Megjithëse debatet mes dy forcave kryesore politike PS-PD për buxhetin e këtij viti që i ka kaluar të gjitha afatet për miratim kanë disa kohë që zhvillohen, gjatë të martës është thirrur mbledhja e radhës
Kjo mbledhje është kthyer në një arenë të vërtetë debatesh mes kryetarit aktual të bashkisë Niko Peleshi si dhe kryetarit të grupit të PD-së që ka dhe shumicën në këtë këshill Pëllumb Beqiraj. Peleshi ka kërkuar që ky buxhet me një vlerë prej 6 milion eurosh të kalojnë në votim të menjëhershëm, teksa demokratët kanë kërkuar që shumica e investimeve të shpërndara nga ana e bashkisë të përqëndrohen për investime publike, ndërkohë që nuk kanë pranuar të hyjnë në votim. Nga ana tjetër këshilltarët e djathtë kanë renditur disa shkelje ligjore dhe parregullsi që sipas tyre janë prezente në hartimin e projekt buxhetit të Bashkisë së Korçës, ndaj kanë vendosur të mos e votojnë atë. Megjithëse mbledhja ka filluar me 20 këshilltarë nga 35 anëtarë që ka gjithsej ky këshill në momentin e diskutimit të buxhetit ,kanë qënë prezentë në sallë vetëm 17 këshilltarë. Nisur nga ky numër që nuk përbënte numrin e nevojshëm për të kryer votim të asnjë lloji, mbledhja është shpërndarë, ndërkohë që pritet të kryhet në ditët në vijim. Sipas ligjit buxheti duhet të miratohet brenda datës 31 mars që është dhe afati i fundit, ndërkohë që ky diskutim për këtë pikë, që lidhet me të ardhmen e qytetit dhe investimet në të ka shumë gjasa të mbyllë dhe krejt ciklin e mbledhjeve të këtij organi para përfundimit të mandatit. Kështu duke iu referuar burimeve nga ky këshill mësohet se mbledhja e radhës pritet të zhvillohet në ditët e para të muajit prill.

Kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi e ka quajtuar këtë bllokim të projekt buxhetit një akt politik të qëllimshëm të të djathtëve. ”Përgjigjen këtij këshilli do tia japë populli i Korçës më 8 maj. Unë iu bëj thirrje të gjitha anëtarëve të këtij këshilli të mbyllin me dinjitet këtë mandat për të votuar këtë buxhet që është një nga më modernët e këtyre 4 viteve për qytetin tone.

Ky veprim është një xhest i hapur politik dashakeqës ndaj qytetit”, ka theksuar ndër të tjera në reagimin e tij kryetari i bashkisë së Korçës Peleshi i cili do të jetë kandidatura e të majtëve për këtë bashki në zgjedhjet e 8 Majit. Peleshi do të ketë përballë në këtë garë prefektin aktual të Korçës Andrea Mano njëherësh këshilltar i Këshillit Bashkiak. Në mbledhjen e thirrur për miratimin e projekt buxhetit kanë marë pjesë për herë  të dytë grupi i Zyrës së Transparencës Qytetare në Korçë. Plot 10 qytetarë që përbënin këtë grup gjatë kësaj mbledhje kanë ndjekur nga afër punimet për atë se çfarë do të ndodhë me investimet dhe mënyrën e menaxhimit të buxhetit për vitin 2011.

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim