Dje, në datë 23/10/2018, INFOCIP ekspozoi në faqen e vet zyrtare rastin flagrant të ushtrimit të detyrës pa mbajtjen e simboleve të Policisë së Shtetit shqiptar nga një efektive e policisë rrugore, e quajtur Anisa Zani.

 

Pas disponimit të rastit me video, INFOCIP realizoi një analizë ligjore për konstatimin e shkeljeve të mundshme të rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr.  750, datë 16.9.2015 (botuar në fletore zyrtare 167, dt 23 shtator 2015, link: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/.pdf.). Nga analizimi i rastit, u konstatua se policja Anisa Zani ka konsumuar shkelje të nenit 37, paragrafi 6, gërma B të kësaj Rregulloreje.fletore zyrtare rregullorja

 

Po ashtu, rezulton se ajo ka konsumuar shkelje të nenit 120, paragrafi 2 i Rregullores së Policisë së shtetit, nëse vërtet ka qenë në detyrë[1] në momentin e dokumentimit me video të gjendjes së uniformës së saj, e cila nuk përmbante:

 

  1. Emblemën e Policise së Shtetit
  2. Gradën e punonjësit të Policise së Shtetit
  3. Numrin identifikues të punonjësit të Policisë së Shtetit.

 

Ka nisur ndërkohë një komunikim me organet eprore policore për të verifikuar edhe rastin e supozuar se policja rrugore Anisa Zani edhe mund të mos ketë qenë në detyrë në momentin e dokumentimit me video të parregullsive të konstatuara në uniformën e saj.

foto me shigjeta ilustruese

Gjatë orëve të pasdites së djeshme, ka patur një interesim në rritje nga media lidhur me rastin, madje edhe komente sipas të cilave shkelja e Rregullores së Policisë së Shtetit nuk është ndonjë “skandal kaq i madh”. (shih videon e plote ketu)

 

Çështja është se policja Anisa Zani nuk ka shkelur vetëm nenet e Regullores së organizatës që ajo përfaqëson. Problemi i vërtetë është ajo ka shkelur vetë ligjin “Për Policinë e Shtetit” (ligj nr. 108/2014[2]). Analiza e mëposhtme ligjore synon të provojë pikërisht këto shkelje, dhe konkretisht:

 

Neni 89 i ligjit 108/2014 parashikon në germën “d” shprehimisht se: “Punonjësi i policisë në ushtrimin e kompetencave ka  këto detyrime:  të përdorë uniformën, shenjat dhe simbolet e policisë vetëm gjatë kryerjes së shërbimit dhe në përputhje me rregullat e vendosura”. Në rastin konkret i takon polices Anisa Zani është kapur në video duke vendosur gjoba teksa nuk mban asnjë nga simbolet identifikuese në uniformën e saj.

 

Ligji “Për Policinë e Shtetit” përmban një kapitull të posaçëm për Simbolet, Uniforma, Pajisjet Dhe Mjetet (KREU XIII). Rezulton se policja rrugore Anisa Zani ka shkelur nenin 98 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, në të dyja paragrafët që ai përmban.

 

Sipas paragrafit 1 të nenit 98, “ Punonjësi i policisë i kryen detyrat për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike me uniformën dhe shenjat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Uniforma dhe shenjat dalluese të policisë përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij. Struktura të veçanta të policisë trajtohen me veshje civile ose kompensim financiar.”

 

Në rastin e investiguar nga INFOCIP, punonjësja e policisë Anisa Zani, edhe pse shfaqet me bllok gjobash në dorë, rezulton se nuk po e kryen detyrat e saj, “me uniformën dhe shenjat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”, duke konsumuar shkelje flagrante të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.

 

Po ashtu, teksa dispozita ligjore referon për zbatim rregulloren e Policisë së Shtetit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në masën që ajo ka shkelur rregulloren, për analogji ajo ka shkelur automatikisht urdhërimin e vetë ligjit, në rastin konkret dispozitës përkatëse që përmban neni 98, paragrafi 1.

 

Po ashtu, punonjësja e Policisë Rugore, Anisa Zani, ka shkelur edhe paragrafin 2 të nenit 98, sipas të cilit: “ Punonjësi i policisë pajiset me dokumentin dhe medaljonin zyrtar të identitetit, të cilat i paraqet në çdo rast të kryerjes së detyrës. Forma, përmasat dhe të dhënat që përmban dokumenti identifikues dhe medaljoni zyrtar i identitetit përcaktohen në Rregulloren e Policisë.”

 

Sikurse faktohet nga materiali video, punonjëses së policisë i është kërkuar me insistim të identifikohet dhe të paraqesë një numër identifikimi, në mënyrë që pala që po ndëshkohej prej saj me sanksion administrativ të sigurohej se veprimi që ajo po ndërmerrte ishte legjitim dhe brenda normave të lejuara. Ajo ka hezituar he nuk ka pranuar të përgjigjet. Ajo ka refuzuar sistematikisht të paraqese numrin e saj identifikues, ndërkohë që kolegu i saj i patrullës ka ndërhyrë, për të anashkaluar këtë situatë anti-ligjore duke theksuar se “numri i identifikimit do të ofrohet në fletën e gjobës që po pritej”. As kjo në fakt nuk ka ndodhur.

 

Neni 98, paragrafi 3 i ligjit ‘Për Policinë e Shtetit” gjithashtu referon shprehimisht Regulloren e Policisë së Shtetit për mënyrën e mbajtjes dhe përdorimitn të Uniformës. Me analogji, shkelja e rregullores në këtë rast do të përbënte automatikisht shkelje të normës ligjore, konkretisht paragrafi 3 i ligjit  108/2014.

 

Të gjitha sa më sipër megjithatë nuk janë shkelje më të rënda se sa vetë shkelja e betimit që bën punonjësi i Policisë së Shtetit. Neni 12 i ligjit 108/2014 përcakton në paragrafin 1 të tij se “Betimi në polici është akt solemn. Ai përbën një ngjarje të shënuar me vlera morale e juridike në jetën e punonjësve që fillojnë punë në Policinë e Shtetit. Ai bëhet me ceremoni të veçantë, përpara Flamurit Kombëtar dhe Flamurit të Policisë së Shtetit në Akademinë e Sigurisë”.

 

Teksti i betimit, i përcaktuar në paragafin 2 të nenit 12, është si vijon: “Unë, betohem që besnikërisht do të kryej detyrat e mia, do të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë me ndershmëri dhe paanshmëri gjatë gjithë kohës. BETOHEM”.

 

Refuzimi për të bërë betimin apo për të nënshkruar deklaratën e betimit dhe kontratën e pranimit sjell për pasojë mospranimin e studentit/kursantit, në Policinë e Shtetit (paragrafi 8, neni 12, I ligjit 108/2014.

 

Për sa më sipër, në logjikën e kësaj analize të rrethanave të faktit, policja Anisa Zani duhet të këtë bërë betimit përderisa është anëtare e organizatës/forcës policire. Thënë kjo, ajo është betuar solemnisht se… do të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë me ndershmëri dhe paanshmëri gjatë gjithë kohës”.

 

Sipas paragrafit 9 të nenit 12, ligji 108/2014 “Shkelja e betimit përbën shkelje të rëndë disiplinore”.

 

Nga analiza e realizuar më sipër, rezulton se policja Anisa Zani, ka shkelur në disa rastin ligjin. Rrjedhimisht ajo ka shkelur Betimin. Ajo nuk ka shkelur një ligj dosido, por vetë ligjin “Për policinë e shtetit”, të cilin presupozohet se duhet ta dijë më mirë se çdo ligj tjetër në RSH[3]. Është pikërisht ky ligji mbi të cilin ajo bazon veprimtarinë e saj të përditshme dhe mosnjohja e këtij ligji dhe dipozitave që ai përmban, në rastin konkret të mbajtjes së detyrueshmë të stemës së policisë dhe të simboleve të tjera të detyrueshmë për tu vendosur në uniformë, e ngarkon atë me përgjegjësi jo vetëm disiplinore/administrative, por edhe penale, në masën që ajo ka refuzuar apo ka dështuar të demostrojë, në momentin që i është kërkuar, simbolet e forcës policore që ajo përfaqëson.

 

Me fjalë të tjera, punonjësja e policisë rrugore Anisa Zani, e cila është betuar se do të zbatojë Ligjin, në realitet e ka shkelur ligjin..rrjedhimisht ka thyer dhe Betimin !

 

Nuk ka asnjë shans që policja Anisa Zani të ketë harruar se për çfarë është betuar, pasi vetë ligjëvënësi është kujdesur të theksojë në paragrafin 11 të ligjit 108/2014 se:  “Punonjësit e policisë të të gjitha gradave, detyrohen të mësojnë tekstin e betimit”.

 

 betimi

 

 

 

 

 

 

[1] Sipas, parashikimeve të nenit 121 të Rregullores së Policisë së Shtetit, simbolet dhe shenjat e mësipërme, apo pajisjet e tjera të policisë janë të ndaluara të mbahen nga punonjësi i policisë vetwm kur nuk është në detyrë apo wshtw nw takime sindikale.

[2] http://www.idp.al/wp-content/uploads/2017/03/ligji_108_2014_per_policine_e_shtetit.pdf

[3] që përbën korpusin e brendshëm legjislativ të RSH

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim