.
Për vendosjen dhe mbarimin e kujdestarisë, kancelari i gjykatës njofton brenda 10 ditëve nëpunësin e gjendjes civile për të bërë shënimin në aktin e lindjes së të miturit.
Neni 306
Mbarimi i kujdestarisë
Kujdestaria mbaron kur fëmija:
a) bëhet madhor;
b) vdes;
c) fiton zotësinë për të vepruar me martesë.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 49, datë 20.6.2003, faqe 1907
[2] Kodi i Familjes ka hyrë në fuqi më datë 21.12.2003
[3] Nga teksti i Kodit të Familjes janë pasqyruar dispozitat që rregullojnë të drejtat e fëmijëve
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA