Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7 e 16, të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006, “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave, që janë në marrëdhënie pune, përveç pagës së tyre, sipas vendit të punës, përfitojnë një shpërblim mujor për titullin “Akademik”, në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë.

2. Përjashtimisht, “Akademikët”, të cilët janë anëtarë të Akademisë së Shkencave, para hyrjes në fuqi të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006, dhe që nuk janë në marrëdhënie pune në institucione të tjera të administratës publike, deri në daljen në pension të vazhdojnë të përfitojnë pagën, sipas përcaktimit të vendimit nr.726, datë 21.12.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore”, të ndryshuar.

Për titullin “Akademik” përfitojnë shpërblim, pas daljes në pension, në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

3. Pagesa e masës së shpërblimit për titullin “Akademik” të bëhet nga Akademia e Shkencave. Fondet e nevojshme janë pjesë e buxhetit të këtij institucioni.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Akademia e Shkencave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

11/04/2007

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim