“Rënia e lirë e këshillave bashkiakë”, Revista JAVA i jep hapësire monitorimit te INFOCIP
Disa ditë më parë, qytetarët e Durrësit mësuan se këshilli i tyre bashkiak kishte pushuar se funksionuari. Njoftimin për ndarjen e parakohshme nga jeta publike të parlamentit të qytetit e dha INFOÇIP, një organizatë e specializuar në mbikqyerjen e proceseve vendimarëse. Sipas saj, Këshilli kishte kapërcyer limitin ligjor prej tre muajsh rradhazi pa u mbledhur në seancë qe ne date 11 Prill 2013, duke futur kështu në veprim të paktën dy nene të Ligjit për Pushtetin Vendor (nr.8652, i ndryshuar), sipas të cilave “Kur këshilli nuk mblidhet gjatë tre muajve, nga data e mbledhjes së fundit t, ai quhet i vetëshpërndarë“
…Po sipas INFOÇP, Këshilli Bashkiak Durrës nuk ralizoi dot as vendimarrjet për Paketën Fiskale 2013 (taksat vendore) dhe Buxhetin 2013. Mos-realizimi i tyre çon gjithashtu në shpërndarjen e parakohshme të Këshillit Bashkiak , siç parashikon nenin 38, paragrafi 1 germa “b“ e të njëjtit ligj, ku shprehimisht thuhet: Keshilli shperndahet me VKM kur nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji“.
Bazuar mbi të njëjtën matematikë ligjore, edhe Këshilli Bashkiak Tiranë, ka kapërcyer të njëjtin prag dhe të jetë nisur për në botën tjetër, atë që ligji e 8652 e em(o)rton “vet-shkrirje”. Sipas drejtorit të INFOCIP, Gerti Shella, mbledhja e fundit në seancë të rregullt e Këshillit Bashkiak të Tiranës është zhvilluar në 9 Prill 2013. “Kjo do të thotë se në datë 9 Korrik 2013 është kapërcyer afati prej tre muajsh që Këshilli nuk mblidhet dhe çdo vendimarrje këtej e tutje do ishte pa legjitimitet”.
Situata në mini-bashkitë e kryeqytetit, gjithashtu të organizuars sipas të njëjtës strukture, reflekton në disa prej tyre të njëtën dinamikë të rënies së lirë drejt vet-shkrirjes, ku më e theksuar është ajo e Mini-Bashkisë 4. Këtu banorët “i luten zotit” që Këshilli, i parlarë nga orekset politike, të mblidhet dhe “t’ju falë” ndihmën e përmuajshme ekonomike familjeve në nevojë.
Teksa kjo situatë “vet-shkrirjeje” është kaq e pranishme në aksin metropolitan Tiranë-Durrës, mund të hamendësohet se problemi mund të jetë prezent edhe në një pjesë të mirë të 63 bashki të tjera që ka Republika e Shqipërisë. Një zot e di si mund të jetë situata me këshillat në 309 komunat që ka Shqipëria anëmbanë saj, për të cilat, ligji 8652 nuk bën asnjë diferencim nga pikpamja e afateve.
Këshillat dhe Ligji, një marrdhënie e lodhur
Funksioni vendimarrës në nivel vendor realizohet nga këshillat bashkiakë/komunale. Këta janë parlamentet e qyteteve dhe ligji iu njeh kompetenca shumë të rëndësishme, si caktimi i taksave dhe tarifave vendore, miratimi i buxhetit vjetor, kredi-marrje dhe grant-marrje në vlera të konsiderueshme dhe, sigurisht vendimarjen mbi territorin dhe pronat që i kanë kaluar në administrim Pushteti Vendor. Kur lexon për kompetencat që nenit 32, i ligjit 8652, i jep këshillave, gjithkush mund të habitet se përse ne Shqipëri ka kaq shumë vemendje për kryetarët e bashkive dhe kaq shumë shpërfillje ndaj këshillave. Nëse këshillat do të funksiononin vërtet, krerët e bashkive do të duhej ta konsumonin mandatin duke lobuar një nga një këshilltarët për çdo urdhër që do tju duhej të firmosnin. Admistrata do të lutej që Këshilli të mos ushtronte kontrolle aq shpesh sa ia lejon ligji. Fatkeqësisht, ajo që ndodh në realitet është një shfytyrim flagrant i frymës së ligjit të pushtetit vendor. Ligji zvetnohet sidomos në rastet kur shumica në këshill dhe kreu i bashkisë i bashkisë i përkasin të njëjtës forcë politike; në raste të tilla, këshilli është thjesht një shtojce pa pikë personalitetit e administratës.
Një rast konkret që ilustron këtë shformim të frymës së ligjit është i ashtëquajturi buxhetim me pjesëmarje. Teksa janë kryetarë e bashkive që krekosen para kamerave për konsultime të buxhetit me palët e interesit, pak kush e di që këtë funksion ligji ia ngarkon ekskluzivisht Këshillit Bashkiak. Ky i fundit ka detyrim të prerë të ndërmarrë konsultime para miratimit të Buxhetit, të paketës fiskale (taksat dhe tarifat vendore), tjetërsimit të pronave si dhe kur miraton norma dhe standarte për qytetin dhe për Bashkinë (neni 35, pika 1). Sipas neni 44, germa “a”, “Kryetari i bashkisë ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të komunës ose bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës”. Kjo do të thotë që konsultimet publike, që janë kompetencë ligjore e këshillit bashkiak/komunal (neni 35), nuk mund të jenë në asnjë rrethanë atribut ligjor i kryetarit të Bashkisë (administratës).
Këtij spektakli injorance ligjore i bashkohen me raste edhe donatorë të huaj, të cilët, edhe pse vijnë në Shqipëri të promojnë kulturën e zbatimit të ligjit, nxisin ekzaktësisht të kundërtën teksa financojnë hapur nisma extra-ligjore si ato të konsultimeve të udhëhequra nga krerët e bashkisë dhe jo nga Këshillat Bashkiakë (sigurisht faji që kjo ndodh është edhe i Këshillit, i cili s’ka gojë të flasë as për vetveten, e jo më për qytetarët). Edhe më e rëndë paraqitet marrdhënia e këshillave me kërkesat e ligjit për procedurës e vendimarrjes. Kjo e fundit normohet me kujdes nga nenet 33, 34 dhe 35 të ligjit 8652. Në vlerësimet e bëra prej INFOCIP në 2012-ën në dy prej bashkive më të përparuar në vend, ato të Korcës dhe të Durrësit, rezultonte se zbatueshmëria mesatare e këtyre neneve nga Këshilli ishte 44% për Korçën dhe 49% për Durrësin. Sa i takon votimit, ka një kërkesë në ligj e cila, për aq sa është e rëndësishme, aq edhe injorohet haptazi nga këshilltarët. Konkretisht, ligji kërkon prerë që vendimet individuale (99% e vendimeve që merr Këshilli janë të tilla) të miratohen kurdoherë me votim të fshehtë (neni 33/1). Sipas INFOÇIP, në asnjë rast kjo kërkesë e ligjit nuk respektohet, me përjashtim të mbledhjes së parë ndoshta kur zgjidhen krerët drejtues. Votimi i fshehtë i vendimeve është garancia numër 1 që këshilltarët do t’i binden ndërgjegjes së tyre qytetare dhe jo asaj partiake, njësoj si vota e fshehtë e qytetarëve në votime është garanci që demokracia të mos shformohet nga presionet e pushtetit.
Inflacioni i decentralizimit?
Drejtori i INFOÇIP, Gerti Shella thotë se në këto kushte, ose ligji duhet grisur dhe duhet rishkruar nga e para, ose këshillat duhen ribërë nga e para me njerëz që kanë një minimum aftësie të lexojnë dhe të kuptojnë kërkesat e ligjit. Aktualisht situata është e tillë sa që dikton një kontroll të rreptë për të gjithë këshillat bashkiakë nga organi epror. Qeveria qendrore nuk mund të kërcënojë për shkarkim nga detyra vetëm krerët e bashkive dhe të mbyllë sytë përballë situatës skandaloze të keq-funksionimit të këshillave. Ligji aktual për pushtetin vendor ka mbi 13 vjet që jep efektet e tij dhe nuk duhet shumë shkollë për të kuptuar se, të ushtruara prej këshilltarëve bashkikë apo komunale, apo prej kryetarëve të bashkive apo komunave, ato kanë qenë shkatërrimtare, sidomos për territorin dhe finacat publike. Këto 13 vjet (çfarë shifer ters) kanë qenë vitet kur komunarët e kthyen korrupsionin në art dhe kumunat në çifliqe, ku kryebashkiakët e ngritën abuzimin në sistem duke nxjerrë qytetet jashtë sistemit, ku kaosi urban serviret si vizion dhe abuzimi fjalgrant si mirëqeverisje. Të gjitha këto kanë patur sigurisht “bekimin” e këshillave, dhe sigurisht edhe “nderimet e fundit”, kur dëmi ka qenë i pakthyeshëm. Në këto 13 vite kur në fuqi është ligji 8652, qëllimi i ligjivënësit për të sjellë qeverisjen më pranë qytetarëve nuk është verifikuar, të paktën për të mirë. Fryma e ligjit ose është keqkuptuar ose është keqpërdorur dhe në këto kushte nuk ka më dileme. Decetralizimi në Shqipëri, pavarësisht se vlerësohet nga gjuha e drunjtë e partnerëve qeveritarë dhe donatorëve, është një histori dështimi në sytë e qytetarëve. Një refren inflacioni që përsëritet: më tepër decentralizim (ose komunarë) seç duhet, si më parë kur kishte më tepër monarki se ç’duhej, më tepër komunizëm, me tepër kapitalizëm, më tepër ligje…. deri në zhvleftësim.
Ekstrakt nga raporti monitorues i INFOÇIP
Nga monitorimi rezulton se përgjatë 12 muajve të fundit, Keshilli Bashkiak Durrës është mbledhur vetëm 3 herë në seancë, respektivisht në 1 Tetor dhe 5 nëntor 2012, dhe njëherë të fundit në dt 11 Janar 2013. Qe nga kjo datë e deri më sot, këshilli nuk është mbledhur më, duke bërë që të shkelet si fillim pika 2 e nenit 31 të ligjit 8652, që përcakton se “Mbledhjet e radhës të këshillit bashkiak zhvillohen si rregull jo më pak se një herë në muaj”.
Në datë 11 Prill 2013, Këshilli Bashkiak Durrës kapërceu edhe limitin e fundit ligjor prej tre muajsh rradhazi pa u mbledhur në seancë, duke konsumuar kështu rrethanën e parashikuar ne ligj për vet-shpërndarjen e tij. Pika 8 e nenit 31 përcakton shprehimisht se “Kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë. Vetëshpërndarja pasohet me zgjedhje të reja për këshillin përkatës dhe sekretari i këshillit komunal ose bashkiak, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, njofton prefektin “. Kjo rrethanë parashikohet qartë edhe në nenin 38 “Shpërndarja e parakohshme e këshillit”, ku, në pikën 1 të tij, germa “a“ thuhet shprehimisht se Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet para kohe me VKM kur nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore;
Gjatë periudhës nën monitorim, Këshilli Bashkiak Durrës nuk ralizoi dot as vendimarrjet për Paketën Fiskale 2013 (taksat dhe tarifat vendore) dhe për Buxhetin 2013 (pagat e administratës, investimet publike, etj). Këto janë në fakt edhe dy vendimarrjet më të rëndësishme vjetore të tij. Mos-realizimi i tyre çon gjithashtu në shpërndarjen e parakohshme të Këshillit Bashkiak , siç parashikon nenin 38, paragrafi 1 germa “b“, ku shprehimisht thuhet se: Keshilli shperndahet me VKM kur nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji“.
Në datë 12 Korrik 2013, u mbushen gjithashtu plot 6 muaj nga hera e fundit kur këshilltarët kanë marrë pjesë në një mbledhjetë këshillit (e fundit ka qenë në 11 Janar 2013). Neni 27 i ligjit 8652, në pikën 4, germa “e“ përcakton shprehimisht se: Mandati i këshilltarit, mbaron para afatit, me propozim të komisionit të mandateve kur: e) nuk merr në mbledhjet e këshillit për një periudhë 6 mujore
Si përfundim, INFOÇIP rekomandon:
Njohjen zyrtare nga autoritet eprore të vetë-shkrirjes së Këshillit Bashkiak (shpërndarja ngo organi kompetent), për shkak të mos-ushtrimit të funksioneve për periudha të zgjatura përtej afateve ligjore.
Thirrjen e zgjedhjeve të reja për Këshilli Bashkiak, Durrës në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, në përputhje me Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqiperise.
Në periudhën nga data e zgjedhjeve e deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i vet-shpërndarë te ushtrojë funksione të kufizuara dhe të bëjë vendimarrje vetëm në raste të situatave emergjente, sic parashikon neni 31, pika 6 e ligjit 8652.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA