LIGJ
Nr.9928, datë 9.6.2008

PËR SHËRBIMIN SHËNDETËSOR STOMATOLOGJIK NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

(Ndryshuar me ligjin nr. 10137, datw 11.5.2009)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1
Qëllimi dhe fusha e zbatimit

1. Ky ligj përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e shërbimit shëndetësor stomatologjik në Republikën e Shqipërisë.
2. Ky ligj zbatohet nga/ndaj personat/personave fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, të cilët ushtrojnë veprimtari në fushën e shërbimit shëndetësor stomatologjik në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 2
Financimi i shërbimit shëndetësor stomatologjik publik

1. Në institucionet e shërbimit shëndetësor stomatologjik publik ofrohet falas shërbimi profilaktik dhe mjekues stomatologjik për:
a) personat nga mosha 0 deri 18 vjeç;
b) të sëmurët e shtruar dhe ata që trajtohen në institucione spitalore publike, për mjekime urgjence;
c) kategori të veçanta individësh që, me ligje dhe akte nënligjore të veçanta, përfitojnë shërbim shëndetësor stomatologjik falas.
2. Shteti merr përsipër të mbulojë pjesërisht:
a) shërbimin e urgjencave stomatologjike për moshat mbi 18 vjeç;
b) shërbime stomatologjike në Departamentin e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë;
c) shërbime stomatologjike në institucionet stomatologjike publike.
3. Masa dhe mënyra e kontributit të shtetit për shërbimet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 3
Shërbimi i urgjencës stomatologjike

1. Shërbimi i urgjencës stomatologjike ofrohet në:
a) institucionet publike shëndetësore spitalore;
b) institucionet publike shëndetësore stomatologjike ambulatore.
2. Në ato institucione shëndetësore, ku nuk mund të ofrohet shërbimi i urgjencës, sipas pikës 1 të këtij neni, lidhen kontrata shërbimi me subjekte, që ofrojnë shërbim stomatologjik privat.

 

Neni 4
Shërbimi shëndetësor stomatologjik në institucionet arsimore

1.Shërbimi profilaktik, diagnostikues dhe edukimi shëndetësor stomatologjik ofrohen në të gjitha institucionet arsimore të nivelit të detyrueshëm.
2. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nxjerrin udhëzimin e përbashkët për funksionimin dhe organizimin e këtij shërbimi në këto institucione arsimore.

 

KREU II
INSTITUCIONET SHËNDETËSORE STOMATOLOGJIKE, ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I TYRE

 

Neni 5
Institucionet që ofrojnë shërbim shëndetësor stomatologjik

1. Shërbimi shëndetësor stomatologjik ofrohet nga:
a) institucionet shëndetësore stomatologjike publike;
b) institucionet shëndetësore stomatologjike private.
2. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të institucioneve shëndetësore stomatologjike përcaktohet me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë.

 

Neni 6

(Ndryshuar me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)

Veprimtaritë e institucioneve të shërbimit shëndetësor stomatologjik privat, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë II.6 të shtojcës së ligjit për licencat.Këto veprimtari licencohen sipas ligjit të licencave2.Procedurat dhe kriteret e licencimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 


Neni 7
Personeli i shërbimit shëndetësor stomatologjik

1. Shërbimi shëndetësor stomatologjik ofrohet nga personeli:
a) mjek stomatolog;
b) ndihmësmjek stomatolog;
c) laborant dentar.
2. Personeli i shërbimit shëndetësor stomatologjik e ushtron veprimtarinë në përputhje me rregullat e miratuara nga Ministri i Shëndetësisë.

 

KREU III
MBIKËQYRJA NË SHËRBIMIN SHËNDETËSOR STOMATOLOGJIK

 

Neni 8
Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik

1.Mbikëqyrja në shërbimin shëndetësor stomatologjik kryhet nga Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik.
2. Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik organizohet dhe funksionon në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
3. Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik është organi ekzekutiv i specializuar për kontrollin e zbatimit të këtij ligji dhe të akteve nënligjore që rrjedhin prej tij.
4. Struktura dhe organika e Inspektoratit Shëndetësor Stomatologjik miratohen nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë.
5. Rregullat e funksionimit të Inspektoratit Shëndetësor Stomatologjik miratohen nga Ministri i Shëndetësisë.

 

KREU IV
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

 

Neni 9

1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen:
a) shkelja e nenit 6, me gjobë 50 000 lekë dhe me ndërprerje të veprimtarisë deri në plotësimin e dokumentacionit, sipas legjislacionit në fuqi;
b) shkelja e rregullave të përmendura në pikën 2 të nenit 7 të këtij ligji, me gjobë deri në 50 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me mbyllje të veprimtarisë.
2. Autoriteti përgjegjës për vënien dhe ekzekutimin e gjobave është Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik.

 

Neni 10
Ankimi

Procedurat për vënien e gjobave për kundërvajtjet administrative dhe ankimi për to bëhen në përputhje me ligjin nr.7679, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.

 

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

 

 

Neni 11
Nxjerrja e akteve nënligjore

(Shfuqizuar fjalë në pikën 1 me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 2 pika 3 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Ministri i Shëndetësisë të nxjerrë urdhrat në zbatim të neneve 5 pika 2, 7 pika 2 dhe 8 pika 5 të këtij ligji.
3. Ngarkohet Ministria Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës të nxjerrin udhëzimin e përbashkët në zbatim të nenit 4 pika 2 të këtij ligji.

 

Neni 12
Shfuqizime

Ligji nr.8167, datë 21.11.1996 “Për shërbimin shëndetësor stomatologjik”, i ndryshuar, si dhe aktet e tjera, që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

 

Neni 13
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim