Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 39, të ligjit nr.8518, datë 30.7.1999, “Për ujitjen dhe kullimin”, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 12, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.7971, datë 26.7.1995, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, zëri “Investime”, t’i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë)lekësh, për vënien në gatishmëri të objekteve të sistemit të ujitjes, për përballimin e nevojave për ujitje, për vitin 2006.

2.Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3.Lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, që, për fondin prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përdorë procedurën “Prokurim i drejtpërdrejtë”, me bordet e kullimit, në zonat ku veprojnë, për vënien në gatishmëri të objekteve të ujitjes (kanale ujitëse, vepra të marrjes së ujit nga lumenjtë për ujitje, rezervuarë të ujitjes, stacione pompimi të ujitjes etj.), sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4.Ngarkohen ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA
07/06/2006

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim