Hijet krize mbi organin më të lartë të Vetingut -Dënohet me vendim gjyqi anëtari i KPA, Luan Daci. I pezulluar gjyqtari Ardian Hajdari.
Gjykata e Posaçme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar denoi këtë javë me 6 muaj burg gjyqtarin Luan Daci, anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Sipas akuzës, tashmë të provuar në shkallën e parë të gjykimit, Luan Daci ka paraqitur dokumente me përmbajtje të falsifikuar para Avokatit të Popullit, duke mos deklaruar një masë disiplinore, me qëllim që të zgjidhej anëtar i institucioneve të rivlerësimit. Me rregull treshi, ai ka paraqitur të njëjta dokumente të fallsifikuara edhe para Kuvendit të Shqipërisë. Daci ka kaluar me lehtësi dy filtra kushtetues, pikërisht kur të gjithë prozhektorët ndërkombëtare kanë qënë të drejtuar mbi procesin e ngritjes së organeve të vetingut.
Ironikisht, pasaktësitë e deklarimeve të tij, nuk u nxorën në dritë nga ata që e përzgjodhën dhe që e kishin detyrë kushtetuese ta bënin këtë punë, por nga viktimat e tij. Kallëzimi penal ndaj Dacit u depozitua nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla, të tre të shkarkuar nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit.
Dëmimi me 6 muaj burg, konvertuar në 12 muaj shërbim prove ka krijuar një pështjellim të madh tek entuziastët e Reformës në Drejtësi. Daci është i pari anëtar i organeve supreme të vetingut që bie nga një piedestal i lartë. Zhurma në këto raste është e pashmangshme! KPA e ushtron funksionin e vet ligjor si pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar kemi një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese që dënohet nga një gjykatë vendase. Po ashtu, për herë të parë në histori këmi një dënim penal të dhënë ndaj një gjyqtari të organeve të reja vetingut. Ky është ndoshta një lajm i mirë sa i takon pavarësise se gjyqesorit, por eshte një lajm i keq sa i takon ligjshmërisë së procesit të vetingut.
Vendimarrja e KPA është vënë në pikpyetje për shkak të cënimit të parimit të ligjshmërisë së trupës gjyqësore. Nga një vlerësim koherent i jurisprudencës së GJEDNJ në Strasburg, e rifreskuar së fundmi edhe më vendimin e Dhomës së Madhe në çështjen “Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Icelandës”, mund të dilet me analogji në konkluzionin se “Çështja Daci” implikon rrethanën se vendimet e dhëna nga një gjyqtar në kushte paligjshmërie (kur ai nuk plotëson kriteret për të qënë gjyqtar), janë rrjedhimisht të paligjshme.
Vendimet e KPA, në të cilat Kolegji mund të jetë ndarë në raportin 4 me 3, janë automatikisht të cënueshme nëse ish-gjyqtari Daci ka qenë pjesë e shumicës. Një ndër këto vendime është ai që shkarkoi nga detyra ish-kryetarin e Gjykatës së Durrësit dhe më pas gjyqtarin e Apelit Tiranë, Ervin Metalla. Të tjerë mund të argumentojnë lehtësisht se e gjithë vendimarrja e deritanishme e Kolegjit është e cënueshme, sa kohë në kouromin e tij, është përllogaritur vota e një gjyqtari të caktuar në kushte paligjshmërie. Mund të ketë edhe vendime të tjera të ngjashme. Kjo analizë duhet të fillojë të bëhet.
Është e qartë se, teksa Avokati i Popullit dhe Kuvendi kanë dështuar të filtrojnë pa defekte të përzgjedhurit në KPA. Të dyja këto institucione kushtetuese kanë përgjegjësinë e tyre para publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar Reformën në Drejtësi.
Implikimet e dënimit të ish-gjyqtarit Daci janë serioze edhe për shkak se misioni i KPA është “Përmbushja e funksioneve dhe kompetencave ligjore për garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”. Besimi i publikut ka marrë në fakt një tjetër goditje pas dhënies së vendimit gjyqësor që gjeti fajtor një prej 7 anëtarëve të KPA.
Edhe nëse Z. Daci do ta fitojë çështjen e tij në shkallën e dytë të gjykimit pas ankimimit, besimi i publikut me gjasë do të vijojë të jetë i ulët, pasi në këtë rast do të jetë SPAK institucioni që do të administrojë një dështim të përmasa serioze, pasi akuza e ngritur prej tij do të rrëzohej. Ngado që ta kthesh këtë problem, zgjidhja është “lose –lose”. Tashmë nuk ka asnje dyshim dhe është provuar plotësisht që Luan Daci ka qene i shkarkuar si gjyqtar dhe e ka fshehur këtë fakt per t’u zgjedhur gjyqtar i KPA-së. As ai vete nuk e mohon këtë fakt. Atëherë çfarë rëndësie ka si perfundon procesi penal per falsifikim ne ngarkim te tij në shkallë të dytë?! Kush e pret perfundimin e ketij procesi dhe çfare ndikimi do kete ai, sa i takon vijimit të funksionit nga Luan Daci?!
Me largimin e tij, KPA mbtet me 6 anëtarë, duke rrezukuar të hyjë edhe ajo vetë në ciklikën e krizave të kuorumit vendimarrës. Edhe pse i pezulluar më parë, dhe prej dy ditësh tashmë është i dënuar me vendim gjykate, KPA vijon ta mbajë të afishuar emrin e ish-gjyqtarit Daci në faqen e vet zyrtare. Mungesa e reagimit formal nga ana e KPA në këtë pikë nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek institucionet e reja gjyqësore.
Si për ta bërë më të rëndë këtë situatë, një tjetër anëtar i KPA, Ardian Hajdari është kallzuar gjithashtu në SPAK për të njëjtat arsye. Kallzuesit e tij pretendojnë se Hajdari ka paraqitur pranë Avokatit të Popullit, dokumente me përmbajtje të falsifikuar, me qëllim që të zgjidhej anëtar i institucioneve të rivlerësimit. Dosje është ende në hetim nga SPAK, ndërkohë që vetë gjyqtari Hajdari është i pezulluar.
Në faqen zyrtare të KPA mund të shkarkohet lehtësisht CV e gjyqtarit Ardian Hajdari. Bie në sy se ai ka filluar punë si ndihmës gjyqtar në vitin 1995, kur ende ndiqte studimet e larta në Fakultetin Juridik, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Sipas CV-së së afishuar, ai është diplomuar si jurist në vitin 1996. Për kohën që flasim, pra për vitet 1995-1996, nevojat për gjyqtarë të rinj, sidomos në rrethe gjyqësore të largëta, mund të kënë detyruan organet kompetente të lejonin studentët e vitit të tretë të punonin si ndihmës gjyqtarë, edhe pse nuk ishin diplomuar ende si juristë. Ai ka punuar si ndihmës gjyqtar, si Avokat dhe si jurist institucioni, por asnjëherë si gjyqtar, deri sa u ngrit në rradhët e KPA, me statusin më të lartë, atë të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Është një arritje e admirueshme në karrierë, në çdo kuptim.
SPAK megjithatë ka nën hetim “çështjen Hajdari” pasi kallzuesit pretendojnë se ka shkelje sa i takon kritereve ligjore për të qënë anëtar i KPA, duke filluar që nga mesatarja e shkollës së lartë e deri tek kriteri i vjetërsisë në punë. Nëse Gjykata e Posaçme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar do të pasonte me një vendim të dytë si ai që mori për ish-gjyqtarin Daci, padyshim që pavarësia e organeve të reja gjyqësore do të afirmohej më tej, por, nga ana tjetër, një investim kolosal, siç është Vetingu dhe Refoma në Drejtësi, do të viheshin seriozisht në pikëpyetje. Në një rast të tillë, të gjitha vendimet e KPA do të ishin të cënueshme. Besueshmëria tek procesi do të binte pikiatë kurse hamendësimet për kapje të vetingut do të kapnin majat.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA