Gjykata e Lartë është maja e Pushtetit Gjyqësore në Republikës së Shqipërisë. Pas miratimit të Kushtetutës, ajo funksionoi mbi bazën e ligjit organik 8588, dt. 15.3.2000[1], e organizuar në dy kolegje, Penal dhe Civil. Në vitin 2013 asaj iu shtua Kolegji Administrativ. Në total Gjykata e Lartë përbëhej nga 19 anëtarë. Në kuadër të Reformës në Drejtësi, ligji organik i Gjykatës së Lartë u shfuqizua nga Ligji 98/2016 “Për Organizimin Gjyqësor të RSH”. Ky ligj nuk përcakton se sa duhet të jetë numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe kjo konsiderohet një e metë e procesit ligjvënës. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka vetëm një gjyqtar, në pamundësi të plotë për të marrë vendime. Vendimi i fundit i saj u dha në 30 prill 2019. Gjyqtari i fundit u shkarkua nga vetingu në Korrik 2019, dhe ky ishte pikërisht kryetari Xhezair Zaganjori. Nuk ka gjithashtu (ende) një vendim të organeve të reja gjyqësore sesa duhet të jetë numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. (shkarko Permbledhjen Ekzekutive)

 


 

Në vitin 2015, INFOÇIP nisi matjen e kohëzgjatjes së gjyqeve në Gjykatën e Lartë ne partneritet me National Endowment for Democracy, NED, me seli ne Washinton D.C, mbeshtetet kryesisht nga Kongresi Amerikan. Vlerësimi tematik 5-vjeçar analizon kohën e shqyrtimit gjyqësor të rekurseve si dhe kohën për arsyetimin të vendimeve të marra në seancë. Vendimet në dhomë këshillimi mbi pranueshmërinë e rekursit nuk janë objekt vlerësimi. Ky përfaqëson të parin dhe të vetmin vlerësim tematik për Gjykatën e  Lartë që mbulon kohën para dhe pas Reformës në Drejtësi. (shkarko botimin e plote ne PDF)

 

  1. NGARKESA & PERFORMANCA

 

Në 5 vitet e fundit, Gjykata e Lartë dha 4054 vendime përfundimtare. Kolegji Administrativ dha i vetëm më shumë vendime sesa dy kolegjet e tjera të marra së bashku.  Nga 1 Janar 2015 deri në 30 Prill 2019, ai dha vendim për 2368 rekurse. Për të njëjtën periudhë, Kolegji Civil dha 1042 vendime, kurse Kolegji Penal dha 644 vendime në seancë. Në vitin 2019, për shkak të largimit të trupës gjyqësore si pasojë e vetingut, Kolegji Adminisitrativ arriti të jepte vetëm 12 vendime (i fundit ka datën 30 prill 2019). Ndërkohë, Kolegji Penal dhe ai Civil vendimet e tyre të fundit i dhanë në 30 Qershor 2018.

 

Për periudhën 2015-2019, Gjykata e Lartë ka dhënë mesatarisht rreth 1000 vendime në vit (de-facto vetëm 4 vite, pra pa 2019-ën). Treguesit më të mirë janë në vitin 2015, me 1462 rekurse të vendimuara nga kjo gjykatë. Këtu nuk përshihen vendimet e marra në dhomë këshillimi apo vendime të një natyre tjetër (njehsime, ekstradime etj).

 

Gjykata e Lartë është ankuar sistematikisht lidhur me ngarkesën që ajo përballon, por nga ana tjetër vetë ajo ka pranuar më shumë rekurse se sa ka patur mundësi të gjykojë. Raporti i përllogaritur nga ky studim është 2/1 (pra 2 pranime për 1 shqyrtim të përfunduara). Ky tregues e ngarkon me përgjegjësi Gjykatën e Lartë, tashmë të shpërbërë, pasi konsiderohet si shkaku kryesor i vonesave të theksuara në dhënien e drejtësisë prej saj.

 

  1. KOHEZGJATJA & VONESAT

 

Bazuar në treguesit 5-vjeçarë të analizuar nga INFOÇIP deri kur Gjykata e Lartë nuk dha më asnjë vendim, rezulton se qytetarët shqiptarë pritën mesatarisht 867 ditë ose 2.4 vite për të marrë një  vendim rekursi nga Kolegji Administrativ, 812 ditë ose 2.2 vite nga Kolegji Civil dhe 459 ditë ose 1.2 vjet nga Kolegji Penal (nga momenti i regjistrimit te rekursit deri në marrjen e vendimit në seancë).

 

Ndërkohë, për të kompletuar me arsyetim të plotë ligjor një vendim përfundimtar, Kolegjit Administrativ i janë nevojitur mesatarisht 41.7 dite, Kolegjit Civil 35.8 ditë, kurse Kolegjit Penal 65 ditë.

 

Në 5 vitet e fundit, rekursi me kohëzgjatjen më ekstreme është ai me nr. regjistri 6, nr. akti 195, për të cilin Kolegjit Civil iu deshën 2935 ditë, ose 8 vjet për të marrë një vendim. Ndërkohë, vendimi më i vonuar në arsyetim rezulton ai me nr. 51, dt. 14/6/2018 për të cilin Kolegjit Civil iu deshën 322 ditë për ta përmbyllur.  Në studimin që bëhet publik sot, INFOÇIP ka renditur 30 çështjet me kohëzgjatjet më esktreme për çdo vit dhe për çdo kolegj. Nderkohe, te gjitha tabelat verifikuese te Vleresimit Tematik, mund te hapen direkt ne format Open Data ne Platformen Kombetare www.gjykataehapur.al, ne linkun: https://www.gjykataehapur.al/1210-2/ 

 

  • GJYKIMI BRENDA NJË AFATI TË ARSYESHËM

 

Ligjvënësi ka përshkruar në ligjin 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, afatet e një gjykimi të arsyeshëm në të treja shkallët e gjykimit (nenin 399/2)[2].  Në Gjykatën e Lartë, afati i arsyeshëm për gjykimin civil është 2 vjet; për gjykimin penal të krimeve 1 vit, kurse për kundërvajtjet penale është 6 muaj. Kuvendi nuk ka caktuar afat sa i takon gjykimit të arsyeshëm administrativ në shkallë të tretë. Për efekt vlerësimi, ndaj tij mund të aplikohet me analogji afati i përshkruar për gjykimin civil (konsideratë e INFOÇIP).

 

Për Kolegjin Civil rezulton se nga 1042 rekurse të shqyrtuar në 5 vitet e fundit prej tij, 873 ose 83% e totalit dalin jashtë afatit[3] të gjykimit të arsyeshëm. Në këtë përllogaritje nuk shtohet koha që është konsumuar për të bërë dhe arsyetimin e vendimit, e cila është pjesë integrale e përllogaritjes së afatit të arsyeshëm sipas jurisprudencës së GJEDNJ.

 

Sa i takon rekurseve penale, monitorimi  5-vjeçar del në përfundimin se nga 644 rekurse të analizuara, 353 prej tyre, ose rreth 55% janë gjykuar tej një afati të arsyeshëm (Studimi nuk diferencon në këtë rast kundravajtjet penale nga veprat penale, por aplikon të njëjtin afat/kontrast ligjor maksimal ndaj të dyja kategorive, pra 1 vit).

 

Kolegji Administrativ në 5 vite ka dhënë rreth 2368 vendime përfundimtare në seancë. Prej tyre 1611 ose 68% e tyre janë dhënë tej një afatit të arsyeshëm 2-vjeçar.

 

  1. PARASHIKIMET PËR BACKLOG-UN

 

Aktualisht, në Gjykatën e Lartë presin shqyrtimin gjyqësor rreth 30 mijë dosje (28863 deri në fund të vitit 2018).  INFOÇIP vlerëson se nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht,  për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015 (më e mira e 5 viteve të fundit).

 

INFOCIP vlerëson se, për ta “proçesuar” në vetëm 10 vjet këtë backlog, do duhej që trupa gjyqësore të merrte vendime përfundimtare për rreth 3000 rekurse në vit. E limituar brenda 280 ditë pune që ka viti kalendarik, do të duhej të vendimoheshin rreth 10-11 rekurse çdo ditë pune (rreth 3-4 rekurse çdo Kolegj në ditë). Për të arritur këtë eficience gjykimi, do të duhej që të mos pranohej ndërkohë asnjë rekurs për këto 10 vite.  Kjo është një e dhënë dramatike sa i takon punës që i pret anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë.

 

Me një përllogaritje hipotetike, nëse Gjykatës së Lartë do t’i kërkohej që ta evakuonte backlog-un e saj në vetëm 1  vit (pa pranuar asnjë rekurs deri në evakuimin e plotë të stokut të dosjeve), do të duhej që të jepeshin 107 vendime përfundimtare çdo ditë pune (për 280 ditë punë që ka viti). Çdo kolegj do të duhej të merte 36 vendime në një ditë të vetme pune.

 

Për të përballuar volume të tilla, Gjykata e Lartë do të duhej të kishte një trupë gjyqësore me të paktën e dyfishit e anëtarëve dhe trefishin e ndihmësave ligjore.  Nëse GJL do të ketë të njëjtën trupë gjyqësore siç ka patur, pra me 19 anëtarë, me nga dy këshilltarë secili, ajo është e destinuar të zvarrisë shqyrtimin gjyqësor pashmangshmërisht për shkak të backlog-ut që trashëgon. Rrjedhimisht një nga premisat e Reformës në Drejtësi, që ishte eleminimi i zvarritjes së proçeseve gjyqësore, rrezikon të mbetet objektiv i pa-realizueshëm në Gjykatën e Lartë.

 

  1. VETTINGU & EFICIENCA

Procesi i vetingut ndikoi negativisht në eficencën e Gjykatës së Lartë. Në vitin 2015, përpara Reformës në Drejtësi, Kolegj Administrativ shqyrtonte dhe merrte vendim për 710 rekurse. Ndërkohë, në vitin 2019, u vendimuan vetëm 12 rekurse administrative, “0” rekurse civile dhe “0” rekurse penale.

 

Nga ana tjetër, procesi i vetingut ekspozoi para publikut probleme serioze të integritetit të trupës gjyqësore të kësaj gjykate. Rasti më flagrant ishte ai i gjyqtarit Admir Thanza, i cili i kishte fshehur autoriteve shqiptare faktin se një gjykata italiane e kishte dënuar në vitin 1999 me vendim të formës së prerë (me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë). Dënimi i tij penal në Itali u zbulua nga përfaqësuesit e ONM-së. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor ish-gjyqtarin A. Thanza dhe e dënoi me 9 muaj burg, të konvertuar në 18 muaj shërbim prove. Vendimi u dha në 31 mars 2018 ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 1.6 vite burg.

 

Më parë, një tjetër anëtare e Gjykatës së Lartë, znj. Majlinda Andrea u përfshi në marrje ryshfeti për një vendim pronësor. Ky skandal gjithashtu goditi rëndë reputacionin e Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, me vendim penal Nr. 8/25, date 14.06.2017 shpalli fajtor të pandehuren Majlinda Andrea për veprën penale të “korrupsionit pasiv te gjyqtareve,  prokuroreve dhe funksionareve te tjerë te organeve të drejtësisë “.

 

Prania e personave të tillë në trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë përbën padyshim një skandal me përmasa dramatike. Rrethana të tilla kanë legjitimuar plotësisht vetimin e ashpër të gjithë trupës gjyqësore të GJL, që përfundoi në Korrik 2019 me largimit e kryetarit të Gjykatës së Lartë,  Xhezair Zaganjori. Besimi tek Gjykata e Lartë ka marrë goditje të rëndë.

 

Megjithatë, INFOÇIP konsideron se mos-plotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, është një e metë e Reformës në Drejtësi. Pamundësia e organeve të reja gjyqësore, por edhe e institucioneve të larta vendimarrëse për të menaxhuar krizën e thellë që ekspozoi procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë është tregues që nuk flet në favor të një planifikimi të kujdesshëm. Ligjvënësit shqiptarë  duhet të kishin parashikuar “planin e kontigjencës” për një situatë të tillë të paprecedentë. Organet e reja gjyqësore duhet të marrin në dorë situatën pa vonesa dhe pa justifikime të mëtejshme, duke nxjerrë si fillim vendimin për organikën.

 

Zbrazja e Gjykatës së Lartë nga trupa gjyqësore ka prodhuar një moment të vështirë jo vetëm sa i takon palëve që kanë depozituar rekurse, por edhe për gjithë sistemin gjyqësor në tërësi, i cili tashmë nuk orientohet dot përmes praktikës së unifikuar. Si organ emërtese, Gjykata e Lartë, tashmë e zbrazur, ka paralizuar vendimarrjen për trupën e Gjykatës Kushtetuese.

 

Gjykata e Lartë e RSH ka trashëguar stokun më të lartë (backlog-un) se çdo gykatë analoge në Europë, me mbi 30 mijë dosje. Shumica dërrmuese e tyre janë rekurse administrative, ku palë e paditur janë institucionet shtetërore. Rreth 60% e këtyre rekurseve kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, pensionet e ushtarakëve dhe pushime nga puna. Sa i takon këtyre të fundit, rezulton se Gjykata e Lartë ka dhënë vendime të ndërmjetme për pezullim ekzekutimi të vendimit të apelit, ku shteti ka qenë palë humbëse. Kjo konsiderohet një praktikë negative, madje antikushtetuese, që ka mohuar drejtësinë për qytetarët që kanë fituar në Apel. Për më tepër, ajo rrezikon të rrisë në përmasa domethënëse kostot që mund t’i faturohen taksapaguesve shqiptarë në një kohë të dytë sa i takon dëmshpërblimeve nëse rekurset fitohen nga individët kur Gjykata e Lartë të rifillojë punën sërish. (Një përllogaritje e kostove aktuale gjendet në botimin vetëm për Kolegjin Administrativ[4].)

 

Trendi rënës për Gjykatën e Lartë u bë shumë i ndjeshëm në vitin 2018, ku u dhanë gjithsej 217 vendime, rreth 1300 më pak krahasuar me 2015-ën kur nuk kishte nisur ende Reforma. Në 2019 u morën vetëm 12 vendime deri në muajin Prill. Rekurseve që presin të shqyrtohen i janë shtuar kësisoj rreth 2 vjet vonesa, këtë herë jo për pasojë të eficencës problematike të Gjykatës së Lartë, por si pasojë e Reformës në Drejtësi dhe mos-plotësimit të vakancave.  Gjykata e Lartë duhet plotësuar me trupë të shtuar gjyqësore urgjentisht!

 

[1] “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të RSH”, Ndryshuar Me Ligjin Nr. 151/2013, Ndryshuar Me Ligjin Nr. 177/2014, Shfiqizuar Me Ligjin 98/2016 “Për Organizimin Gjyqësor të RSH””.

[2] Neni 399/2 “Afati i arsyeshëm”, Shtuar me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017

[3] Për vitin 2015, afati në fjalë nuk mund të aplikohet si një kontrast ligjor.

 

GJL 8

 

GJL 9

 

foto 3 konf per shtyp

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim