Debati për “kulturën”, Këshilli Bashkiak i Durrësit braktiset nga shumica
Mazhoranca, e drejtuar nga Partia Demokratike, ka braktisur mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Durrësit, duke mos miratuar përbërjen e këshillit kulturor. Këshilltarët e mazhorancës kërkuan që, para se të votohej përbërja e këshillit kulturor për mandatin e ri, të merrej në analizë puna e zhvilluar nga ky organ gjatë mandatit të kaluar. Por, mazhoranca u gjend përballë një teknikaliteti ligjor që duhet ta respektonte. Projekt-vendimi për përbërjen e këshillit kulturor ishte në rend të ditës dhe, ligjërisht, Këshilli Bashkiak duhet të shprehej me votë pro ose kundër përbërjes, por nuk mund ta hiqte këtë projekt-vendim nga rendi i ditës. Në këto kushte, duke mos dashur të votojë kundër këtij projekt-vendimi, mazhoranca branktisi sallën. Mbledhja u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Këshilli kulturor funksionon si organ këshillimor pranë Bashkisë së Durrësit për të ndihmuar në menaxhimin e fondeve për aktivitetet kulturore. Çdo vit, në buxhetin e Bashkisë parashikohen rreth 30 milionë lekë të reja për zhvillimin e aktiviteteve kulturore përmes aplikimit me projekte. Përzgjedhjen e projekteve e bën këshilli kulturor, në të cilin bëjnë pjesë një grup njerëzish të kulturës dhe artit të qytetit.
Zamir Ramadani, kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Durrësit, tha se “është e nevojshme që të analizohet puna e këshillit kulturor gjatë mandatit të kaluar.” “Unë mendoj që këtë projekt-vendim ta shtyjmë për mbledhjen tjetër, pasi ne më parë duhet të diskutojmë një relacion të detajuar mbi punën e zhvilluar gjatë mandatit të kaluar,” – tha Ramadani. Armand Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike, sqaroi se “mazhoranca nuk ka asgjë kundër këtij projekt-vendimi.” “Ne nuk kemi asgjë kundër emrave të propozuar për këshillin kulturor, ne nuk duam të votojmë kundër tyre, – tha Teliti, – por kërkojmë që më parë të analizojmë punën e bërë gjatë mandatit të kaluar.”
Bardhyl Agasi, këshilltar i Partisë Socialiste, tha se “ky projekt-vendim nuk përbën pengesë për të kryer analizën e kërkuar.” “Analizën e punës së këshillit kulturor mund ta bëjmë në mbledhjen e radhës, – tha Agasi, – në tani jemi këtu për të zgjedhur anëtarët për mandatin e ri të këshillit kulturor.” Ndërsa Roland Xhelili, kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, e cilësoi të pakuptimtë kërkesën e mazhorancës. “Kjo është tekë e juaja, – tha Xhelili, – analiza e punës së këshillit kulturor nuk ka lidhje me përbërjen e tij.”
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, në një pushim të shkurtër në mes të mbledhjes, kërkuan konsensusin e opozitës për të hequr nga rendi i ditës këtë projekt-vendim, por ky konsensus nuk u ofrua. Për këtë, mazhoranca braktisi sallën. “Ne nuk votojmë kundër, – tha Ramadani, – pasi nuk kemi asgjë kundër njerëzve që do të jenë anëtarë të këshillit kulturor, por ne do të largohemi.”
Deri në momentin e diskutimit të këtij projekt-vendimi, Këshilli Bashkiak kishte diskutuar dhe miratuar me konsensus një numër vendimesh, që kishin të bënin me ndihmën sociale, pagesën e paaftësisë, shërblimin për sportistin Sahit Prizreni, ndryshimin e disa taksave vendore, miratimin e një agjenti tatimor për mbledhjen e të ardhurave nga parkimet me pagesë, etj.
Këshilli Bashkiak i Durrësit ka 45 anëtarë, ndërkohë që mazhoranca kontrollon 25 dhe opozita 20 prej tyre.
Përgatiti
Valbona Mehmeti
Zyra e Transparences Qytetare, Durrës
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA