Këshilli Bashkiak i Durrësit do të mblidhet të enjten, më 22 shtator 2011, për herë të dytë në këtë mandat të ri të tij për të përfunduar proçesin e konstituimit, në respekt të ligjit që rregullon funksionimin e organeve të pushtetit vendor. Në këtë mbledhje do të zgjidhet sekretari i Këshillit Bashkiak dhe do të vendoset përbërja e komisioneve të përhershme të tij. Njëkohësisht, kjo mbledhje do të pranojë dorëheqjen e Sotir Ngresit, këshilltar i Partisë Socialiste, pasi nuk mund ta mbajë këtë mandat për shkak të detyrës që kryen në Bashkinë e Durrësit, dhe do të mandatojë zëvëndësuesin e tij. Në këtë mbledhje do të administrohet edhe betimi i Seit Kërtushës, këshilltar i Partisë Demokratike, i cili mungoi në mbledhjen e parë.

 

Pika më e rëndësishme e rendit të ditës mbetet formimi i komisioneve të përhershme të Këshillit Bashkiak, pasi ato distojnë paraprakisht çdo projekt-vendim që sjell Bashkia dhe i kalojnë ato për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Komisionet e përhershme të Këshillit Bashkiak të Durrësit janë: Komisioni i Mandateve; Komisioni i Financave, Buxhetit dhe Tatim-Taksave; Komisioni i Strehimit, Shërbimeve Publike dhe të Brendshme; Komisioni i Mbrojtjes Civile dhe Sigurisë Publike; Komisioni i Pronave Publike, Transportit dhe Trafikut; Komisioni i Zhvillimit Urban dhe Përdorimit të Tokës; Komisioni i Kulturës, Arsimit, Sportit dhe Komuniteteve Fetare; Komisioni i Politikave të Zhvillimit Ekonomik; Komisioni i Politikave të Zhvillimit të Turizmit; dhe Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë. Forcat kryesore politike në Këshillin Bashkiak, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ka rënë dakort që drejtimi i gjysmës së komisioneve të përhershme t’i lihet opozitës.

Këshilli Bashkiak, Durrësit mblidhet për zgjedhur strukturat drejtuese
 

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka 45 anëtarë, 25 prej të cilëve kontrollohen nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, ndërsa 20 nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj.

 

Zyra e Transparencës Qytetare Durres, krijuar nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik, e që mbështetet nga National Endowment for Demokraci, NED, do të vëzhgojë nga afër zhvillimin e mbledhjes. Objektivi i Zyrës së Transparencës Qyetetare Durrës dhe i Qendrës për Çeshtjet e informimit Publik është të promovojë dhe të rrisë pjesëmarrjen qytetare në vendimarrjen lokale, duke monitoruar kështu modalitet e vendimarrjes në Këshillin Bashkiak të Durrësit.

 

Këshilli Bashkiak i Durrësit, pas ndërtimit të strukturave të tij të brendshme, në një mbledhje të dytë, që do të zhvillohej javën e ardhshme, pritet të marrë në shqyrtim buxhetin e vitit 2011 të Bashkisë dhe disa projekt-vendime të tjera të rëndësishme.

 

Valbona Mehmeti

Gazetare

Team leader, ZTQ, Durrës

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim