Institucioni që kontrollon pasurinë e zyrtarëve shtetërore i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë që në muajin mars të këtij viti rezultatet e kontrollit të ushtruar mbi deklaratat e interesave privatë të Arjan Qafës, inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gazeta Shqip ka siguruar shkresën e ILDKPKI-së, që ka mbërritur në zyrën e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, ndërsa citon se ky zyrtar ka fshehur qindra mijëra euro, që nga viti 2003 deri në vitin 2011. “Subjekti ka fshehur pasurinë, ka bërë deklarim të rremë të interesave e tij private dhe burimeve të krijimit të tyre. Ai ka konsumuar elementët e veprës penale ‘fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë’”, thuhet në këtë dokument. Sipas të dhënave, rezulton se Qafa ka bërë deklarim të rremë për rreth 150 mijë euro dhe 6 milionë lekë.

Deklarimet ndër vite

ILDKPKI-ja ka bërë një analizë të të gjitha deklarimeve të zotit Arjan Qafa. Sipas saj, në deklaratën “para fillimit të detyrës” Qato ka deklaruar një tokë bujqësore 6000 metra katrorë, me vlerë 600 mijë lekë në fshatin Gjorm të Kurbinit. Në vitin 2004 ka deklaruar depozitë bankare me vlerë 4.000 USD, ndërsa kontrollet e mëvonshme rezultuan se nuk konfirmohet asnjë llogari në këtë vit për Qafën.

Në vitin 2005 ka deklaruar dhuratë nga vëllai, Dritan Qafa në shumën 2.000 euro, pa dokument noterial, si dhe dhuratë nga motra Vjollca Kola në shumën 1.500 euro, pa dokument noterial. Në vitin 2006 ka deklaruar dhuratë nga motra Vjollca Kola në shumën 1.000 euro, ndërsa në vitin 2007 ka deklaruar gjendje kesh në shumën 700.000 lekë krijuar nga kursimet e pagës dhe gjendje në shumën 8.000 euro, dhuratë nga 2 motrat dhe vëllai, emigrantë (secila motër nga 2.500 euro dhe 3.000 euro vëllai).

Në vitin 2008 Arjan Qafa ka deklaruar tokë-pyll me sip. 1000 metër katrorë me vlerë 200.000 lekë, në Malin e Shëngjinit, kursime në gjendje kesh në shumën 794.664 lekë, me burim pagën e vitit 2008, si dhe dhuratë nga motrat dhe vëllezërit emigrantë me rastin e martesës në shumën 16.000 euro, kursyer 13.000 euro. Bashkëshortja Klodjana Qafa, te formati “Deklarimi i interesave private” të vitit 2008 ka deklaruar pasuri të luajtshme në vlerën 70.000 euro, me burim nga puna e saj në vitet 2000-2008, si dhe dhuratë nga vëllai, motra dhe prindërit me rastin e martesës, në shumën 10.000 euro, e cila është pronë e saj.

“Vlera prej 70.000 euro sipas deklarimit të bërë nga bashkëshortja është përfituar si rezultat i punës part-time si shitëse në një dyqan rrobash për periudhën 2004-2008, si mësuese në shkollën e mesme Balldre – Lezhë për periudhën shtator 2004 – shtator 2008. Po në këtë periudhë ka deklaruar se ka punuar part­ time me personin fizik, Eduart Përnokaj (vëllai) si bashkëpronarë në një videotekë”, thuhet në dokument. ILDKPKI-ja ka verifikuar në tatime se vetëm vëllai i saj ka qenë i regjistruar. Ka rezultuar se pronar dhe i punësuar i vetëm i aktivitetit është Eduart Përnokaj dhe nga viti 2006 deri në vitin 2008 të ardhurat vjetore janë në vlera të tilla që nuk mund ta justifikojnë shumën prej 70.000 euro për motrën e tij, Klodjana Qafa. “Deklarimi i shumës prej 70.000 euro nuk justifikohet me të ardhurat e realizuara për periudhën 2000-2008, për rrjedhojë deklarimi i subjektit është i rremë. Gjithashtu, edhe burimi i kësaj shume është i dyshimtë dhe jo ligjor”, thotë ILDKPKI-ja.

Ndërkohë, në vitin 2009 Qafa ka deklaruar se i ka dhuruar nënës së tij 2000 metra katrorë truall, gjendje kesh 800.000 lekë me burim kursimet nga paga dhe dhuratë në shumën 4.000 euro me rastin e ditëlindjes së vajzës. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar dhënie huaje në shumën 5.000.000 lekë me kontratë huaje. Në vitin 2010 ka deklaruar prenotim shtëpie në vlerën 40.000 euro me burim paratë e kursyera nga paga në vite. I është shtuar gjendja kesh në shumën 1.089.686 lekë, me burim pagën e kursyer në 2010 dhe konkretisht 490.224 lekë si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Dibër dhe 599.462 lekë si inspektor në KLD. Ka deklaruar dhuratë në shumën 3.000 euro me rastin e ditëlindjes së vajzës, me burim 2.000 euro nga vëllezërit dhe motrat e subjektit dhe 1.000 euro nga vëllezërit dhe motrat e bashkëshortes.

“Lidhur me apartamentin e deklaruar, pa adresë dhe asnjë të dhënë tjetër, subjekti ka paraqitur si dokumentacion provues kontratën e sipërmarrjes, si dhe mandatpagesën e shumës 40.000 euro duke argumentuar se si burim janë përdorur të gjitha të ardhurat ndër vite dhe dhuratat e bëra nga vëllezërit dhe motrat e tij… Në sqarimin e datës 25.11.2011 drejtuar ILDKPKI-së, subjekti ka deklaruar se banesa është prenotuar te shoqëria ndërtuese “G…”, por godina është në ndërtim dhe e paregjistruar në ZRPP. Marrëveshja është lidhur verbale dhe në kushte mirëbesimi. Subjekti ka bërë deklarim të rremë për faktin se referuar kontratës rezulton që ajo është lidhur në datën 11.03.2010, datë në të cilën ka kryer edhe pagesën prej 40.000 euro. Gjithashtu, subjekti ka fshehur edhe prenotimin e vendparkimit”, thotë inspektorati.

Në deklaratën e vitit 2011 ai ka deklaruar kursime kesh në vlerën 600.000 lekë me burim nga kursimet nga paga e tij në KLD. Shtuar gjendja kesh 200.000 lekë nga paga e bashkëshortes, si dhe dhuratë në shumën 1.000 euro nga të afërmit. Ndërkohë që në këtë vit i është shtuar gjendja kesh e bashkëshortes në vlerën 1.200.000 lekë nga përqindjet e huas.

 

Fshehu qindra mijëra euro

Inspektorati që kontrollon pasurinë thotë se për periudhën 2003 – 2011 Arjan Qafa ka deklaruar në vazhdimësi dhurata nga vëllezërit dhe motrat, të cilat në total arrijnë në vlerën 37.000 euro. Kjo shumë ka shërbyer si burim për pronotimin e apartamentit në vlerën 40.000 euro. Subjekti ka paraqitur në Inspektoratin e Lartë deklaratë noteriale për shumën 15.500 euro dhe deklaratë personale me faks për shumën 6.500 euro, kurse për pjesën tjetër nuk disponon dokumentacion. Mungesa e dokumentacionit provues, justifikues, lidhur me dhuratat e bën të rremë dhe të dyshimtë vërtetësinë e deklarimeve të subjektit. “Nga korrespodenca me bankat dhe institucionet financiare që kryejnë dërgesat apo transfertat ndërkombëtare nuk konfirmohet të jetë kryer asnjë derdhje në emër të subjektit apo bashkëshortes së tij. Gjithashtu, shuma prej 70.000 euro si gjendje kesh e deklaruar nga bashkëshortja e subjektit, me burim të pa justifikuar, duke shërbyer më pas për huadhënie në vlerën 5.000.000 lekë, bëhet edhe më e dyshimte kur gjendja kesh është shtuar edhe me 3.000.000 lekë vetëm për 3 vjet nga interesat!” thuhet në dokumentin e Inspektoratit, i cili vijon se Qafa ka fshehur edhe disa llogari bankare mijëra euro.

 

Konstatimet

1. Fshehje e depozitës në shumën 1.000.000 lekë

2. Fshehje të llogarisë rrjedhëse në shumën 2.400 euro

3. Mosdeklarim të llogarisë së pagës në disa vite

4. Deklarim të rremë për dhuratat në vlerën 37.000 euro, të cilat i ka disponuar kesh dhe më pas kanë shërbyer si burim për blerje apartamenti

5. Deklarim i rremë dhe mungesë e burimit ligjor financiar të vlerës prej 70.000 euro të deklaruar nga bashkëshortja si gjendje kesh në deklarimin e interesave private të vitit 2008

6. Deklarim i rremë për gjendjen kesh të deklaruar nga bashkëshortja në shumën prej 5.000.000 lekësh, e cila është përdorur si huadhënie

7. Lidhur me kontratën e sipërmarrjes për prenotimin e apartamentit me vlerën 40.000 euro, subjekti ka paraqitur të dhëna kontradiktore në ILDKPKI dhe rrjedhimisht deklarimet e tij janë të rreme.

8. Subjekti ka fshehur deklarimin e vendparkimit të prenotuar në vitin 2010.

 

Nga Sokol Çobo

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim