Këtë të shtunë, në datë 19 mars, Bashkia e Korçës ka thirrur përsëri mbledhjen e KRRT –së. Gjatë mesditës të së enjtes Bashkia ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku i bën thirrje si Institucionit të Prefektit ashtu dhe degës lokale të PD në qytetin juglindor të mos pengojnë zhvillimin e mbledhjes së KRRT-së. Kjo mbledhje nuk u arrit të zhvillohej dot të shtunën e një jave më parë për arsye se nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për vendimarrje në KRRT. Në mbledhjen e të shtunës së kaluar në rend të ditës ishte diskutimi i një pike të vetme: Rikonstruksioni i pazarit të vjetër të qytetit, me një fond 1 milion euro nga delegacioni europian.
 
Ndërkohë, në mbledhjen e thirrur për këtë të shtunë, përveç rikonstruksionit të pazarit do të diskutohet edhe për ndërtimin e pistës së tartanit të stadiumit “Skënderbeu”, si dhe ndërtimi i një qendre rezidenciale për të moshuarit, financuar nga organizata holandeze “Shpresë për Shqipërinë” me një fond prej 1 milion euro. “Mbledhja e kësaj të shtune është mundësia e fundit e miratimit të rikonstruksionit të pazarit të qytetit, pasi nëse edhe këtë herë mbledhja e KRRT -së do të bojkotohet fondi prej 1 milion euro i delegacionit europian  destinuar për pazarin do të digjet”, thuhet në këtë deklaratë të Bashkisë Korçë.
 
Bashkia i ka bërë thirrje Institucionit të Prefektit dhe Degës të PD se “nëse do të bojkotohet edhe kjo mbledhje shumë e rëndësishme e KRRT –së, do të përballen me reagimin e merituar të qytetit të Korçës”.
 
Ndërkohë, përfaqësuesit e Institucionit të Prefektit kanë akuzuar kryebashkiakun e Korçës Niko Peleshi se po e shfrytëzon politikisht KRRT-në për fushatë elektorale me lejet e ndërtimit.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim