Mbledhja e këshillit bashkiak Vorë e muajit prill u mbajt në datën 26.04.2017 në sallën e mbledhjeve me prezencën e 20 këshilltarëve nga 21 që ka në total. Ashtu si për çdo mbledhje, pjesëmarrësit janë njoftuar përmes një e-maili në të cilin saktësohen data, ora, vendi i mbledhjes bashkë me rendin e ditës. Anëtarët e këshillit bashkiak shqyrtuan dhe morën këto vendime me rëndësi për Bashkinë:

  1. “Propozim për dhënien e ndihmës ekonomike për muajin prill nga Ministria e Punëve dhe Çështjeve sociale.
  2. “Miratimin e dhënies së ndihmës së aftësisë së kufizuar dhe invaliditetit për muajin prill 2017”.
  3. “Miratimin e disa ndryshimeve të buxhetit të Bashkisë Vorë, të miratuara me vendim nr.10 të këshillit bashkiak, datë 23.04.2017”.
  4. “Miratimin e disa ndryshimeve në paketën fiskale për vitin 2017 të Bashkisë së Vorës”.
  5. “Miratimin e nivelit të pagave për Bashkinë Vorë për vitin 2017”.
  6. “Kalimin e të drejtës së pronësisë për efekt legalizimi të parcelës ndërtimore në përdorim të Znj, Inis Pasha Duka”.
  7. “Miratimin e dhënies së ndihmës ekonomike për personat me dializë, kimioterapi dhe sëmundje të rrezikshme”.
  8. Të ndryshme.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Vera Thana apelon emër për emër këshilltarët e pranishëm në mbledhje për të vijuar më pas me leximin e tetë pikave të rendit të ditës, për të cilin ata ishin njoftuar më herët në rrugë elektronike.

Të gjitha projektvendimet morën “OK” nga Këshilli Bashkiak i Vorës. Morën miratimin e të gjithë këshilltarëve të pranishëm pothuajse gjysma e vendimeve rutinë si: dhënia e ndihmës së përmuajshme ekonomike, ajo e personave me aftësi të kufizuar e pagesa e invaliditetit, si dhe ndihma ekonomike për personat me dializë, ato që trajtohen me kimioterapi apo vuajnë nga sëmundje të rrezikshme.

Sakaq, diskutime ka patur për pikën 6, kalimin e një parcele ndërtimore në favor të bashkisë me qëllim legalizimin, ndërkohë që ishte në përdorim të një qytetareje të Bashkisë së Vorës, znj.Inis Pasha Duka. Kjo çështje kaloi me miratimin e 15 anëtarëve të këshillit, teksa dy u shprehën kundër, ndërsa tre zgjodhën të abstenonin.

Ndryshimet në buxhet dhe paketën fiskale gjithashtu nuk u mirëpritën nga të gjithë anëtarët e këshillit. Gjithsesi, vendimet kaluan, pas votimit për çështjen e parë: 17 anëtarë pro, 1 kundër e 2 abstenim, ndërsa për çështjen e dytë: 18 pro e 2 kundër.

Një tjetër çështje me rëndësi, niveli i ri i pagave të administratës bashkiake, mori miratimin e Këshillit me 19 vota pro e 1 abstenim.

Procesverbali për mbledhjen është mbajtur nga specialistët e bashkisë, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për informacione nga INFOCIP.

Vendimet e marra në këtë mbledhje të këshillit bashkiak Vorë janë bazuar në ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, neni 54 “Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak”. Ndërsa votimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak Vorë u bazua në nenin 55 te këtij ligji.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim