Raport për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, datë 31.05.2016
Gati dy muaj nga mbledhja e fundit, më 31 maj u mblodh Këshilli Bashkiak i Tiranës për të miratuar vendime që prekin personat në nevojë dhe jetën komunitare në përgjithësi. Të gjithë këshilltarëve, të majtë e të djathtë, në datën 27 maj kanë patur në email thirrjen e mbledhjes, me numër protokolli 21189, dhe që daton një ditë përpara shpërndarjes, 26.05.2017.
Për arsye të paargumentuara, mbledhja nisi rreth një orë më vonesë. Ashtu siç e kërkon procedura, kryetari i Këshillit, Aldrin Dalipi lexoi rendin e ditës me 14 pika, i cili mori miratimin e anëtarëve. Më poshtë, listojmë projektvendimet e miratuara, bashkë me një pikë shtesë që iu shpërnda këshilltarëve vetëm pak çaste përpara fillimit të mbledhjes.
Projektvendimet 31.05.2017
1.P/Vendim “Për një shtesë në vendimin nr.27, datë 05.04.2017 të Këshillit Bashkiak për miratimin e kuotës ditore në qendrat sociale”
2.P/Vendim për “Trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
3.P/Vendim “Për një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.84, datë 29.12.2016 ‘Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2017-2019 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2017”
4.P/Vendim “Për një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.84, datë 29.12.2016, ‘Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2017-2019 dhe detajimin e buxhetit të Tiranës për vitin 2017 (i ndryshuar)’ si dhe miratimin e numrit të punonjësve me kontratë me kohëzgjatje të caktuar për agjencinë e parqeve dhe rekreacionit”
5.P/Vendim “Për anëtarësimin e Bashkisë së Tiranës si anëtare në shoqatën ICLEI: Local Goverments for sustainability”
6.P/Vendim “Për shqyrtimin dhe vlerësimin nga shoqëria aksionere ECO Tirana sh/a për mundësinë e investimit apo çfarëdo lloj forme operimi me shoqëri të tjera tregtare”
7.P/Vendim “Për caktimin e përfaqësuesit të Bashkisë së Tiranës në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme të shoqërisë ‘Qendra tregtare e zhvillimti kulturor shpk”
8.P/Vendim “Për emërtimin e shkollës 9-vjeçare në njësinë administrative nr.4 me emrin ‘Ardian Klosi’”.
9.P/Vendim “Për emërtimin e rrugës Vjena”.
10.P/Vendim “Për emërtimin e shkollës së mesme të bashkuar të Farkës me emrin ‘Alush Bardhi’”.
11.P/Vendim “Për emërtimin e shkollës 9-vjeçare në Kombinat me emrin ‘Betim Muço”
12.P/Vendim “Për dhënien e emërtimit të palestrës së shtangës në ish-qendrën ‘Dinamo’ me emrin “Mirjan Hakani”
13.P/Vendim “Për dhënien e emrit ‘Feti Borova’ palestrës së basketbollit në ish qendrën ‘Dinamo’”
14.P/Vendim “Për emërtimin e rrugës ‘Jim Gilson’
Veçantia e kësaj mbledhjeje ishin anëtarët e djathtë të Këshillit, të rikthyer pas më shumë se tre muajsh, prania e të cilëve u shoqërua me ironi dhe debate që në fillim të mbledhjes.
Leonard Olli: Z.Dalipi, diçka për procedurë ju lutem…
Dalipi: Faleminderit që keni ardhur, tani ju pashë.
Olli: Ne kemi qenë gjithmonë këtu, por ju s’keni patur arsye të na shihni
Dalipi: Mund të keni qenë te çadra, por jo këtu!
Olli: Edhe të çadra edhe këtu, i përballojmë të gjitha. Dëshiroj të tërheq vëmendjen në raport me kohën e fillimit që njoftohemi për mbledhjet e këshillit bashkiak. Mirëkuptoj çfarëdolloj angazhimi, por e konsdieroj mungesë respekti të fillojmë me 60 minuta vonesë.
Pasi Dalipi lexoi vendimet që duhej të kalonin brenda një seance, fjala iu dha Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, i cili e nisi fjalën e tij me një urim për ata që janë propozuar për legjislaturën e ardhshme të parlamentit. Për pesë minuta sqaroi benefitet e qytetarëve nga vendimet që do të merrnin OK në Këshill si dhe dha lajmin e mirë për tre projekte që do të inaugurohen brenda muajit qershor, përpara zgjedhjeve. Më konkretisht, Parku Olimpik, sheshi ‘Skënderbej’ dhe Bulevardin e Ri”, dy prej të cilave do të vijojnë të jenë kantiere ndërtimi duke qenë se puna do të vijojë.
Prania e dy krerëve, ai i Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, zgjati vetëm dhjetë minuta për t’u zëvendësuar më pas nga nënkryetarët, Arbjan Mazniku dhe Vjollca Braho.
Shqyrtimi i rendit të ditës nisi me dhënien e fjalës krerëve të grupeve për pikën e parë, për të cilën u shprehën në parim të gjithë, ndonëse opozita kundërshtoi sjelljen në momentin e fundit të çfarëdolloj materiali në këshill, pa kaluar edhe në komisionet respektive. Që aty, kreu i të djathtëve, Olli dha pëlqimin për votimin e 13 pikave në rendin e ditës, përveç pikës 4 dhe 6.
Fjalimi i Fabian Topollaj, duke përligjur punën e Bashkisë ishte pika kulmore e debatit duke shkaktuar ovacione dhe kundërshti nga të majtët, të cilët tentuan disa herë ta ndërprisnin me argumentimin se po dilte jashtë diskutimeve për pikat e rendit të ditës.
Duhet theksuar se gjatë shqyrtimit të projektvendimeve, anëtarët ranë dakord për përshpejtimin e mbledhjes me qëllim që secili të ndjekë axhendën personale.
Klotilda Ferhati: S’kemi kohë për të humbur të gjithë jemi të angazhuar në fushatat tona politike, ama përgjegjësia jonë është ti përgjigjemi interesit të qytetarëve, jo të bëjmë shoën politik të radhës.
Olli: Këtu po kalohet çdo lloj norme etike, do na mësoni dhe çfarë të themi. Brenda apo jashtë rendit të ditës, këtë e përcakton ndërgjegjja jonë dhe votuesi, jo ju.
Mazniku: Z.Topollari, çadra u mbyll, listat dolën, po lodhesh kot.
Topollari: Edhe ti që s’u bëre deputet, po të lezeton pozicioni i nënkryetarit se ka më shumë lekë!
Ndryshimet e vazhdueshme në buxhetin e miratuar që në muajin dhjetor si dhe zgjerimi i kompetencave të shoqërisë “Eco Tirana” ishin dy pikat që u shoqëruan me debate. Për këshilltarin e PD-së, Akil Kraja, pas këtij vendimi fshihet një skenar ogurzi për mjedisin, ndaj kërkoi që vendimi të mos miratohet. “Ky këshill kërkon t’i japë mundësinë kompanisë që të lidhë kontrata jashtë procedurave publike me kompani të treta për të ndërtuar një incelerator në Tiranë. Ky vendim është i paligjshëm, faktet e denoncuara një vit më parë po dalin një më një”. Gjithë debatin për veprimtarinë e kompanisë me origjinë italiane, kryetarja e këshilltarëve socialistë, Klotilda Ferhati e cilësoi një lumë përbaltjesh, e njëjtë me zhurmën që u bë për parkun e lojërave në liqenin e Tiranës. “Po keqinformoni qytetarët, të cilët duke iu dëgjuar ju kujtojnë me të vërtetë atje po bëhet një incelerator. ‘Eco Tirana’ ka një objekt veprimtarie, që për ta bërë sa më mirë të jetë e mundur punën e saj do t’i duhet të bashkëpunojë dhe me kompani të tjera. Ju po ndërtoni teori konspiracioni për inceleratorë e për gjëra të pavërteta. Puna është ajo që na ndan ne nga ju”.
Ende pa mbaruar fjalën, opozita braktisi mbledhjen duke iu rikujtuar në ikje të majtëve se kanë mungesë kuorumi për të kaluar pikën 6.
Për tre pikat e para dhe pikën 5 ngritën kartonin jeshil të majtë e të djathtë, ndonëse në numër optimal për shkak të angazhimeve në fushatën elektorale. Kështu, 37 anëtarët prezentë, 8 nga Partia Demokratike dhe 28 nga e majta e bashkuar, PS+LSI+PDIU votuan pro përfshirjes të qendrës së shkozës në listën e qendrave sociale, trajtimin me bonus strehimi për 60 familje në nevojë si dhe disa projekte për Tiranën.
Ndonëse pa miratimin e opozitës, edhe pika 4 për disa ndryshime në buxhet që parashikon rekrutimin e të punësuarve sezonalë për llogari të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacioneve, e kundërshtuar fort nga opozita, e cila mendon se këto punësime bëhen për efekt elektoral.
Pas gjysmë ore pushim, pas mosdakordësimit me PD dhe mosplotësimit të kuorumit të nevojshëm për të votuar zgjerimin veprimtarisë së “Eco Tirana”, nënkryetarja e Këshillit Vjollca Braho komunikoi shtyrjen e mbledhjes për në datën 6 qershor.
Bashkia e Tiranës e ka bërë rrugë tashmë që njoftimet për mbledhjet e këshillit të mos i pasqyrojë në këndin e bashkisë, me qëllim që të interesuarit të mund të bëjnë në kohë kërkesën për të ndjekur procedurën. Gjithashtu, në faqen e saj elektronike njoftimi i fundit për mbledhje është ai i datës 20 shkurt.
Mbledhja e këtij muaji është zhvilluar në shkelje të nenit 13, pika 2 dhe nenit 14 të funksionimit të Këshillit Bashkisë, të cilat parashtrojnë:
“Mbledhjet e radhës të Këshillit Bashkiak zhvillohen si rregull, sipas përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj”
“Thirrja për mbledhjen e këshillit, bëhet nga Kryetari i Këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj.”
Në rastin e parë kanë kaluar gati dy muaj nga mbledhja e fundit, ajo e datës 5 prill, ndërsa këshilltarët janë njoftuar me e-mail vetëm 4 ditë përpara datës së përcaktuar, më 27 maj, kur rregullorja parashikon minimalisht 5 ditë kohë që projektvendimet të lexohen e studiohen.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA