Raport për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, datë 06.06.2017
Mbledhja e datës 6 qershor të Këshillit Bashkiak nuk ishte gjë tjetër veçse derivat i asaj të 31 majit. Të pranishëm në Këshill ishin fillimisht 32 anëtarë të të gjitha forcave politike. Mbledhjen e hapi kreu i këshillit, Aldrin Dalipi, i cili lexoi projektvendimet e pamiratuara nga java e shkuar:
P/Vendim “Për shqyrtimin dhe vlerësimin nga shoqëria aksionere ECO Tirana sh/a për mundësinë e investimit apo çfarëdo lloj forme operimi me shoqëri të tjera tregtare”
P/Vendim “Për caktimin e përfaqësuesit të Bashkisë së Tiranës në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme të shoqërisë ‘Qendra tregtare e zhvillimti kulturor shpk”
P/Vendim “Për emërtimin e shkollës 9-vjeçare në njësinë administrative nr.4 me emrin ‘Ardian Klosi’”.
P/Vendim “Për emërtimin e rrugës Vjena”.
P/Vendim “Për emërtimin e shkollës së mesme të bashkuar të Farkës me emrin ‘Alush Bardhi’”.
P/Vendim “Për emërtimin e shkollës 9-vjeçare në Kombinat me emrin ‘Betim Muço”
P/Vendim “Për dhënien e emërtimit të palestrës së shtangës në ish-qendrën ‘Dinamo’ me emrin “Mirjan Hakani”
P/Vendim “Për dhënien e emrit ‘Feti Borova’ palestrës së basketbollit në ish qendrën ‘Dinamo’”
P/Vendim “Për emërtimin e rrugës ‘Jim Gilson’
Përpara miratimit të rendit të ditës, sipas procedurës, fjala iu dha krerëve të grupeve. Kryekëshilltari i PD-së në Këshillin Bashkiak, Leonard Olli kërkoi miratimin në bllok të tetë projektvendimeve, përveç atij “Për shqyrtimin dhe vlerësimin nga shoqëria aksionere ECO Tirana sh/a për mundësinë e investimit apo çfarëdo lloj forme operimi me shoqëri të tjera tregtare”, për cilin shprehu hapur qëndrimin kundër nga grupi i PD.
Olli: Kemi votën tonë pro duke përjashtuar pikën e Eco-Tirana. Të tjerat propozoj t’i kalojmë në bllok.
Mbledhja vijoi me leximin një nga një të pikave dhe miratimin nga të gjithë anëtarët e pranishëm. Tetë projektvendimet e para morën miratimin e të dyja palëve duke u votuar nga 7 këshilltarë të djathtë dhe 25 të majtë, prej të cilëve, 17 nga PS, 6 nga LSI dhe 2 nga PDIU. Procedura e votimit “ngeci” në projektvendimin që u bë shkak për shtyrjen e saj, ai për zgjerimin e kompetencave të shoqërisë së menaxhimit të mbetjeve me kapital italian “Eco Tirana”. Në këtë pikë, anëtarët e të djathtës në Këshillin Bashkiak braktisën mbledhjen duke mos preferuar as të diskutonin, duke thënë se rezervat e tyre i shprehën mbledhjen e kaluar. Por, edhe kësaj radhe, ashtu si në mbledhjen e datës 31 maj, mungonte kuorumi i nevojshëm që pozita e bashkuar në këshillin bashkiak, ta kalonte këtë pikë me forcën e kartonëve. Kjo nuk çoi në një shtyrje të dytë, por në diskutime formale që zgjatën përreth dy orë.
Në këtë hark kohor, shumica e anëtarëve shfrytëzuan momentin për t’i kërkuar bashkisë zgjidhjen e disa problemeve në lagjen a zonën që ata mbulojnë gjatë fushës elektorale apo edhe në njësinë ku banojnë. Një prej tyre ishte ndërhyrja e bashkisë për rehabilitimin e zonës në kryqëzimin e rrugëve “Bego Hoxha” dhe “Hamdi Serjani”, e cila kërcënon prishjen e mureve rrethuese e banesave të disa banorëve, ankesë e shprehur nga Ardit Çela i LSI.
Më tej, për të hedhur poshtë akuzat që anëtarët e PD-së ngritën në këshill mbledhjen e kaluar, duke thënë se me këtë vendim i hapej rruga ndërtimit të një inceleratori në Tiranë, përfaqësuesja e PS në Këshill, Klotilda Ferhati bëri një sqarim për qytetarët. “Ne jemi duke dhënë në parim miratimin që shoqëria Eco Tirana të bashkëpunojë me subjekte të ndryshme tregtare në kuadër të ligjit për shoqëritë tregtare në mënyrë që të gjejë format më të mira të bashkëpunimit për realizimin e planit të investimeve. Nuk bëhet fjalë për asnjë incelerator, asnjë impiant që dëmton mjedisin, as për përpunim mbetjesh të rrezikshme që ngrenë gangrenën në opozitë, por për një proces rutinor pune”.
Edhe kreu i këshillit, Aldrin Dalipi ndau të njëjtin mendim me Ferhatin, duke e cilësuar shoqërinë si një histori suksesi. “Është një model fantastik se si mundet një kryeqytet që ka qenë në një situatë dramatike sa i përket mbetjeve, tashmë një kryeqytet model jo vetëm për shqipërinë por dhe vendet e BE”.
Ndërsa për nënkryetarin e Bashkisë, Arbjan Mazniku një seleksionim i mëtejshëm i mbetjeve nga kjo shoqëri do të ulte edhe më shumë sasinë e atyre që në fund përfundojnë në landfill. “Në thelb, operacionet e këtij tipi janë ato që ne synojmë t’i japim mundësi “Eco Tiranës”, që ka ambicie që në një fazë të dytë të konkurrojë edhe për pastrimin e qyteteve të tjera”. Shoqëria “Eco Tirana”, që sipas pozitës në këshill po performon mjaft mirë po mendon zgjerimin e aktivitetit të saj jo vetëm në Tiranë, por edhe për punë të tjera në rrethe.
Pika për të cilën pati diskutime, ajo për zgjerimin e kompetencave të shoqërisë së pastrimit me kapital italian “Eco Tirana” vetëm pas dy orëve arriti të sigurojë numrin e duhur të këshilltarëve për ta votuar. Nga 25 të pranishëm, numri shkoi në 31, pra më shumë se gjysma e totalit të anëtarëve në këshill, numër i mjaftueshëm për t’i dhënë OK projektvendimit të fundit.
Referuar zbatimit të së drejtës për informimin qytetar, duhet theksuar se në asnjërën prej mbledhjeve Bashkia nuk ka dhënë informacion paraprak për masën e gjerë duke shkelur nenin 30 të rregullores së këshillit, e cila thotë:
“Në vartësi me mundësitë, aktet e Këshillit afishohen, në vende publike të caktuara nga Këshilli, brenda territorit të Bashkisë.”
Njoftimi i mbledhjes nuk është pasqyruar në Këndin e Bashkisë e as në faqen zyrtare në internet.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA