program elektoral infocipProgrami elektoral është dokumenti kryesor që identifikon partitë politike në fushtata zgjedhore. Në teori ai është vetë projekti qeverisës. Programi elektoral është nocion derivat i “kontratës sociale”, që filozofët e mëdhenj si Locke dhe Rousseau e identifikuan si parim qëndror të teorisë së shtetit.

 

Në traditën politike bashkëkohore, programet zgjedhore adoptohen nga partitë solemnisht në konventa ose kongrese elektorale. Përmes afishimit dhe propagandimit të tyre në media dhe takime/tubime elektorale, forcat politike i komumunikojnë zgjedhësve qëndrime të rëndësishme që ato marrin lidhur me ekonominë, arsimin, shëndetësinë, sigurinë kombëtare, çështjet e politikës së jashtë, qëndrimi ndaj mjedisit, ndaj fëmijëve, shtresave më në nevojë.

 

Përpos interesit publik të padiskutueshëm, programet zgjedhore janë shumë të rëndësishme edhe për vetë partitë apo koalicionet, pasi vlerësimit apo kontrastimit të tyre, subjektet zgjedhore theksojnë dhe bëjnë të dallueshme diferencat që kanë ndaj nëjra tjetrës. Nëse nuk do të ekzistoni programet zgjedhore, ballfaqimi i alternativave do të ishte jnë shumësi pohimesh, premtimesh apo kontradiktash në erë.

 

Në kushtet kur partitë politike tentojnë gjithmonë e më shume të zbehin diferencat ideologjike që vijnë nga tradita e tyre, gjithë sa mbetet për një vlerësim sa më afër objektives të synimeve  politike që ato kanë kur të jenë në qeverisje, janë pikërisht programet elektorale. Premtimet që ato përmbajnë mund të konsiderohen si “karta e kreditit” që iu lihet në dorë zgjedhësve për të aksesuar të mirat publike (por jo vetëm) që një forcë politike do të realizojë nesër në pushtet për ta, falë investimit politik të zgjedhësve përmes instrumentit demokratik të votës.

 

Programi zgjedhor dhe premtimi elektoral si komponent përbërës janë parakusht për të pretenduar seriozitet dhe përgjegjshmëri nga subjekti zgjedhor.Në sistemet zgjedhore me bazë propocionale, programi zgjedhor dhe premtimet elektorale kanë një peshë specifikë të rritur, për shkak të abstragimit që sistemi imponon ndaj cilësive individuale të kandidatëve (lisat e kandidatëve janë produkt i proceseve të mbyllura partiake).Në një sistem proporcional, programi zgjedhor i partisë politike është de-facto “karta e identitetit” të subjektit zgjedhor.

 

Logjika normale dikton që kur partitë politike paraqitet në KQZ për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore, ato të sjellin me vete edhe këtë “kartë identiteti”, si një ndër kërkesat formale përregjistrimin e tyre në garën elektorale.

kodi-zgjedhor infocip

Çuditërisht, Kodi Zgjedhor i RSH, i përditësuar[1], edhe pse një akt normativ voluminoz me 240 faqe, nuk përmban asnjë dispozitë që do ta reflektonte sadopak një logjikë të tillë. Është fakt I verifikueshëm lëhtësiht se nocioni i përbërë: premtim zgjedhor apo program elektoral nuk ekziston literalisht fare ne KOD. Fjala program haset vetëm në dy raste, por në kontekstin e rregullave që duhen ndjekur nga mediat gjatë periudhës së propagandimit dhe transmetimit të fushatave zgjedhore. As në frymë dhe as në gërme, KODI “nuk kërkon të gjejë” përgjegjshmërinë e subjetit zgjedhor tek programi i tij elektoral dhe premtimet që ai përmban.

 

Në PJESEN IV të Kodit, “REGJISTRIMI I SUBJEKTEVE ZGJEDHORE”, parashikohen kushtet që duhet të përmbushin partitë politike/koalicionet lidhur me regjistrimin e tyre si subjekte zgjedhore. KODI mjaftohet duke i dhënë një kuptim shumë të thjeshtuar definicionit “subjekt zgjedhor” si dhe atributeve apo kushteve që e kualifikojnë një subjekt çfarëdo në një subjekt zgjedhor. Sipas kodit aktual, “Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.”Ky përcaktim do të tingëllontë padyshim më i plotë nëse do të ri-formulohej: “Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin një program elektoral dhe një listë kandidatësh.”

 

Sa i takon regjstrimit të partive politike në zgjedhje, Kodi parashikon në nenin 64[2] të tij se:

  1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
  2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:
  3. a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;
  4. b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;
  5. c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;

ç) specimenin e vulës së partisë;

  1. d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe
  2. dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në.

 

Është e qartë se, ligjvënësi ka vendosur që KODI të jetë i heshtur lidhur me detyrimin eventual të subjektit zgjedhor që ky të identifikohet me një program elektoral. Si rregull, programi zgjedhor i një force politike, i adoptuar me vendim të forumit më të lartë vendimarrës duhet të jetë pjesë e akteve themeltare të depozituar në gjykatë. Për KODIN aktual, nuk ka rëndësi madje as dokumentat e regjistrimit në gjykatë, por thjesht një vërtetim nga gjykata që “ato janë aty”.

 

Për shkak të modelit konsensual mes forcave politike mbi të cilin ndërtohet vendimarrja legjislative mbi KODIN, mund të thuhet pa hezitim se partitë parlamentare kanë zgjedhur të rrinë “të heshtura” lidhur me parashikimin e detyrimin për depozitim formal të programeve zgjedhore (në KQZ psh.). Nga INFOCIP, kjo “harresë” konsiderohet një mangësi sistemike që ka sjellë pasojë dramatike sa i takon besueshmërisë së publikut tek partitë politike dhe mandej edhe institucioneve që ato formësojnë teksa vijnë në pushtet.

 

Në të gjitha vlerësimet serioze të ndërmarrë në Shqipëri lidhur me besueshmërinë tek qeverisja, partitë politike listohen ndër të fundit. Në Sondazhin e Besueshmërisë tek Qeverisja, të realizuar nga IDM[3] me mbështjetjen e BE, partitë politikë renditen të parafundit me rreth 32% të shqiptarëve që pohojnë se “nuk kam besim” plus 47% të shqiptarëve që pohojnë “nuk kam besim fare”. Në total afrom 80% e shqiptarëve nuk besojnë tek partitë politike dhe ky traguar ka ardhur me një përkeqësim prej 4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

 

Besueshmëria tek qeverisja dhe institucionet është kusht për një demokraci funksionale. Partitë politike janë gjithashtu institucione përmes të cilave interesi publik, por edhe qeverisja, realizojnë qëllimet e tyre. Duket vërtët e habitshme se si, në kushtet kur partitë politike dhe koalicionet që ato ndërtojnë[4] hyjnë në garë për të qeverisur vendin, për të hartuar ligje (burimi i të drejtës në RSH është pushteti legjislativ) si dhe për të menaxhuar buxhet, pra taksat e shqiptarëve, ligjvënësi, ose KODI nuk u kërkon atyre një program ku të paraqesin objektivat për të qeverisur vendin.

 

Kjo bëhet edhe më e habitshme kur konstatohet se KODI aktual ka një frymë të fortë normuese edhe për detajet me të parëndësishme e thuajse periferike në raport me një proces zgjedhor. KODI psh. nuk kursehet të caktojë standarte që ngjajnë më një “job description” fjala vjen për auditët teknicienë[5]. KODI aktual ka 9 paragrafë për këta funksionarë, dhe plot dy faqe të fletores zyrtare mbushen vetëm me parashikime (normative në këtë rast) për ta. Konkretisht në nënin 61 të Kodit renditen një seri kriteresh si psh: (3) Auditët teknicienë duhet të kenë arsimim universitar dhe ekspertizë në fushën e teknologjisë së informacionit apo statistikës, si dhe të kenë njohuri për procesin e hartimit të listave të zgjedhësve dhe/ose gjendjes civile”…etj…

 

Sigurisht, këtu qëllimi nuk është që të vlerësohet nëse kjo është teknika më e mirë legjislative e mundshme, por që të kontrastohet kjo rrethanë e sipër-cituar me parashikimet thellësisht anemike, për te mos thënë të munguara në KOD për atë që duhet të jetë karta e identitetit e një subjekt që hyn në zgjedhje, pra Premtimet dhe/ose Programi Elektoral.

 

Tingëllon paradoksale që teksa sistemet e përfaqësimit kanë tentuar të bëhën gjithmonë e më sklerotike (të mbyllura dhe rigide), KODI është lënë në këto 20 vjet “i shtendosur” në raport me detyrimin formal për të administruar një program elektoral nga forcat politike që hyjnë në garë. Nisur nga kjo premisë, vetë debati publik apo politik i shkeljes së programit apo mos-mbajtjes së premtive është i paligjitimuar, për të mos thënë irracional parë kjo në optikën eparimeve të shtetit të së drejtës.

 

Pasojat që kjo ka sjellë i njohin mirë shqiptarët, por edhe vetë forcat politike. Kohët e fundit janë shtuar madje rastet kur kundërshtarët politikë akuzojnë njëri tjetrin për “vjedhje” të premtimit. Në fakt, çështja në fjalë është sa komike aq edhe dramatike, por kjo analizë nuk do të ndalet më gjatë në këtë rrjedhojë dytësore.

 

Për ta rimarrë argumentin fillestar, në KOD duhen bërë parashikime të sakta për një mekanizëm kontrolli efikas që e adreson këtë “harresë” dhe që do t’i shërbente së paku dy qëllimeve kryesore:

  1. Do të transpozonte parimet e kushtetutës së RSH në dispozitat dhe frymën e KODIT
  2. Do të restauronte dimensionin e përgjegjshmërisë publike të subjekteve elektorale.

 

Sipas nenet 9 të Kushtetutës, (1)Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike; (2) Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit….

 

Kushtetut-bërësi ka referuar ligjin në këtë rast si instrumentin kryesor për të parandaluar një kthimi të mundshëm prapa të procesit evolutiv politik dhe shoqëror. Ndoshta termi “evolutiv” nuk është më i gjeturi, pasi rrisku “natyral” për regres që mbartin partitë politike është thuajse i barabartë me potencialin e tyre progresist, sidomos kur tentojnë të vijnë në pushtet. Historia e afërt dhe e largët, brenda dhe jashtë vendit tonë ofron me dhjetëra shembuj për të dyja “modelet e sjelljes” së partive politike (Për fat të këq, ato më regresistet kanë sjellë edhe pasoja shumë tragjike për popujt. Të tilla mund të konsiderohen instalimet në pushtet të partive fashiste, naziste, nacionalist dhe totalitariste 50-60 vjet më parë).

 

Ligjin shqiptar 8580, i ndryshuar “Për partitë politike”, së bashku me KODIN zgjedhor përbëjnë gjithë korpusin ligjor që normojnë aktivitetin e partive politike në RSH dhe janë të vetmet ligj ku normalisht mund të kërkohet që parimi kushtetues të jetë i transpozuar dhe të futet në veprim. Ligji 8580 nuk përmban asnjë nen apo dispozitë të vetme lidhur me detyrimin për hartimin apo depozitimin e ndonjë programi eletoral nga partitë. Sigurisht, qëllimi i ligjit në fjalë nuk është ky, por argumenti sillet për të plotësuar pretendimin që ngrihet tashme ndaj KODIT, që ky i fundit të adoptojë parashikime rreth çështjes së programeve politike të partive, që në kuptimin e Kodit referohen si “subjekte zgjedhore”. Programi elektoral lidhet natyrshëm me procesin zgjedhor dhe ai duhet të gjejë pasqyrim në KOD. Zhvillimet e fundit për premtime të pambajtura, veprime që janë haptazi në kundërshim me premtimet e dhëna publikisht në fushatë zgjedhore kanë maturuar plotësisht nevojën për parashikime të tilla në KOD. Ky i fundit nuk mund të rrijë më i heshtur, dhe jkjo jo vetëm në respekt të kërkesave që shtron ligji themeltar, por edhe në reflektim të shqetësimit publik mbi premtimet e shkelura nga partitë politike sistematikisht.

 

Vetë Kushtetuta nuk bën dallim në teksin e saj mes një programi partiak dhe një programi elektoral (neni 9). Në fakt, mes një programi partiak dhe një programi elektoral nuk ka pse të ketë dallime të mëdha.  Në kohë fushtash këto janë shpesh e njëjta gjë. Kongreset apo konventat partiake mblidhen në prag zgjedhjesh për të miratuar pikërisht programin me të cilin një parti hyn në zgjedhje. Për as sa ky program nuk është një statut, në kuptimin e kushtetutës nuk ka asnjë diferencim të mëtejshëm. Për më tepër, një force politike mund të krijohet lirisht (konform garancive kushtetuese dhe ligjore në RSH) edhe për të jetësuar brenda harkut kohor të një mandati të vetëm politik (madje edhe shume më pak se kaq) atë që mund të jëtë njëkohësiht programi i saj politik dhe elektoral, dhe pastaj, pasi realizon objektivat (ose në pamundësi për ti realizuar) mund të vendosë të shkrihet, konform përcaktimeve që bëhen në ligjin përkatës.

 

Nisur nga supozimet e mësipërme, por edhe nga rrethanat faktike të uljes të besimit publik ndaj partive politike në këto vite, si dhe për të garantuar një reflektim sa më realist të kushteve që dikton formati i organizimit të sotëm shoqëror dhe ekonomik të vendit (investimet ne ekonomi me kthim të ngadaltë, qarkullim i mallrave dhe shërbimeve në tregje të pahura hiper-nacionale, kreditimi në terma afatgjatë, etj), nevoja për parashikime të bazuara në programe elektorale që depozitohen pranë një institucioni zyrtar ështëdomosdoshmëri. Programi ideologjik apo politik është djepi ky lind dhe rritet një program elektoral dhe ky i fundit është i konceptuar qysh në fillese të jetë një program qeverisës. Kjo është një dinamikë që duhet kuptuar drejt dhe duhet trajtuar me gjithë seriozitetin e mundshëm në KOD.

 

Për shumë më pak se kaq, subjektet “jo-politike” që kërkojnë financime (si psh operatorët e bisnesit që kërkojnë financime në banka, apo organizatat joqeveritare që kërkojnë financime tek donatorët) as nuk do të pranoheshin në tavolinën e bisedimeve pa një plan bisnesi të detajuar apo jashtë kondicionit të një projekti të mirë-argumentuar. Kurse partitë politike, të cilat kërkojnë tek e fundit të marrin pushtetin për të menaxhuar buxhetin e shtetit, janë çuditërisht të përjashtuara nga ky kusht kaq formal dhe i domosdoshëm njëkohësisht!

 

Subjektet elektorale kane paraqitur ne zgjedhjet e organizuara ne Shqiperi sjellje me tipare shume te ndryshme; nga mos paraqitja e asnjë programi te shkruar deri te hartimii programe shumefaqshe te cilat ne fund te dites eshte e veshtire t’i vlerësosh nese permbajne premtime realiste apo thjesht premtime qe synojne marrjen e votes dhe asgjë më shumë se kaq. Zgjedhësit kanë parënë këto vite jo thjesht devijim nga premtime, madje jo thjesht mos-mbajtje të tyre, por edhe ecjen në drejtim të kundërt me premtimet e dhëna nga forcat politike që kanë drejtuar vendin. Ky është padyshim një realitet dramatik dhe që nuk mund të mohohet.

 

Një zgjidhje per t’i vene fre kesaj situate dhe per t’i bërë subjektet elektorale më të motivuara për të premtuar vetëm ato që mund të bëjnë dhe për të bërë gjithshka për të realizuar ato që premtojnë mund të ishte parashikimi në KOD i detyrimit të tyre për të depozituar pranë KQZ premtimet e tyre elektorale, me pasojën e mosrregjistrimit në zgjedhje në rast të mungesës së paraqitjes së atyre premtimeve.

 

Do të ishte e logjikshme që në KOD të mos parashikohej detyrim ndaj KQZ që të përfshihej në vlerësimin e premtimeve si realiste ose jo, por vetëm që ky organ të merrte përsipër administrimin e depozitimit të tyre, si një ndër kushtet formale për rregjistrimin e subjektit zgjedhor. Në këtë stad do të ishte tepër herët të flitej edhe për kriminalizim të mos-mbajtjes së premtimeve elektorale. Kjo edhe për arsyen thjesht objektive, pasi jashtë kushtit formal të një dokumenti të shkruar do të ishte e pamundur të argumentohej shkelja e një premtimi zgjedhor.

 

Mund të parashikohet gjithsesi në KOD detyrimi i subjekteve për të depozituar premtimet e tyre elektorale të organizuar sipas një matrice të matshme, duke i bërë kështu më të lexueshme dhe të qarta për zgjedhësit, simodos ata që janë  më skeptikë apo të pavendosur. Kjo do t’i ndihmonte ata sigurisht të informoheshin se çfarë partitë premtojnë realisht dhe çfarë ato thjesht parashikojnë por nuk e premtojnë domosdoshmërisht. Një matricë e tillë mund të ishte parashikimi në KOD që subjektet t’i depozitonin premtimet elektorale të ndaranë dy kategori:

a)në kategorinë “premtime” ku do të përfshiheshin veprime konkrete të varura vetëm nga vullneti politik i subjektit elektoral siç janë vendimmarrjet legjislative apo qeverisëse në nivel qëndror apo lokal;

b)në kategorinë “parashikime” ku ato të përfshinin vetëm rezultate të pritshme nga veprimtaria legjislative apo qeverisëse si psh ulja e papunësisë, shtimi i vendeve të punës, ulja e borxhit,  etj.

 

Më pas të parashikohej në KOD që subjektet të përshkruanin kundrejt çdo premtimi apo parashikimi afatin kohor të përafërt të realizimit të një premtimi apo parashikimit përkatës.

 

Po kështu, mund të parashikohej në KOD që subjektet të depozitonin pranë KQZ veprimin e kryer politik (ligjin e miratuar, vendimin e qeverisë të marrë ) si prove e mbajtjes së atij premtimi. Një matricë e kësaj natyre ndoshta edhe më e detajuar, do t’i ekspozonte më shumë subjektet ndaj elektoratit. Ky i fundit, por edhe media dhe aktorët e specializuar jo-politike (NGO) do ta kishte më të lehtë të verifikonte nëçdo kohë premtimet elektorale nëse ato ishin mbajtur ose jo por edhe nëse ato përbënin thjesht parashikime.

 

Sugjerohet që, detyrimi për të depozituar programin elektoral të fiksohet me nen të posacëm në Kodin Zgjedhor, në Pjesa IV, ku normohet rregullat për regjistrimin e subjekteve zgjedhore. Nëse ndërhyrja zgjidhet të jetë ‘mini-invazive” atëherë rekomandohet që të shtohet një paragraf/dispozitë e posaçme në nenin 64, ndoshta pika “e” e cila të përmbajë detyrimin që subjektet zgjedhore të depozitojnë programin e tyre, sipas definicioneve të shpjeguara më sipër, si kusht apriori për regjistrimin nga KQZ si subjekt zgjedhor. Çështja e afatit të depozitimit të këtij programi mund të jetë objekt rishikimi, por ne cdo rast ajo nuk mund të jetë me vone se sa hapja e fushatës elektorale.

 

Ky material është shkëputur nga studimi për përmirësimin e Kodit Zgjedhor i realizuar nga INFOCIP, organizatë themeluese e Dhomës Zgjedhore.

 

[1]  KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,  (Ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 2.4.2015), Botim i Qendrës së Botimeve Zyrtare, Gusht 2016 file:///C:/Users/User/Desktop/Kodi%20zgjedhor.pdf

[2]Ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.7.2012

[3]http://idmalbania.org/wp-content/uploads/2016/02/Raporti-i-plote_-sondazhi_besimi-ne-qeveri_2015.pdf

[4]Neni 65 Regjistrimi i koalicioneve zgjedhore (Ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.7.2012) 1. Gjithashtu nuk bën parashikime lidhur me domosdoshmërin e paraqitjes së një programi. Konkretisht, ky nen pëercakton se: Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. 2. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.

[5]NeniNeni 61 Mbikëqyrja e hartimit të listave të zgjedhësve nga KQZ-ja (Ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012)

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim