VRASËSIT E HESHTUR TË KOMPANIVE CELULARE, ASNJË INSTITUCION NUK BËN MATJET
Nga Sami Curri – Janë afro 493 antena celulare të vendosura në Tiranë dhe afro 4000 në rang vendi, të cilat janë një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, për shkak të rrezatimit elektromagnetik që lëshojnë. Të dhënat në lidhje me numrin e tyre janë marrë nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet, në kthimin e përgjigjes për kërkesën për informacion drejtuar nga ishull.com pranë këtij institucioni.
Sipas shkresës Nr. 66, datë 21. 04. 2016, Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet, ka pajisur me akt miratimi 394 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër janë në proces vlersimi. Edhe pse ligji Nr.10 469, datë 13. 10. 2011 për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese, ngarkon Zyrën e Mbrojtjes nga Rrezatimet për kryrjen e inspektimeve të instalimeve jojonizuese që janë në këtë rast edhe antenat e kompanive celulare, për të vlersuar nëse janë konform parametrave dhe normave të lejuara; Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet, deklaron se ka bërë sondazhe në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, por ZMR nuk disponon paisje për realizimin e matjeve në terren.
Sipas ZMR-së, nuk ka një rregullore se si duhet të vendosen antenat dhe çfarë kriteresh kompanitë duhet të respektojnë për distancën, territorin etj. Por, kjo ju lihet në dorë vetë kompanive celulare që t’i vendosin atje ku ata kanë nevojë.
ZMR kërkesës sonë për të mësuar se në cilin model evropian janë të bazuar mënyra se si vendosen antenat e telefonisë së lëvizshme, deklarojnë se edhe në disa vende të BE-së nuk i kanë të rregulluara të tillë rrezatime.
Gjithashtu edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në shkresën e saj në lidhje me antenat celulare deklaron se nuk ka bërë asnjë studim mbi impaktin mjedisor të antenave celulare, pasi një gjë e tillë nuk është e mundur. Por një antenë të tillë, AKM e kishte të vendosur sipër tarracës së saj.
Përpos kësaj, Këshilli Rregullues i Territorit në Bashkinë e Tiranës, në një vendim të saj të vitit 2005, që asaj kohe drejtohej nga Z. Edi Rama, ka lejuar vendosjen e këtyre antenave edhe mbi objektet shtetërore. Këtu përfshin tarracat e shkollave, spitalet etj.
Në vitin 2005 në Shqipëri kishte vetëm dy operator të telefonisë së lëvizshme, ndërsa sot janë katër që përkthehet në dyfishimin e antenave; Operatorët janë detyruar të shtojnë më shumë numrin e tyre, për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe futjes së internetit me shpejtësi të lartë.
Në rrezatimet elektromagnetike nuk futen vetëm antenat celulare, por edhe shumë të tjera, ku nga këta përmendim edhe shtimin e pikave të WI-FI nga kompani të ndryshme që nuk janë bërë objekt kontrolli.
Për këtë çështje ka pasur edhe shqetësime nga qytetarë të ndryshëm, ku një rast që disponon ishull.com vjen nga Korça, që i është drejtuar edhe Kryeministrit për këtë problem, por që nuk ka marrë përgjigje. Personi me inicialet O.S më pas i është drejtuar Avokatit të Popullit për të marrë një përgjigje për rastin në fjalë.
Por ky nuk është i vetmi rast. Ishull.com ka mësuar se një grup banorësh në një lagje të Tiranës, kanë mbledhur firmat që më pas ja kanë dërguar edhe Bashkisë së Tiranës, ku kërkonin që të largohej një antenë e tillë e vendosur sipër një pallati, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Pyetur nga ishull.com, Eglantina Licanj, banore pranë Qytetit Studenti në Tiranë, na tregon se kompanitë celulare i kanë ofruar një shumë prej 200. 000 lekë të reja si fillim dhe 20. 000 lekë të reja çdo muaj, nëse kjo e fundit do të pranonte të vendoste antenën sipër shtëpisë së saj.
Por përpos kësaj, ajo shprehet se i kanë premtuar energji elektrike 24 orë. Nëse do të kishte ndërprerje të saj, ata do të instalonin një gjenerator që do të vihej në punë, por edhe do ta ndihmonin në legalizimin e shtëpisë, pasi nuk e kishte një gjë të tillë. Familja e saj e ka refuzuar ta vendoste këtë antenë, pasi i frikësoheshin dëmeve që mund të sillte, por edhe problemeve me banorët e tjerë të lagjes.
Banorë të ndryshëm në Tiranë dhe Durrës, pyetur nga ishull.com deklarojnë se kanë mugesë informacioni për të tillë antena dhe impaktin që mund të kenë në shëndet. Kjo sipas tyre ka ardhur, pasi të tillë antena janë vendosur mbi objektet e banimit pa marrë lejen e tyre dhe pa asnjë informacion nga kompanitë celulare. Ata shprehen se kanë dëgjuar për rrezikshmërinë e tyre, por nuk kanë një informacion më shkencor rreth asaj se çfarë flitet.
Edhe pse në një situatë të tillë, me antena mbi objektet e banimit, pa një largësi të caktuar nga njëra-tjetra, media e ka humbur rolin e saj si informuese qytetare, pasi një nga reklamuesit më të mëdhenj të saj, janë pikërisht kompanitë celulare. Duke bërë që për këtë problem të ketë heshtje dhe të mos trajtohet prej saj.
Ky shkrim eshte botuar ne portalin ISHULL.COM
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA