Ligji Nr.7952 Nr. 7952, datë 21.6.1995 “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR (1)” ( i ndryshuar)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
PARIME TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Arsimi në Republikën e Shqipërisë është përparësi kombëtare.
Ai realizohet në përputhje me parimet e sanksionuara në legjislacionin në fuqi, mbështetet në traditat e arritjet e shkollës sonë kombëtare dhe kryhet në përputhje me marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Arsimi respekton të drejtat e fëmijëve dhe të të rriturve të sanksionuara në këto dokumente.
Neni 2
Arsimi ka për mision emancipimin shpirtëror, progresin material dhe zhvillimin social të individit.
Neni 3
(Ndryshuar me ligjin nr. 9985, datë 11.9.2008)
Të gjithë fëmijët e moshës 6-vjeçare në Republikën e Shqipërisë duhet të fillojnë arsimin bazë, i cili zgjat jo më pak se 9 vjet.
Neni 4
Arsimi në Republikën e Shqipërisë realizohet në institucione arsimore publike dhe private, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Neni 5
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përgjigjet për realizimin e politikës shtetërore të arsimimit laik, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Neni 6
Mësimet në institucionet arsimore publike të Republikës së Shqipërisë zhvillohen në gjuhën shqipe, me përjashtim të rasteve që parashikon ndryshe ky ligj.
Neni 7
6.1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
6.2. Në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar.
Neni 8
(Ndryshuar fjalia e parë me ligjin nr. 9985, datë 11.9.2008)
Të gjithë fëmijët e moshës 6-vjeçare në Republikën e Shqipërisë duhet të fillojnë arsimin bazë, i cili zgjat jo më pak se 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç.
Neni 9
Në institucionet arsimore publike shteti u siguron nxënësve falas mjediset mësimore, bazën materiale të tyre dhe personelin mësimdhënës.
Neni 10
10.1 Personave që u përkasin pakicave kombëtare u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre brenda kuadrit të planeve dhe programeve mësimore.
10.2 Për të mundësuar një pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në jetën ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, shteti krijon kushte që personat e pakicave të moshës shkollore të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën shqiptare.
10.3 Planet e programet mësimore, si dhe raportet e përdorimit të gjuhës amtare dhe asaj zyrtare në procesin mësimor, përcaktohen me akte të veçanta të Ministrisë së Arsimit.
10.4 Arsimi, për personat e pakicave, realizohet në njësi shkollimi dhe institucione arsimore të caktuara, hapja dhe funksionimi i të cilave bëhet sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 11
11.1 Personat me kombësi shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të drejtë të arsimohen në Republikën e Shqipërisë. Pranimi i tyre bëhet sipas akteve nënligjore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
11.2 E drejta e shtetasve të huaj për t’u arsimuar në institucionet arsimore publike të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 12
12.1 Institucionet arsimore publike bashkëpunojnë me prindërit për realizimin e detyrave të tyre.
12.2 Komuniteti i shkollave publike, i përbërë nga nxënësit, mësuesit, gjithë personeli tjetër i shkollës, prindërit dhe partnerë të tjerë socialë, synon ngritjen e nivelit mësimor-edukativ të nxënësve dhe integrimin optimal të tyre nëjetën, emancipimin dhe përparimin e vendit.
Neni 13
(Shtohet paragrafi i dytë me ligjin nr. 8387, datë 30.7.1998)
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton me akte nënligjore kriteret e ekuivalentimit për rastet e fëmijëve shqiptarë që vijnë nga shkolla jashtë vendit.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton kriteret për dhënien e Medaljes së Artë nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm publik apo privat me rezultate të shkëlqyera.
Neni 14
14.1 Në institucionet shkollore dhe parashkollore publikemësuesi është figura qendrore shkencore e pedagogjike. Ai zbaton programet e përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Mësuesi ka të drejtë të zgjedhë metodat dhe mekanizmat e përshtatshëm për zbatimin e programit themelor, duke u bazuar në aftësitë dhe përgatitjen e tij profesionale, duke siguruar një edukim të harmonizuar, duke ruajtur personalitetin e nxënësve dhe duke shmangur çdo ndikim që mund të krijojë me bindjet e tij sociale, politike e fetare.
14.2 Kërkesat bazë për përgatitjen iniciale dhe kualifikimin e mësuesve përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
14.3 Mësuesit dhe personeli tjetër mësimor kanë të drejtën e kualifikimit pasuniversitar sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit, si dhe forma të tjera në bashkëpunim me institucione kualifikuese të specializuara brenda e jashtë vendit.
KREU II
SISTEMI ARSIMOR PUBLIK
Neni 15
Sistemi arsimor publik në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga rrjeti i institucioneve arsimore publike, që realizojnë tërësinë e planeve dhe programeve mësimore në nivele të ndryshme shkollore e parashkollore. Kërkesat e programeve për institucionet shkollore dhe parashkollore publike përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 16
16.1 Rrjeti i instituconeve arsimore publike përbëhet nga shkolla të tipave të ndryshëm, duke përfshirë shkollat me kohë të plotë dhe me kohë të shkurtuar. Kriteret për hapjen dhe funksionimin e këtyre institucioneve përcaktohen me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit.
16.2 Sistemi arsimor publik përbëhet nga:
16.2.1 Arsimi parashkollor publik.
16.2.2 Arsimi bazë publik.
16.2.3 Arsimi i mesën publik.
16.2.4 Arsimi special publik.
ARSIMI PARASHKOLLOR PUBLIK
Neni 17
17.1 Arsimi parashkollor publik është niveli i parë i sistemit arsimor publik në Republikën e Shqipërisë.
17.2 Institucionet që realizojnë arsimin parashkollor janë kopshtet e fëmijëve.
Neni 18
Institucionet parashkollore publike, në bashkëpunim me prindërit, synojnë edukimin e zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe i parapërgatitin ata për në shkollë.
Neni 19
19.1 Regjistrimi në kopshte i fëmijëve të moshës 3-6 vjeç bëhet sipas dëshirës së prindërve dhe në përputhje me aktet e Ministrisë së Arsimit.
19.2 Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit.
19.3 Kopshtet mund të jenë pa ushqim ose me ushqim. Kriteret e pagesës në kopshtet me ushqim caktohen nga Këshilli i Ministrave.
ARSIMI BAZË PUBLIK
Neni 20
(Ndryshuar fjalia e parë me ligjin nr. 9985, datë 11.9.2008)
Arsimi bazë është arsimi i detyruar dhe i njësuar.
Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 21
Arsimi bazë publik synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare.
Neni 22
21.1 Shkolla e arsimit bazë publik përfshin dy cikle:
– ciklin fillor;
– ciklin e lartë.
22.2 Cikli i lartë është vazhdim logjik dhe i natyrshëm I ciklit fillor.
22.3 Cikli fillor dhe cikli i lartë kanë tipare organizative dhe pedagogjike specifike, të cilat përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
22.4 Shkolla e arsimit bazë mund të jetë shkollë mecikël të plotë ose shkollë me kohë të shkurtuar. Shtetasit që kanë mbushur moshën 16 vjeç, por që nuk kanë përfunduar arsimin bazë, mund të ndjekin shkolla me kohë të shkurtuar. Këto shkolla funksionojnë në përputhje me udhëzimet përkatëse të Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 23
Sipas numrit të nxënësve, terrenit dhe klimës, procesi mësimor mund të realizohet edhe në klasa kolektive. Për këto raste, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nxjerr udhëzimet përkatëse.
Neni 24
Të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve i përfshin detyrimi shkollor, janë të detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në institucione publike ose private të arsimit bazë.
Neni 25
(Shtohet paragrafi 25.3 me ligjin nr.8387, datë 30.7.1998)
25.1 Regjistrimi i fëmijëve në klase te parë të shkollës së arsimit bazë bëhet me këto dokumente:
25.1.1 Certifikata e lindjes.
25.1.2 Certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
25.2 Regjistrimi i fëmijëve në klasat e tjera të shkollës së arsimit bazë bëhet me këto dokumente:
25.2.1 Dokumenti i përfundimit të klasës së mëparshme.
25.2.2 Certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
25.3 Institucioni arsimor, ku duhet të regjistrohet fëmija përcaktohet nga organet e pushtetit lokal, me propozim të drejtorisë arsimore të rrethit.
ARSIMI I MESËM PUBLIK
Neni 26
Arsimi i mesëm publik synon të zhvillojë në mënyrë sa më të plotë e harmonike personalitetin dhe potencialin e nxënësve, për t’i aftësuar ata të kontribuojnë në mënyrë sa më aktive në zhvillimet ekonomike, politike, sociale e kulturore të vendit.
Neni 27
Arsimi i mesëm publik i përgatit nxënësit për të ndjekur universitetin, shkolla të tjera të larta ose për të ushtruar profesione të caktuara.
Arsimi i mesëm publik organizohet sipas niveleve të ndryshme të shkollimit, dallimeve të përmbajtjes dhe të profileve profesionale, në shkolla me kohë të plotë ose të shkurtuar. Sipas numrit të nxënësve, terrenit dhe klimës, procesi mësimor, në raste të veçanta, mund të bëhet edhe me klasa kolektive. Për këto raste Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nxjerr udhëzimet përkatëse.
Neni 28
28.1 Të gjithë shtetasit kanë të drejtë të arsimohen në shkollat e mesme publike, pasi të kenë përfunduar shkollën e arsimit bazë.
28.2 Pranimet në shkollat e mesme publike bëhen sipas kritereve që përcakton Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Ajo përcakton gjithashtu edhe kriteret për kalimin e nxënësve nga një lloj shkolle e arsimit të mesëm publik në një tjetër.
Neni 29
Në klasën e parë të shkollave të mesme publike me kohë të plotë pranohen nxënës jo më të mëdhenj se 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të veçanta të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
GJIMNAZE PUBLIKE
Neni 30
(Ndryshuar fjalia e dytë në pikën 30.1 me ligjin nr. 9985, datë 11.9.2008)
30.1 Gjimnaze publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Afati i këtyre shkollave është 3 vjet.
30.2 Për të mundësuar që nxënësit të fitojnë njohuri, aftësi dhe përgatitjen e nevojshme personale për studime në shkollën e lartë, në fusha të ndryshme ose për një formim të caktuar profesional, gjimnaze mund të kenë drejtime të orientuara, që dallohen nga planet dhe programet mësimore.
Neni 31
Në gjimnaze publike, krahas formimit të përgjithshëm mund të zhvillohen edhe lëndë ose kurse facultative dhe lëndë me zgjedhje, sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 32
Për fusha specifike, si ato artistike, socialkulturore etj.
funksionojnë shkolla të mesme publike të veçanta. Afati i studimit për këto shkolla varet nga fusha e studimit dhe përcaktohet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
SHKOLLAT PROFESIONALE PUBLIKE
Neni 33
(Shfuqizuar me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
Neni 34
(Shfuqizuar me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
Neni 35
(Shfuqizuar me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
Neni 36
(Shfuqizuar me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
Neni 37
(Shfuqizuar me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
Neni 38
(Shfuqizuar me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
KREU III
ARSIMI SPECIAL PUBLIK
Neni 39
39.1 Arsimi special publik është pjesë përbërëse e sistemit arsimor publik në Republikën e Shqipërisë.
39.2 Arsimi special publik synon që nëpërmjet përdorimit të formave dhe metodave të veçanta të sigurojë zhvillimin sa më të plotë të mundësive të personave që paraqesin paaftësi fizike, mendore ose emocionale, në përputhje me nevojat e tyre dhe kërkesat për një jetë sa më dinjitoze.
Neni 40
40.1 Arsimimi i fëmijëve që paraqesin nevoja të veçanta kryhet falas në institucionet arsimore publike, nëse kjo është dëshira e prindërve dhe zgjidhja më e drejtë profesionale.
Shteti merr masa për sigurimin gradual të kushteve të nevojshme për realizimin e integrimit.
40.2 Për fëmijët, të cilët paraqesin nevoja të veçanta që nuk mund të plotësohen brenda sistemit shkollor, ngrihen klasa dhe nstitucione të posaçme, ku trajtimi i specializuar bëhet falas.
40.3 Kriteret për përcaktimin e fëmijëve që përfitojnë arsimin special vendosen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.
Neni 41
Për kualifikimin e kuadrit të arsimit special hapen degë dhe kurse specializimi të veçantë.
Neni 42
Për ndjekjen dhe studimin e problematikës së arsimit special krijohen me akte nënligjore struktura dhe institucione të posaçme.
KREU IV
ARSIMI PRIVAT
Neni 43
(Shtohen paragrafi i dytë dhe i tretë me ligjin nr. 8387, datë 30.7.1998)
Krijimi i institucioneve arsimore private lejohet në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Shtetasit shqiptarë ose të huaj kanë të drejtë t’i ndjekin këto institucione, në përputhje me rregullat e pranimit të tyre.
Ndër institucionet arsimore, publike, parauniversitare mund të privatizohen vetëm institucionet e arsimit profesional. Në këto raste mjediset, pajisjet dhe trualli i tyre privatizohen në përputhje me dispozitat në fuqi.
Ndalohet ndryshimi i destinacionit të institucionit arsimor publik të arsimit profesional të privatizuar.
Neni 44
(Shtohet paragrafi i dytë në pikën 44.1 me ligjin nr.8387, datë 30.7.1998)
(Ndryshuar numërtimi i pikës 1 me ligjin nr. 10137, datë 11.09.2009)
(Shtuar para pikës 1/1 pika 1 me ligjin nr. nr. 10137, datë 11.09.200)9
4.1. Hapja e institucioneve arsimore private, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihet në kategorinë IX.1 të ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas ligjit për licencat ose sipas dispozitave në vijim, të këtij ligji. Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin e njërës nga këto dy mënyra, sipas ndarjes në nënkategori. Në rastin e dytë nuk zbatohet parimi i miratimit në heshtje.
44.1/1 Hapja e institucioneve arsimore private laike, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, bëhet vetëm me licencë të dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Për rastet e institucioneve arsimore private, ku mësimet zhvillohen edhe në gjuhë të huaj ose kur zhvillohen edhe lëndë fetare, kjo licencë jepet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Arsimit.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës propozon institucionin arsimor publik të arsimit profesional, i cili do të privatizohet. Miratimi bëhet nga Këshilli i Ministrave me vendim të veçantë. Mënyrat dhe fazat e procesit të privatizimit përcaktohen nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe e Privatizimit dhe nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
44.2 Leja jepet kur planet, programet mësimore dhe kushtet e realizimit të tyre nuk bien në kundërshtim me interesat kombëtare me legjislacionin shqiptar, me rendin publik, normat morale dhe higjienën, si dhe kur sigurohen kushtet materiale të domosdoshme së bashku me personelin e nevojshëm mësimor.
44.3 Gjuha dhe letërsia shqipe, historia e kombit shqiptar dhe gjeografia e Shqipërisë zhvillohen detyrimisht në shqip.
44.4 Kriteret dhe procedurat për dhënien e licencës për shkollat private laike, në të cilat mësimi bëhet në gjuhën shqipe, rregullohen me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit. Për shkollat e tjera private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare ose në të cilat mësimi bëhet edhe në gjuhë të huaj, këto kritere ose procedura caktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe e Shkencës. Leja për hapjen e institucioneve arsimore private nuk mund të jepet më parë se 1 vit nga koha e dorëzimit të kërkesës.
44.5 Kur provohen shkelje të dispozitave të këtij ligji, leja e dhënë për institucionet arsimore private laike, në të cilat mësimi bëhet në gjuhën shqipe, hiqet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Për institucionet e tjera arsimore private kjo licencë hiqet nga Këshilli i Ministrave.
44.6 Shkollat private, të cilave u është hequr leja, mund të bëjnë kërkesë për ta rifituar atë për vitin e ardhshëm shkollor.
Neni 44/a
(Shtuar me ligjin nr. 8387, datë 30.07.1998)
44/a.1. Krahas institucioneve arsimore private të niveleve të arsimit parauniversitar, lejohen hapja dhe funksionimi i institucioneve arsimore, private, plotësuese. Quhen të tilla ato institucione arsimore e njësi shkollimi që funksionojnë jashtë strukturave të institucioneve arsimore, publike e private dhe ku punohet në drejtim të arsimimit e të edukimit në lëndë e specialitete të veçanta, brenda ose jashtë planeve mësimore, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
44/a.2. Leja për funksionimin e institucioneve arsimore, private, plotësuese jepet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës jo më parë se dy muaj nga data e depozitimit të kërkesës.
44.a.3. Kriteret për hapjen dhe funksionimin e tyre përcaktohen me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
Neni 45
45.1 Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton njëvlefehmërinë për njohjen e dokumenteve të përfundimit të një klase a një shkolle private.
Nëse shkolla private zhvillon edhe lëndë fetare, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton njëvlefshmërinë për njohjen e pjesës laike të programit në përfundim të një klase a të një shkolle të tillë private.
45.2 Nxënësit mund të kalojnë nga një shkollë private në një shkollë publike sipas akteve nënligjore të veçanta të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 46
Për dhënien e licencës së hapjes së institucioneve arsimore private, ao duhet të provojnë se kanë personel pedagogjik me arsimin përkatës e me kualifikimin e duhur dhe se janë të pajisura me mjetet mësimore për të realizuar kërkesat e planit e të programeve mësimore, si dhe sigurojnë kushtet materiale të domosdoshme së bashku me personelin e nevojshëm mësimor.
Neni 47
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe organet e saj arsimore në rrethe kontrollojnë periodikisht procesin mësimor laik në shkollat private për të verifikuar realizimin e kërkesave të planit e të programeve mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 48
48.1 Për shkollat private të arsimit bazë leja jepet vetëm kur ato marrin përsipër të realizojnë kërkesat e planit e të programeve mësimore të detyrueshme për shkollat publike të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Shkencës dhe organet e saj në rrethe marrin masat e nevojshme për t’i sistemuar nxënësit në shkolla të tjera.
Neni 49
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton rastet e veçanta kur arsimi bazë zhvillohet pranë familjes në rrugë private. Përvetësimi i programeve mësimore kontrollohet me provime që jepen në shkollat publike të arsimit bazë.
KREU V
STRUKTURAT PLOTËSUESE TË ARSIMIT
Neni 50
50.1 Në Republikën e Shqipërisë veprojnë edhe struktura të tjera plotësuese që ndihmojnë, mbështetin dhe pasurojnë sistemin arsimor, si qendra kulturore, qendra të vlerësimit, qendra të dokumentacionit shkollor, lektoriume, kurse speciale, qendra të formimit profesional, institute të rritjes së shkallës së kualifikimit etj.
50.2 Strukturat plotësuese të arsimit janë nën vartësinë e dikastereve dhe të organizmave që i kanë krijuar.
KREU VI
DREJTIMI I SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR
Neni 51
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është organi më i lartë administrativ publik i arsimit. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, nëpërmjet specialistëve të saj dhe institucioneve vartëse, harton dhe përpunon programet e zhvillimit të arsimit në përputhje me prirjet dhe zhvillimet arsimore ndërkombëtare, si dhe veçoritë kombëtare, rajonale, socialekonomike e demografike të Shqipërisë.
Neni 52
52.1 Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ose institucione të tjera vartëse që ajo cakton, miratojnë dokumentet themelore arsimore, që përfshijnë planet, programet dhe tekstet mësimore për institucionet publike arsimore.
52.2. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka të drejtën e eksperimentimit për përmirësimin e cilësisë në arsim në përputhje me standardet ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucione të specializuara të vendit dhe të huaja.
52.3 Inspektimet në procesin mësimor bëhen vetëm nga organet e specializuara të caktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Neni 53
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton strukturën e vitit shkollor, ngarkesën mësimore të trupit pedagogjik, numrin e nxënësve për klasë, për të gjitha nivelet e institucioneve arsimore pubike.
Neni 54
(Ndryshuar me ligjin nr. 9903, datë 17.4.2008)
1. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar është organ këshillimor i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i Këshillit të Ministrave për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar.
2. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar këshillon, formulon mendime dhe propozime për:
a) hartimin e strategjive dhe të programeve kombëtare për arsimin parauniversitar, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore;
b) reformën e kurrikulave dhe të teksteve për arsimin parauniversitar;
c) projektbuxhetin e parashikuar për arsimin parauniversitar dhe metodologjinë e shpërndarjes së tij;
ç) standardet për vlerësimin e institucioneve të arsimit parauniversitar;
d) zhvillimin e politikave të veçanta, të kërkuara nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe rrugët e financimit të tyre.
3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 54/a
(Shtuar me ligjin nr. 9903, datë 17.4.2008)
1. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar përbëhet nga 23 anëtarë, si më poshtë: Ministri i Arsimit dhe Shkencës, një përfaqësues nga drejtoritë arsimore rajonale, një përfaqësues i Ministrisë së Financave, një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, një përfaqësues i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, një përfaqësues i shoqatës së bashkive, një përfaqësues i shoqatës së komunave, një përfaqësues i shoqatës së këshillave të qarqeve dhe 13 anëtarë të tjerë, ekspertë të zgjedhur me konkurrim publik. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
2. Anëtarët, ekspertë të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, janë figura të njohura për kontributin e tyre shkencor në fushën e arsimit dhe të shkencës, që zotërojnë, së paku, diploma të nivelit të dytë dhe të nivelit të dytë të integruar dhe kanë njohje të mirë të përvojës ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të arsimit parauniversitar. Ata përzgjidhen me konkurrim publik nga një komision i ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues nga Këshilli i Ministrave, një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe një përfaqësues nga Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional, të caktuar nga vetë këto institucione.
3. Komisioni i përzgjedhjes, pasi shqyrton plotësimin e kritereve profesionale, në përputhje me këtë ligj, rendit në një listë kandidatët, sipas pikëve të fituara. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve caktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe bëhen publike.
4. Këshilli i Ministrave cakton në detyrën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar 13 nga kandidatët e klasifikuar.
5. Anëtarët ekspertë zgjidhen për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
6. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar mbështetet nga një sekretariat teknik, që ndodhet pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
7. Pagesa e anëtarëve të këtij këshilli, si dhe përbërja e detyrat e anëtarëve të sekretariatit caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 55
(Shfuqizuar paragrafi 55.4. me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
55.1 Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përcakton kriteret për hapjen e institucioneve arsimore publike dhe private laike.
55.2. Hapja e kopshteve është në kompetencë të komunave dhe bashkive.
55.3 Hapja e shkollave të arsimit bazë dhe atyre të arsimit të mesëm të përgjithshëm publik, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe në këtë ligj, bëhet nga bashkitë për qytetet dhe nga këshilli i rrethit për komunat, pasi të jetë marrë miratimi nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
KREU VII
MARRËDHËNIET FINANCIARE TË SISTEMIT ARSIMOR
Neni 56
Arsimi publik në Republikën e Shqipërisë financohet nga buxheti i shtetit, si dhe nga burime të tjera të parashikuara me ligj.
Neni 57
(Shfuqizuar paragrafi 57.2 me ligjin nr. 8872, date 29.03.2002)
57.1 Krahas detyrave kryesore të mësimdhënies, shkollat e arsimit bazë e të mesëm publik mund të kryejnë edhe veprimtari ekonomike me përfitime financiare në fushat që kanë lidhje me zbatimin e programeve mësimore, në përputhje me dispozitat ligjore.
Neni 58
Personat juridikë shtetërorë e privatë, në bazë të kapaciteteve të tyre, duhet të pranojnë dhe t’u krijojnë kushte të përshtatshme për kryerjen e praktikave nxënësve të shkollaveprofesionale sipas specialiteteve të tyre.
Marrëdhëniet që rrjedhin nga ky bashkëpunim, rregullohen me marrëveshje ndërmjet palëve të interesuara drejtpërsëdrejti ose institucioneve përfaqësuese të tyre.
SANKSIONET
Neni 59
(Ndryshuar me ligjin nr.8387, datë 30.7.1998)
Kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë ose e braktisin atë, prindërit e tyre dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1 000 deri në 10 000 lekë, si vijon:
59.1. Kur nxënësi mungon në mësim pa arsye 30 – 50 për qind të kohës në 2 muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 1 000 deri 3 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje gjatë po atij viti, gjoba bëhet 5 000 lekë.
59.2. Kur nxënësi mungon pa arsye mbi 50 për qind të kohës në 2 muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 5 000 deri në 7 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje gjatë po atij viti ose braktisjeje të shkollës, gjoba bëhet 10 000 lekë.
59.3. Vendimi i gjobës jepet nga kryetari i bashkisë apo i komunës, sipas propozimit të drejtorit të shkollës.
Kundër vendimit të gjobitjes mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja.
59.4. Përjashtohen nga gjoba ata prindër, fëmijët e të cilëve janë regjistruar në një shkollë, shqiptare a të huaj, brenda vendit, me kusht që të paraqesin dokumentin e regjistrimit pranë drejtorisë së shkollës në vendbanimin e tyre.
59.5. Përjashtohen nga gjoba ata prindër, fëmijët e të cilëve janë regjistruar në një, shkollë jashtë vendit.
Neni 60
Ndalohet punësimi i fëmijëve që përfshihen në detyrimin shkollor. Kur vërtetohen raste të punësimit të fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor, punëdhënësi shtetëror ose privat dënohet për kundërvajtje administrative nga inspektori i punës me gjobë 100 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 200 000 lekë.
Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim dhe protestë, brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes ose e njoftimit, në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja.
Neni 61
(Ndryshuar paragrafi parë me ligjin nr. 8387, datë 30.7.1998)
Hapja e institucioneve arsimore private dhe e institucioneve arsimore private plotësuese në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësit në çdo rast, dënohen me gjobë, përkatësisht 500 000 lekë dhe 200 000 lekë, si dhe me ndërprerje të veprimtarisë së filluar.
Kundërvajtësit dënohen me gjobë 500 000 lekë dhe ndërprerje të veprimtarisë së filluar.
Vendimi për gjobë dhe ndërprerje të veprimtarisë merret nga ministri i Arsimit për institucionet arsimore private laike dhe nga Këshilli i Ministrave për institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare ose në të cilat mësimi bëhet edhe në gjuhë të huaj.
Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit, në gjykatën e Tiranës.
Neni 62
Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative dhe ekzekutimi i vendimeve të dënimit me gjobë bëhet sipas dispozitave të caktuara në ligjin nr. 7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 63
Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nxjerr akte nënligjore në fushën e arsimit dhe ngarkon atë apo ministri të tjera sipas rastit për zbatim.
Neni 64
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka të drejtë të miratojë rregulloren, udhëzime e urdhra për zbatimin e këtij ligji. Ajo përcakton llojin e dëftesave shkollore për çdo klasë e cikël.
Neni 65
Ligji nr.4624, datë 24.12.1969 “Për sistemin e ri arsimor”, ligji nr.7887, datë 8.12.1994 “Për detyrimin shkollor”, si dhe aktet e tjera nënligjore që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Shkollat private ekzistuese të hapura në periudhën 1991-1993 i nënshtrohen të gjitha dispozitave të këtij ligji. Shqyrtimi i kërkesave për vazhdimin e funksionimit të shkollave private ekzistuese të hapura në periudhën 1991-1993, si dhe ekuivalentimi i diplomave të lëshuara nga këto shkolla, bëhet brenda një periudhe 3-mujore nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 66
Shteti garanton sigurimin e jetës dhe të veprimtarisë së mësuesve e nxënësve si dhe paprekshmërinë e institucioneve arsimore dhe të territoreve të tyre.
Neni 67
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 15, datë 17 Korrik 1995, faqe 619.
[2] Varianti i përditësuar
[3] Ligji nr. 7952/1995 ka ndryshuar me:
- ligjin nr. 8387, dt. 30.7.1998, Fletore Zyrtare nr.20, Gusht 1998, fq. 831
- ligjin nr. 8872, dt. 29.03.2002, Fletore Zyrtare nr.11, dt.18 Prill 2002, fq. 320
- ligjin nr .9903, dt. 17.4.2008, Fletore Zyrtare nr.61, dt.7 Maj 2008, fq. 2726
- ligjin nr. 9985, dt. 11.9.2008, Fletore Zyrtare 143, dt.22 Shtator 2008, fq. 6386
- ligjin nr. 10137, dt. 11.05.2009, Fletore Zyrtare 86, dt.12 Qershor 2009, fq. 3775