RAPORTI

Mbledhja e Këshillit Bashkiak 9 Mars 2011

Mbledhja e radhës e Këshillit Bahskiak në Korçë, është zhvilluar në datën 9 Mars 2011, sipas njoftimit të vetëm 24 orëve më parë të bërë publik në televizionin lokal Lobi. Për vetë interesin që ngjallte tematika e këaj mbledhje, prania e mediave në të si asnjëherë më parë ka qënë maksimale, ndërkohë që zyrtarisht ajo është çelur në orën 9.00 të mëngjesit. Mbledhja ka zgjatur për më shumë se 4 orë me një ndërprerje të të shkurtër prej vetëm 10 minutash, ndërsa pjesën kryesore të debateve e kanë zënë argumentat për një deklaratë të përbashkët të këtij këshilli dhe qëndrimin e tij ndaj konsullit grek Theodhor Ikonomou. Ndonëse mbledhja trajtonte në 10 pikat e rendit të saj të ditës, disa vendime të rëndësishme për qytetarët, jo të gjithë anëtarët e këtij këshilli e kishin vlerësuar për të qënë prezentë në të. Pikat e rendit të ditës të kësaj mbledhje ishin: 1. Relacion “Mbi dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-28 shkurt 2011”, 2. ”Mbi miratimin e realizimit të buxhetit të Bashkisë dhe Institucioneve të vartësisë për vitin 2010(analiza)”. 3. Relacion “Për nivelin e taksave, tarifave vendore dhe administrimin e tyre në qytetin e Korçës si dhe penalitete për shkeljet apo kundravajtjet administrative për vitin 2011”. 4. Relacion “Mbi strukturën dhe pagat e administratës së Ndërmarjeve dhe Institucioneve në vartësi të Bashkisë Korçë”. 5. Relacion “Mbi strukturën dhe pagat e administratës së Ndërmarjeve dhe Institucioneve në vartësi të Bashkisë Korçë”. 6. Relacion “Për përcaktimin e prioriteteve të investimeve për vitin 2011”. 7. Për miratimin e treguesve të programit të zhvillimit ekonomik për vitin 2011 të Sh.A. “Ujësjellës Kanlizime” Korçë”(Asamble). 8. Për emërimin e ekspertëve kontabël të autorizuar të Sh.A “Ujësjellës Kanalizime” Korçë(Asamble). 9. Për miratimin e rregullores “Për furnizmin me ujë të pijshëm dhe për kanalizimet në zonën e shërbimit të Sh.A. “Ujësjellës-Kanalizime Korçë”. 10. Të ndryshme (kërkesat e qytetarëve).

Nga 35 anëtarë që ka ky këshill në të morën pjesë fillimisht 25 anëtarë, ndërsa në votimet e fundit 20 anëtarë. Pavarësisht mungesave në masë, votimi mund të kryhej pasi arrihej korumi për vendimarje të çfarëdo lloji. Ajo që vërehej ashtu si dhe në mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak ishte mungesa e theksuar e këshilltarëve të majtë, ndërkohë që dhe në grupimin që përbën mazhorancën, atë të dhjathtë u konsatuan gjithashtu mungesa. Këtë mbledhje e ka drejtuar në mungesë të kryetarit të Këshillit Bashkiak Gjergji Pendavinji, zëvendësi i tij Shkëlqim Kajmaku. Duhet theksuar se tre pika të kësaj mbledhje dhe konkretisht 4, 5 dhe 6 nuk u votuan një nga një por në bllok. Përsa i përket pikave të tjera 7, 8 9 të rendit të ditës diskutimi dhe votimi i tyre kaloi kohën fizike të vetëm 10 minutave. Ajo që vlen të përmendet në këtë raport ështe fakti se pika e fundnt në të cilën diskutohen çështje të ndryshme kryesisht të shqetësimit qytetar, nuk ka qënë korumi i duhur  për votim dhe nuk është zhvilluar. Për fat të keq disa qytetarë të ardhur për problemet e tyre janë larguar, për t’u rikthyer sërish në mbledhjen e ardhshme të këtij organi.

Debati për konsullin grek

Fillimi i mbledhjes ka startuar me një pikë që nuk isnhte përfshirë në rendin e ditës, por që ishte lënë e hapur të debatohej në këtë mbledhje nga muaji i kaluar. Ndonëse me mjaft vonesë Këshilli Bashkiak në Korçë ka vendosur të reagojë lidhur me deklaratat e forta mediatike dhe për më tepër shoviniste të konsullit të përgjithshëm grek në Korçë Theodhor Ikonomou. Por teksa qëndrimi ka qënë unanim, ajo që e ka bërë këtë situatë më të pakuptimë ka qënë mosleximi i deklaratës nga asnjë këshilltar me pretekse të ndryshme. Në fakt historia ka nisur nga këshilltari i majtë Vladimir Dino i cili iu ka propozuar gjithë anëtarëve të këtij organi të marin një vendim për diplomatin që ka fyer në Korçë, banorët e këtij qyteti dhe padyshim historinë e tij. Ndërkaq ka patur reagime dhe nga këshilltarët e djathtë për mënyrën se si po trajtohej kjo çështje. Shezai Shehu dhe Servet Feka këshilltarë të grupimit të Partisë Demokrtike nuk kanë që dakord me mosleximin para  mdiave të deklaratës, duke kërkuar  që si për çdo qëndrim tjetër ajo të lexohej dhe më pas miratohej. Në fakt nuk ka ndodhur kështu. Deklarata është hartuar dhe në dy copa letrash e pa firmosor dhe vulosur iu është shpërndarë mediave, ndërkohë që dhe një pjesë e këshilltarëve nuk kanë mësuar përmbajtjen e saj. Me një veprim të pandodhur më parë kryetari i seancës Shkëlim Kajmaku e ka quajtur atë si të pranuar nga të gjithë dhe ka vazhduar procedurën e mbledhjes me pikat e tjera. Duhet theksuar se forcat politike të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak të Korçës kanë reaguar njëzëri me anë të deklarats së shkruar, kundër konsullit grek. Në mbledhjen e tij të radhës këshilli ka dalë me një deklaratë lidhur me qëndrimin kundër konsullit grek Theodhor Ikonomou dhe deklaratave të tij të rënda të bëra në Korçë disa kohë më parë me rastin e 20 vjetorit të organizatës greke “Omonia”. Por ajo që ka shkaktuar një skandal të vërtetë ka qënë fakti që asnjëri prej këshilltarëve nuk ka pranuar të lexojë me zë deklaratën, madje të diskutohet për të. Pas një propozimi të ardhur nga mbledhja e kaluar, këshilltarët kanë ngritur një komision për të hartuar deklaratën. P avarësisht insistimit të mediave për këtë çështje, askush nuk ka patur kurajon të lexojë qëndrimin, ndërsa një shkresë pa firmë dhe vulë është shpërndarë për gazetarët. Gjithsesi deklarata shpreh qartë vullnetin për largimin e konsullit dhe emërimin e një tjetër diplomati në krye të këtij insitucioni. Reagimi i anëtarëve të këshillit ka ardhur vetëm 24 orë pas kthimit në detyrë të konsullit grek Theodhor Ikonomou. Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë kërkuar, zëvendësimin e menjëhershëm të tij për shak të deklaratave të tij antishqiptare. ”Ne anëtarët e Këshillit Bashkiak përfaqësuesit e popullit të Korçës i kujtojmë këtij Konsulli përfaqësues i diplomacisë greke se Korça, ashtu si i gjithë jugu i Shqipërisë nuk kanë patur asnjëherë dhe nuk ka asnjë lidhje me termin shovinist grek të “Vorio Epirit” term i cili i përket qarqeve të caktuara reaksionare të shekujve të kaluar të dënuar dhe të lënë pas nga populli shqiptar dhe grek”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e antarëve të Këshillit Bashkiak e shpërndarë për mediat. “Konsullata greke në qytetin tonë të Korçës, është një insitucion i ngritur për të forcuar dhe zhvilluar mardhëniet ekonomike, tregëtare, kulturore, midis qytetarëve korçarë dhe banorëve në qytetet e ndryshme të Greqisë, lidhje historike këto që kanë në themel luftën e përbashkët të dy popujve fqinjë për liri dhe zhvillim kombëtar. Këto lidhje të gjithanshme që janë forcuar vitet e fundit edhe nga prania masive e emigrantëve shqiptarë në Greqi, midis të cilëve edhe shumë nga qyteti ynë, nuk do të lejohen që këto mardhënie të shkëlqyera të cënohen nga deklaratat e papërgjegjshme të z. Ikonomou i cili nuk përfaqëson ndjenjat vllazërore të popullit grek, por del si zëdhënës i qarqeve shoviniste, të cilët të ushqyer me idenë e shekujve të kaluar të “megali-idhesë” nuk duan miqësinë e mirë midis dy vendeve tona. Këshilli Bashkiak i qytetit të Korçës bashkohet me protestën e shoqatave atdhetare në mbarë vendin, që dënuan këto deklarata të Konsullit, përshëndet dhe përkrah thirrjen e mediave të qyteitit tonë për bojkotimin e çdo veprimtarie të këtij njeriu dhe kërkon nga qeveria shqiptare dhe ajo greke zëvendësimin e tij dhe ardhjen e një konsulli që t’i shërbejë forcimit të lidhjeve të fqinjësisë së mirë midis qytetarëve të Korçës dhe qytetarëve në shtetin grek”, nënvizohet në fund të kësaj deklarate. Konsulli Ikonomou për të cilin është kërkuar largimi nga qyteti juglindor shqiptar, u bë i njohur për deklaratat e tij ku iu bënte thirrje qytetarëve të Korçës të regjistroheshin si grekë, deklarata, të cilat shkaktuan reagime të forta në shoqërinë shqiptare, por me një vonesë të pa justifikueshme për Këshillin Bashkiak të qytetit juglindor shqiptar.

Si u votuan pikat e rendit të ditës

Pika 1 e rendit të ditës si në çdo mbledhje tjetër lidhet me miratimin e vendimit “Për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-28 shkurt 2011”. Sipas anëtares së komisionit për çshtjet ekonomike Arjana Pupa, 1307 familje të qytetit të Korçës përfitojnë aktualisht ndihmë ekonomike, të cilat kalojnë në miratim pas shqyrtimit nga Drejtoria e Ndihmës Ekonomike nga Këshilli Bashkiak. Janë larguar nga skema e kësaj ndihme 15 familje, teksa rifuten 9, kurse 3 familje të tjera rifuten për herë të parë në këtë skemë. Ajo që u vërejt gjatë diskutimit për këtë pikë ishte prania e një qytetari të Korçës i cili ka insistuar në pagesën prej 3 mijë lekësh si ndihmë ekonomike. Qytetari Dilaver Qerimi ka kërkuar ti rijepet kjo ndihmë bashkë me shtetasen Rajmonda Lera. Ndonëse qytetari ka folur për të disatën herë, nuk ka marë asnjë përgjgije apo zgjidhje të problemit të tij gati një vjeçar. Këshilli ka votuar për pikën e parë duke marë miratimin e gjithë këshilltarëve prezentë, ndërkohë që qytetarët në fjalë që janë banorë të Qëndrës Rezidenciale të Zhvillimit në Korçë janë larguar duke menduar se çështja e tyre ka marë një formë të prerë në mbështetje të tyre.

Drejtuesi i seancës ka kaluar në pikën e 2-të të rendit të ditës që konsistonte “Mbi miratimin e realizmit të buxhetit të Bashkisë dhe Insitucioneve të vartësisë për vitin 2010(analiza)”. Anëtarja e komisionit të ekonomisë dhe konkretisht këshilltarja Elfrida Zefi ka kërkuar sqarime nga ekzekutivi (Drejtoria Ekonimike) lidhur me vonesën e kësaj analize, por dhe të buxhetit të vitit 2011 që duhet të mbyllet brenda muajit mars. Zefi ka theksuar faktin për rikonstruksionin e trotuareve në sheshin e kinemasë Majestik-Millenium dhe fondin prej 3 milion lekësh të miratuar vitin e kaluar dhe futja përsëri e tij në një kontratë shtesë. Ndërkaq kryetari i grupit socialist Olsi Konomi ka theksuar se për analizën e vitit të kaluar buxhetor mungonte një pasqyrë e përgjithshme e shpenzimve, ndonëse sipas tij materiali është transparent. Niveli i të ardhurave nga taksat është në kuota të larta, që do të thotë se banorët e këtij qyteti po edukohen për mardhëniet e tyre me shtetin dhe taksat. Kryetari i bashkisë Niko Peleshi e ka marë fjalën për tu ndalur në disa pika të kësaj analize. Peleshi i ka falenderiuar të gjithë për 4 vjetët e konsumuara me këtë organ vendimarës dhe drejtimin pozitiv që kanë marë disa çështje të rëndësishme të qytetit. ”Ju falenderoj të gjithë ju anëtarëve të këtij këshilli që për plot 4 vjet së bashku kemi bërë jo pak për Korçën, qytetin tonë. Ne kemi mundur të përmirësojmë infrastrukturën rrugore dhe atë nëntokësore. Vetëm sipërfaqe të gjelbra vetëm gjatë këtij viti janë shtuar 75 mijë metra katror dhe po kaq sipërfaqe të asfaltuara. Gjithashtu dua të kujtoj se kemi konsoliduar disa aktivitete ndërkombëtare të njohura si Simpoziumi Ndërkombëtar i Kulturës, Simpoziumi Ndërkombëtar i Piktutrës, Konkursi Ndërkombëtar i Piktorëve të Rinj me çmimin Sotiri, Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, festa dhe evente të ndryshme si Festa e Birrës etj., që i kanë dhënë Korçës një profil unik në Shqipëri. Për këtë arsye Ministria e Kulturës dhe një grup donatorësh të huaj dhe vendas, kanë vlerësuar me Çmimin e Vitit për Turizmin qytetin e Korçës. Filozofia jonë e ndërtimit të një porfili atraktiv të qyteitit përmes shfrytëzimit të emrit të qytetit e festave dhe atraksioneve turisrike. Ne kemui mundur që brenda pak viteve nga një qytet me një turizëm modest të kthehemi në qytetin e parë në Shqipëri përsa i përket turizimit. Sot qyteti ofron një sërë shërbimesh sociale të konsoliduara duke filluar nga varfëria, mbështetja e familjeve të varfra, hapja e një shërbimi në bashkiu për gratë e dhunuraetj,.  Çdo vit bashkia ndan kite shkollore për fëmijët në nevojë etj,. Ju falenderoj dhe njëherë për këtë bashkëpunim dhe debatet që kemi patur. Unë jam i mendimit që Këshilli Bashkiak është vendi ku meren vendime për projekte të rëndësishme lokale, ndaj duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kemi kaluar një vit të vështirë nga pikëpamja ekonomike. Kriza ka prekur nga familjet e varfra deri dhe bizineset në qytetin tonë. Por pavarësisht kësaj bashkia ka bërë të mundur nxjerjen efiçente eficencën e vet dhe rritjen e të ardhurave në nivelin 97 për qind. Investimet janë rritur 13 për qind ose 12.7 milion lekë më tepër.” – ka theksuar gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Peleshi. Gjithashtu krybashkiaku ka bërë të ditur se në 3 vitet e fundit asnjë projekt i bashkisë nuk është mbështetur nga qeveria. Peleshi gjatë analizës së tij ka gjetur hapësirën ti bëjë thirrje drejtuesv të televizonit publik dhe studios lokale të TV Korçës. “Ju bëj thirrje drejtuesve të TV Pulik dhe TV Korçës të mos deformojnë në mënyrë të pashpirt të gjitha informacionet tona. Të mos kthehet në një foltore të njëanshme. Të mos i mbyllë dyert kryetarit të bashkisë së qytetit i cili flet në emër të qytetarëve për sa kohë është në detyrë, që nuk përfqëson veten e vet por përfaqëson mendimin, vullnetin të një pjese shumë të madhe të qytetarëve të cilët paguajnë për këtë televizion, paguajnë që ky televizon të funksionojë. Në këmbim të taksës që ata paguajnë në vend që ta marin shërbim, marin dizinformim”, ka theksuar për argumentin e TV Korçës kryetari i bashkisë në këtë mbledhje. Më pas kryebashkiaku në fund të mandatit të tij i ka bërë rezymenë investimve të bëra gjatë vitit të kaluar në gjithë hapësirën e qytetit. Pas fjalës së Peleshit mbi analizën e vitit të kaluar e ka marë fjalën kryetari i grupit të këshilltarëve të PD Pëllumb Beqiraj. Ky i fundit ka theksuar gjatë fjalës së tij se është punuar mirë në rakordimin e bërë analizës së vitit të kaluar ushtrimor. Beqiraj ka bërë të ditur se kjo mbledhje duhej të ishte bërë dy muaj më parë, ndërsa duhej të ishte miratuar dhe buxheti i 2011-ës sipas tij. “Dua të mbroj vlerat e këtij këshilli edhe në raport me investimet ku në raport thuhet se të gjithë mbajnë vulën e Bashkisë Korçë. Në fakt realiteti është ndryshe dhe shumica e tyre janë pjesë e vendimarjes së këtij këshilli. Është e habitshme deklarata juaj ku deklaroni z. kryetar se nuk keni para kur keni më shumë se 200 apo 300 milion lekë të pashfrytëzuara”- ka theksuar gjatë fjalës së tij Beqiraj. Sërish fjalën e ka marë Niko Peleshi pët të sqaruar opininon e tij lidhur me ecurinë e qytetit dhe analizës së vitit të kaluar. Argumenti që ka prekur kryetari i bashkisë lidhej me ndërtimet. Badhkia e Korçës, ka nënvizuar Peleshi është bashkia që ka numrin më të madh të mbledhjeve të KRRT-së në Republikë majde dyfyshin e tyre për një vit. Nuk ka asnjë qytet tjetër të ketë realizuar kaq shumë mblehdje KRRT-je si ne, ka bërë të ditur Pelrshi që argumenton se filozofia e tyre lidhej me mirëseardhjen e investitorëve nëpërmjet kësaj hapej për ndërtimin e një banese private, biznesi etj,. Në vitin 2010 Korça ka patur një boom të ndërtimeve, ndryshe nga kriza në qytetet e tjera. Shkak i kësaj është dhe kriza ekonomike në Greqi. Emigrantët korçarë ka bërë të ditur numri një i bashkisë, janë duke investuar fitimet e tyre në qytetin e Korçës. Do ishte historike ka shtuar më tej Peleshi nëse ne do të vazhdojmë të tërheqim këto investime në sektorin e ndërtimit. Apeli mandej i kryetarit të bashkisë është lidhur me pezullimin e KRRT-së nga këshilltarët e djathtë, duke kërkuar kthimin në gjendje pune të këtij organi tjetër vendimarës. Kjo pikë ka vazhduar me debate që shkonin nga kryetarin i bashkisë tek kryetari i grupit të këshilltarëve të djthtë Pëllumb Beqiraj. Madje mungesa e krizës siç e ka quajtur Peleshi duke u bazuar në zhvillimin e qytetit është quajtur me vend nga Beqiraj që i ka treguar kryetarit të bashkisë për mënyrën se si e sheh kreu i opozitës Rama Shqipërinë dhe ecurinë e saj, përfshi këtu dhe Korçën.

Drejtoria e Financës në Bashkiën e Korçës i është përgjigjur paqartësive të ngritura nga këshilltarja Zefi. Në lidhje me të ardhurat e trashëguara, që trashëgohen në buxhetin e vitit 2011,  88 milion 665 mijë lekë nga të cilat 55 milion e 750 mijë lekë do të përdoren për të mbyllur të gjitha shpenzimet e vitit 2010, ku përfshihen shpenzime operative dhe investime.

Më pas miratimi i realizimit të buxhetit ka kaluar në votim në të cilin kanë marë pjesë 20 këshilltarë pasi pjesa tjetër është larguar nga salla. Të gjithë këshilltarët e pranishëm e kanë votuar analizën në fjalë.

Pika e 3-të e rendit të ditës ishte relacioni “Për nivelin e taksave, tarifave vendote dhe administrimin e tyre në qytetin e Korçës si dhe penalitetet për shkeljet apo kundravajtjet administrative për vitin 2011”. Kjo pikë ka ngjallur interes teksa është kërkuar që studentët që mbarojnë shkollën dhe hapin një biznes të vazhdojnë të përjashtohen nga taksa e regjistrimit. Pëllumb Beqiraj në emër të grupit që përfaqëson, ka kërkuar që nga kjo paketë fiskale e aplikuar për herë të parë gjatë vitit të kaluar të përfshihen dhe të rinjtë jo studentë ë porsa mbarojnë arsimin e mesëm. Edhe kjo pikë është miratuar me shumcië voatsh nga 18 këshilltarë të pranishmë në sallë.

Pika 4 Relacion “Mbi strukturën dhe pagat e administratës së Bashkisë Korçë” është marë në shqyrtim në vazhdimësi të mbledhjes. Elfrida Zefi këshilltare e djathtë ka kërkuar vlerën e pagës së parcaktuar, ndërsa është ndalur tek emërimi i një kryeinspektori, vlerë e cila duhet ndryshuar duke u mbështetur në VKM-në përkatëse. Gjithashtu këshilltari i grupimit të djathtë përfaqësues i LSI z.Riza Ashimi ka bërë të ditur që gjatë 2011 të respektohet një kusht ligjor për tu përfshirë në punësimet e nxitura nga bashkia dhe persona me aftësi të kufizuara. Pas diskutimeve përkatëse moderatori i seancës nuk e ka kaluar në votim pikën në fjalë duke nisur diskutimin e pikës tjetër.

Pika 5 përmbante relacion “Mbi strukturën dhe pagat e administratës së Ndërmarjeve dhe Institucioneve në vartësi të Bashkisë Korçë”. Për këtë pikë nuk ka patur diskutime, ndërsa është lënë të votohet në bllok bashkangjitur me disa pika të tjera të pa votuara.

Pika 6 shqyrton relacion “Për përcaktimin e prioriteteve të investimeve për vitin 2011”. Këshilltarja Zefi ka kërkuar sqarime për listën e prioriteteve dhe burimet e financimeve. Ndërkaq nënkryetari i bashkisë Sotiraq Filo ka bërë me dije se grantet e qeverisë për bashkinë juglindore mungojnë, por pavarësisht kësaj ka theksar Filo bashkia çon projekte që nuk miratohen, në një kohë kur mungojnë dhe sqarimet nga qeveria. Ai ka sqaruar se këto financime sigurohen nga të ardhurat e bashkisë por dhe donatorë të huaj, që janë shprehur të gatshëm të mbështesin projektet e bashkisë në fjalë. Ndërkaq Beqiraj ka kërkuar sqarime nëse shifrat janë apriori ndërsa pyetja tjetër lidhet me çmimet që janë reale dhe konkururese në treg apo mbeten të pandryshuara. Beqiraj ka theksuar se në vlerën e 17 miliard lekëve nuk dihet se si do të realizohet kjo shumë. Filo ka bërë gati të njëjtin sqarim ku donatorët që i vijnëe bashkisë janë të shumtë, por që për fat të keq në to mungon qeveria shqiptare. Në listën e prioriteteve është diskutuar edhe për një sallë të denjë për mbledhjet e Këshillit Bashkiak e cila do trajtohet gjatë këtij viti.

Pas përfundimit të diskutimit për këtë çështje janë hedhur në votin pika 4, 5 dhe 6 të cilat janë votuar nga të gjithë të pranishmit në sallë.

Pika 7 e rendit të ditës Për miratimin e treguesve të programit të zhvillimit ekonomik për vitin 2011 të Sh.A. “Ujësjellës Kanalizime” Korçë është marë në shqyrtim sipas radhës së përcaktuar në këtë mbledhje. Menjëherë pika në fjalë është hedhur në votim dhe është miratuar. Me shumicën ekzistuese të anëtarëve 18 vota.

Pika e 8 Për emërimin e ekspertëve kontabël të autorizuar të Sh.A. “Ujësjellës Kanalizime” Korçë. Pëllumb Beqiraj ka bërë të ditur fillimisht se propozohet një firmë dhe jo një ekspert kontabël, ndaj duhet të respektohet ligji. Ky propozim vjen nga ndërmarja në fjalë që duhet respektuar ka shtuar kryetari i grupimit të djathtë. Ndërkaq ka ardhur propozimi të bëhet me dy ekspertë kontabël. Pas hedhjes në votë është vendosur të ketë dy ekspertë kontabël, ku u votua nga të gjithë të pranshmit.

Pika 9 Për miratimin e rreguillores “Për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për kanalzimet në zonën e shërbimit të Sh.A. “Ujësjellës Kanalzime Korçë”.  Edhe kjo pikë ëdhtë hedhur menjëherë në votime pa debate. Përsa i përket pikës 10 “Të ndryshme” nuk ka patur diskutime pasi dhe këshilltarët janë larguar duke mos patur korumin e nevojshëm për të marë një vendim. Zëri i qytetarëve nuk është dëgjuar ndonëse kjo është pika ku ju lejohet atyre të flasin dhe diskutojnë mbi problematika të vecanat që ata kanë.

ZTQ-Korçë

Zyra e Transparencës Qytetare në Korçë ka marë pjesë për herë të parë në këtë mbledhje të rëndësishme të Këshillit Bashkiak. Madje duhet theksuar se ky grup i përbërë nga plot 6 persona përveç drejtuesit të grupit është mirëpritur dhe përshëndetuar dhe nga kryetari i bashkisë gjatë fjalë së tij. “I përshëndes grupet qytetare që janë preszentë në këtë  mbledhje, duke i uruar dhe kërkuar të jenë vazhdimisht pranë nesh. Transparenca dhe aksesi publik në vendimarje janë dy elementë që ne edhe na i vështirësojnë punën por dhe na i bëjnë atë më të lehtë”- ka theksuar për Zyrën e Trasparencës Qytetare në Korçë Niko Peleshi. Të gjithë anëtarët prezentë nga fillimi i  kësaj mbledhje kanë ndjekur nga afër punimet e saj dhe kanë dalë me përfundime për këtë mbeldhje të këtij organi  vendimarës. ZTQ në Korçë është konstituar zyrtarisht më 7 mars 2011 teksa vetëm dy ditë më pas ka nisur nga puna. Grupi është i përbërë nga individë që vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe që përfaqësojnë interesat e banorëve të Korçës. Për herë të parë në një  inisiativë të tillë qytetare përfshihet dhe komuniteti rom me një vajzë e cila gjithashtu për herë të parë ka ndjekur punimet e Këshillit Bashkiak. Anëtarët e grupit të ZTQ Korçë janë: Engjëllushe Kosturi 18 vjeç përfaqësuese e komunitetit rom, gjimanziste. Irena Vreto 55 vjeç gazetare dhe shkrimtare e njohur, arsimtare, si dhe aktiviste në shoqërinë civile. Gjithashtu kontributi i saj është i njohur edhe në produksionin e spektakleve më të mëdha në rajonin juglindor të vendit dhe jo vetëm. Rafaela Voskopi 28 vjeç me profesion ekonomiste. Lumturi Zerellasri 61 vjeç pensioniste, ka qenë aktiviste në forume të ndyshme gjatë qeverisjes të para viteve ’90-të. Erget Cenolli 45 vjeç gazetar. Si dhe Pjerin Simo 26 vjeç me profesion ekonomist.

Albana Çakshiri

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim