Nga: PETRIT HALITI Serbia është në ethet e përgatitjes për pritjen, që do t’i bëjë në 16 tetor perëndisë së luftës me emrin Vladimir Putin. Ka një ekzaltim shtetëror serb për këtë ngjarje, e cila duhet t’i vërë në mendime zyrtarët e lartë europianë nga Brukseli e deri në Ballkan, për të analizuar se ku po shkon Serbia dhe ku po shkojnë marrëdhëniet e tyre me Serbinë. Presidenti rus po pritet si perëndi, pikërisht për të nderuar bëmat e tij të mëdha të luftës dhe sidomos ato të kohëve të fundit, si pushtimi i Krimesë dhe i pjesës lindore të Ukrainës. Për këtë qëllim, udhëheqja serbe po organizon në Beograd për nder të tij një paradë të madhe ushtarake, e para prej më tepër se 40 vitesh. Preteksti zyrtar është 70-vjetori i Çlirimit të Beogradit, por ky përvjetor është në datën 20 tetor. Po pritet udhëheqësi i parë i Rusisë, që nga Lufta e Dytë Botërore, që sulmon dhe pushton pjesë të territorit të një shteti fqinj, të cilin, pasi e pushton, për ironi e quan “vëlla më shumë se të tjerët”. Përtej delirit shtetëror që ka kapluar Serbinë, vizita e presidentit rus në Beograd duhet parë si një lëvizje e rëndësishme gjeopolitike e Rusisë në gadishullin ballkanik. Ambasadori amerikan në Serbi, Majkëll Kirbi, para disa ditësh ngriti pyetjen: “Përse vjen Putini në Beograd?”. Natyrisht, ambasadori amerikan ka edhe informacionin, edhe arsyet, që e shtron këtë pyetje. Ai nuk ia drejton pyetjen Rusisë. Ai ua drejton pyetjen udhëheqësve të Serbisë, të cilëve u kujtoi të vërtetën e madhe historike, të harruar nga serbët, se Beogradin e ka çliruar Armata e tretë e Ukrainës.
Përpara së gjithash, vizita e Vladimir Putinit në Beograd është një lëvizje gjeopolitike në një kundërvënie të hapur ndaj politikës dhe strategjisë së Bashkimit Europian për integrimin e Serbisë dhe të krejt rajonit. Në disa aspekte, lëvizjet e Rusisë në drejtim të Serbisë të kujtojnë ngjashmëri me lëvizjet politike dhe diplomatike, që Moska ndërmori në drejtim të Ukrainës. Natyrisht ka edhe diferenca, sepse nëse në Ukrainë Moska kishte kundërshtare qeverinë qendrore të Kievit, që erdhi në fuqi pas protestave popullore dhe dëbimit të presidentit prorus Janukoviç, në Serbi Moska ka dashurinë e pakufishme dhe gatishmërinë e shërbimit të qeverisë aktuale serbe për të ndihmuar realizimin e lëvizjeve gjeopolitike ruse. Në Serbi, nuk ka nevojë Rusia të ndërhyjë me trupa si në Ukrainë, por presionin e mban gjithnjë të lartë mbi Beogradin. Sepse, çfarë kuptimi kanë manovrat e përbashkëta ushtarake të zhvilluara në Serbi të forcave speciale ruse me forcat ushtarake serbe, pikërisht në prag të vizitës së Putinit?!
Ashtu si për Ukrainën, edhe për Serbinë po zhvillohet një duel politik, diplomatik, energjetik dhe strategjik mes BE dhe Rusisë, ku Brukseli synon ta tërheqë Serbinë në procesin e integrimit europian, kurse Moska synon ta ruajë Serbinë si aleati kryesor i politikës ruse në Ballkan. Ashtu si me Ukrainën, Rusia ka dalë hapur si kundërshtare e marrëveshjeve ekonomike dhe të tregtisë së lirë të Serbisë me Bashkimin Europian, dhe prej shumë kohësh, zyrtarët e lartë rusë kanë nisur mesazhe paralajmëruese dhe publike, se marrëdhëniet ekonomike të Serbisë me BE dhe integrimi i Serbisë në BE nuk duhet të dëmtojnë marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë. Kjo do të thotë se, sipas Moskës, ashtu si marrëveshja e tregtisë së lirë dhe e asocimit e Ukrainës me BE dëmton interesat e Rusisë, ashtu dhe marrëveshjet e Serbisë me BE krijojnë cenim të interesave ruse. Me një fjalë, Moska nuk pranon që Ukraina dhe Serbia të largohen nga sfera e saj e influencës.
Në rastin e Serbisë, kërcënimi rus i drejtohet Bashkimit Europian dhe jo udhëheqjes serbe, e cila është afishuar zyrtarisht dhe publikisht për prorusizmin e saj dhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik Rusi-Serbi. Diplomacia ruse arriti një sukses të madh në Serbi, për sa i përket qëndrimit ndaj krizës ukrainase. Ajo arriti që të krijojë çarjen dhe distancën publike të Serbisë nga politika e BE dhe është krijuar situata absurde, kur Serbia, nga një anë zhvillon bisedimet e pranimit për anëtare në BE, dhe nga ana tjetër refuzon me vendosmëri të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë. Edhe komisioneri i ri i BE për fqinjësinë e mirë dhe zgjerimin, Johannes Hahn, i përsëriti në 1 tetor thirrjet Serbisë që të bashkohet me sanksionet europiane ndaj Rusisë, dhe përgjigjja i erdhi nga ambasadori i Serbisë në Moskë, i cili në 3 tetor deklaroi se “udhëheqja serbe në mënyrë të qartë dhe të vendosur ka deklaruar se ne kurrë nuk do të bashkohemi me sanksionet kundër Rusisë”.
Presidenti rus shkon në Beograd për të konfirmuar fuqinë dhe influencën ruse në Serbi dhe për t’i thënë Brukselit se Serbia është zonë influence e Rusisë, dhe jo rastësisht në elitën politike serbe e quajnë me krenari Serbinë “Rusia e vogël apo Rusia e Ballkanit”. Vizita e Putinit është pjesë e presionit dhe e kontrollit rus mbi politikën dhe jetën e Serbisë, në kuadër të një lëvizjeje gjeopolitike për ta pasur Serbinë në krahun e interesave ruse në Ballkan dhe në Europë.
Dyshimi dhe kërcënimi më i madh, të cilit i ekspozohet interesi i BE nga marrëdhëniet ruso-serbe, është përdorimi i Serbisë në proceset integruese europiane në funksion të interesave të Rusisë në gadishullin e Ballkanit. Dukuria shqetësuese, që duhet të tërheqë vëmendjen e gjithë kryeqyteteve ballkanike, është roli drejtues në integrimet dhe në organizimet ballkanike, që Moska dhe rrjetet e saj po punojnë t’i japin Serbisë. Rritja e centrizmit politik dhe diplomatik të Serbisë në rajon, duhet parë si një përpjekje e Moskës për të pasur aleatin e saj të ngushtë si drejtues të proceseve integruese në Ballkan. Në një skenar të tillë krijohen kushtet që Rusia, nëpërmjet Serbisë, të kontrollojë dhe të menaxhojë proceset integruese rajonale. Në një mënyrë apo tjetër, kjo strategji gjeopolitike ruse do të ketë efektet e veta edhe në marrëdhëniet dypalëshe të Serbisë me secilin shtet ballkanik veç e veç. Ndaj shtetet ballkanike, që aspirojnë për anëtarësim në BE dhe në NATO, nuk mund të pranojnë dhe nuk duhet të lejojnë që të bëhen pione të një loje bizantine të Rusisë dhe të Serbisë për të qenë Beogradi qendra apo kryeqyteti diplomatik i Ballkanit. Ka një strategji konstante ruse për influencën dhe praninë e saj në Ballkan. Ajo përpiqet të jetë direkte në shtetet, që ende nuk janë bërë anëtarë të NATO-s dhe të BE, dhe indirekte në shtetet, që janë bërë anëtare të NATO-s dhe të BE. Rritja e interesimit rus shkon krahas rritjes së ndërhyrjes së Rusisë në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit. Nuk shpjegohet ndryshe deklarata kërcënuese e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, se zgjerimi i NATO-s në Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë, konsiderohet si provokacion nga Rusia. Është një mentalitet tipik imperial i Moskës, që i jep vetes të drejtën të përcaktojë politikën e jashtme të njërit apo tjetrit shtet ballkanik, por nga ana tjetër tregon një fazë të re interesimi të Moskës për rajonin tonë.
Presidenti rus shkon në Serbi, jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë Ballkanin. Serbia është instrumenti i kësaj strategjie gjeopolitike, e cila synon të neutralizojë politikat proeuropiane dhe proatlantike në Ballkan dhe t’i hapë rrugën influencës ruse. Ky është interesi rus edhe për energjinë dhe gazsjellësit, sepse shqetësimi i Moskës nuk është se çfarë do të bëhet me gazsjellësin “South Stream” në Serbi, për të cilin është siguruar nga udhëheqja serbe, por për gazsjellësin rus në gjithë rajonin. Pas vizitës së Putinit në Serbi mund të priten përpjekje për sabotimin e gazsjellësit Transadriatica, TAP, dhe Adriatiko-Jonian, IAP, jo vetëm sepse në to nuk merr pjesë Serbia, por edhe sepse ato konsiderohen rivale të politikës energjetike ruse në Ballkan dhe në Europë. Pas vizitës së Putinit në Beograd, duhen pritur krijime vatrash tensionesh të reja në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Kosovë, pra në shtete ku planifikohet anëtarësimi në NATO. Në Bosnjë-Hercegovinë Moska e ka detonatorin e shpërthimit me “Serpska Republikën”, presidentin separatist të së cilës e ka ftuar posaçërisht ta takojë Putini në Beograd. Ndërsa për shtetet e tjera do të vërë në lëvizje lobet e fuqishme serbe, që dominojnë në jetën politike dhe ekonomike të atyre vendeve.
Përvoja e sjelljes europiane në çështjen e Ukrainës shtron pyetjen nëse do të jetë në gjendje diplomacia europiane t’i dalë përpara kundërlëvizjes gjeopolitike, që presidenti rus po ndërmerr në Serbi. A do të vazhdojë diplomacia europiane me sjelljen amorfe sikur nuk po ndodh asgjë në Serbi, sikur pranimi zyrtar i integrimit europian do ta largojë Serbinë nga Rusia dhe, për më keq, a do të vazhdojë t’i japë Serbisë rol qendror në proceset integruese dhe në organizimet rajonale? Diplomacia europiane ka një defekt të madh gjenetik në politikën e saj ballkanike, që e pengon të shohë se çfarë ka dhe çfarë lëviz brenda politikave bizantine ballkanike. Ky defekt është nostalgjia e trashëguar nga shekulli i kaluar për ish-Jugosllavinë, gjë që e bën diplomacinë europiane të punojë sot me modele të së shkuarës në Ballkan. Dhe mosreflektimi ndaj kësaj, që po zhvillohet në marrëdhëniet ruso-serbe para syve të Ballkanit dhe të Europës, mund të bëjë që Serbia t’i plasë në dorë Bashkimit Europian, njëlloj si Ukraina.

 

Marre nga Balkanweb

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim