Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.9645, datë 27.11.2006, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Kryeministrisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve t’u shtohen, përkatësisht, fondet, si më poshtë vijon:

a) Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, t’i shtohen fondet 50 689 000 (pesëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë) lekë, për shpenzime operative, dhe 35 044 000 (tridhjetë e pesë milionë e dyzet e katër mijë) lekë, për shpenzime kapitale, në fondin e pakushtëzuar, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”.

Gjithashtu, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, t’i shtohen fondet 6 704 800 (gjashtë milionë e shtatëqind e katër mijë e tetëqind) lekë, për subvencione, dhe 17 697 500 (shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekë, për shpenzime kapitale, në fondin e pakushtëzuar.

b) Ministrisë së Punëve të Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, t’i shtohen fondet 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë, për shpenzime operative, dhe 400 000 (katërqind mijë) lekë, për shpenzime kapitale, në fondin e pakushtëzuar.

c) Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, në programin “Projekte turistike, kulturore dhe sportive”, t’i shtohet fondi prej 3 927 000 (tre milionë e nëntëqind e njëzet e shtatë mijë) lekësh, për shpenzime të transfertave të brendshme korrente, në fondin e pakushtëzuar.

2. Fondi total, prej 117 062 300 (njëqind e shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëdhjetë e dy mijë e treqind) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohen Ministria e Financave, Kryeministria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA
30/05/2007

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim