INFOÇIP ka realizuar tre vlerësime tematike të pavaruara për kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore respektivisht në gjykatat e rretheve Vlorë, Shkodër dhe Korçë. Monitorimi mbulon një periudhë 4 vjecare, nga viti 2016 e deri në vitin 2019 (vetëm 6-mujori i parë). Në tërësi INFOÇIP ka analizuar 27890 çështje themeli që morën vendim në këto 4 vite, për të treja gjykatat të marra së bashku (98% e totalit absolut). Për secilin vendim janë analizuar të paktën 6 tregues. Ky volum i jashtëzakonshëm të dhënash është konvertuar në format elektronik që lejon përpunime të sofistikuara statistikore dhe është i disponueshëm online në formatin Open Data.

 

Programi i Vlerësimit Tematik të Pavarur për gjykatat e rretheve Vlorë, Shkodër dhe Korçë u realizua njëkohësisht me vlerësimin e gjykatave të Apelit, të cilat kanë selinë respektivisht në këto tre qytete. Ky program ambicioz monitorimi është mundësuar falë mbështetjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, përmes Democracy Commision, Small Grant Program.cover rrethet

Sipas jurisprudencës së GJEDNJ, kohëzgjatja e një procesi gjyqësor, përllogaritet nga moment i depozitimit të kërkesës/padisë deri në dorëzimin e vendimit përfundimtar në sekretarinë e gjykatës, nga ku ai bëhet i disponueshmë për palët në gjykim.

 

Studimet dhe gjetjet e INFOÇIP për gjykatat e sistemit të zakonshëm dhe ato të sistemit administrativ, përfshirë edhe vetë Gjykatën e Lartë kanë caktuar një gur themeli në drejtim të vlerësimit të dhënave gjyqësore nga monitorues të pavarur. Gjykata e Lartë, e cila përfaqëson majën e piramidës gjyqësore në Shqipëri, ka qenë përtej rrezes së mbulimit institucional nga inspektoratet përkatëse deri para ndërmarrjes së Reformës në Drejtësi.

 

INFOÇIP ka qenë i vetmi aktor në Shqipëri që ka realizuar vlerësim tematik vjetor për 5 vite rrjesht ndaj kësaj gjykate, sa i takon vonesave në shqyrtimin gjyqësor dhe në arsyetimin/dorëzimin e vendimeve. Raportet monitoruese të INFOÇIP janë pranuar si mjaft të sakta dhe janë adoptuar zyrtarisht nga aktorët më të lartë institucionalë.

 

Për të garantuar besueshmërinë e vlerësimit, por edhe për të krijuar shanse reale për verifikueshmërinë e të dhënave, INFOÇIP krijoi në vitin 2017 një sistemi autentik online për ekspozimin e të dhënave gjyqësore të monitoruara. Ky sistem përfaqëson një moment të rëndësishëm në përdorimin e teknologjive të reja të informacionit për ekpozimin e performancës së gjyqësorit ndaj publikut.

 

logo gjykata e hapur

 

Sistemi quhet GJYKATA E HAPUR (eng: Open Court) dhe është aktualisht i aksesueshëm në www.gjykataehapur.al. Platforma përmban miliona të dhëna gjyqësore të përpunueshme në formatin Open Data. Ajo synon t’i vijë në ndihmë dhe trupës gjyqësore, duke i dhënë mundësi kësaj të fundit të njihet dhe vlerësojë përmes të dhënave të faktueshme eficiencën e vet si dhe të adresojë për zgjidhje problemet specifike.

 

Të dhënat gjyqësore përpunohen nga INFOÇIP në mënyrë të tillë që të mundësojnë lehtësisht vlerësimin online të kohëzgjatjes së çështjeve gjyqësore për secilën gjykatë përmes Platformës Kombëtare GJYKATAEHAPUR.AL. Kjo është një përmasë e re transparence që lë pas hermetizmin që ka karakterizuar organet publike që kanë inspektuar performancën e trupës gjyqësore.

 

Sistemi Open Court përfaqëson përpjekjen më serioze për të prezantuar dhe përdorur më mënyrë të efektshme teknologjitë e reja të informacionit në proceset e vlerësimit të efiçencës së gjykatave shqiptare. Në sistem janë administruar të dhëna që nga viti 2015-2016 e deri në ditët e sotme, duke krijuar një bazë verifikimi objektiv të treguesve mbi vonesave gjyqësore para dhe pas Reformës në Drejtësi.

 

Përmes këtij publikimi që realizohet me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Tiranë, INFOÇIP vë në dispozicion të gjithë aktorëve të interesuar analizën e treguesve të kohëzgjatjes së shqyrtimit gjyqësor dhe arsyetimit të vendimeve të themelit për tre gjykata rrethi shumë të rëndësishme. Krahasimi i treguesve respektivë është një përmasë e re analize që synon të promovojë praktikat më të sukseshme, por edhe të ekspozojë problematikat e hasura, me qëllim adresimin e tyre për zgjidhje të qëndrueshme.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim