Mësimet e Snowdenit për transparencën e pushtetit
Në muajt e fundit kemi mësuar shumë gjëra të rëndësishme për pushtetin e shtetit dhe forcat që përcaktojnë politikën e tij, por edhe një temë të lidhur ngushtë: konceptin e errët dhe të paqartë të transparencës. Natyrisht, merita i takon dokumentave të survejimit të National Security Agency (NSA) që u bënë të njohur prej luftëtarit kurajoz për lirinë e informacionit, Edward J. Snowden.
Dokumentat, e rimarrë dhe përmbledhur nga Glenn Greenwald në librin “No place to hide” zbulojnë një projekt të jashtëzakonshëm për të vendosur para ekranit gjigand të shtetit informacione thelbësorë për këto që ndodhet në rrezen e aksionit, që praktikisht nënkupton këdo që është pjesë e jetës moderne digjitale. Edhe profetët më antiutopikë të një të ardhmeje totalitare nuk e kanë menduar kurrë një projekt kaq ambicioz. Eshtë domethënës fakti që ky projekt u realizua pikërisht në një prej vendeve më të lirë të botës dhe në shkelje totale të kushtetutës, e cila i mbron qytetarët nga “kërkimi dhe konfiskimi i paarsyeshëm” dhe garanton privatësinë e “personit, shtëpisë, dokumentave dhe sendeve personale”. Pavarësisht përpjekjeve të juristëve të qeverisë amerikane, është epamundur që të pajtosh këta parime me atë që ka dalë zbuluar prej dokumentave.
Eshtë gjithashtu mirë të kujtojmë se mbrojtja e të drejtës së privatësisë ka qenë një prej shkaqeve të revolucionit amerikan. Në shtatëqindën tirani ishte qeveria britanike, e cila i rezervonte vetes të drejtën që të futej në jetën private të kolonëve. Sot është vetë qeveria amerikane që e merr këtë të drejtë. Mbretëria e Bashkuar mban një një pozicion që i shtyu kolonët të rebeloheshin, edhe pse nuk është më fuqia më e madhe e botës. Në bazë të dokumentave të nxjerra nga Snoëdeni, The Guardian ka zbuluar se Londra i ka kërkuar NSA-së amerikane që “të analizojë dhe ruajë numrin e celularit dhe të faksit, adresën e postës elektronike dhe adresën e internetit (IP) të çdo qytetari britanik që futet në rrjet”.
Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të pjesës tjetër të botës do të jenë të lumtur të mësojnë që, sic tregon Greenëald në librin e tij, NSA-ja përgjon vazhdimisht router-ët, server-at dhe pajisje të tjera që eksportohen nga SHBA, për t’u vendosur atyre instrumenta survejimi. Kjo teorikisht nënkupton që cdo gjë që ne shkruajmë në kompjuterin tonë, mund të përfundojë në bankën e madhe të të dhënave të Obamës në Utah.
Shtëpia e Bardhë dëshiron të shkatërrojë themelet e lirive civile edhe në mënyra të tjera. Parimi i prezumimit të pafajësisë, i cili buron që në kohët e Magna Cartas tetëqind vjet më parë, tashmë është harruar. Kohët e fundit, New York Times ka rrëfyer “ankthin” e një gjykatësi federal, i detyruar që të vendosë për ushqimin e detyruar të një burgosuri sirian në grevë urie. Por fakti që ka qenë i mbyllur për 12 vjet në Guantanamo, pa një proces gjyqësor bashkë me viktima të tjera të liderit të botës së lirë i cili rezervon të drejtën të burgosë dhe torturojë pa formuluar akuza, nuk i ka shkaktuar asnjë çikë “ankth”.
Këta zbulime na ftojnë të reflektojmë mbi faktorët që përcaktojnë vendimet e qeverisë. Ideja e pranuar përgjithësisht është se qëllimi parësor i politikës është që të garantojë sigurinë e vendit dhe ta mbrojë nga armiqtë. Kjo ngre dy pikëpyetje: sigurinë e kujt, dhe mbrojtjen nga cilët armiq? Përgjigjet për këto pyetje dalin dramatikisht prej zbulimeve të Snowdenit. Politika garanton sigurinë e autoritetit të shtetit dhe të grupeve të pushtetit në nivel shteti, duke i mbrojtur nga një armik i brendshëm i tmerrshëm: qytetarët, që nëse nuk kontrollohen mund të shndërrohen në një armik të madh. Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, pushteti ekonomik dhe politik duhet të qëndrojë i fshehur, ndërkohë që armiku duhet të ekspozohet tërësisht para kontrollit të shtetit.
Ky parim është ilustruar në mënyrë shumë të mprehtë nga politologu Samuel P. Huntington, sipas të cilit “pushteti është i fortë për sa kohë që mbetet në hije. Nëse del në dritën e diellit, nis të avullojë”.
Huntingtoni jep një shembull domethënës: “Ndonjëherë, për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake është e nevojshme të japim përshtypjen sikur po luftojmë kundër Bashkimit Sovjetik, siç po bëjnë Shtetet e Bashkuara që prej kohës së Doktrinës Truman”, në fillimet e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1981, kur Huntingtoni shkruante këto fjalë profetike, administrata Reagan po niste luftën e saj kundër terrorizmit, e cila shumë shpejt do të shndërrohej në një luftë brutale fillimisht në Amerikën Latine dhe më pas në Afrikën e Jugut, Azi dhe Lindjen e Mesme. Që atëherë, për të justifikuar ndërhyrjet jashtë dhe represionin brenda, shteti është përpjekur të na bëjë të besojmë se po luftojmë kundër terroristëve, lordëve të drogës, mullahëve dhe armiqve të tjerë hipotetikë.
Parimi themelor është gjithmonë i njëjti: pushteti nuk duhet të ekspozohet në dritën e diellit. Snowdeni u bë krimineli më i kërkuar i botës për arsye se nuk e kuptoi këtë koncept: transparenca duhet të jetë totale për qytetarët, por jo për të pushtetshmit që duhet të mbrohen nga ky armik i frikshëm.
Përshtatur në shqip nga bota.al
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA