Në datën 3 Gusht 2013, Këshilli Bashkiak i Tiranës kapërceu limitin ligjor prej tre muajsh rradhazi pa u mbledhur, duke konsumuar kështu rrethanën ligjore të parashikuar për vet-shpërndarjen e tij. Nenit 31, pika 8, ne ligjin 8652 “ PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QEVERISJES VENDORE“ përcakton shprehimisht se “Kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë“.

Mbledhja e fundit e datës 3 Maj, më shumë se sa u mbajt, u improvizua nga keshilltarët e PS-LSI jashtë sallës së mbledhjeve, pasi kryetari i këshillit deri në atë moment, Njazi Kosovrasti (PD) nuk pranoi kërkesën e këshilltarëve të majtë për thirjen e mbledhjes. Kjo kërkesë ishte legjitime, pasi do të mjaftonte vetëm firma e 1/3 së këshilltarëve (në fakt ishte më shumë se gjysma këtë herë) që kryetari Kosovrasti të vihej në lëvizje për organizimin e mbledhjes jashtë radhe, sic përcaktohet qartë në nenin 31/2, germa “b“ e ligjit 8652, të ndyshuar. Për t’u siguruar që kjo mbledhje të mos-zhvillohej, edhe për bravën e sallës së mbledhjeve ishin marrë masat që të mos hapej nga asnjë çelës socialist. Me derën mbyllur edhe pas përpjekjeve për ta shqyer, këshilltarët e majtë, me një lloj hovi vet-vendosës (për të mos thënë revolucionar), zgjodhën kryetar të ri të këshillit bashkiak Aldrin Dalipin, pasi shkarkuan më parë Njazi Kosovrastin (ky jo prezent). Si të mos mjaftonin të gjitha këto, sekretari i këshillit bashkiak, personi përgjegjës sipas ligjit për mbajtjen e dokumentave zyrtare të këshillit (neni 37), nuk ishte gjithashtu prezent në “mbledhjen“ e 3 Majit. Sa kohë që kemi të bëjmë me zgjedhjen e një kryetari të ri, ligji dikton mbajtjen e një votimi të fshehtë nga ana e këshilltarëve (shumive e thjeshtë), proces i cili duhet të zhvillohet sipas një procedure strikte, që duket se në 3 Maj, nuk ka qenë preokupimi kryesor as i të majtëve dhe aq më pak i të djathtëve në Këshill.
Në fakt, mbledhja e fundit e rregullt e “parlamentit“ të kryeqytetit ka qenë në datë 9 Prill të këtij viti. “E rregullt“ nënkupton në këtë rast zhvillimin e mbledhjes pasi thiret nga kryetari, pasi shpërndahet një njoftim 5 ditë para zhvillimit të saj, me një rend dite të përcaktuar, ku mbledhja në sallë zhvillohet pasi është marrë prezenca dhe është siguruar kuorumi, ku diskutimet dhe vendimarrja protokollohen, ku vendimet e marra, pasi zbardhen, siglohen nga kryetari dhe sekretari i keshillit, etj..etj…(neni 31, ligji 8652).

Megjithatë, sido që të merret, afati prej tre muajsh pa u mbledhur tashmë ka kaluar për Këshillin Bashkiak të Tiranës për secilën prej këtyre dy datave. Për ta rënduar akoma më shumë pozitat e paligjshmërisë në të cilat krye-këshilli bashkiak ka rënë, në dijeninë e artikullshkruesit, nuk janë ndërmarrë as hapat e mëtejshëm që ligji parashikon në raste të tilla. Sekretari i këshillit komunal ose bashkiak, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, duhe të njoftonte prefektin e Tiranës për situatën e krijuar me anë të një shkrese zyrtare (nenit 31, pika 8, fjali e dytë). Ky afat 10-ditor ka skaduar tashmë Që në datë 14 Gusht.
Edhe në rastin e supozuar kur një njoftim i tillë i është komunikuar Prefektit, mbetet e paqartë se përse Këshilli i Ministrave, nuk i është “nënshtruar“ kërkesave të ligjit, që parashikon në këtë rast nxjerrjen e një VKM-je për shpëndarjen e këshillit bashkiak (neni 38/1, germa “a“, të ligjit 8652).

Topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vetë dhe….JASHTE

Sido që të vejë puna, gjasat janë që organi më i lartë i vendimarrës i kryeytetit, edhe nëse nuk do të shperndahet as nga qeveria Rama në ardhje, të mos e rikuperojë dot më legjitimitetin e humbur para ligjit dhe para qytetarëve të Tiranës. Këta të fundit nuk kanë qenë kurrë më parë kaq të braktisur prej pushtetarëve të tyre vendorë. Është fakt se këshilltarët nuk po e humbin mandatet e tyre përfaqësuese për ndonjë çështje të interesit publik, por për nje çështje të ngushtë partiake, pra se kush prej tyre do ketë kryetarin e këshillit. Është e qartë se qytetarët nuk janë fare pjese e ekuacionit e aq më pak pjesë e konfliktit. Ky i fundit, po të shtrudhet nga lengu i deklaratave, tingëllon pak a shumë: “shumicën e kam unë, kryetarin e vendos vetë“ apo “topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vete“….Një lojë femijësh të papërgjegjshëm që lozin për qejf me topat e tyre politike. Dreqi ta hajë, të mendosh që, kush ka kryetarin ka edhe vendimarrjen e këshilli në dorë është tamam fëmijërore. Të humbasësh legjitimitetin, kur sapo ke marrë shumicën në dorë, është si ta gjuash penalltinë jashtë në një finale…Ndoshta më mirë kështu…të tillë këshilltarë Tirana nuk ka ç’i do!

Braktisje dhe nga kryetari i bashkisë….

Nëse dikush mendon që Rama dhe Basha janë dy të kundërta ndoshta mund të krijojë një tjetër opinion po të shohë trajektoren e karrierës së tyre deri më tani; njësoj siç Rama u bë më parë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe pastaj kryetar i PS, edhe Basha u bë njëherë krybashkiak i Tiranës dhe më pas kryetar i PD. Rama u bë kryetar i PS kur lideri historik i PS, Nano u largua me dëshirën e tij nga drejtimi i partisë pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës; edhe Basha u bë kryetar i PD-së kur lideri historik i PD, Berisha u largua po me dëshirën e tij pas humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës .
Deri para se të bëhej shefi politik i së majtës, Rama “betohej“ në emër të qytetarëve të Tiranës se do t‘i respektonte pa bërë dallim politik mes tyre; edhe Basha premtonte se do t’i përkushtohej këtej e tutje vetëm qytetarëve dhe jo ndonjë karriere të mundshmë partiake. Nëse Rama e ka mbyllur këtë kapitull, Basha sapo e ka hapur atë. Sado vullnet-mirë të jetë Basha se do t’i përmbahet angazhimit të marrë publikisht si kryetar bashkie, kjo ka shumë gjaë të rezultojë e pamundur në fund të ditës, njësoj sikurse u bë edhe për Ramën.
Do të duhej të ndiqej një linjë tjetër arsyetimi, pra që Basha është i ndryshëm nga Rama, (premisë nga e cila nuk niset artikullshkruesi), që të mund të dilej ndoshta në përfundimin se Basha do tja dalë të jëtë njëkohësisht një kryebashkiak i mirë dhe njëkohësiht shef i opozitës më të madhe politike në vend. Sa për fillim, me këshillin bashkiak të cilin ose nuk e ka më pro, ose nuk e ka farë (nese vet-shpërndarja do të njihet zyrtarisht), Basha do të ketë vështirësi në tre muajt e ardhëm të pretendojë për një paketë fiskale dhe buxhet që garanton sadopak materializimin e objektivave të tij. Ngrirja në këtë rast është e sigurtë. Së dyti, me Ramën kryeministër, kundërshtarin e tij më total, në të gjitha kuptimet e mundshme, ka shumë të ngjarë që historia e bllokimit të bashkisë së kryeqytetit nga pushteti qëndror të njohë sërish pikat më të ulëta të bashkëpunimit, njësoj si ca vite më parë kur në rolin e viktimës ishte Rama dhe në atë të persekutorit Berisha kryeministër. Ngrirja institucionale e Bashës ka nisur teksa edhe konkflikti është përvijuar qartë tashme mes tyre për planin e përgjithshëm vendor të Tiranës, i paraqitur nga vetë Basha si suksesi më evident i Bashkisë së drejtuar prej tij. Së treti, Basha, tashmë edhe kryetar i PD-së, nuk do të jetë kurrë një kryeadmisnitrator “full time i kryeqytetit“. Ironikisht, kjo ka qëne një ndër akuzat kryesore të tij ndaj Ramës teksa ky përpiqej dëshpërimisht për një mandat më shumë në krye të bashkisë së Tiranës. Basha është i ngrirë tashmë pazgjidhmërisht mes interesave të nëndheshme partiake dhe interesit publik. Ky i fundit si rregull nuk bëhet asnjëherë prioritar në një rast të tillë.
Për fat keq, ligji për Pushtetin Vendor nuk parashikon ndonjë rast për ngrirjen e funksioneve të kryetarit që devijon nga detyra për tu bër shef partie. Nuk ka madje as ndonjë rast të parashkuar shkarkimi kur kryetari zgjedh të ushtrojë part-time detyrat e tij. Neni 42/1 germa “c“ përcakton vetëm se “Kryetari i komunës ose bashkisë shkarkohet me VKM në rastet kur; c) propozohet për shkarkim nga këshilli për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë“.
Si për ta shtuar edhe më shumë dozën e braktisjes së qytetarëve të Tiranës nga pushtetarët e vet vendorë, edhe nënkryetarja simpatike e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, e këmbeu pa hezimim numrin dy të saj në administratën e kryeqytetit me një mandat deputeti. Nuk duhet shumë për të kuptuar se këta nuk e kanë patur asnjëherë seriozisht me bashkëqytetarët e tyre të Tiranës. Mjerë Tirana për këta pushtetarë që i ranë në pjesë!

 

Shkrim nga Gerti Shella, Dr. Ekzekutiv i INFOÇIP, botuar tek Revista “JAVA”

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim