Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, prej vitit 2016 monitoron situatën e vonesave gjyqësore në sistemin e gjykatave shqiptare. INFOÇIP ka advokuar gjithmonë interesin e qytetarëve për reduktimin e zvarritjeve në dyert e gjykatave. Qendrimet e organizatës ndaj Reformës në Drejtësi përcaktohen pikërisht nga treguesit e matur të shtimit ose pakësimit të kohëzgjatjes gjyqësore. Respektimi i afateve ligjore në procedurën e gjykimit nga organet gjyqësore dhe mos-tejkalimi i afateve të arsyeshme janë përparësi absolute për INFOÇIP në advokimin e interesit publik për një drejtësi efektive dhe pa vonesa.  Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar!

 

infocip konferenca

 

Me mbështetjen e Ambasadës Holandeze, në kuadër të Programit MATRA, INFOÇIP aktivizoi serish programin e monitorimi dhe vlerësimit të kohëzgjatjes gjyqësore në apel 2020-2023. Kjo analizë është e rëndësishme sepse:

 

  • Për herë të parë mundësohet krahasimi objektiv i treguesve të kohëzgjatjes gjyqësore që nga fillimi i Reformës në Drejtësi 7 vjet më parë e deri më sot. Treguesit përfshijnë si kohën e shqyrtimit gjyqësor ashtu edhe kohën e arsyetimit/dorëzimit të vendimeve, posaçërisht për çështjet e themelit.
  • Për herë të parë analizohen dhe identifikohen tërësia e çështjeve gjyqësore (civile dhe penale) që dolën jashtë afateve procedurale të gjykimit të arsyeshëm në apel gjatë periudhes 2020-2023.
  • Për herë të parë krahasohen treguesit e kohëzgjatjes gjyqësore para dhe pas Reformës së Rretheve Gjyqësore[1], duke afruar edhe një vlerësim të parë nga këndvështrimi i eleminimin apo shtimit të vonesave gjyqësore.
  • Për herë të parë vlerësohet respektimi i afateve ligjore për masat e sigurimit dhe urdhrat e mbrojtjes gjatë gjykimit në apel.

 

Për të mundësuar analizën e mësipërme, INFOÇIP mblodhi një volum të konsiderueshëm të dhënash gjyqësore. Për periudhën 2020-2023, INFOÇIP mblodhi dhe analizoi 37854 vendime gjyqësore të dhëna nga gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm (99-100% të totalit të vendimeve gjyqësore). Prej tyre, 32499 i takojnë tre-vjeçarit 2020-2022, ndërsa 5355 vendime janë dhënë në 6-mujorin e parë të vitit 2023 në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (1 shkurt-31 Korrik).

 

Te dhenat janë dixhitalizuar dhe procesuar në Platfomën www.gjykataehapur.al . Tabelat në Platformë lejojnë analiza, renditje dhe filtrime të shumëllojshme, duke i mundesuar përdoruesve një larmi analizash profesionale sa i takon kohëzgjatjes së çështjeve gjyqësore.  Bazuar ne te dhenat e analizuara, INFOCIP ka filtruar gjetjet dhe ka perpunuar rekomandimet specifike per organet gjyqesore dhe gjykatat, per te adresuar problemin e vonesave, mungeses se gjyqtareve dhe akumulimn progresiv te stokut gjyqesor. Gjetjet dhe Rekomandimet jane te rendituara me poshte:

 

Mungesa e gjyqtarëve në apel vlerësohet si shkaku kryesor i vonesave gjyqësore në rritje. Largimi i gjyqtarëve përmes procesit të vetingut, nuk është pasuar nga një strategji efikase për zëvendësimin e tyre në apel, me qëllim eleminimin e kushteve për zvarritje gjyqësore. Lidhja shkak-pasojë mes numrit efektiv të gjyqtarëve dhe mesatares vendimarrëse për gjyqëtar është evidente, po të analizohen veç e veç treguesit për çdo gjykatë apeli në periudhën 2020-2022, dhe mandej edhe për 6-mujorin e parë të punës të GJAJP Tiranë (1-Shkurt – 31 Korrik 2023).

 

Pas Reformës së Rretheve Gjyqësore, skema e delegimit të gjyqtarëve rezulton të jetë pezulluar, duke pamundësuar në këtë mënyrë “subvencionimin” GJAJP me gjyqtarët e munguar.  Gjykata e re nisi punën me vetëm 24 gjyqtarë nga 78 që duhet të kishte si rregull. Gjatë vitit 2023, ky numër vijoi të zvogëlohet (22), për të arritur sërish në 24 në Nëntor 2023.

 

Reforma e Rretheve Gjyqësore rrezikon të mos prodhojë objektivat e synuar në terma të aksesit në drejtësi nëse nuk adresohet me urgjencë shtimi i trupës gjyqësore. Kjo urgjencë duhet më së pari të adresohet në shkallën e dytë të gjykimit. Aksesi në drejtësi nuk është thjesht një çështje distancash, por mbi të gjitha një çështje e zgjidhjes efektive, brenda një afati optimal, të një mosmarrveshje që mbërrin në gjykatë.

 

Ndryshimi i disa rregullave procedurale në administrimin e procesit gjyqësor mund të ketë patur një impakt pozitiv në disa raste. Konkretisht, gjykimi i ankimeve për masat e sigurimit me një gjyqtar të vetëm ka siguruar efektivitet më të lartë në përballjen me këtë kategori çështjesh gjyqësore. Megjithatë, mbetet për t’u vlerësuar cilësia në gjykimet përkatëse, nisur nga rrethana që një trupë gjykuese me 3 anëtarë bën një peshim/vlerësim më gjithpërfshirës krahasuar me një gjyqtar të vetëm.   

 

Metodat e administrimit të gjykatës nuk identifikohen si një ndër shkaqet kryesore të stokut apo vonesave gjyqësore deri në vitin 2022. Pas aktivizimit të Reformës së Rretheve Gjyqësore sa i takon apelit të juridiksionit të përgjithshëm, administrimi gjyqësor përballet me sfidën e madhe të mungesës së sallave të gjyqit. Kjo rrethanë nuk e vendos në eficiencë as trupën e pakët gjyqësore që aktualisht gjykon në GJAJP Tiranë. Një skenar i funksionimit të kësaj gjykate me 78 gjyqtarë në godinën aktuale është krejtësisht i pamundur. Në kushtet aktuale infrastrukturore edhe vetë ri-aktivizimi i skemës së delegimit në apel përbën sfidë, pasi godina aktuale nuk ka zyra për të akomoduar më shumë se sa 35 gjyqtarë si dhe ka akoma më pak salla për të zhvilluar gjykime.

 

Mungesa e sistemeve adeguate që shërbejnë për menaxhimin e çështjeve gjyqësore krijon një vështirësi të shtuar në funksionimin e GJAJP Tiranë. Automatizimi i procesit të mbartjeve është një domosdoshmëri në kushtet e krijuar me një backlog në zmadhim të vazhdueshëm. Pavarësisht shtimit të personelit në sekretarinë e gjykatës, formatet analoge të proceseve të punës ngadalësojnë menaxhimin, janë jo-efektive dhe nuk sigurojnë saktësinë e synuar në regjistrimin e të dhënave.     

 

 

Bazuar në sa më sipër, rekomandimet kryesore janë:

 

Të shtohet numri i gjyqtarëve në apel përmes ri-aktivizimit efektiv dhe pa kushtëzime të panevojshme skemës së delegimit në apel nga KLGJ. Të vlerësohet me përparësi mundësia e caktimit përmes instrumentit të karrierës të gjyqtarëve në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, duke marrë masa efektive për adresimin e situatës përmes identifikimit të gjyqtarëve që përmbushin kriteret ligjore të përvojës dhe motivimit të tyre në karrierë.

 

Të dyfishet ose dhe trefishohet numri i ndihmësave ligjorë të cilët ofrojnë ndihmesën e tyre në GJAJP Tiranë. Aktualisht ka më pak  ndihmësa efektive se sa gjyqtarë efektive në këtë gjykatë. 

 

Të rritet shkalla e koordinimit mes institucioneve të qeverisjes gjyqësore dhe institucioneve të përkohshme të vetingut. Magjistratët e dalë nga bankat e Shkollës së Magjistraturës nuk kualifikohen për të zëvendësuar vankancat në apel për shkak të kriterit të përvojës (8 vjet). Interesi publik për drejtësi efektive duhet të prevalojë; Interesi i shtetit shqiptar për të mos rrezikuar dënime nga GJEDNJ gjithashtu duhet të prevalojë. Interesi i vetë gjykatave për të mos u shkrirë si institucione për shkak të mungesës së gjyqtarëve gjithashtu duhet të konsiderohet me shumë kujdes.  

 

Rritja sistematike e stokut në apel duhet konsideruar një emergjencë kombëtare për arsyen se është në përmasa historike, me trend të qartë rritës dhe sepse ka potencialin të godasë besimin tek Reforma në Drejtësi. KLGJ duhet urgjentisht të përgatisë një strategji të qartë, efektive dhe të përgjegjshme për të nxjerrë GJAJP Tiranë, por edhe atë të Apelit Administrativ nga kriza e stokut historik të akumuluar. 

 

Të vlerësohet mundësia për të prioritarizuar në shqyrtimin gjyqësor në apel çështjet që rrezikojnë të dalin jashtë afatit të gjykimit të arsyeshëm. Një vlerësim paraprak përmes sekretarisë gjyqësore i çështjeve të mbartura duhet të realizohet pa vonesë për të shmangur rriskun e penalizmit me becklog shtesë të gjykatave të shkallë më të larta me çështje me objekt vonesat gjyqësore. Gjithashtu, ky filtrim i shërben në tërësi shtetit shqiptar për të mos u penalizuar në të ardhmen e afërt nga GJEDNJ, në vazhdën e precedentit “Bara dhe Kola kundër Shqipërisë”  

 

Të ri-konsiderohet në kuadër të rishikimit të Reformës së Rretheve Gjyqësore zgjerimi në të paktën tre gjykata apeli për të adresuar në kohë dhe me cilësi mungesën e sallave dhe mjediseve të tjera mbështetëse që mundësojnë gjykimin në shkallë të dytë. Opsioni për të pritur deri në ndërtimin e një gjykatë të re apeli në Tiranë favorizon shtimin e stokut gjyqësor dhe penalizon qytetarët duke shkelur të drejtat e tyre për një drejtësi pa vonesa dhe në çdo rast brenda një afati të arsyeshëm.

 

Kostot eventuale që vijnë si pasojë e adresimit me padi në gjykatën kompetente të tejkalimit të afatit të aryeshëm të gjykimit të përllogariten si kosto oportune të Reformave dhe të mos t’i shkarkohen mbi supe qytetarëve dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave. Një fond i posaçëm kontigjence për subjektet e dëmtuara nga zvarritjet gjyqësore duhet të konsiderohet për parashikime në buxhetin e gjykatave ose në buxhetin e shtetit. Afati 3-vjeçar i vlerësuar si shkak objektiv për vonesa gjyqësore në kuadër të Reformës Gjyqësore e ka humbur brendinë dhe kuptimin tashmë që vetë Reforma në Drejtësi përgatitet të hyjë në vitin e saj të 9-të që nga koha e miratimit të ligjeve të saj.

 

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vijuar të shtojë stokun gjyqësor nga 32 000 në 37 mijë nga 1 Shkurti 2023 kur nisi nga puna deri në Tetor 2023, kur u bë edhe rakordimi i fundit për qëllime të këtij Vlerësimi Tematik. Parimi i përkohshmërisë mbi të cilin bazohet deri më sot argumenti kryesor për dekurajimin e ankesave për vonesa gjyqësore në gjykatën e shkallës më të lartë, konkretish rrethanat objektive të shkaktuara nga procesi i vetingut, rrezikon të përmbyset në një realitet të përhershëm nëse stoku në Apel tejkalon 40 mijë dosje në vitin 2024.

 

Gjykata kompetente duhet të jenë krah publikut të penalizuar nga vonesat gjyqësore tashmë kronike dhe jo anasjelltas kur rekursohet tejkalimi i afateve të arsyeshme gjatë gjykimit në apel. Kompromentimi i shanseve për një shpërblim të drejtë nga gjykatat vendase sa i takon fenomenit në fjalë vetëm sa do të riciklojë problemin në gjykatën Kushtetuese dhe më tej në GJEDNJ, Strasbourg.     

 

Sipas arsyetimit të vetë GJEDNJ në çështjen Bara & Kola kundër Shqipërisë (Tetor 2021), reformat nuk mund të konsiderohen “rrethana objektive që bëjnë të pamundur” shqyrtimin e çështjeve, të paktën brenda logjikës së nenit 6 të Konventës; kjo qasje do ta zhvendoste të gjithë barrën e tyre mbi shpatullat dhe në dëm të individëve. Sidoqoftë, pasojat e reformës mund të merren parasysh në njëfarë mase në procesin e ponderimit konventor. Tendenca e përgjithshme e reduktimit (ose jo) të vonesave është një faktor i rëndësishëm në analizën e nenit 6[1].  Në studimin e ndërmarrë nga INFOÇIP, tendenca e analizuar është në shumicën e rasteve përkeqësuese dhe konstante në këtë trend.

 

Komuniteti profesional i avokatëve duhet të inkurajohet të përdorë çdo mjet ligjor në dispozicion për të garantuar mbrojtje efektive të klientëve të tyre nga ekspozimi ndaj vonesave tej afatit të arsyeshëm. Garantimi i të drejtave të qytetarëve sa i takon një gjykimi të drejtë e pa vonesa duhet të jetë një konstante në aktivitetin e tyre të përditshëm. Ata duhet të jenë mbrojtës aktiv të këtyre të drejtave si në gjykatat vendase ashtu edhe në GJEDNJ.

 

Avancimi i objektivave të dixhitalizimit gjyqësor është domosdoshmëri në kushtet emergjente me të cilat përballet sot gjykimi në apel. Përmirësimi i sistemeve ekzistuese dhe adoptimi i sistemeve të reja më të avancuara janë një domosdoshmëri, që mund të sjellë përmirësim thelbësor në menaxhimin gjyqësor në apel. Këto sisteme janë relativisht shumë të lira krahasuar me kostot që prodhohen nga mos-përdorimi i tyre. Asistenca e partnerëve ndërkomëtarë të Reformës në Drejtësi duhet të kanalizohet në këtë drejtim pa humbur më kohë.

 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si institucioni më i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi, ka gjithashtu nevojë të ndihmohet me stafet përkatëse, sistemet e brendshmë të menaxhmit të ankesave si dhe sisteme të tjera efektive që mundësojnë rolin e tij kontollues ndaj vonesave arbitrare si në gjykim ashtu edhe në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, të cilat cënojnë besimin e publikut tek gjykatat dhe Drejtësia në tërësi. 

 

Vonesat e shprehura në arsyetimin brenda afatit ligjor të masave të sigurimit në apel, por edhe në shkallët më të ulëta duhet të merren në shqyrtim tematik të posaçëm duke evidentuar raste të mundshme parregullsish që përsëriten në mënyrë konstante.      

BANNER 400 x 250 (2)_page-0001

[1] Shkëputur nga fjala e gjyqtar Dorian Pavli, përfaqësues i Shqipërisë në GJADNJ Strasbourg, me rastin e Konferencës ndërkombëtare në kuadër të 110 Vjetorit të GJykatës së Lartë, Tiranë 10 Maj 2023.

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim