VENDIM Për PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT TË SHITJES SË TRUALLIT, PRONË SHTETËRORE, FAMILJEVE, QË TRAJTOHEN ME STREHIM NGA SHTETI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Çmimi i shitjes së truallit për banesat, që ndërtohen me fondet publike, të përcaktohet në bazë të vlerave mesatare të shitblerjeve, të marra nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për transaksionet e kryera gjatë tre muajve të fundit në zonën përkatëse, me kërkesë të subjektit të interesuar.
2. Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, i dërgon subjektit të interesuar çmimin për m2 të shitjes së truallit, në zonën përkatëse.
3. Kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nuk ka të dhënat e kërkuara në pikën 2, të këtij vendimi, çmimi i shitjes së truallit, pronë shtetërore, përcaktohet nga komisioni i vlerësimit të truallit, pranë organeve të qeverisjes vendore, sipas vendimit nr.169, datë 13.3.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit dhe të shitjes së trojeve të ndërmarrjeve shtetërore, që i nënshtrohen privatizimit ose transformimit të tyre në shoqëri tregtare”.
4. Komisioni, brenda 20 ditëve, të përcaktojë vlerën mesatare të shitjes së truallit, në bazë të sondazheve për kërkesë-ofertën e tregut për shitblerjen e trojeve në zonën përkatëse dhe t’ia dërgojë të dhënat subjektit të interesuar.
5. Për familjet, me të ardhura mujore jo më shumë se 9 000 (nëntë mijë) lekë për frymë, që trajtohen me banesë, me kosto të ulët, nga Enti Kombëtar i Banesave, vlera e truallit të llogaritet sipas pikës 6, të këtij vendimi.
6. Për familjet e trajtuara nga Enti Kombëtar i banesave përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, çmimi i shitjes së truallit të jetë për:
a) qytetin e Tiranës, 1 600 lekë/m2;
b) zonat urbane, me popullsi nën 20 000 banorë, 320 lekë/m2;
c) zonat urbane, me popullsi mbi 20 000 banorë, 480 lekë/m2.
7. Numri i popullsisë së zonës urbane përcaktohet nga të dhënat e INSTAT-it.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, organet e qeverisjes vendore, Enti Kombëtar i Banesave dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
09/11/2006
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA