17 Tetor 2014 – Sot u botua në Fletoren Zyrtare, pas miratimit në Kuvend më 18 shtator 2014 ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Ky ligj, i bazuar në modelet më të përparuara të vendeve evropiane dhe atyre të rajonit, pritet të garantojë rregulla konkrete për mbrojtjen dhe shndërrimin e të drejtës së informimit në një të drejtë reale dhe lehtësisht të zbatueshme në praktikë.

“Kjo reformë më në fund e sjell ligjin për të drejtën e informimit në një nivel me legjislacionin e përparuar të rajonit dhe më tej. Ajo që mbetet për të parë është nëse reforma ligjore do t’i japë fund edhe letargjisë së klasës sonë politike në fushën e transparencës.” u shpreh Darian Pavli, drejtor programi pranë Open Society Justice Initiative.

Procesi i ndryshimit të ligjit “Për të drejtën e informimit” daton qysh prej vitit 2007, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Open Society Justice Initiative dhe Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve (QZHDI).

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros, thekson se, ky proces vlen si histori suksesi e bashkëpunimit të gjithë aktorëve të shoqërisë civile që bënë të mundur lobimin dhe garantuan përfshirjen e grupeve të interesit, si edhe e bashkëpunimit të treguar nga institucionet shtetërore, prej të cilëve pritet zbatimi në praktikë i ligjit.

Risitë kryesore që sjell ky ligj janë:

– Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr një kompetencë ekstra dhe emërtimi i tij ndryshon në “Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili vlerësohet si mekanizmi më efektiv për të siguruar zbatimin në praktikë të kësaj të drejte;
– Shkurtimin e afateve të trajtimit të kërkesës në 10 ditë duke saktësuar rastet e zgjatjes së këtij afati dhe konsideruar refuzim çdo mostrajtim të saj;
– Shtimin e kategorive të informacionit pa kërkesë, pjesë e programit të transparencës që vihen në dispozicion të publikut. Mosvënia në zbatim e këtij programi dhe mos rishikimi i tij vlerësohen si kundërvajtje administrative;
– Garantimin e aksesit në informacionin publik dhe jo vetëm njohjen me dokumentet zyrtare. Informacion publik është çdo e dhënë e regjistruar ne çfarëdolloj forme e formati i mbajtur nga autoriteti publik;
– Saktësimin e kategorive të subjekteve të detyrueshme për zbatimin e këtij ligji, duke shtuar shoqëritë tregtare ku shteti zotëron shumicën e aksioneve si edhe çdo person fizik ose juridik, që ushtron funksione publike në fusha të tilla si: arsimi, shëndetësia, energjia, telekomunikacioni e të tjera si këto;
– Krijimin e figurës së re, koordinatorit për të drejtën e informimit të caktuar në çdo autoritet publik;
– Përcaktimin në mënyrë të detajuar të veprimeve ose mosveprimeve, të cilat vlerësohen si kundërvajtje administrative, sanksionet, subjektet si dhe rastet kur informacioni mund të kufizohet, nëse është e domosdoshme dhe proporcionale në raport me dëmin që mund t’u shkaktojë disa të drejtave te tjera, duke mos i lënë shteg subjektivizmit dhe abuzimit me interpretimin e ligjit.

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim