PROMEMORJE e shoqerise civile, drejtuar Kuvendit për miratimin e Projekligjit “Për Referendumet”
PROMEMORJE
Drejtuar: Kuvendit të Shqipërisë
Lënda: Për miratimin e Projekligjit “Për Referendumet”
Datë: 30 Tetor 2020
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Ne, përfaqësuesit e shoqërisë civile, bartim si të gjithë shqiptarët, interesin legjitim që vendi ynë të përparojë dhe të begatojë. Ne konstatojmë se, pavarësisht shumë përpjekjeve dhe saktificave në këto 30 vite demokraci, progresi i arritur nuk është në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve.
Cilësia e demokracisë ka pësuar përkeqësim, edhe për shkak të situatave të krijuara nga pandemia globale, e cila ka goditur dhe Shqipërinë. Shteti ligjor përball gjithashtu sfida të shumta. Vendimarrja politike në Kuvend nuk i nënshtrohet tanimë kontrollit gjyqësor kushtetues.
Kushtetuta e vitit 1998 ka pësuar në 22 vitet e fundit ndryshime të diktuara nga interesat partiake, të cilat kanë vënë në sprovë besimin publik tek qëndrueshmëria e aktit themeltar të Republikës sonë përballë presionit politik të ditës.
Edhe pse vetë Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me Referendum në vitin 1998, asnjë referendum për të aprovuar (ose jo) ndryshimet e saj të mëvoshme nuk është thirrur nga Kuvendi. Populli që miratoi me referendum Kushtetutën e tij, sot nuk lejohet që ta prekë më atë. Ajo është bërë de-jure pronë ekskluzive e politikanëve.
E drejta për referendum garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë si formë e ushtrimit të drejtpërdrejtë të vendimarrjes demokratike. Sipas nenit 2, pika 2 të Kushtetutës “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Vendimarrja direkte nuk ka hyrë asnjëherë në veprim që nga koha e miratimit të vetë Kushtetutës, duke krijuar një deficit demokratik në Republikën e Shqipërisë. Sa i takon përfaqësuesve të popullit, ata janë gjithmonë e më pak të tij dhe gjithmonë e më shumë të kryetarëve të partive.
Përveç mungesës së vullnetit për të aktivizuar mekanizmin demokratik referendar, pjesë e problemit është padyshim mungesa e një ligji për Referendumet në RSH. Në nenin 150, paragrafi 3, Kushtetetuta përcakton se: “Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj”.
Kushtetutëbërësi e ka renditur këtë instrument legjislativ në kategorinë e ligjeve që miratohen me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 81 i Kushtetutës). Sipas interpretimeve të Gjykatës sonë Kushtetuese, ligjet e parashikuara të votohen me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit konsiderohen rezërve e shprehur e ligjvënësit (VGJK nr. 5, dt.5/2/2014). Deri sot, në vitin 2020, Kuvendi ka miratuar thuajse çdo ligj që parashikohet në nenin 81 të Kushtetutës, përveç Ligjit për Referendumet. Rrjedhimisht, detyrat që Kushtetuta i ka caktuar nuk janë bërë nga Kuvendi.
Të gjendur përballë këtyre rrethanave, grupimet më të fuqishme të shoqërisë civile u bënë bashkë në vitin 2016 për të marrë Nismën Kombëtare për Referendumet.
Në vitin 2018, projektligji i kompletuar me inpute nga shoqeria civile u konsolidua dhe nga ekspertët më të mire. Projektligji “Për Referendumet” u depozitua ne Kuvend ne sesionin e parë të vitit 2020 dhe ka hyrë në procedurë parlamentare. Ai përmban parashikime materiale dhe procedurale për mbajtjen e referendumeve në Republikën e Shqipërisë, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor.
Përmes kësaj Promemorje, ne inkurajojmë Kuvendin që të prioritarizojë në kalendarin e punimeve të tij diskutimin dhe miratimin e këtij projekt-ligji të rëndësishëm brenda këtij sesioni. Diskutimet dhe konsultimet me të gjithë aktorët e interesit, për përmirësimin e mëtejshëm të projekt-ligji duhen konsideruar si një shans për ti dhënë frymërrjen e munguar Demokracisë Parlamentare dhe Demokrasice së Drejtpërdrejtë, për të cilën kemi sot nevojë më shumë se kurrë.
Ne, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile, i kërkojmë Kuvendit që, përmes një akti të vullnetit të mirë, të rikuperojë shanset e humbura në këto 22 vjet dhe të miratojë pa humbur më shumë kohë projektligjin “Për Referendumet”, tashmë në procedurë parlamentare.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA