Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak (09. 03. 2011), Kryetari i Bashkisë së Korçës, zoti Niko Peleshi, deklaroi se:  “Si rezultat i punës 4-vjeçare të Bashkisë që ai drejton, qyteti është bërë mjaft atraktiv, si shembull më domethënës për këtë mund të merret kthimi i emigrantëve të ikur prej vitesh”.

 

I pyetur pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak, nga ZTQ, Korçë, për një informacion më të plotë rreth kësaj deklarate, kryetari I Bashkisë, z. Peleshi, theksoi se: “Në vitin 2010, rreth 280 emigrantë korçarë janë rikthyer kryesisht nga Greqia dhe kanë blerë apartamente banimi në Korçë. Një pjesë e tyre, pasi kanë bërë prenotimet për banesat e tyre, janë kthyer përsëri në vendin fqinjë, por është e qartë se herët a vonë ata do të kthehen përfundimisht”. Zgjidhjen e dilemës së kthimit z. Peleshi e lidh, para së gjithash, me kapacitetet për strehim që ofron sot qyteti më i madh juglindor i vendit, Korça. Sipas tij vitin e fundit, ritmi i ndërtimeve në Korçë ka qenë më i larti në Shqipëri, por vazhdon Peleshi, javët e fundit ky ritëm rrezikon të ndërpritet pasi, një pjesë e anëtarëve të KRRT- së e kanë bojkotuar vendimarjen. E përkthyer në fjalë më të thjeshta, procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit është ndërprerë në qytetin e Korçës. 
Në një kontekst elektoral, deklarata e Kryebashkiakut mund të tingëllojë si një përpjekje për të rritur besueshmërinë e tij, për fitimin e një mandati të dytë në krye të Bashkisë së Korçës. Megjithatë,  nën një këndvështrim analitik, problemi i ndërtimeve në Korçë është më i thellë. Dinamizimi i ndërtimeve në Korçë nuk implikon vetëm ambicjet politike lokale apo interesat ekonomike të ndërtuesve, apo qoftë edhe atyre që janë blerës të këtyre banesave, por të gjithë interesin qytetar.
 
Cështja e rikthimit të emigrantëve që punojnë në tokën greke, ka filluar të përflitet rreth 2 vite më parë, kur në vendin fqinjë u verifikua një prej krizave më të mëdha ekonomike në historine e 50 viteve të fundit të shtetit grek. Emigrantët korçarë (të cilët në Greqi vlerësohen të jenë 22- 23 mijë), panë se po iu kërcënohej vendi i punës dhe mandej niveli i jetesës, shkollimi i fëmijëve etj. Ata hodhën sytë nga vendi amë dhe këndvështrimi i tyre është i fokusuar në dy drejtime:
Së pari, në sigurimin e një vendbanimi dhe së dyti në sigurimin e një punësimi normal me fitime të kënaqshme.
 
Për çështjen e parë,  emigranti  kërkon një apartament me një standard  shumë më të lartë se ai  që ka lënë 20 apo 10 vite më parë, kur u largua; me dhoma të ngushta 1+1. Ky emigrant do të donte parametra Perëndimore në hapësira  dhe mobilim. Këto kushte banimi në Korçë tani mund të sigurohen, ndonëse me një çmim disi të kripur që varion nga 350- 500 Euro për metër katror. Është shumë e vërtetë ajo që kryetari i Bashkisë Korçë, z. Peleshi konstaton kur deklaron se ritmet e ndërtimit kanë qenë të larta dhe cilësore në Korçë dhe kjo mund të konstatohet me të parë nëse viziton hapësirat e brendshme të apartameneteve të reja. Por po aq e vërtetë është se këto ndërtimet e reja rrezikojnë të humbasin sensin fillestar (pra sigurim e strehimit të munguar) dhe të kthehen në qëllim në vetvete. Thënë më qartë nëse nuk shohim se ku ndërtojmë, duke prekur parametrat historikë dhe karakteristikë  të Korçës, si  edhe hapësirat frymëmarëse të saj, ky qytet për pak kohë nuk do të jetë më “atraktiv”.
 
Kështu nëse një vizitor vendas dhe i huaj apo një emigrant, që vendos për t’u rikthyer përfundimisht, e ka zgjedhur Korçën si destinacion; për ajrin e saj të pastër, për ndërtimet ku guri dhe kangjëlla janë gërshetuar në mënyrë të mrekullueshme,  nesër nuk kur këto, për shkak të vorbullës së ndërtimeve të mos jenë më atëherë: Çfarë “atraksioni” do të kishte ky turist apo ky emigrant i porsakthyer !?
 
Drejtimi i dytë i fokusimit të emigrantëve që supozohen të kthehen, është punësimi. Një emigrant i mësuar të paguhet me të paktën 50 euro në ditë, nuk mund të punojë me 5 mijë lekë të vjetra në një ndërmarrje fantazmë, së cilës nuk i dihet perspektiva dhe nuk paguan sigurimet shoqërore. Mundësia më e madhe për një emigrant është të fillojë një biznes të vogël me kursimet që ka siguruar gjatë kohës së emigracionit. Por edhe, fillimi i një biznesi të vogël në Korçë, mbart një risk të lartë. Së pari, këtu tregu është i vogël me pak blerës, shumica pensionistë dhe nëpunës shteti me të ardhura të pakta. Ndonëse  procedurat për fillimin e një biznesi të vogël janë pa shumë burokracira, vazhdimi i këtij biznesi vështirësohet nga informaliteti i lartë.
 
Në majin e kaluar, kreu i Shoqatës së Biznesit të vogël I. Nasto, deklaroi se “…nga rreth 7 mijë biznese të vegjël që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytet, vetëm 3 mijë paguajnë rregullisht taksat…”. Informaliteti vjen e shtohet nga funksionimi i përditshëm i Pazarit të Korçës. Tek ky Pazar tregtohen mallra ushqimorë dhe industrialë  që tregtohen në të gjitha shitoret e qytetit, por ndërsa këto të fundit paguajnë  taksa për gjithçka (tatim, gjelbërim, ndriçim, pastrim, kasë fiskale etj), shitësit e pazarit paguajnë vetëm një tarifë minimale ditore. Qyteti i Korçës është një qytet i vogël, në çdo cep që të ndodhesh për një çerek ore mund të arrish në Pazar me një ecje normale, ndaj edhe pensionistët të cilët janë edhe blerësit kryesore,  zgjedhin atë si vend tregtimi, duke qenë se aty çmimet janë më të ulta se në dyqane.
 
Nisur nga fokusimet që shtjelluam më sipër; një emigrant që do të merrte rrugën e kthimit e do të vendosej në Korçë, do të ishte në një mëdyshje të madhe: Të lërë një vend ku ndonëse me punë të vështirë, ka grumbulluar një farë pasurie,  me të cilën i siguron vetes një farë standarti jetese, një shkollim të kënaqshëm dhe perspektiv për fëmijët? Apo të kthehet në vendin tij me riskun që paret të cilat i ka mbledhur me mundim t’i hedhe pa qenë i sigurt se do t’i kthehen;  dhe para së gjithash, me merakun se një mëngjes të bukur mbi kangjëllat e tij në rrugën me kalldrëm do të shohë të ngrihet një kullë 8-10-katëshe, që ajri i lagësht i Selanikut do të zëvendësohet me tymin prej betoni në vendlindjen e tij?!
 
Përfaqësuesit e pushtetit lokal duhet t’u japin rrugë këtyre dilemave, të cilat një pjesë të emigrantëve korçarë po i maban pezull: me zemrën dhe mendjen tek vendlindja, por me frikë në zemër për pasigurinë e së nesërmes. Pushteti lokal, pavarësisht nga emri apo ngjyra partiake, ka për detyrë t’iu japë qytetarëve të vet  perspektivën e zhvillimit dhe jo të numërojë se sa leje ndërtimi firmosen çdo muaj.
 
Korça, megjithë papunësinë e lartë, plagën e emigracionit, plakjen demografikë, dhe mungësen e perspektivës për një zhvillim të qëndrueshëm bazuar në resurset e veta natyrore dhe njerëzeore, mbetet gjithsesi një margaritar i qytetarisë. Nëse qytetet e Shqipërisë së Mesme dhe asaj Bregdetare kanë humbur plotësisht kontrollin mbi zhvillimin urban, Korça është ende në kohë që të jetë një histori suksesi sa i përket menaxhimit të territorit urban. Është fakt se ky qytet  është kthyer në një atraksion turistik për shumë kryeqytetas. Korça nuk ka as det, as liqen e as lumë, e megjithatë ajo shumë herë më tepër “QYTET” se sa shumë shumë simotra të saj në Shqipëri për shkak të ruajtjes së qytetarisë dhe traditës. Eshte i vetmi qytet në rajon, stadiumi i të cilit i ka shkallët me gurë dhe jo me beton. Është i vetmi qytet i cili ende nuk i ka prekur parqet dhe hapësirat e vyera publike. Çdo model betonizues që mund të importohet në Korçë,  do të shterronte pikësëpari turizmin ditor, më pas hapësirat publike të qytetit, dhe nuk është çudi që do të mpinte edhe dëshirën e atyre mijëra emigrantëve për t’u kthyer me familjet dhe kursimet e tyre të vëna me punë të mundimshme  në emigracion. Atëherë, ndërtimet shumëkatëshe prej betoni, ne vend të gjallërimit të pretenduar të qytetit,  do ta varrosnin përgjithmonë atë.

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim