Ligji Nr. 8528, datë 23.9.1999 “PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E TË USHQYERIT ME GJI”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :
Neni 1
Ky ligji ka për qëllim të nxitë dhe të mbrojë të ushqyerit me gji, si dhe të rregullojë tregtimin e zëvendësuesve të qumështit të gjirit për të ushqyerit e shëndetshëm të fëmijëve.
Neni 2
Në zbatim të këtij ligji, termat vijues kanë këto kuptime:
a) “Reklama” kuptohet reklamimi me çdo mjet për nxitjen, shitjen ose për konsumin e prodhimeve të zëvendësuesve të qumështit të gjirit.
b) “Ushqim plotësues” kuptohet çdo ushqim i përshtatshëm, i paraqitur për ushqim shtesë të qumështit të gjirit, formula për foshnja ose formula pasuese.
c) “Mbajtëse” kuptohet çdo formë paketimi i produktit të përcaktuar për shitje si një njësi për shitje me pakicë, duke përfshirë edhe ambalazhin.
ç)“Produkt i përcaktuar për shitje” kuptohet :
– Formulë për foshnjat, e cila nënkupton qumështin ose një produkt të ngjashëm me qumështin, me origjinë shtazore ose bimore, i përgatitur industrialisht, që tregtohet për ushqimin e foshnjave dhe të fëmijëve të vegjël, nga lindja deri në gjashtë muaj.
– Formulë pasuese, e cila nënkupton qumështin ose një produkt të ngjashëm me qumështin, me origjinë shtazore ose bimore, i përgatitur industrialisht, që tregtohet si ushqim për foshnjat dhe fëmijët mbi gjashtë muajsh.
– Çdo produkt tjetër, i shitur për ushqimin e foshnjave dhe të fëmijëve të vegjël.
d) “Foshnjë” kuptohet një fëmijë nga dita e lindjes deri në 12 muaj.
dh) “Fëmijë i vogël” kuptohet një fëmijë nga mosha në 12 muaj deri 3 vjeç.
KUFIZIMET
Neni 3
Asnjë person nuk duhet të prodhojë, të shpërndajë, të shesë, të magazinojë ose të ekspozojë për shitje produkte të përcaktuara në nenin 2 pika ç të këtij ligji, kur ato:
– nuk janë të regjistruara në përputhje me ligjet në fuqi;
– kanë arritur datën e skadimit;
– nuk janë në mbajtëset e tyre origjinale.
Neni 4
Prodhuesve dhe shitësve u ndalohet reklama dhe promovimi i produkteve të përcaktuara në nenin 2 pika ç, duke përfshirë këtu paraqitjen speciale, vizuale në ekrane, reklamat për ulje çmimi, çmimet stimuluese, shitjet speciale, ulje çmimi me kushte të veçanta apo dhurata, si dhe promovimi i tyre në një qendër shëndetësore apo institucion tjetër të sistemit shëndetësor shtetëror ose privat.
Neni 5
Ndalohet një prodhues ose një person i ngarkuar nga ai, si dhe çdo shitës:
a) t’u shesë institucioneve shëndetësore shtetërore dhe private produktet e përcaktuara në nenin 2 pika ç, me çmim më të ulët se çmimet e publikuara nga prodhuesit;
b) të dhurojë ose të shpërndajë, brenda një qendre shëndetësore, pajisje ose të ofrojë shërbime, si dhe materiale promovuese, që u referohen ose mund të nxisin përdorimin e një produkti, të përcaktuar sipas nenit 2 pika ç, me përjashtim të rasteve kur kategorizohen si ndihma humanitare;
c) t’u ofrojë shpërblime, dhurata, kontribute punonjësve të shëndetësisë, të angazhuar me shëndetin e nënës dhe të fëmijës;
ç) të sponsorizojë veprimtari, pavarësisht nga forma e tyre, që lidhen me shëndetin e nënës dhe të fëmijës, përjashtuar veprimtaritë me karakter të mirëfilltë shkencor.
Neni 6
Çdo punonjësi të shëndetësisë, që punon në institucionet shëndetësore shtetërore dhe/ose private, i ndalohet:
a) të pranojë shpërblime, dhurata, kontribute nga një prodhues, shpërndarës ose çdo person tjetër i ngarkuar prej tyre;
b) të pranojë ose të shpërndajë monstra të këtyre produkteve;
c) të promovojë përdorimin e produkteve të përcaktuara në nenin 2 pika ç, përjashtuar rastet e veçanta, kur ka tregues absolut për përdorimin e tyre, duke shpjeguar qartë edhe pasojat që sjellin ato.
KUFIZIMET E LIDHURA ME ETIKETAT E FORMULAVE FOSHNJORE
Neni 7
Një prodhues, shpërndarës ose shitës nuk duhet të ofrojë për shitje ose të shesë formula pasuese, në qoftë se ambalazhi ose etiketa nuk përmban formulimin:
“Ushqimi i gjirit është ushqimi ideal për rritjen e shëndetshme dhe për zhvillimin e fëmijëve. KUJDES! Ky produkt do të përdoret për foshnjat nën 6 muajshe. Përpara se të vendosësh të plotësosh ose të zëvendësosh ushqimin e gjirit me këtë produkt, këshillohu me mjekun!”
Neni 8
Një prodhues, shpërndarës ose shitës nuk duhet të ofrojë për shitje ose të shesë formula pasuese, në qoftë se:
a) ambalazhi ose etiketa nuk përmban fjalët :
“Ushqimi i gjirit është ushqimi ideal për rritjen e shëndetshme dhe për zhvillimin e fëmijëve. Kujdes! Ky produkt do të përdoret për foshnjat mbi 6 muajshe. Përpara se të vendosësh të plotësosh ose të zëvendësosh ushqimin e gjirit me këtë produkt, këshillohu me mjekun!”;
b) etiketa nxit të ushqyerit artificial.
Neni 9
Një prodhues ose shpërndarës nuk duhet të ofrojë për shitje ose të shesë qumësht të skremuar apo të kondensuar në formë pluhuri ose të lëngët, apo qumësht standard e të skremuar si zëvendësues të qumështit të gjirit.
Në ambalazhin e këtyre produkteve duhet detyrimisht të shkruhet: “Ky produkt nuk duhet të përdoret për ushqimin e foshnjave!”
DETYRAT E SISTEMIT SHËNDETËSOR
Neni 10
Drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe autoritetet shëndetësore, vendore dhe kombëtare, duhet të nxisin, të mbështesin dhe të mbrojnë, në kuptim të këtij ligji, të ushqyerit me gji dhe të bëjnë publike mangësitë e mëdha që krijojnë të ushqyerit alternativ.
Neni 11
Materialet informative apo me qëllim edukimi dhe promocioni të jenë, detyrimisht, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë apo nga strukturat përkatëse të ngritura ose të autorizuara prej saj.
Neni 12
Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.
Ngarkohet Inspektorati Sanitar Shtetëror për kontrollin dhe për zbatimin e këtij ligji.
KUNDËRVAJTJET
Neni 13
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk formojnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si vijon:
a) Për shkelje të nenit 3, masa e gjobës është nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë ose me heqje të lejes së prodhimit dhe/ose importimit.
b) Për shkelje të nenit 4, masa e gjobës është nga 25 mijë deri në 50 mijë lekë.
c) Për shkelje të nenit 5, masa e gjobës është nga 40 mijë deri në 75 mijë lekë.
ç) Për shkelje të nenit 6, masa e gjobës është nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje largim nga detyra.
d) Për shkelje të neneve 7, 8 dhe 9, masa e gjobës është nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.
Për shkelje të nenin 9, në rast përsëritjeje propozohet heqja e licencës.
Për gjobat e vëna nga inspektorët e rretheve mund të bëhet ankim tek kryeinspektori sanitar i rrethit, ndërsa ndaj inspektorëve sanitarë të Republikës, bëhet ankim te Kryeinspektori sanitar i Republikës.
Ankimi kundër vendimit të dënimit me gjobë bëhet në përputhje me procedurat e parashikuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative” me ndryshimet e plotësimet e mëvonshme.
Neni 14
Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë të nxjerrë aktet nënligjore në lidhje me kufizimet dhe përgjegjësitë e përdorimit të produkteve të përcaktuara në këtë ligj, si dhe për problemet lidhur me edukimin dhe promocionin e strukturave shëndetësore.
Neni 15
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 27, datë 22 Tetor 1999, faqe 1010