Këshilli i Qarkut të Durrësit, gjatë mandatit të tij të ri, do të drejtohet nga një grua. Eglantina Begteshi do të jetë kandidatja që do të paraqesë mazhoranca, fitorja e së cilës pret vetëm mbledhjen për t’u konkretizuar. Burimet zyrtare pranë degës së Partisë Demokratike në Durrës bëjnë të ditur se Eglantina Begteshi ishte mes propozimeve, të cilat u diskutuan në një mbledhje të Kryesisë së Partisë Demokratike. Përzgjedhja e saj është mirëpritur nga strukturat lokale të Partisë Demokratike dhe nga forcat e tjera politike të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.

 

Eglantina Begteshi është anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe u zgjodh të ishte pjesë e anëtarëve që Këshilli Bashkiak zgjedh për në Këshillin e Qarkut. Ajo përfaqëson në këtë mënyrë edhe një lëvizje të fortë për të mbështetur gratë në vendimmarrje. Ajo vjen pas një jete të gjatë politike në radhët e Partisë Demokratike, ku ka marrë pjesë edhe në zgjedhjet e përgjithshme si kandidate për deputete. Aktualisht, ajo drejton degën e Forumit Demokratik të Gruas në Durrës.

 

Nga burimet pranë degës së Partisë Demokratike në Durrës mësohet se proçesi i propozimeve për kandidatët e mundshëm që do të drejtonin Këshillin e Qarkut ishte shumë i hapur dhe produktiv. Emrat më të mirë dhe me përvojë si politike, ashtu edhe drejtuese, ishin pjesë e garës. Kryesia e Partisë Demokratike vendosi për të kandiduar me Eglantina Begteshin.

 

Për Durrësin, kjo përbën një risi për t’u përshëndetur. Përmes figurës së saj, përfaqësimi i grave në politikë dhe vendimmarrje merr një kuptim më të plotë. Ndonëse ligjet që nxisin barazinë gjinore apo rritjen e përfaqësimit të gruas në politikë janë aty, shpesh zbatimi i tyre është bërë me shumë interpretime, herë-herë edhe duke mënjanuar gratë. Por, ky rast përbën edhe treguesin për mbështetjen që ajo ka. Pse jo, ajo mund të sjellë edhe një frymë më të mirë bashkëpunimi mes komunave dhe bashkive të Qarkut të Durrësit.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim