Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të nenit 12, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, dhe të neneve 31 e 32/a, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Njësive të mëposhtme të qeverisjes vendore, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, t’u jepet fondi shtesë, si më poshtë vijon:

a) Këshillit të qarkut të Beratit, 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekë, nga të cilat:

i) 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekë, për mbrojtjen nga gërryerjet e shpatit në segmentin e rrugës Berat-Bilçe, mbi lumin Osum;

ii) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për mbrojtjen nga gërryerjet e lumit Osum, në Urën Vajgurore.

b. Bashkisë së Kuçovës, në qarkun e Beratit, 400 000 (katërqind mijë) lekë, për mënjanimin e dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut në një segment të rrugës “Stanisllav Zuber”.

c. Këshillit të qarkut të Dibrës, 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për mënjanimin e rrëshqitjes së dheut dhe për riparimet në rrugët komunare Qafë-Murrë, Pjukë-Bruç, Përroi i Brakës-Derjan, si dhe për rikonstruksionet e urave në Zall-Sopot, Zerqan dhe Kurvajë-Bruç.

ç. Bashkisë së Librazhdit, 5 500 000 (pesë milionë e pesëqind mijë) lekë, për masa mbrojtëse dhe sistemim nga gërryerjet nga përrenjtë në lagjen Stacioni i Trenit.

d. Komunës Kushovë, në qarkun e Elbasanit, 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë, për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitja e dheut në rrugën komunare Sotirë-Kërpicë.

dh.Komunës Kodovjat, në qarkun e Elbasanit, 5 500 000 (pesë milionë e pesëqind mijë) lekë, për ndërtimin e mureve mbajtëse në rrugën komunare Bersnik-Sipër-Kishtë dhe Mashan-Broshtan.

e. Komunës Levan, në qarkun e Fierit, 5 000 000 (pesë milionë) lekë, nga të cilat:

i) 2 000 000 (dy milionë) lekë, për ndërtimin e murit mbajtës në Levan;

ii) 3 000 000 (tre milionë) lekë, për rikonstruksionin e urës në Qarr, te rruga kombëtare.
ë) Komunës Lazarat, në qarkun e Gjirokastrës, 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për gritjen e një prite mbrojtëse nga përroi i Lazaratit dhe ndërtimin e një ure për këmbësorë mbi lumin Suhë.
f) Komunës Dropull i Poshtëm, në qarkun e Gjirokastrës, 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, për masa mbrojtëse nga përroi i Derviçianit.
g) Komunës Frashër, në qarkun e Gjirokastrës, 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë, për rikonstruksionin e tre segmenteve të rrugëve komunare, të dëmtuara nga reshjet e shiut.
gj)Këshillit të qarkut të Gjirokastrës, 1 100 000 (një milion e njëqind mijë) lekë, për rikonstruksionin e Urës së Subashit.
h) Komunës Cepo, në qarkun e Gjirokastrës, 3 000 000 (tre milionë) lekë, për rikonstruksionin e Urës së Sipërme dhe të argjinaturës së Urës së Poshtme, në fshatin Zhulat.
i) Bashkisë së Korçës, 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, për riparimin e sistemimin e rrugës “Koli Tupa” dhe të kanalizimeve të saj, si dhe për riparimin e rrugëve “Dhimitër Denasi” e “Theodhoraq Saro”.
j) Komunës Progër, në qarkun e Korçës, 4 000 000 (katër milionë) lekë, për ndërtimin e murit mbajtës në brigjet e përroit të Vranishtit dhe të një prite mbrojtëse.
k) Komunës Drenovë, në qarkun e Korçës, 5 000 000 (pesë milionë) lekë, nga të cilat:
i) 1 000 000 (një milion) lekë, për ndërtimin e murit mbajtës, në fshatin Mborje;
ii) 4 000 000 (katër milionë) lekë, për sistemimin e përroit të Kodhelit, fshati Mborje.
l) Bashkisë së Shkodrës, 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për realizimin e fazës së dytë të projektit për mbrojtjen, nga gërryerja, e brigjeve të lumit Drin, lagjia Bahçallëk.
ll) Komunës Gruemirë, në qarkun e Shkodrës, 4 500 000 (katër milionë e pesëqind mijë) lekë, për rikonstruksionin e rrugës komunare Gruemirë-Kurtaj.
m) Komunës Shosh, në qarkun e Shkodrës, 3 000 000 (tre milionë) lekë, për ndërtimin e murit mbajtës, Prroni i Pyllës-Kthesa e Pepajve.
n) Komunës Kastrat, në qarkun e Shkodrës, 4 000 000 (katër milionë) lekë, për rikonstruksionin e rrugës komunare Gashaj-Makset.
o) Komunës Qendër-Koplik, në qarkun e Shkodrës, 4 000 000 (katër milionë) lekë, për sistemimin e ujërave të bardha.
p) Komunës Fierzë, në qarkun e Shkodrës, 3 000 000 (tre milionë) lekë, për riparimin e rrugës komunare Gralisht-Stramë.
q) Komunës Ndroq, në qarkun e Tiranës, 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për disiplinimin e ujërave sipërfaqësore dhe për ndërtimin e murit mbajtës në vendin e quajtur “Përroi i Jevgut”.
r) Njësisë bashkiake nr.1, Tiranë, 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rikonstruksionin dhe sistemimin e kanalit të ujërave të bardha, Shkozë.

2. Fondi prej 175 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë milionë) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Në vendimin nr.652, datë 27.9.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për një shtesë fondi disa njësive të qeverisjes vendore për rehabilitimin e ifrastrukturës së dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, si dhe marrjen e masave për përballimin e emergjencave civile”, paragrafi, që parashikon shtimin e fondit prej 2 900 000 (dy milionë e nëntëqind mijë) lekësh, për komunën Karbunarë, në qarkun e Fierit, shfuqizohet.

4. Ngarkohen ministri i Financave, Ministri i Brendshëm, prefektët e qarqeve përkatëse dhe organet e njësive të qeverisjes vendore, të sipërpërmendura, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA
09/11/2006

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim