Z. Shella, Qendra që ju drejtoni, INFOÇIP, ka mbajtur para ca ditësh qëndrimin e saj lidhur me vjedhjen e parave në Banken e Shqipërisë. Ndryshe nga kolëgët tuaj në shoqërinë civile, ju këni vendosur theksin tek përgjegjësia e bordit mbikqyrës. Pse ky qendrim?

Më lejoni se pari të shpreh përkrahjen për gjithë angazhimin e palodhur të shoqërisë civile pas shpërthimit të skandalit në Bankën e Shqipërisë. Mbledhja e firmave për shkarkimin e Fullanit është një verbalizim i zemëratës së thellë deri në dëshpërim që ka krijuar kjo mega-vjedhje. Pavarësisht efikasitetit të një instrumenti të tillë për largimin e atij që perceptohet si përgjegjegjës për këtë vjedhje (Fullanit), formalizimi i kësaj zemërate është një veprim që vetëm meriton të përgëzohet dhe pse jo, të reflektohet edhe në veprimet e mëtejshme që mund të pasojnë nga Qeveria apo, në instancë të fundit, nga Kuvendi.

Qasja jonë në fakt shkon më tej: ne kemi kërkuar që para përgjegjësisë të vihen anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të BSH. Qëndrimi ynë derivon nga një lexim i kujdesshëm i ligjit 8269 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.  Konkretisht, 16 nga 18 nene gjithsej qe përmban kreu VI  “Organizimi dhe Drejtimi i BSH”, normojnë detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Mbikqyrës.

NENI 41, me të cilin fillon ky kre i ligjit, e thotë qartë seBanka e Shqipërisë organizohet, drejtohet dhe kryen veprimtarinë e saj nëpërmjet Këshillit Mbikëqyrës, administratorëve, që janë guvernatori dhe dy zëvendësguvernatorët, si dhe personelit, siç përcaktohet në këtë ligj.”

Po ashtu, NENI 42 përforcon akoma më tej supremacinë e Këshillit mbi Guvernatorin duke e shprehur qartë se Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimarrës dhe mbikëqyrës i politikave,i administrimit dhe i operacioneve të Bankës se Shqipërisë”.

Ligji, me gjithë difektet serioze që ka, specifikon detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit, duke i lënë guvernatorit vetëm kompetenca të cilat “ligji nuk ia njeh/specifikon më parë Këshillit” (neni  53/4). Këshilli madje, me shumicën e të gjithë anëtarëve mund ti propozojë Kuvendit shkarkimin edhe të vetë Guvernatorit (neni 47/2), i cili është në thelb një CEO, në kuptimin më standart të fjalës.

 

INFOCIP në fakt ka qenë eksplicit në kërkesën për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, Prof. Dr. Dhori Kule. Pse pikërisht ky?

Është e vërtetë, ne kemi dorëheqjen e tij, pasi ky, duke qenë njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës (grupi i PD) ka vepruar haptazi në shkelje të kufizimeve që cakton pika “d” e nenit 47 të këtij ligji.  Kjo është një shkelje aq evidente, sa edhe personi në fjalë nuk ka tentuar fare ta përgënjështrojë, madje as figura të larta të politikës që kanë komentuar këto ditë skandalin nuk e kanë mohuar faktin.

Ne i kemi sugjeruar atij të zgjedhë të jetë ose Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës ose Këshilltar i PD në Parlamentin e qytetit të Tirënës (Këshilli Bashkiak). Nëse ai zgjedh këtë të dytën, atëherë ai duhet të ktheje mbrapsht në arkën e BSH të gjitha shpërblimet e përftuara teksa ka ushtruar këtë funksion në mirëbesim, por gjithsesi në shkelje të ligjit. Sipas nenit 45/2 të ligjit 8269 “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma totale e shpërblimit (që duhet të kthehet) përcaktohet duke përfshirë shpërblimin e punës (pagën), shpërblimet suplementare, si dhe kompensimet monetare ose jo monetare, përfshirë shëndetin, studimet pasuniversitare, kalimin e kohës së lirë ose përfitime për banesë. Në rast të kundërt, i kërkohet Qeverisë që, në përputhje me kerkesat e nenit 47 të ligjit 8269 të ndryshuar, të nisë me urgjencë procedurën e pezullimit të Dhori Kules nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të BSH. Prokuroria gjithashtu duhet të vlerësojë nëse kemi të bëjmë edhe me element të shpërdorimit të detyrës nga Dhori Kule, i cili ka precedentë abuzimesh serioze të faktuara qartazi nga KLSH.

NENI 75 i ligjit për BSH përcakton shprehimisht seÇdo shkelje e dispozitave të këtij ligji nga ndonjë bankë, agjenci këmbimi valutor, person, nëpunës apo subjekt tjetër juridik ose fizik, do të konsiderohet si kundërvajtje dhe dënohet sipas ligjit “ Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë” . Ne si organiatë që mbikqyrim sistematikisht zbatimin e ligjeve, kërkojme as më shumë as më pak edhe zbatimin e kësaj dispozite në rastin e anëtarit Dhori Kule (shfuqizimi i ligjit të fundit, nuk e pengon konstatimin e kundravajtjes)

Dua të shtoj këtu se promovimi i tij në majën e kupolës financiare të vendit, është po aq irritues sa edhe fshirja e ballit me 500-euro nga djali i guvernatorit, apo koleksioni i orave që ai reklamon. Nuk duhet të harrojmë se ai ka demostruar që nuk ishte fare “ekonomik” kur bleu me para publike në vitin 2012 një benc të përdorur për 50 mijë USD, teksa i ri fringo, me 0 Km, benci i tij mund të lihej për vetëm 30 mijë USD (sipas KLSH).Nëse nuk është kështu, atëherë mbetet të themi se rektori i UT ka “hoby” të abuzojë me paratë publike. Siç dikush ka hoby të koleksionojë orë të shtrenjta. Në të dyja rastet, ai është i padenjë për të mbajtur postin që ka në BSH.

 

Ju thoni që ligji ngarkon me përgjegjësi Këshillin Mbikqyrës, dhe më pak Guvernatorin për abuzime brenda Bankës. Po a është vetë ligji i BSH një instrument garantues i besueshëm?

Ligji 8269, datë 23.12.1997 “PËR BANKËN E SHQIPËRISË” është ndryshuar dy herë; në të dyja rastet, ndryshimet nuk janë substanciale, por kryesisht rregullime termash. Pra, ligji në fjalë është praktikisht një ligj i shekullit të kaluar. Të flasësh sot për skandalin në BSH pa analizuar nevojën për përmirësime ligjore, do të ishte mungesë përgjegjshmërie. Pa përmirësime ne ligj, nuk mund të garantohet se nesër, ndoshta me persona të tjerë në kupolën e BSH, nuk do të kemi sërish abuzime që pasohen nga mos-marrja e përgjegjësive.

Për tu kthyer në thelbin e pyetjes suaj, ligji, përveçse anakronik, është i mbushur me absurditete. Ai nuk ofron asnjë garanci për mire-menaxhim të Bankës. Nuk habitem që nga kjo e fundit është vjedhur flori më pare, e tashme kartmonedhat, nuk habitem që bordi merr paga stratosferike dhe, kur ndodh gjëma, nuk mban fare përgjegjësi… (përkundrazi, mund të ndodhë që guvernatorët edhe të promovohen kur floriri apo kartmonedhat vidhen nën hundën e tyre).

 

A mund të jeni me specifike në këtë drejtim. Përse ju mendoni se ligji ka absurditete. Cila është analiza e INFOÇIP?

Do mundohem atëherë shkurtimisht të rendis disa nga “çudirat” e ligjit 8269 të ndryshuar. Neni 4, pika “a” i përcakton shprehimisht se: “Banka e Shqipërisë: nuk jep ndihmë financiare në formë kredie, huaje të drejtpërdrejtë ose donacioni; nuk jep kredi ose hua të kushtëzuar, nuk blen kredi ose hua, nuk merr pjesë si kreditore solidare ose në instrumentet e tjera të detyrimeve, si dhe nuk subvencionon borxhet ose detyrimet e kushtëzuara të çfarëdolloj forme që të jenë;”

Pika 2 e të njëjtit nen (4) e përbys krejtësisht këtë rregull të përgjithshëm, teksa përcakton se: “Pavarësisht nga dispozitat e pikës 1 të këtij neni, Bankës së Shqipërisë i lejohet: a) të krijojë fondet e pensionit për personelin, të bëjë marrëveshje të ngjashme në përfitim ose në mbrojtje të punonjësve të saj, si dhe të kontribuojë në koston e barazvlefshme të këtyre marrëveshjeve;

b) të japë kredi çdo punonjësi të saj për përmirësimin e kushteve të jetesës në shumat dhe kriteret e përcaktuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës se Shqipërisë.

Ok, le ta zeme se duhet të ketë një përjashtim lidhur me stafin, pra që ata të jenë të privilegjuar (përjashtuar) ndaj urdhërimeve të përgjithshme të këtij ligji. Por, diku më poshtë, ligji na përball me një tjetër kontradiktë. Neni 16, në pikat 1 dhe 2, përcakton sa më poshtë:

1. Banka e Shqipërisë u jep bankave që kanë llogari në regjistrat e saj, kredi me afate dhe kushte që përcaktohen prej saj, por me afat kohor jo më të gjatë se 92 ditë….

2. Për bankat nën kujdestari, mbështetur në ligjin “ Për sistemin bankar në Republikëne Shqipërisë” , Banka e Shqipërisë mund të japë kredi që janë të pagarantuara ose qëmund të garantohen me mjete të tjera, me kushte dhe afate të paracaktuara ngaBanka e Shqipërisë, por vetëm kur, sipas gjykimit të kësaj të fundit, dhënia e kredisë është e nevojshme për rastet e veçanta, me qëllim që të ruajë integritetin e sistemit bankar.

Pra, BSH, e cila e ka ndaluar të japë kredi sipas nenin 4 të saj, në nenin 16 lejohet të japë kredi bankave e nivelit të dytë….dhe sigurisht, e thamë më sipër, edhe personelit të saj ?! Vazhdojmë më tej; NENI 30, pika 1 thotë shprehimisht se: Banka e Shqipërisë nuk i jep kredi ose hua apo ndonjë kontribut financiar tjetër Qeverisë së Republikës të Shqipërisë ose ndonjë prej subjekteve të saj shtetërore, drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt….” Dhe menjeherë më poshtë, në të njëjtin nen, pika 2 e tij, absurditeti shfaqet sërish: “Banka e Shqipërisë, brenda kufijve të parashikuar në këtë nen, mund t’i japë kredi ose hua Qeverisë së Republikës të Shqipërisë me maturime, të cilat nuk kalojnë gjashtë muaj.”

Absurditeti dhe papërcaktueshmëria vijon më tej në paragrafët e të njëjtit nen, ky pika 5 hedh poshtw pkwn 4:

4. Në asnjë rast shuma kryesore e kredisë ose huasë së disbursuar dhe pjesa e padisbursuar e kredisë ose huasë së Bankës të Shqipërisë dhënë Qeverisë të RSH nuk duhet të kalojë vlerën pesë për qind të mesatares vjetore të të ardhurave të buxhetit të Qeverisë së RSH për tre vitet e fundit financiare paraardhës….

5. Pavarësisht nga sa më sipër, Banka e Shqipërisë mundet që në rrethana të jashtëzakonshme, me akt të vecantë të tejkalojë përkohësisht kufijtë e parashikuar nE paragrafin 4 të këtij neni……

Edhe NENI 31, i cili pason, është sërish një kontradiktë, për të mos thënë një absurd, që kundështon hapur urdhërimet e nenit 30, për nivelin 4 % apo 8 %, konkretisht: “Pavarësisht nga dispozitat e nenit 30 të këtij ligji, Banka e Shqipërisë mund t’i jape Qeverisë së RSH kredi ose hua, me afate dhe kushte sipas marrëveshjes ndërmjet palëve, mbi kufirin e caktuar për pagesat që rrjedhin nga anëtarësia e Shtetit në një organizatë ndërkombëtare…”???!!!!

Pra BSH ndalohet me ligj të japë kredi apo hua, por ajo mund t‘i jepë kredi Qeverisë dhe organeve të saj…dhe sigurisht  bankave të nivelit të dytë, punonjësve të saj, anëtarve të Bordit Mbikqyrës… Është evidente se ajo duhet të ishte një përjashtim është në fakt rregull, dhe ajo që duhet të ishte rregull, është de-facto një përjashtim…KY ËSHTË NJË ABSURDITET, LIGJI KONTRADIKTON VETVETEN VAZHDIMISHT !

Absurdi vijon pothuajse në cdo nen të ligjit sa i takon (mos) dhënies së kredive. Neni 55, pika 1 thotë: Gjatë marrëdhënieve të punësimit në Bankën e Shqipërisë, personeli i saj nuk mund të përfitojë ndonjë kredi ose hua te ndonjë subjekt tjetër, përveç rasteve kur Banka e Shqipërisë vendos ndryshe”. Pra edhe nuk mund të marrë, edhe mund të marrë nëse BSH do; kjo është qesharake!

 

Z, Shella, me një ligj të tillë është e vështirë të thuash cfarë është e ndaluar dhe cfarë është e lejuar për BSH, në një farë mënyrë të krijohet përshtypje se edhe vetë Këshilli Mbykqyrës nuk mund të caktojë do një standart mbikqyrjeje se çfarë është e lejuar dhe cfarë është e ndaluar..

Mund ta thoni edhe këtë, por le të shohim edhe disa absurditete të tjera që mbart ligji, edhe kur vjen fjala tek Këshilli Mbikqyrës. Ky i fundit, sipas nenit 45/2, vendos për shpërblimin e anëtarëve të tij. Ky është një konflikt i hapur interesi. Si mundet që akoma të ekzistojë koncepti që “rrogën time e caktoj vetë”. Është llogjikë infantile e tipit “topi është I imi, penalltinë e gjuaj vetë”…Dhe jo vetëm rrogën, por shpërblimet suplementare, si dhe kompensimet monetare ose jo monetare, përfshirë shëndetin, studimet pasuniversitare, kalimin e kohës së lirë ose përfitime për banesë. (pika 2 e nenit 45). Kjo është ABSURDE!!!!

Madje, kjo bëhet edhe më absurd po të lexosh dispozitat e nenit 51 për konfliktin e interesit në vendimarrjen e Këshillit Mbikqyrës: Pika 1 e këtij neni thotë “Që në momentin e pjesëmarrjes në Këshillin Mbikëqyrës dhe për çdo vit e më pas, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të deklarojnë pranë Këshillit Mbikëqyrës plotësisht interesat e tyre tregtare që ata ose anëtarët e tjerë të familjes mund të kenë, drejtpërdrejt ose tërthorazi….” Kurse pika 2 vijon: Kurdoherë që shtrohen për diskutim në Këshillin Mbikëqyrës çështje në lidhje me këto interesa, anëtari që ka lidhje me çështjen duhet të deklarojë interesat e tij (saj) në fillimin e diskutimit dhe nuk do të marrë pjesë në diskutimin dhe vendimin mbi këtë çështje. Prania e këtij anëtari nuk do të llogaritet për efekt të pjesëmarrjes në mbledhje”.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është: si ka mundësi që anëtarët e Këshillit marrin shpërblime dhe kredi të majme me interesa të ulëta (0.5%, sikurse ka deklaruar media këto ditë), kur në fakt ata nuk lejohet të votojnë për këtë çështje. Pasi, nëse kanë marrë kredi, ata kanë votuar për veten e tyre, cka e bën të jashtëligjshëm këtë vendim, përveçse në rastet kur kreditë janë dhënë “one step at a time” për cdo anëtar…Kjo e bën akoma dhe më absurde gjithë situatën në Këshillin Mbikqyrës…

Absurdi ligjor vazhdon më tej. NENI 57, pika 3, thotë: Asnjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, drejtues ose personel i Bankës së Shqipërisë nuk duhet të pranojë ndonjë dhuratë a kredi për veten e tij ose në emër të çdo personi me të cilin ai ka lidhje familjare, veprimtari tregtare a financiare, në qoftë se pranimi në këtë rast mund të rezultojë me uljen e përkushtimit të nevojshëm ndaj detyrave të tij në Bankën e Shqipërisë”.

Pyetja ime është: si matet nga BSH ulja e përkushtimit. Cila është masa që përdoret për të indikuar që dikujt në Këshillin Mbikqyrës i është ulur…përkushtimi. Po nëse anëtari i Këshillit provon se marrja e kredisë ia ka ngritur…përkushtimin, a mund të pranojë dhurata apo kredi ?! (ka shumë më tepër mundësi që dhuratat apo huatë me interes 0.5% ta rrisin përkushtimin dhe jo ta ulin atë)…Pra kjo e le krejt të hapur shtegun për të marrë më shumë, bazuar tashmë në parimin: “sa më shumë dhurata, aq më shumë përkushtim ndaj BSH”. Nuk është çudi që kur të verifikohen deklaratat e pasurisë së anëtarve të Këshillit Mbikqyrës, të rezultojnë më shumë dhurata të marra, pasi kjo rrit përkushtimin e tyre ndaj BSH…dhe është mëse normal ta bësh një gjë të tillë me këtë ligj absurd. Ligji aktual ka edhe shumë kontradikta apo paqartësi të tjera, por që s’mund të ndalemi për t’i analizuar një nga një të gjitha në këtë intervistë.

 

Z. Shella, pra ju mendoni se ligji duhet ndryshuar detyrimisht. Atëherë, pse duhet kërkuar deri dorëheqja e anëtarve të Këshillit Mbikqyrës, ajo e guvernatorit, cka do të mërrte kohë mbi 3 apo katër muaj sipas vetë përcaktimeve që bën ligji, dhe most të bëhet një ligj i ri, ku përmes këtij instrumenti, të bëheshin edhe ndryshimet e nevojshme ?

Ju faleminderit për këtë pyetje. Është shumë e rëndësishme të theksoj në përgjigjen time nevojëm për përmirësime ligjore, ndoshta edhe të draftimit të një ligji të ri, kur të renditeshin qartë të drejtat dhe përgjegjësitë e atyre që drejtojnë BSH. Në fakt, do të duhej një ligji i ri, në gjykimin tim.  Insistimi i aktorëve të politikës për të vepruar përmes instrumentave të ligjit ekzistues, pa theksuar paralelisht nevojën për përmirësim të ligjit organik të BSH është për t’u parë me dyshim. Nëse ndërrohen njërëzit, dhe jo ligji, atëherë asgjë nuk garanton se në vjedhjen e rradhës dikush do të mbajë përgjegjësi në majën e piramidës së BSH, ashtu sikurse do ta kërkonte serioziteti i punës në nivele të tilla ku garantohet literalisht paraja e shqiptarëve. Unë do t’i sugjeroja Kuvendit të njohë edhe përgjegjësitë e veta sa i takon ligjit ekzistues, që ai vetë ka miratuar për BSH. Është në përgjegjësinë e tij të adresojë problematikën e shfaqur me normativa të reja, që garantojmë më mirë dhe identifikojnë qartë përgjegjësitë e gjithsecilit në rast vjedhjesh apo shpërdorimesh financiare  brenda këtij institucioni kaq të rëndësishëm. BSH nuk mund të vijojë akoma të veproje me nje ligj të shekullit të kaluar.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim