LIGJI Nr. 8153, datë 31.10.1996 “PËR STATUSIN E JETIMIT”
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Përfitojnë statusin e jetimit personat me moshë nga 0-25 vjeç, që kanë kaluar ose jo nëpër institucione shtetërore a private të përkujdesit shoqëror dhe që plotësojnë këto kritere:
a) të lindurit jashtë martese;
b) që nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit;
c) të cilëve me vendim të formës së prere të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton;
d) që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre.
Neni 2
Personat që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 1, përfitojnë nga ky status edhe pasi kanë kaluar moshën 25 vjeç, nëse nuk janë trajtuar nga shteti me strehim dhe janë në kushte të veshtira jetese.
Kriteret për trajtimin e tyre dhe afatet kohore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 3
Vendosja e fëmijëve jetimë në institucionet shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror bëhet sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 4
Institucionet që trajtojnë jetimë, duke përfshirë dhe ato arsimore, janë të detyruara që me mbarimin e vitit të parafundit të shkollës të dërgojnë statistika të sakta pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe pranë zyrave të ndihmës dhe përkujdesit shoqëror në bashki e komuna, me qëllim që të merren masa për sistemimin e tyre me punë dhe strehim sipas rregullave të caktuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 5
1. Jetimët në institucionet shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror mbahen deri në moshën 14 vjeç. Në rastet kur fëmija brenda kësaj moshe nuk ka mundur të kryejë shkollën 8-vjeçare mbahet deri në moshën 17 vjeç. Pas kësaj moshe zbatohet neni 6 për ata që fitojnë stratusin e jetimit.
2. Me mbarimin e shkollës 8-vjeçare drejtoria e institucionit të përkujdesit shoqëror, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe organet e pushtetit lokal, planifikon për jetimin të drejtë studimi sipas prirjeve dhe aftësive. Këtyre personave u jepet bursë e plotë nga shteti, sipas kritereve që përcaktohen me akte nënligjore.
Neni 6
Bursa dhe trajtimi me veshmbathje për vitet e shkollës së mesme dhe të lartë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 7
Për jetimët që mbarojnë shkollën e mesme ose të lartë dhe që jetojnë në konvikte, shpenzimet e ushqimit përballohen nga zyrat e ndihmës dhe të përkujdesit shoqëror në bashki e komuna, deri në zënien e tyre me punë.
Neni 8
Jetimët që vazhdojnë shkollat e mesme a të larta për periudhën e pushimeve verore, trajtohen me një pagesë suplementare që përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 9
Shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet për jetimët, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, sigurohen falas nga shteti. Për këtë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit nxjerr aktet nënligjore përkatëse.
Neni 10
Udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror a privat qytetas, si dhe ndërqytetas i jetimëve, që s’janë në marrëdhëie pune bëhet falas.
Ministria e Industrisë, Transportit dhe Tregtisë nxjerr për këtë aktet nëligjore përkatëse.
Neni 11
Për jetimët e vendosur në institucionet e përkujdesit shoqëror sigurohet hyrja në shfaqje, spektakle, veprimtari sportive etj., me 50 për qind të vleftes së biletës.
Për këtë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nxjerr aktet nëligjore përkatëse.
Neni 12
Punësimi i jetimëve bëhet me përparësi nga zyrat e punës e përkujdesjes sociale.
Neni 13
Jetimët e punësuar trajtohen me përparësi nga punëdhënësi, duke krijuar mundësi për mbajtjen në punë gjatë procesit të shkurtimit të veprimtarisë.
Neni 14
Jetimët trajtohen me përparësi në emigracionin e organizuar nga shteti. Në këto raste përjashtohen nga taksat.
Neni 15
Personave që fitojnë këtë status dhe shkojnë për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, u jepet nga shteti një kuotë suplementare që caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 16
Djemtë jetimë qe mbarojnë shërbimin ushtarak sistemohen me strehim e punë nga bashkitë e komunat në bazë të kerkesës së bërë 6 muaj më parë nga kryesia e shoqatës. Në rast të kundërt, sistemohen në konvikte. Shpenzimet e ushqimit përballoehn nga zyrat e ndihmës dhe përkujdesit shoqëror deri në zënien e tyre në punë.
Neni 17
Strehimi i personave që përfitojnë nga ky status bëhet me përparësi dhe me kredi afatgjata nga shteti, sipas kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha”, si dhe aktet nënligjore përkatëse. Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore përkatëse.
Neni 18
1. Shteti financon veprimtarinë e Shoqatës së Jetimëve Shqiptarë sipas mundësive financiare të planifikuara për këtë qëllim.
2. Të gjitha ndihmat humanitare, si me fonde ashtu edhe me materiale për jetimët, livrohen nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Jetimëve.
3. Mjediset që shteti vë në dispozicion të Shoqatës së Jetimëve për të zhvilluar veprimtarinë e saj, jepen në përdorim pa shpërblim.
Neni 18/1
(Shtuar me ligjin nr. 9233, datë 13.5.2004)
Data 20 maj shpallet Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve.
Neni 19
Pranë Komitetit Shqiptar të Birësime merr pjesë dhe një përfaqësues i Shoqatës së Jetimëve.
Neni 20
Këshilli i Ministrave ngarkon ministrinë përkatëse për zbatimin e këtij ligji, në bashkëpunim me komisionin qendror që do të ngrihet pranë kësaj ministrie.
Mënyra e krijimit dhe e funksionimit të komisionit qendror rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 21
Çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.
Neni 22
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 27, datë 12 Dhjetor 1996, faqe 923.
[2] Variant i përditësuar.
[3] Ligji nr. 8153/1996 ka ndryshuar me ligjin nr. 9233, datë 13.5.2004, botuar në Fletore Zyrtare nr.38, datë 16 Qershor 2004, faqe 2813