TITULLI III

 

BASHKEPRONESIA

 

KREU I

 

BASHKËPRONËSIA NË PJESË

 

Përkufizimi dhe përmbajtja

Neni 199

Ka bashkëpronësi kur një ose disa sende dhe të drejta të tjera reale u përkasin bashkërisht dy ose më shumë personave.

Pjesët e bashkëpronarëve janë të barabarta, gjersa nuk vërtetohet e kundërta. Të drejtat dhe detyrimet e bashkëpronarëve caktohen në përpjestim me pjesët përkatëse.

 

Të drejtat e bashkëpronarëve

Neni 200

Çdo bashkëpronar ka këto të drejta:

a) të përfitojë nga të ardhurat e sendit të përbashkët në përpjestim me pjesën e tij;

b) të përdorë sendin e përbashkët sipas qëllimit të përcaktuar dhe në mënyrë që të mos i pengojë bashkëpronarët e tjerë të përdorin atë sipas të drejtave të tyre;

c) të tjetërsojë ose disponojë në çdo mënyrë tjetër pjesën e tij në sendin e përbashkët, por kur ky është një send i paluajtshëm, mund ta shesë pjesën e tij vetëm duke respektuar të drejtën e parablerjes që kanë bashkëpronarët e tjerë sipas nenit 204 të këtij Kodi;

ç) të kërkojë pjestimin e sendit të përbashkët edhe sikur të ketë një marrëveshje të kundërt, përveç kur ky pjestim dëmton së tepërmi qëllimin përkatës ose është ndaluar me ligj;

d) të kërkojë kthimin jo vetëm të pjesës së tij, por të gjithë sendit të përbashkët, me kusht që ky t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.

 

Detyrimet e bashkëpronarit

Neni 201

Çdo bashkëpronar është i detyruar që në përpjestim me pjesën e vet, të paguajë shpenzimet e nevojshme për ruajtjen dhe gëzimin e sendit të përbashkët.

 

Neni 202

Kur sendin e përbashkët e përdorin për vete një ose disa bashkëpronarë, këta detyrohen t’u paguajnë bashkëpronarëve të tjerë shpërblimin për përdorimin e pjesëve të tyre nga dita kur u është njoftuar me shkrim kërkesa e këtij shpërblimi ose nga data e paraqitjes së padisë në gjykatën kompetente.

 

Administrimi i sendit të përbashkët

Neni 203

Të gjithë bashkëpronarët, pavarësisht nga vlera e pjesës përkatëse, kanë të drejtë të marrin pjesë në administrimin e sendit të përbashkët.

Sendi i përbashkët administrohet sipas mënyrës së miratuar me marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve dhe kur kjo nuk është arritur, sipas mënyrës së caktuar me vendim të bashkëpronarëve që kanë më shumë se gjysmën e vleftës së tij. Vendimi i shumicës është i detyrueshëm edhe për bashkëpronarët që kanë mbetur në pakicë.

Kjo shumicë mund të vendosë që të vihet hipotekë ose peng mbi sendin e përbashkët, kur kjo është e domosdoshme për të siguruar kthimin e shumave të marra hua për mirëmbajtjen ose rindërtimin e tij.

Kur nuk është arritur kjo shumicë ose kur vendimi i saj është i dëmshëm për sendin e përbashkët, gjykata kompetente, me kërkesën e çdo bashkëpronari, vendos masat që i çmon të nevojshme dhe, sipas rastit, emëron një kujdestar për administrimin e sendit.

 

E drejta e parablerjes

Neni 204

Bashkëpronari, para se t’ia shesë pjesën e vet në sendin e paluajtshëm një personi që nuk është bashkëpronar, detyrohet të njoftojë me shkrim bashkëpronarët e tjerë nëse dëshirojnë të blejnë pjesën me të njëjtat kushte që do t’ia shesë personit të tretë. Në rast se këta nuk përgjigjen brenda tre muajve se dëshërojnë të blejnë pjesën, bashkëpronari është i lirë të shesë pjesën e tij në persona të tretë.

Ai duhet t’ua bëjë të njohur bashkëpronarëve të tjerë bashkëpronarin e ri.

 

E drejta e kreditorit mbi pjesën e bashkëpronarit

Neni 205

Çdo kreditor ka të drejtë të realizojë kredinë e vet mbi pjesën që i takon bashkëpronarit debitor në sendin e përbashkët.

 

Neni 206

Kreditorët dhe trashëgimtarët e ndonjë bashkëpronari mund të ndërhyjnë në pjesëtim, me shpenzimet e tyre, por nuk mund të kundërshtojnë pjesëtimin e bërë më parë, përveç kur kanë njoftuar kundërshtimin e tyre para pjesëtimit.

Në pjesëtimin e pasurisë së paluajtshme, njoftimi për kundër-shtimet e përmendura në paragrafin e mësipërm, duhet të regjistrohet përpara regjistrimit të kërkesës për pjesëtim. Gjithashtu, në një pjesëtim të tillë duhet të thirren të gjithë kreditorët që kanë regjistruar kërkesat e tyre ose që kanë fituar të drejta mbi pasurinë që pjestohet, përpara regjistrimit të aktit të pjesëtimit ose të regjistrimit të kërkesës për pjesëtim.

 

Pjesëtimi i sendit të përbashkët

Neni 207

Pjesëtimi i sendit të përbashkët kryhet me marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve. Kur sendi është i paluajtshëm marrëveshja duhet të bëhet me akt noterial. Kur kjo marrëveshje nuk është arritur, pjesëtimi i sendit kryhet me anë të gjykatës, duke u thirrur në gjyq të gjithë bashkëpronarët. Pjesëtimi i sendit të përbashkët bëhet me ndarjen e tij në natyrë sipas pjesëve që kanë bashkëpronarët, në qoftë se kjo ndarje është e mundshme dhe nuk dëmton qëllimin përkatës të sendit. Pabarazia e pjesëve, që rezulton nga ndarja në natyrë kompensohet me një shpërblim në para.

Kur sendi i përbashkët nuk mund të ndahet në natyrë gjykata urdhëron që ai të shitet në ankand dhe vlefta e tij të ndahet ndërmjet bashkëpronarëve, sipas pjesëve përkatëse, duke llogaritur edhe shumat që ata duhet t’i paguajnë njëri-tjetrit për shkak të marrëdhënies së bashkëpronësisë.

Megjithatë, në vend të shitjes në ankand, gjykata, kur disa nga bashkëpronarët e kërkojnë, mund të urdhërojë që sendi t’u lihet këtyre, duke i detyruar që t’i paguajnë bashkëpronarit, i cili kërkon pjesëtimin, vleftën e pjesës së tij, sipas mënyrës dhe brenda afateve të caktuara në vendimin gjyqësor.

Kur sendi që nuk mund të ndahet në natyrë, është shtëpi banimi, gjykata ia lë në pjesë, në kushtet e sipërtreguara, atij nga bashkëpronarët që banon në atë shtëpi ose ka nevojë më shumë se të tjerët për atë sipërfaqe banimi.

 

Tjetërsimi i sendit të përbashkët

Neni 208

Tjetërsimi i sendit të përbashkët mund të bëhet vetëm me pëlqimin e të gjithë bashkëpronarëve.

 

KREU II

 

BASHKëPRONëSIA NË TëRëSI

 

A. Bashkëpronësia e detyrueshme

 

Objektet e përbashkëta të ndërtesave

Neni 209

Në katet ose njësitë e ndara të kateve të një ndërtese që ndodhen në pronësi të veçantë të pronarëve të ndryshëm, janë në bashkëpronësi të detyrueshme të tyre, gjersa në aktin e pronësisë nuk është caktuar ndryshe, këto objekte:

a) trualli mbi të cilin është ngritur ndërtesa, themelet, muret kryesore, muret ndarëse të brendshme, shkallët, hollet, çatia ose taraca, oxhaqet, si edhe të gjitha ato objekte të ndërtesës, që kanë karakter të tillë dhe shërbejnë për përdorim të përbashkët;

b) puset, instalimet e ujit, instalimet elektrike, të gazit, të telefonisë e të ngrohjes qendrore, duke përfshirë edhe tubacionet dhe linjat përkatëse, si dhe kanalet e ndryshme deri në pikën e degëzimit të tyre brenda njësive të ndara të kateve.

 

Neni 210

E drejta e secilit bashkëpronar mbi sendet e përmendura në nenin e mësipërm, është në përpjesëtim me vleftën e katit ose të pjesëve të katit që i përkasin atij, përveç kur titulli parashikon ndryshe.

Heqia dorë nga e drejta mbi sendet e mësipërme, nuk e liron bashkëpronarin nga detyrimi për të kontribuar në shpenzimet për mbajtjen e tyre.

 

Pandashmëria e objekteve të përbashkëta

Neni 211

Objektet e përbashkëta të ndërtesës nuk lejohet të ndahen, përveç kur ndarja e ndonjërit prej tyre mund të kryhet pa ia vështirësuar përdorimin e tij asnjërit nga bashkëpronarët.

 

 

Përbërja e asamblesë dhe zgjedhja e kryesisë

Neni 212

Asambleja përbëhet nga pronarët e secilit kat ose njësie të ndarë të çdo kati, të cilët kanë në bashkëpronësi objektet e përbashkëta të ndërtesës.

Në mbledhjen e parë të asamblesë anëtarët e saj zgjedhin, nga gjiri i tyre, kryesinë, e cila ngarkohet të kryejë, në emër e për llogari të tyre të gjitha veprimet e nevojshme për administrimin dhe mirëmbajtjen e zakonshme të objekteve të përbashkëta, përveç atyre veprimeve që janë në kompetencë vetëm të asamblesë, si dhe të përfaqësojë në instancat gjyqësore kompetente dhe në arbitrazh.

 

Mbledhjet e asamblesë dhe vlefshmëria e vendimeve

Neni 213

Pas mbledhjes së parë organizuese, mbledhjet e asamblesë thirren një herë në vit. Mbledhje të tjera të asamblesë mund të thirren nga kryesia e saj ose me nismën e jo më pak se 20% të anëtarëve të saj.

Asambleja mund të çelet dhe të marrë vendime kur janë të pranishëm personalisht ose të përfaqësuar me prokurë bashkëpronarët, të cilët kanë të paktën dy të tretat e tërësisë së kuotave. Kur ky numër nuk është i pranishëm, mbledhja shtyhet dhe mbledhja pasardhëse zhvillohet në rast se merr pjesë shumica e zakonshme e bashkëpronarëve.

Vendimet e asamblesë merren me shumicë të thjeshtë votash të bashkëpronarëve, përveç rasteve kur në dispozitat e këtij kreu ose me dispozita të veçanta kërkohet një shumicë e cilësuar. Kur numri i votave është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

 

Kompetencat kryesore të asamblesë

Neni 214

Asambleja ka edhe këto kompetenca kryesore:

1. Miraton rregulloren për administrimin e banesës, e cila hartohet sipas rregullores tip të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

2. Krijon fondin rezervë për shpenzimet e përbashkëta, duke caktuar edhe shumën vjetore të tij.

3. Miraton preventivat e shpenzimeve që ka vendosur të kryhen gjatë vitit, si dhe ndarjen e shumës së tyre midis bashkëpronarëve.

Shpenzimet e përbashkëta për mirëmbajtjen, riparimet dhe përmirësimet e zakonshme të këtyre objekteve miratohen nga asambleja me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa shpenzimet për përmirësime të mëdha ose rinësime cilësore vendosen me shumicë të cilësuar të bashkëpronarëve që arrijnë të paktën 75% të kuotave përkatëse.

4. Emëron, kur çmohet e domosdoshme, kujdestarin e ndërtesës, duke caktuar kompetencat dhe pagën e tij.

5. Autorizon kryesinë që të sigurojë, brenda kufijve të arsyeshme, objektet që janë pronë e përbashkët, si dhe të lidhë kontrata të tjera të nevojshme për mirëmbajtjen, riparimet dhe përmirësimet e zakonshme, ose, sipas rastit, për përmirësime të mëdha apo rinësime të këtyre objekteve.

 

Neni 215

Vendimet e marra nga asambleja sipas dispozitave të mësipërme janë të detyrueshme për të gjithë bashkëpronarët.

 

Padia kundër vendimeve të asamblesë

Neni 216

Kur një vendim i asamblesë është i paligjshëm ose cenon interesat e ndonjërit nga bashkëpronarët e këtyre objekteve, çdo bashkëpronar ka të drejtë të paraqesë në gjykatën kompetente padi për pavlefshmërinë e atij vendimi, brenda tridhjetë ditëve nga data e dhënies së tij. Paraqitja e kërkesë-padisë nuk pezullon zbatimin e vendimit të asamblesë, përveç kur gjykata ka vendosur ndryshe.

 

Detyrimet e bashkëpronarëve

Neni 217

Çdo bashkëpronar ka këto detyrime:

1. Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e bashkëpronarëve, në përpjesëtim me vleftën e pjesës së secilit, përveç kur ka marrëveshje tjetër.

Për sendet që u shërbejnë bashkëpronarëve në masë të ndryshme, shpenzimet përballohen në përpjesëtim me përdorimin që mund t’u bëjë atyre secili.

Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e bashkëpronarëve në përpjesëtim me vleftën e pjesës të secilit, përveç kur ka marrëveshje tjetër.

2. Të mos kryejë në katin ose njësinë e ndarjes së katit, që është në pronësi të veçantë të tij, ndërtime të cilat mund t’ u shkaktojnë dëme objekteve të përbashkëta të ndërtesës.

3. Të ndreqë dëmin ose të paguajë shpenzimet për zëvendësimin e tij, që ai vetë ose një anëtar i familjes së tij i ka shkaktuar me faj, cilitdo objekti të përbashkët.

4. Të mos kryejë, pa lejen paraprake të asamblesë, në katin ose në njësinë e ndarë të katit që është në pronë të tij, shtesa ose ndryshime të cilat mund të cenojnë pamjen e jashtme të ndërtesës.

 

Shtesa të reja mbi katin e fundit

Neni 218

Ndërtimi mbi katin e fundit të një ndërtese, të kateve ose veprave të tjera, mund të realizohet me vendimin e shumicës prej 3/4 të bashkëpronarëve të ndërtesës.

 

Neni 219

Ndalohet dhënia e lejes për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla mbi katin e fundit në qoftë se kushtet statike të ndërtesës nuk e lejojnë.

Bashkëpronarët mund të kundërshtojnë lejen e dhënë nga organi kompetent shtetëror për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla mbi katin e fundit dhe kur provohet se ato pakësojnë ajrin apo dritën për katet e mëposhtme ose cenojnë pamjen arkitektonike të ndërtesës.

 

Neni 220

Ata që janë lejuar të bëjnë shtesa ose vepra të tjera në katin e fundit detyrohen të rindërtojnë taracën, të cilën të gjithë ose një pjesë e bashkëpronarëve kishin të drejtë ta përdornin.

 

Shëmbja tërësore ose pjesore e ndërtesës

Neni 221

Kur ndërtesa shëmbet tërësisht ose në një pjesë që përbën jo më pak se tre të katërtat e vlerës së saj, secili bashkëpronar mund të kërkojë që të shiten në ankand trualli dhe materialet, përveç kur është vendosur ndryshe.

Kur ndërtesa është dëmtuar në një përmasë më të vogël, asambleja vendos për rindërtimin e objekteve të përbashkëta të ndërtesës dhe secili bashkëpronar i tyre detyrohet të kontribuojë në përpjesëtim me të drejtat e tij në ato objekte.

Bashëpronari që nuk dëshiron të marrë pjesë në rindërtimin e ndërtesës, duhet t’u shesë bashkëpronarëve të tjerë ose ndonjërit prej tyre edhe objektet, të cilët janë pronë vetëm e tij, sipas vlerësimit që do të bëhet.

 

B. Bashkëpronësia midis anëtarëve të familjes bujqësore

Neni 222

Pronësia mbi pasurinë e anëtarëve të familjes bujqësore, u përket në tërësi anëtarëve të saj, të cilët nëpërmjet punës ose të drejtave të tjera të fituara, kanë kontribuar në krijimin e në mbajtjen e ekonomisë bujqësore.

 

Neni 223

Familja bujqësore përbëhet nga personat që lidhen ndërmjet tyre për shkak gjinie, martese, birësimi ose pranimi si anëtar i saj.

 

Neni 224

Familja bujqësore përfaqësohet në marrëdhëniet pasurore me të tretët nga kryetari, i cili zgjidhet nga anëtarët e saj.

 

Neni 225

Në pasurinë e familjes bujqësore nuk përfshihen sendet e përdorimit thjesht vetjak të anëtarëve, si dhe sendet që anëtari ka fituar me të ardhurat e tij vetjake, me dhurim ose me trashëgim.

 

Neni 226

Anëtari i familjes bujqësore nuk mund të tjetërsojë asnjë pjesë të pasurisë së familjes bujqësore, gjersa nuk është bërë pjesëtimi i saj.

 

Neni 227

Çdo anëtar i familjes bujqësore mund të kërkojë pjesën e vet në pasurinë e familjes bujqësore. Ajo përcaktohet duke marrë parasysh sidomos:

a) pasurinë që i përket tërë familjes;

b) numrin e anëtarëve të familjes;

c) kontributin e tij në vënien ose shtimin e pasurisë së familjes duke u nisur nga sasia ose efektiviteti i këtij kontributi, si dhe nga puna dhe mjetet e dhëna në krijimin dhe mbajtjen e ekonomisë bujqësore.

 

Neni 228

Pjesëtimi i pasurisë së familjes bujqësore, bëhet sipas rregullave të caktuara në nenin 207 të këtij Kodi.

Kur kërkohet pjesa nga anëtarë të veçantë të saj, ajo vlerësohet dhe i jepet në para. Kur pjesëtimi kërkohet nga disa pjesëtarë të familjes bujqësore, me qëllim që të krijohet një familje tjetër bujqësore, pjesa mund të jepet në natyrë, me kusht që toka bujqësore që u mbetet familjeve të ndara, të mos jetë nën minimumin e njësisë minimale të kultivimit.                  Me njësi minimale të kultivimit kuptohet toka bujqësore, që është e nevojshme për mbajtjen e një ekonomie bujqësore, sipas kushteve natyrore të krahinës apo zonës përkatëse.

 

Neni 229

Familja bujqësore përgjigjet për veprimet e paligjshme të kryera nga anëtarët e saj, gjatë ushtrimit të detyrave që rrjedhin nga veprimtaria ekonomike e vetë familjes bujqësore.

 

Neni 230

Familja bujqësore nuk përgjigjet për detyrimet ekonomike vetjake të anëtarëve, duke përfshirë edhe kryetarin e saj. Kreditorët kanë të drejtë të paguhen nga pjesa që i takon anëtarit debitor në të ardhurat e familjes bujqësore dhe nga pjesa që i takon atij në pasurinë e familjes bujqësore.

 

C. Bashkëpronësia ndërmjet bashkëshortëve

Neni 231

Bashkëpronësia ndërmjet bashkëshortëve rregullohet me dispozita të Kodit të Familjes.

 

TITULLI IV

 

UZUFRUKTI

 

KREU I

 

DISPOZITA Të PËRGJITHSHME

 

Përmbajtja e uzufruktit

Neni 232

Uzufrukti është e drejta e një personi (uzufruktari) për të gëzuar një send që është në pronësi të një tjetri, me detyrim që ta ruajë e ta mirëmbajë atë.

 

Mënyra e krijimit të uzufruktit

Neni 233

 

Uzufrukti krijohet me ligj ose me një veprim juridik. Ai mund të fitohet edhe me parashkrimin fitues.

 

Kohëzgjatja e uzufruktit

Neni 234

Uzufrukti mund të jetë me ose pa afat, por në çdo rast nuk mund të kalojë jetën e uzufruktarit.

Kur e drejta e uzufruktit gëzohet nga një person juridik, nuk mund të zgjasë më shumë se tridhjetë vjet.

 

Mënyra e krijimit

Neni 235

Uzufrukti që krijohet me veprim juridik duhet të bëhet me akt noterial, ndërsa kur fitohet me testament veprohet sipas dispozitave përkatëse.

Uzufrukti mbi një send të paluajtshëm duhet të regjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

 

Bashkuzufrukti

Neni 236

Uzufrukti mund të jetë në favor të më shumë se një personi. Kur e drejta e njërit prej tyre shuhet, ajo u kalon uzufruktarëve që mbeten, në përpjesëtim me pjesët. Në këtë mënyrë veprohet deri në shuarjen e së drejtës së uzufruktarit të fundit që mbetet.

 

KREU II

 

TË DREJTAT QË RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI

 

Kufijtë e gëzimit të sendit në uzufrukt

Neni 237

Uzufruktari gëzon sendin e vënë në uzufrukt, por nuk mund të ndryshojë destinimin ekonomik që ka patur ai në fillim të uzufruktit, pa pëlqimin e pronarit ose pa autorizimin e gjykatës së rrethit, kur pronari dhe uzufruktari nuk merren vesh.

Gjatë vazhdimit të uzufruktit ose në mbarimin e tij, uzufruktari mund të heqë shtesat që i janë bërë sendit, në kushtet e paragrafit të parë të këtij neni, që mund të shkëputen pa e dëmtuar atë, duke e kthyer në gjendjen e tij fillestare, përveç kur parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.

 

Përmirësimet e sendit në uzufrukt

Neni 238

Uzufruktari në mbarim të uzufruktit nuk ka të drejtë të kërkojë shpërblimin për përmirësimet e bëra në send gjatë përdorimit edhe sikur të jetë shtuar vlefta e tij, përveç kur është parashikuar ndryshe në aktin e krijimit të uzufruktit.

Shtesa e vleftës mund të kompensohet me dëmet që mund t’i jenë shkaktuar sendit pa fajin e uzufruktarit.

Kur nuk ka vend për kompensim, uzufruktari mund të heqë shtesat e bëra, pa u dëmtuar sendi, përveç kur pronari pranon të paguajë vleftën e tyre, si të ishin të ndara nga sendi.

 

Përkatësia e frutave

Neni 239

Uzufruktarit i takojnë frutat natyrore dhe ato civile që prodhon sendi gjatë kohëvazhdimit të uzufruktit.

Frutat natyrore që nuk janë ndarë nga sendi në kohën e fillimit të uzufruktit, i përkasin uzufruktarit dhe anasjelltas, kur ato nuk janë ndarë nga sendi kur mbaron uzufrukti, i përkasin pronarit.

 

Kalimi i së drejtës së uzufruktit

Neni 240

Uzufruktari mund t’ia kalojë një tjetri këtë të drejtë për një kohë ose për gjithë kohën e qënies së saj, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.

Kalimi duhet t’i njoftohet me shkrim pronarit, përndryshe uzufruktari i mëparshëm dhe personi që ka fituar një të drejtë të tillë përgjigjen solidarisht ndaj pronarit.

 

E drejta e tjetërsimit

Neni 241

Uzufruktari ka të drejtë të tjetërsojë sendet objekt uzufrukti në masën që ato destinohen të tjetërsohen dhe në përputhje me natyrën e tyre.

Në raste të tjera uzufruktari nuk mund të tjetërsojë sendet në uzufrukt pa pëlqimin e pronarit ose pa autorizimin e gjykatës së rrethit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.

Autorizimi nuk duhet të jepet kur preken interesat e pronarit, uzufruktarit ose të personave të tretë.

 

Zëvendësimi i sendit në uzufrukt

Neni 242

Kur sendet në uzufrukt janë tjetërsuar ose janë zëvendësuar me sende të tjera, këto i përkasin pronarit dhe njëkohësisht janë objekt i uzufruktit.

Rregulli i mësipërm vlen për gjithçka që sigurohet nga vjelja e detyrimeve objekt uzufrukti, nga kompensimi për shpërblimin e dëmeve ose nga zhvleftësimi i pasurisë, kur zëvendësojnë ose përmirësojnë sendet objekt uzufrukti.

Janë gjithashtu objekt uzufrukti, sendet që vilen nga përfitimet e tjera që jep uzufrukti, por që nuk janë fruta.

 

Investimet

Neni 243

Pronari dhe uzufruktari duhet të merren vesh që paratë objekt uzufrukti të investohen në mënyrë frutdhënëse ose të shpenzohen në interes të pasurisë tjetër në uzufrukt.

 

Dhënia me qira

Neni 244

Uzufruktari ka të drejtë të japë me qira sendet në uzufrukt përveç kur është parashikuar ndryshe në aktin e krijimit të tij.

Kur mbaron uzufrukti, pronari duhet të respektojë qiranë e filluar normalisht më parë, përveç kur zgjatja e afatit të saj është bërë pa pëlqimin e tij. Kur uzufruktari ose qiramarrësi i kanë kërkuar pëlqimin pronarit për qiradhënien dhe ky nuk është përgjigjur në afatin e caktuar, quhet se pëlqimi është dhënë.

Kur pushon uzufrukti, qiradhëniet për një afat mbi pesë vjet, kanë vlerë vetëm për pesë vjet nga dita që ka filluar qiradhënia.

 

Gëzimi i servituteve

Neni 245

Uzufruktari gëzon të drejtat e servituteve të lidhura me pronën mbi të cilën ka uzufruktin dhe të drejtat e tjera reale që do t’i gëzonte vetë pronari, përveç kufizimeve të parashikuara në aktin e krijimit apo në ligj.

 

 

KREU III

 

DETYRIME Që RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI

 

Zëvendësimi i dëmeve

Neni 246

Uzufruktari detyrohet të shpërblejë vleftën e sendit të humbur ose të dëmtimit të tij, përveç kur provon se nuk janë shkaktuar për fajin e tij.

Ai detyrohet të zëvendësojë sendet që, sipas uzufruktit, nuk kishte të drejtë t’i konsumonte.

 

Inventaret

Neni 247

Uzufruktari merr në dorëzim sendet në gjëndjen që ndodhen para fillimit të uzufruktit. Sendet në uzufrukt merren në dorëzim me inventar të bërë me akt noterial, në prani të pronarit, pasi të jetë njoftuar në një afat të përshtatshëm. është e drejtë e palëve që në inventar të shënohen të gjitha hollësitë që kanë lidhje me përcaktimin dhe gjëndjen e sendeve që merren në uzufrukt.

Inventari mund të kryhet edhe me akt privat, kur bien në marrëveshje të dy palët, që janë të pranishëm gjatë kryerjes së tij. Shpenzimet për kryerjen e inventarit janë në ngarkim të uzufruktarit, përveç kur parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.

 

Njoftimet periodike

Neni 248

Uzufruktari detyrohet t’i dërgojë pronarit në fund të çdo viti një njoftim të hollësishëm me shkrim të nënshkruar prej tij, për sendet që nuk ekzistojnë më ose për sendet që i kanë zëvendësuar ato, si dhe përfitimet e tjera nga sendet në uzufrukt, që nuk hyjnë në kategorinë e frutave.

Shpenzimet për kryerjen e deklaratës vjetore, janë në ngarkim të uzufruktarit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.

 

Dhënia e garancisë

Neni 249

Uzufruktari detyrohet t’i japë pronarit një garanci me shkrim për përmbushjen e detyrimeve të rrjedhura nga uzufrukti, përveç kur në aktin e krijimit është shkarkuar nga një detyrim i tillë ose kur interesat e pronarit mbi sendet në uzufrukt janë siguruar në mënyrë të mjaftueshme nga një institut i ngarkuar me këtë punë.

Prindërit që kanë uzufruktin ligjor mbi sendet në pronësi të fëmijëve të tyre, përjashtohen nga dhënia e një garancie të tillë.

Kur uzufruktari është shkarkuar nga detyrimi për dhënien e garancisë, pronarit i lind e drejta të kërkojë prej tij që t’i tregohen çdo vit sendet që i janë dhënë në uzufrukt ose të njihet me njoftimin e një institucioni krediti për paratë apo letrat me vlerë të depozituara.

Uzufruktari nuk mund të fitojë posedimin e sendeve të vëna në uzufrukt, pa plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ky nen.

 

Pasojat e mosdhënies së garancisë

Neni 250

Kur uzufruktari nuk jep garanci, merren masa për administrimin e sendeve në uzufrukt. Sendet e paluajtshme jepen me qira ose i besohen një administratori të zgjedhur me marrëveshje ndërmjet pronarit e administratorit dhe kur nuk arrihet një marrëveshje e tillë, administratori caktohet nga gjykata e rrethit.

Uzufruktari ka të drejtë të mbajë për banim të tij dhe të familjes së tij, një banesë që përfshihet në uzufrukt.

Paratë që përfshihen në uzufrukt investohen me kamatë.

Sendet e luajtshme që vjetërohen ose dëmtohen nga përdorimi ose sendet ushqimore që rrezikohen të prishen, shiten dhe vlefta e tyre jepet me kamatë ose përdoret për sendet në uzufrukt.

Uzufruktari mund të kërkojë t’i lihen sende të luajtshme të mjaftueshme për përdorim vetjak.

 

Shpenzimet e mirëmbajtjes

Neni 251

Shpenzimet që nevojiten për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sendit janë në ngarkim të uzufruktarit. Janë gjithashtu në ngarkim të tij edhe shpenzimet për ndreqjet jo të zakonshme, kur ato janë rrjedhim i mospërmbushjes së detyrimeve të tij ndaj sendit në uzufrukt.

Riparimet e jashtëzakonshme janë në ngarkim të pronarit. Kur pronari refuzon t’i kryejë ato ose të tjerat që i janë ngarkuar atij, ose vonon pa arsye kryerjen e tyre, uzufruktari i kryen vetë me shpenzimet e tij, të cilat shlyhen deri në përfundimin e uzufruktit. Uzufruktari ka të drejtë të mbajë sendin e ndrequr deri në shlyerjen e shpenzimeve.

 

Sigurimi i uzufruktit

Neni 252

Uzufruktari duhet të sigurojë sendet në uzufrukt në favor të pronarit për rreziqet që zakonisht ato duhet të sigurohen ose që janë të detyrueshme nga ligji. Në rast dëmtimi uzufrukti shtrihet mbi shpërblimin e paguar.

Kur uzufrukti nuk përmbush një detyrim të tillë, pronari ka të drejtë të bëjë vetë sigurimin e pronës dhe uzufruktari detyrohet t’i paguajë shpenzimet përkatëse.

 

Shpronësimi i sendeve në uzufrukt

Neni 253

Kur sendi shpronësohet për interesa publike, uzufrukti kalon mbi shpërblimin përkatës.

 

Pagimi i taksave dhe i detyrimeve të tjera

Neni 254

Tatimet, taksat, shpëblimet, rentat tokësore dhe detyrimet e tjera vjetore që kanë lidhje me të ardhurat gjatë uzufruktit janë në ngarkim të uzufruktarit.

Tatimet, taksat e detyrimet e tjera në ngarkim të pronës gjatë uzufruktit, janë në ngarkim të pronarit.

 

KREU IV

 

MBARIMI I UZUFRUKTIT

 

Neni 255

Uzufrukti mbaron:

– me vdekjen e uzufruktarit ose me mbarimin e personit juridik uzufruktar;

– me mbarimin e afatit të caktuar në aktin e krijimit;

– me bashkimin e cilësive të pronarit e të uzufruktarit në një person të vetëm;

– me shkatërrimin tërësisht ose humbjen e sendit të dhënë në uzufrukt;

– me mospërdorimin e uzufruktit radhazi për njëzetë vjet.

 

Pushimi i uzufruktit

Neni 256

Uzufrukti mund të pushojë kur uzufruktari shpërdoron të drejtat ose nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga uzufrukti.

Megjithatë gjykata, sipas rrethanave që do të rezultojnë mund të urdhërojë që uzufruktari t’i japë garanci, në rast se ka qënë shkarkuar nga një detyrim i tillë, ose me kërkesën e pronarit t’i lihet atij administrimi i sendit në uzufrukt ose një personi tjetër ose dhe dhënia me qira e sendit.

 

Heqja dorë nga uzufrukti

Neni 257

Uzufruktari mund të kërkojë që, me shpenzimet e tij, të heqë dorë nga uzufrukti për shkak të barrëve e detyrimeve që rrjedhin prej tij.

 

Kthimi i sendeve në uzufrukt

Neni 258

Kur mbaron uzufrukti, uzufruktari ose trashëgimtarët e tij detyrohen të vënë në dispozicion të pronarit sendet e vëna në uzufrukt.

 

TITULLI V

 

PERDORIMI E BANIMI

 

Neni 259

Personi që ka një të drejtë thjesht përdorimi mbi një send, e përdor atë dhe gëzon frutet e tij në masën që ka nevojë për vete e për familjen e tij.

Kur objekti i të drejtës së përdorimit është një banesë, personi ka të drejtë të banojë atje sipas nevojave të tij e të familjes së tij. Sendi ose banesa që përdoret sipas kësaj dispozite nuk mund të tjetërsohet, të rëndohet dhe as të përdoret nga persona të tjerë.

 

Neni 260

Dispozitat që kanë lidhje me uzufruktin zbatohen dhe për të drejtën e përdorimit dhe të banimit, për aq sa përputhen me këto të drejta.

 

 

TITULLI VI

 

SERVITUTET

 

KREU I

 

DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

 

Neni 261

Servituti është barra që i ngarkohet një prone, për përdorimin dhe dobinë e një prone të një pronari tjetër.

 

Neni 262

Servituti vendoset me ligj ose me vullnetin e njeriut.

 

Neni 263

Pronari i pronës shërbyese nuk është i detyruar të kryejë ndonjë veprim për të bërë të mundur ushtrimin e servitutit, përveç kur në ligj ose nga titulli, parashikohet ndryshe.

 

Neni 264

Pronari, në favor të të cilit është vënë servituti, detyrohet t’i shpërblejë pronarit të pronës shërbyese dëmin që i shkaktohet nga krijimi i servitutit.

 

KREU II

 

SERVITUTET DETYRUESE

 

Neni 265

Pronari i një prone që, në bazë të ligjit, ka të drejtë të kërkojë nga pronari i një prone tjetër krijimin e një servituti, në mungesë të një marrëveshjeje, mund t’i drejtohet gjykatës.

Servituti detyrues mund të krijohet edhe me akt të organit shtetëror, në rastet e parashikuara me ligj.

Vendimi duhet të përcaktojë rregullat e ushtrimit të servitutit dhe shpërblimin e dëmit përkatës.

 

Rrjedhja e ujërave

Neni 266

Pronari është i detyruar të pranojë në tokën e tij ujërat e shiut, të borës ose të burimeve të pashfrytëzuara, që rrjedhin natyrshëm nga një tokë me nivel më të lartë. Pronari nuk mund të ndryshojë këtë rrjedhë natyrore në dëm të një tjetri.

Uji që rrjedh mbi një tokë të mëposhtme mund të mbahet nga pronari i tokës së mësipërme, vetëm në masën që është e domosdoshme për atë tokë.

 

Neni 267

Në rastet kur anëbrigjet dhe shpatet e një prone që shërbenin për të ndaluar ujërat, janë shkatërruar ose dëmtuar, si dhe kur del e nevojshme që nga shkaku i ujërave të ndërtohen mbrojtësa dhe pronari i asaj prone nuk pranon t’i ndërtojë ose t’i riparojë, pronarët e dëmtuar ose që rrezikohen të dëmtohen, mundet që me shpenzimet e tyre t’i ndërtojnë ose t’i riparojnë ato.

Këto ndërtime e riparime duhet të kryhen pa iu shkaktuar pronarit të pronës shërbyese ndonjë dëm, duke respektuar rregullat e posaçme, kur ka të tilla. Kur pronari i pronës shërbyese ka kundërshtime, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.

 

Neni 268

Dispozitat e nenit të mësipërm zbatohen edhe kur del e nevojshme të hiqet një pengesë lëndësh të formuara në një pronë tjetër ose në një hendek, rrjedhë uji ose vijë kulluese, të cilat dëmtojnë pronat fqinje.

 

Neni 269

Pronari që ka një burim uji në pronën e vet është i lirë në përdorimin e tij, por pa cenuar të drejtat që mund të ketë fituar pronari i pronës më të ulët në bazë të një titulli ose me parashkrim.

 

Neni 270

Në rast se një rrjedhë uji u ndalon pronarëve të pronave ngjitur, hyrjen në këto ose vazhdimin e vaditjes apo të kullimit të ujërave, ata që përdorin këtë rrjedhë, detyrohen që në proporcion me përfitimin që nxirret prej tij (ujit) të ndërtojnë e të mirëmbajnë urat e mjetet e tjera të kalimit, në mënyrë të volitshme e të sigurt, si dhe gypat e nëndheshëm ose vepra të tjera të kësaj natyre për vazhdimin e ujitjes e të kullimit.

 

Neni 271

Pronari i një toke detyrohet të pranojë pa shpërblim ujërat që vijnë nga drenazhimi i një toke të mësipërme, kur ato rrjedhin natyrshëm në tokën e tij.

Kur nga kjo rrjedhë i shkaktohet dëm, ai ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe marrjen e masave për mënjanimin në të ardhmen.

 

Neni 272

Rregullat për ndërtimin e banesave e të ndërtimeve të tjera, largësia ndërmjet tyre, marrja e dritës dhe e pamjes, nxjerrja e ballkoneve e ndërtime të tjera të kësaj natyre, rregullohen me ligj të veçantë duke respektuar të drejtat e pronarit të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.

 

Servitutet që rrjedhin nga marrja e ujit

Neni 273

Kalimi i ujërave nëpër pronën e tjetrit duhet të kryhet në mënyrën më të volitshme e më të përshtatshme me më pak dëme, por pa penguar ushtrimin normal të servitutit.

 

Neni 274

Kur kalimi i ujërave kërkohet për një kohë jo më të gjatë se nëntë vjet, pagimi i vleftës dhe i shpërblimit të dëmeve të përmendura në dispozitën e mësipërme bëhet në gjysmën e kësaj vlefte, me detyrimin që me mbarimin e afatit të rivihet gjithçka në gjendjen e mëparshme.

Ky servitut mund të bëhet i përhershëm kur kjo kërkohet para mbarimit të afatit, nëpërmjet pagimit të gjysmës tjetër, të vleftës së bashku me kamatat ligjore, nga data që ka filluar kalimi.

Kur kërkesa bëhet pas mbarimit të afatit, nuk merren parasysh pagesat për dhënien përkohësisht të kësaj të drejte.

 

Neni 275

Kur kalimi i ujërave duhet të kryhet duke përshkuar rrugë publike ose lumenj e ndërtime të tjera publike, zbatohen rregullat e parashikuara në dispozita të veçanta.

 

Neni 276

Kur në një shtëpi ose në mjediset e tjera të saj mungon uji i nevojshëm për jetesën e njerëzve ose të kafshëve dhe nuk mund të sigurohet ndryshe, ose nevojiten shpenzime të mëdha, pronari i tokës fqinje duhet të lejojë që një sasi uji tepricë të përdoret në masën e domosdoshme për nevojat e mësipërme, duke përballuar pala tjetër vleftën e ujit që kërkohet dhe shpenzimet që duhet të kryhen për këtë qëllim, si dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin që mund të shkaktohet.

 

Servituti i kalimit

Neni 277

Pronari që nuk ka dalje në rrugën publike dhe nuk mund ta sigurojë atë përveç se me shpenzime të mëdha e me vështirësi, ka të drejtë të ketë rrugë kalimi nga toka fqinje, për përdorimin e përshtatshëm të pronës së vet.

Kalimi duhet të përbëjë rrugën më të shkurtër për në rrugën publike dhe me më pak dëme për pronën shërbyese.

Kjo dispozitë zbatohet edhe kur pronari, që i është njohur e drejta e kalimit në pronën e tjetrit, kërkon zgjerimin e arsyeshëm të rrugë-kalimit për mjete, duke përfshirë edhe kalimin e mjeteve mekanike.

 

Neni 278

Pronari duhet të lejojë fqinjin të hyjë e të kalojë në tokën e tij sa herë ka nevojë të ndërtojë ose të ndreqë një mur apo një vepër tjetër. Ai duhet të lejojë personin që të kërkojë e të marrë gjënë e gjallë e çdo send tjetër të tij, që ndodhen aty rastësisht ose si rrjedhim i erës, ujit, orteqeve dhe forcave të tjera madhore, ndodhen në tokën e tij apo janë bashkuar me sende të tij.

Pronari mund të mos lejojë hyrjen kur merr përsipër të dorëzojë vetë sendin e ndodhur në tokën e tij. Kur është rasti pronari i tokës shpërblehet për dëmin e shkaktuar.

 

Neni 279

Personi që do të kalojë në tokën e tjetrit, duhet të paguajë vleftën e tokës që zihet, pa zbritur tatimet e barrët e tjera që lidhen me tokën, si dhe shpërblimin për dëmin që shkaktohet duke përfshirë edhe dëmin që vjen nga ndërprerja e tokës, nga mospërdorimi i saj, nga depozitimi i lëndëve të nxjerra e hedhja e mbeturinave. Pronari i tokës shërbyese ka të drejtë të largojë këto të fundit dhe ta përdorë sipërfaqen e tokës, por gjithnjë pa dëmtuar ushtrimin normal të servitutit.

 

Servituti për vendosjen e gypave, kabllove e telave

Neni 280

Pronari duhet të lejojë persona të tjerë që të ndërtojnë në pronën e tij të paluajtshme kanale ose të vendosin gypa për kalimin e ujit ose të gazit, si dhe kabllo e tela telegrafikë ose elektrikë dhe instalime të tjera të kësaj natyre, por vetëm kur këto vepra nuk kanë mundësi të kryhen ndryshe ose pa u bërë shpenzime të mëdha. Pronari, kur i shkaktohet dëm, ka të drejtë të shpërblehet

 

KREU III

 

SERVITUTET VULLNETARE

 

Neni 281

Pronari mund të krijojë mbi pronat e veta ose në dobi të tyre, çdo lloj servituti, me kusht që të mos jetë në kundërshtim me rendin juridik.

Servitutet vullnetare krijohen me kontratë ose me testament.

 

Neni 282

Servitutet janë vijuese kur ushtrimi i tyre bëhet pa qenë nevoja për veprime të herëpasherëshme të njeriut, siç janë vijat e ujit, pikat e strehëve e të tjera të kësaj natyre.

Servitutet janë jo vijuese, kur në ushtrimin e tyre kërkohet kryerja e veprimeve të tashme të njeriut, siç janë e drejta për të marrë ujë, për kullotjen e bagëtive e të tjera të kësaj natyre.

Servitutet mund të jenë të dukshme e të padukshme.

Të padukshme janë servitutet për të cilat nuk nevojiten punime të dukshme ose të përhershme, që janë të nevojshme për ushtrimin e tyre.

 

Neni 283

Servitutet vijuese e të dukshme krijohen me titull ose me parashkrimin dhjetë vjeçar. Servitutet vijuese të padukshme dhe servitutet jo vijuese, të dukshme ose jo, nuk mund të krijohen veçse me titull.

 

Neni 284

Kur dy prona pushojnë së qëni në pronësinë e një personi, servituti konsiderohet se ekziston në mënyrë aktive apo pasive në dobi ose kundër secilës nga pronat e veçuara, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.

KREU IV

 

MëNYRAT E USHTRIMIT Të SERVITUTEVE

 

Neni 285

E drejta e servitutit përfshin çdo gjë që është e nevojshme për ta përdorur atë.

 

Neni 286

Pronari, pa pëlqimin e uzufruktarit, nuk mund të ngarkojë pronën me servitute që cenojnë të drejtat e uzufruktarit.

 

Neni 287

Servituti mbi një pronë që u përket disa personave në bashkëpronësi mund të krijohet vetëm me miratimin e gjithë bashkëpronarëve. Servituti i krijuar nga vetëm një ose disa bashkëpronarë, hyn në fuqi kur bashkëpronarët e tjerë bashkarisht apo veçmas, kanë dhënë miratimin për krijimin e tij.

 

Neni 288

Personi që ka një të drejtë servituti, duhet ta përdorë atë sipas titullit të tij ose të posedimit të tij. Kur ka dyshime rreth shtrirjes dhe mënyrës së ushtrimit të tij, quhet se servituti është krijuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e pronës dominuese, duke rënduar sa më pak pronën shërbyese.

 

Neni 289

E drejta e servitutit duhet të ushtrohet në kohën dhe në mënyrën që sjell më pak vështirësi e shqetësime për pronarin e pronës shërbyese.

 

Neni 290

Kur prona në dobi të së cilës është krijuar një servitut pjestohet, servituti do t’i shërbejë secilës pjesë, me kusht që barra e pronës shërbyese të mos rëndohet.

 

Neni 291

Pronari nuk duhet që me veprimet ose mosveprimet e tij të pakësojë përdorimin e servitutit ose ta bëjë atë më të vështirë.

Megjithë këtë, në qoftë se kanë ndryshuar kushtet dhe pronari i pronës shërbyese rëndohet ose pengohet në ushtrimin e të drejtave të pronësisë, mund t’i kërkojë pronarit, në dobi të të cilit është vënë servituti, ndërrimin e vendit të servitutit.

Këtë të drejtë e ka edhe pronari i pronës tjetër, kur provohet se ky ndërrim sjell dobi dhe nuk dëmton pronën shërbyese.

 

Mbrojtja e servitutit

Neni 292

Personi që ushtron një servitut, ka të drejtë të kërkojë gjyqësisht nga kushdo që kundërshton këtë të drejtë, duke kërkuar sipas rastit rivendosjen e plotë të saj, pushimin e cenimit që i bëhet si edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar.

 

 

KREU V

 

SHUARJA E SERVITUTEVE

 

Neni 293

Servitutet shuhen:

a) Kur në një person të vetëm bashkohet pronësia e pronës mbizotëruese me atë të pronës shërbyese.

b) Kur nuk përdoret për më shumë se dhjetë vjet.

Afati i parashkrimit për servitutet jo vijuese fillon të ecë nga dita kur servituti ka pushuar së përdoruri, ndërsa për servitutet vijuese nga dita kur është kryer një vepër ose është vërtetuar një fakt që pengon ushtrimin e servitutit. Për efekt të shuarjes së servitutit, llogaritet edhe koha që ai është ushtruar nga titullari i mëparshëm.

c) Kur sendet dëmtohen ose konsumohen deri në një shkallë sa nuk mund të përdoren për qëllimin e tyre.

Rikthimi në një gjendje që mund të përdoren sjell si rrjedhim edhe rivendosjen e servituteve, përveç kur kjo e drejtë është parashkruar.

 

Neni 294

Kur prona mbizotëruese është në bashkëpronësi, përdorimi i servitutit nga njëri prej bashkëpronarëve, ndërpret parashkrimin edhe ndaj bashkëpronarëve të tjerë.

 

Neni 295

Pezullimi ose ndërprerja e parashkrimit në favor të njërit nga bashkëpronarët, ka efekt edhe në favor të të tjerëve.

 

TITULLI VII

 

MBROJTJA E PRONëSISë

 

Padia për kërkimin e sendit

Neni 296

Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.

 

Të drejtat e poseduesit për të ardhurat

Neni 297

Poseduesit me mirëbesim i takojnë frutat natyrore të veçuara dhe frutat civile të vjela që janë bërë të kërkueshme deri në ditën që ka marrë dijeni se është posedues i paligjshëm, ose që i është njoftuar padia e pronarit për kërkimin e sendit. Ai nuk detyrohet të shpërblejë pronarin për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit për çdo shkak tjetër, por pas kësaj dite ai përgjigjet për frutat e vjela ose që duhet të kish vjelur, duke vepruar me përkujdesje deri në kohën e kthimit të sendit, për shpërblimin për përdorimin e sendit, si dhe për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit për faj të tij.

 

Neni 298

Poseduesi me keqbesim për gjithë kohën e posedimit të tij, detyrohet t’i kthejë pronarit bashkë me sendin edhe frutat natyrore të veçuara e frutat civile të vjela ose që janë bërë të kërkueshme, dhe të ardhurat e tjera që duhej të vilte, si dhe të shpërblejë pronarin për përdorimin e sendit dhe për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit qoftë dhe pa fajin e tij.

Ai shkarkohet nga përgjegjësia kur provon se dëmi do të shkaktohej edhe sikur të kishte dorëzuar sendin në kohën e duhur, përveç kur ai është marrë me anë vepre penale.

 

 

E drejta e poseduesit për shpenzimet

Neni 299

Poseduesi me mirëbesim ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve të nevojshme që kanë bërë për sendin dhe shpenzimet e dobishme, në masën që këto i kanë shtuar vleftën, në qoftë se kjo vazhdon të jetë në kohën e kthimit të sendit.

Poseduesi me mirëbesim ka të drejtë të zbresë nga të ardhurat e sendit, shpenzimet që i njihen sipas kësaj dispozite. Ai ka të drejtë të mbajë sendin, gjersa t’i paguhen shpenzimet e nevojshme të dobishme.

 

Neni 300

Poseduesi me keqbesim ka të drejtë të kërkojë vetëm pagimin e shpenzimeve të nevojshme që ka bërë për sendin.

 

Neni 301

Poseduesi me mirëbesim dhe ai me keqbesim, përveç shpenzimeve që u njihen sipas neneve të këtij Kodi, nuk kanë të drejtë të kërkojnë pagimin e shpenzimeve të tjera të bëra për sendin, por vetëm kanë të drejtë të heqin nga sendi atë që kanë bashkuar dhe që mund të ndahet pa dëm, përveç kur pronari pranon të paguajë vleftën e tyre.

 

Padia mohuese

Neni 302

Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cenon në pronësinë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cenimin dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe, kur është rasti të shpërblejë dëmet që mund t’i ketë shkaktuar.

 

Kallëzimi i një punimi të ri dhe i një dëmi të mundshëm

Neni 303

Pronari, personi që gëzon një të drejtë tjetër reale ose poseduesi, të cilët kanë arsye të shqetësohen se nga një punim i ri i filluar prej të tjerëve në tokën e tyre ose të tjetërkujt, mund t’i vijë dëm sendit në pronësi ose në posedimin e tij, mund t’i drejtohet gjykatës me kusht që ky punim të mos ketë përfunduar ose të mos ketë kaluar një vit nga fillimi i tij.

Gjykata sipas rastit vendos ndalimin e punimit, shëmbjen ose pakësimin e tij dhe kur është rasti edhe shpërblimin e dëmit ose rrëzon padinë duke urdhëruar shpërblimin e dëmit kur rezulton se punimi ka qënë ndaluar padrejtësisht.

 

TITULLI VIII

 

POSEDIMI

 

KREU I

 

DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

 

Kuptimi i posedimit

Neni 304

Posedimi është sundimi efektiv i një personi mbi një send dhe mbi të drejtat e tjera reale mbi atë. Posedimi mund të ushtrohet drejtpërsëdrejti ose nga një person që mban sendin.

 

Llojet e posedimit

Neni 305

Posedimi i personit jo pronar mund të jetë i ligjshëm ose i paligjshëm. Posedimi është i ligjshëm kur poseduesi e ka posedimin nga pronari, në bazë të një veprimi juridik, në bazë të ligjit ose të një akti administrativ.

Në të gjitha rastet e tjera posedimi është i paligjshëm.

 

Neni 306

Posedimi i paligjshëm mund të jetë me mirëbesim ose me keqbesim.

Posedimi është me mirëbesim kur poseduesi nuk ka ditur ose nuk ishte i detyruar të dinte se posedimi i tij është i paligjshëm.

Mirëbesimi prezumohet dhe mjafton të ketë qënë në kohën e fitimit të posedimit.

 

Prezumime mbi posedimin

Neni 307

Poseduesi i tanishëm që ka poseduar në një kohë të mëparshme, prezumohet se ka poseduar edhe në kohën e ndërmjetme.

 

Neni 308

Posedimi i tanishëm nuk prezumon posedimin e mëparshëm, përveç kur poseduesi ka një titull që përbën bazën e posedimit të tij.

Në këtë rast poseduesi prezumohet që të ketë qënë poseduar që nga data e titullit.

 

Mënyrat e fitimit të posedimit

Neni 309

Posedimi fitohet me anë veprimesh juridike, me trashëgim dhe me pushtim. Ai që ka fituar posedimin me mirëbesim, mund të bashkojë në posedimin e vet, edhe kohën e posedimit me mirëbesim të personit nga i cili ka fituar sendin.

 

 

KREU II

 

MBROJTJA E POSEDIMIT DHE E MBAJTJES

 

Mbrojtja e atëçastme

Neni 310

Poseduesi ka të drejtë të kundërshtojë aty për aty, duke përdorur një mbrojtje të përshtatshme, çdo veprim që ka për qëllim cenimin ose zhveshjen nga posedimi. Kur sendi është marrë me dhunë ose fshehurazi, poseduesi ka të drejtë ta marrë atë menjëherë ose në ndjekje e sipër, por duke evituar veprimet e dhunës që nuk pajtohen me rrethanat e ngjarjes.

 

Neni 311

E drejta për të mbrojtur posedimin i njihet edhe mbajtësit të sendit, kundër çdo personi tjetër, përveç ndaj atij nga i cili i vijnë këto të drejta.

 

Pushimi i cenimit të posedimit

Neni 312

Personi, që cenohet në posedimin e një sendi, mund të kërkojë brenda gjashtë muajve, pushimin e cenimit të posedimit dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen.

Kur posedimi është fituar me dhunë ose fshehurazi, padia mund të ngrihet brenda gjashtë muajve nga dita kur dhuna ose fshehtësia kanë pushuar.

Pushimi i cenimit të posedimit nuk mund të kërkohet nga personi që ka fituar posedimin me dhunë ose fshehurazi.

 

Rivendosja në posedim

Neni 313

Poseduesi, që në mënyrë të paligjshme është zhveshur nga posedimi, ka të drejtë të kërkojë brenda gjashtë muajve, rivendosjen e tij në posedim.

Këtë të drejtë nuk e ka poseduesi që ka marrë posedimin me dhunë ose fshehurazi. Kur zhveshja është e fshehtë, afati për të kërkuar rivendosjen e posedimit fillon nga dita e zbulimit të zhveshjes.

 

Neni 314

Rivendosja mund të kërkohet edhe kundër atij që e ka fituar posedimin nëpërmjet një titulli, por që ka patur dijeni për zhveshjen e ndodhur.

 

Neni 315

Gjatë gjykimit të padisë për pushimin e cenimit ose rivendosjen në posedim, i padituri nuk mund të pretendojë se është vetë pronar ose ka një të drejtë më të fortë se ajo e poseduesit.

 

 

PJESA III

 

TITULLI I

 

DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

 

Kuptimi i trashëgimit

Neni 316

Trashëgimia është kalimi me ligj ose me testament i pasurisë (trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave (trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

 

Neni 317

Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament, ose ka bërë vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm.

 

Koha dhe  vendi i çeljes së trashëgimit

Neni 318

Trashëgimia çelet në kohën kur vdes trashëgimlënësi dhe në vendin ku ai ka patur banimin e tij të fundit. Kur ky nuk dihet, trashëgimia çelet në vendin ku ndodhet e gjithë pasuria e tij ose pjesa kryesore e saj. Ajo rregullohet sipas ligjit të kohës kur është çelur.

 

Neni 319

Është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën disponohen ose përdorohen të drejta që rrjedhin nga një trashëgim ende i paçelur.

 

Zotësia për të trashëguar

Neni 320

Ka zotësi për të trashëguar personi që në kohën e çeljes së trashëgimisë është gjallë, ose është zënë para vdekjes së trashëgimlënësit dhe ka lindur i gjallë.

Prezumohet se ka qënë zënë në kohën e çeljes së trashëgimisë, ai që ka lindur brenda 300 ditëve nga vdekja e trashëgimlënësit.

 

Neni 321

Kur dy ose më shumë persona thirren për të trashëguar njëri tjetrin dhe nuk vërtetohet se cili prej tyre ka vdekur më parë, prezumohet se të gjithë kanë vdekur në të njëjtën kohë dhe nuk kalon ndonjë e drejtë nga njëri tek tjetri.

 

Padenjësia

Neni 322

Nuk mund të trashëgojë si i padenjë:

– ai që me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e tij;

– ai që ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet dënim me vdekje ose me heqje lirie mbi 10 vjet, kur kallëzimi ose dëshmia janë deklaruar të rreme në një gjykim penal;

– ai që me mashtrim, kanosje e dhunë ka shtyrë trashëgimlënësin që të bëjë, të ndryshojë ose të shfuqizojë testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rreme ose e ka përdorur atë për interesa të tij apo të të tjerëve;

– ai që është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe që e ka keqtrajtuar atë.

 

Neni 323

Padenjësia e prindit ose e të paralindurit, nuk përjashton fëmijët ose të paslindurit e këtij, si kur trashëgojnë vetë, ashtu dhe kur vijnë në trashëgim me zëvendësim. Në një rast të tillë, prindi i padenjë, në pjesën trashëgimore që u vjen fëmijëve të tij nuk mund të gëzojë të drejtat e uzufruktit dhe të administrimit, që ligji u njeh prindërve mbi pasuritë e fëmijëve të tyre.

 

Falja e padenjësisë

Neni 324

Trashëgimlënësi ka të drejtë ta falë personin e padenjë për ta trashëguar, me kusht që falja të bëhet shprehimisht me akt noterial ose me testament, ose kur falja, ndonëse nuk është bërë shprehimisht, trashëgimlënësi ka shënuar në testament se e ka njohur padenjësinë e megjithatë e cakton atë si trashëgimtar.

 

Detyrimet e trashëgimtarit të padenjë

Neni 325

Personi i përjashtuar nga trashëgimi si i padenjë detyrohet të kthejë frutat dhe çdo të ardhur tjetër që ka marrë nga pasuria në trashëgim pas çeljes së trashëgimisë.

 

Zëvendësimi

Neni 326

Zëvendësimi lejon vënien e zëvendësuesve në vendin, shkallën dhe në të drejtat e atij që zëvendësojnë.

 

Neni 327

Zëvendësimi në vijë të drejtë i të paslindurve, bëhet pa kufi dhe në të gjitha rastet, qoftë kur fëmija e trashëgimlënësit të konkurrojë me të paslindurit e një fëmije tjetër të paravdekur, qoftë dhe kur fëmijët e trashëgimlënësit kanë vdekur para tij dhe të paslindurit e këtyre janë ose jo në shkallë të njëjta, ose të numrit të tyre sipas barqeve.

 

Neni 328

Për të paralindurit në vijë të drejtë nuk ka zëvendësim; më i afërti përjashton të tjerët.

 

Neni 329

Në vijë të tërthortë, zëvendësimi pranohet në favor të fëmijëve e të paslindurve, të vëllezërve e motrave të trashëgimlënësit, edhe sikur këta të konkurrojnë me ungjët apo emtat e tyre apo me të paslindurit e tyre në shkallë të njëjtë ose jo.

 

Fitimi i trashëgimit

Neni 330

Trashëgimi fitohet me vdekjen e trashëgimlënësit.

 

Neni 331

Me çeljen e trashëgimit, trashëgimtarit i kalon edhe posedimi i trashëgimlënësit mbi pasurinë trashëgimore, pa qenë nevoja për të vënë dorë mbi atë.

 

Neni 332

Trashëgimtari mund të fitojë të gjithë pasurinë e trashëgimlënësit ose një pjesë të saj, ose vetëm një send të caktuar apo një të drejtë tjetër pasurore.

 

Heqja dorë nga trashëgimi

Neni 333

Heqja dorë nga trashëgimi duhet të bëhet me deklaratë të shkruar, që regjistrohet në gjykatën e rrethit të vendit ku është çelur trashëgimi, ose me gojë në një procesverbal gjyqësor.

Heqja dorë mund të bëhet edhe me anë përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme.

 

Neni 334

Ai që ka hequr dorë nga trashëgimi, quhet se nuk është thirrur ndonjëherë në trashëgim. Heqja dorë nga trashëgimi nuk përjashton trashëgimtarin nga e drejta për të kërkuar legët.

 

Neni 335

Heqja dorë nga trashëgimi mund të bëhet brenda 3 muajve nga çelja e trashëgimisë dhe kur trashëgimtari është jashtë shtetit, jo më vonë se 6 muaj.

Për trashëgimtarin që në kohën e çeljes së trashëgimisë nuk ka lindur, afati i heqjes dorë nga trashëgimi fillon nga dita e lindjes.

Afati i heqjes dorë nga trashëgimi pezullohet për shkaqet që vlejnë për parashkrimin e padies.

 

Neni 336

Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë, ose kur trashëgimtarët mungojnë dhe nuk ka lajme për ta, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, cakton një afat, jo më pak se gjashtë muaj nga çelja e trashëgimisë, brenda të cilit ata duhet të deklarojnë në se heqin dorë nga trashëgimi. Në qoftë se brenda këtij afati nuk bëhet ndonjë deklarim i tillë, prezumohet se trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë.

 

Neni 337

Heqja dorë nga trashëgimi, e bërë para çeljes së trashëgimisë, ose kur bëhet me kusht, me afat, ose për një pjesë të trashëgimit, apo në dobi të njërit nga trashëgimtarët e tjerë, është e pavlefshme.

 

Neni 338

Nuk mund të hiqet dorë nga trashëgimi, kur gjatë afatit tremujor, trashëgimtari me veprimet e tij është sjellë si trashëgimtar.

Veprimet që kryhen vetëm për të ruajtur pasurinë trashëgimore, nuk konsiderohen si sjellje prej trashëgimtari.

Trashëgimtarët që kanë hequr ose fshehur sende nga trashëgimi, humbasin të drejtën e heqjes dorë dhe mbeten trashëgimtarë edhe sikur të kenë deklaruar heqjen dorë nga trashëgimi.

 

Neni 339

Trashëgimtari që ka deklaruar rregullisht heqjen dorë ose jo nga trashëgimi, nuk mund ta shfuqizojë më pas këtë deklarim.

 

Neni 340

Kur trashëgimtari vdes para se të kalojë afati për heqjen dorë nga trashëgimi, e drejta për heqjen dorë u kalon trashëgimtarëve të tij.

 

Pagimi i detyrimeve

Neni 341

Trashëgimtarët përgjigjen për detyrimet që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore në përpjesëtim me pjesët e tyre, gjer në vleftën e pasurisë trashëgimore që kanë marrë.

Quhen detyrime që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ato të trashëgimlënësit, shpenzimet e varrimit të tij dhe shpenzimet që nevojiten për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë trashgimore, deri sa ajo t’u kalojë trashëgimtarëve përkatës.

 

Neni 342

Kur në një trashëgim, një ose disa prona të paluajtshme janë të rënduara me hipotekë, secili trashëgimtar ka të drejtë të kërkojë që këto prona të lirohen nga hipoteka para se të bëhet formimi i pjesëve trashëgimore.

Megjithëkëtë, trashëgimtari që e ka shlyer detyrimin që rrjedh nga hipoteka e vënë mbi një send të paluajtshëm në pjesën trashëgimore të tij, ka të drejtën e kthimit ndaj trashëgimtarëve të tjerë, në proporcion me pjesët e tyre.

 

Masat për sigurimin e pasurisë trashëgimore

Neni 343

Kur shihet e nevojshme të mbrohen interesat e trashëgimtarëve, të personave që mund të përfitojnë nga disponimet me testament, të kreditorëve të trashëgimlënësit ose të shtetit, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, urdhëron përmbaruesin gjyqësor osa një noter për të bërë inventarin e pasurisë trashëgimore.

Përmbaruesi gjyqësor ose noteri që bën inventarin mund të caktojë një person si ruajtës i pasurisë trashëgimore.

Derisa të mos jenë hequr masat e mësipërme, trashëgimtari që mund të ketë filluar nga administrimi i pasurisë trashëgimore, nuk mund ta tjetërsojë atë veçse me lejen e gjykatës.

 

Neni 344

Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë ose kur trashëgimtarët mungojnë dhe nuk ka lajme për ata ose kur trashëgimtarët ligjorë apo testamentorë kanë hequr dorë nga trashëgimi dhe nuk dihen trashëgimtarët e tyre, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimi, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, emëron një kujdestar të trashëgimit.

Shkurtimi i vendimit të emërimit të kujdestarit, shpallet në Fletoren Zyrtare

 

Neni 345

Kujdestari kërkon kryerjen e inventarit të pasurisë trashëgimore, merr masa për administrimin e pasurisë, ushtron të drejtën e padisë dhe u përgjigjet padive në lidhje me këtë pasuri, depoziton në bankë paratë që ndodhen në trashëgim ose që rrjedhin prej tij, kryen veprime të tjera të kësaj natyre dhe jep llogari në mbarim të administrimit.

 

Neni 346

Me miratimin e gjykatës kujdestari paguan detyrimet që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ekzekuton detyrimet në lidhje me leget dhe barrët dhe, kur shihet e nevojshme tjetërson edhe pasuri trashëgimore.

 

Neni 347

Detyra e kujdestarit pushon me paraqitjen e treshëgimtarit.

 

Dëshmia e trashëgimisë

Neni 348

Cilësia si trashëgimtar dhe pjesët takuese në trashëgim caktohen në dëshminë e trashëgimisë, të lëshuar nga gjykata, sipas rregullave të caktuara në Kodin e Procedurës Civile.

 

Padia për kërkimin e trashëgimit

Neni 349

Trashëgimtari mund të kërkojë me padi nga kushdo që posedon tërësisht ose pjesërisht pasurinë trashëgimore, njohjen e tij si trashëgimtar dhe dorëzimin e pasurisë trashëgimore dhe të pasurisë së fituar me anë të saj, sipas rregullave mbi posedimin me mirëbesim dhe me keqbesim.

 

Neni 350

Padia për kërkimin e trashëgimit mund të ngrihet edhe kundër personit që mban pasurinë trashëgimore në bazë të një dëshmie trashëgimi, qoftë dhe kur ky është shteti. Personi që ka fituar me mirëbesim ndonjë send të pasurisë trashëgimore nga një trashëgimtar i tillë, nuk është i detyruar të kthejë sendin edhe sikur të jetë fituar me kundërshpërblim.

Poseduesi me mirëbesim që ka tjetërsuar po në mirëbesim sende nga pasuria trashëgimore, është vetëm i detyruar që t’i kthejë trashëgimtarit paditës çmimin e sendit të shoqëruar me faturën përkatëse. Kur këto të fundit nuk janë shlyer, këtij i kalon e drejta për të kërkuar shlyerjen e tyre.

 

Neni 351

Padia për kërkimin e trashëgimit nuk parashkruhet, përveç efekteve të parashkrimit fitues për sende të veçuara.

 

Neni 352

Dispozitat që kanë lidhje me posedimin, zbatohen edhe për posedimin e sendeve në trashëgim, përsa i përket kërkimit të frutave, të shpenzimeve të kryera ose për përmirësimet dhe shtesat e bëra.

 

Pjesëtimi i trashëgimit

Neni 353

Cilido nga bashkëtrashëgimtarët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë pjesëtimin e pasurisë trashëgimore edhe sikur trashëgimlënësi të ketë urdhëruar ndryshe.

 

Neni 354

Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore mund të bëhet me marrëveshje të vetë trashëgimtarëve dhe, kur këta nuk merren vesh, nga gjykata kompetente për shqyrtimin e padive që rrjedhin nga trashëgimia.

 

Neni 355

Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore bëhet sipas rregullave të parashikuara në nenin 207 të këtij Kodi dhe në dispozitat e tjera të këtij kreu.

 

Neni 356

Në formimin e pjesëve takuese duhet që, sa të jetë e mundur, në secilën prej tyre të bëjnë pjesë nga po ajo sasi sendesh të luajtshme ose të paluajtshme, të drejtash reale ose kredish, që kanë natyrë e vleftë të njëjtë.

 

Neni 357

Kur kreditorët kanë vënë sekuestro mbi sendet e luajtshme të pasurisë trashëgimore, ose kanë kundërshtuar pjesëtimin sipas nenit 206 të këtij Kodi, ose shumica e bashkëtrashëgimtarëve e shohin të nevojshme pagimin e detyrimeve që rëndojnë mbi trashëgimin, sendet e luajtshme shiten në ankand.

 

Neni 358

Bashkëshorti i trashëgimlënësit ka të drejtë të kërkojë pjesën që i takon në pasurinë e përbashkët të fituar me punë nga bashkëshortët gjatë martesës.

Bashkëtrashëgimtarët, që me punën ose të ardhurat e tyre kanë ndihmuar në shtimin e pasurisë së lënë në trashëgim, kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e tyre në pasurinë e sipërme të shtuar, sipas kontributit të dhënë.

 

Neni 359

Pjesa e anëtarit që vdes në pasurinë e familjes bujqësore u kalon trashëgimtarëve të tij, pavarësisht nga anëtarësia e tyre në ekonominë bujqësore.

Kur vdes anëtari i fundit i ekonomisë bujqësore, pasuria u kalon trashëgimtarëve të tij sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

 

 

TITULLI II

 

TRASHëGIMIA ME LIGJ

 

Neni 360

Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti. Këta thirren në trashëgim sipas rradhës të caktuar në këtë Kod.

 

Neni 361

(Ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 23)

Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.

Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.

Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.

Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit.

Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.

 

Neni 362

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 24)

Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa.

I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.

 

Neni 363

Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij.

 

Neni 364

Në radhë të tretë thirren në trashëgim personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit që përmenden në nenin 363 të këtij Kodi, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë, gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur. Të sipërmit trashëgojnë në pjesë të barabarta, pa u bërë dallimi ndërmjet vëllezërve e motrave të një ati ose vetëm të një nëne, ndërmjet gjyshit e gjyshes nga ana a babës ose e nënës.

 

Neni 365

Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë të paslindur, as prindër ose të paralindur të tjerë, as vëllezër ose motra, apo të paslindur të këtyre, pasuria e trashëgimlënësit u kalon të afërmve më të afërt të tij, pa bërë dallim ndërmjet vijës atërore dhe asaj amësore, por gjithsesi jo më tej se shkalla e gjashtë.

 

Neni 366

Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë deri në shkallën e gjashtë, thirret në trashëgim shteti.

 

Neni 367

Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e trashëgimlënësit tej vleftës së pasurisë të fituar.

 

E drejta e shtimit për sendet shtëpiake

Neni 368

Trashëgimtarët që bashkëjetonin me trashëgimlënësin në kohën e vdekjes së tij, kur thirren në trashëgim, marrin tej pjesës që u takon në pasurinë trashëgimore sendet shtëpiake të përdorimit të zakonshëm, përveç kur trashëgimlënësi ka disponuar ndryshe në testament.

 

Trashëgimia sipas radhëve

Neni 369

Trashëgimtarët e një radhe të mëpasme thirren në trashëgim vetëm kur nuk ka trashëgimtarë të radhës së mëparëshme ose kur këta të gjithë janë bërë të padenjë ose kanë hequr dorë nga trashëgimi ose janë përjashtuar nga trashëgimi, përveç kur nga trashëgimtarët e radhës së dytë mbetet trashëgimtari i paaftë për punë dhe ka trashëgimtarë të radhës së tretë.

 

E drejta e shtimit

Neni 370

Kur një nga bashkëtrashëgimtarët që thirret në trashëgim ka vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë, ose ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi dhe nuk ka persona që trashëgojnë me zëvendësim, pjesa që i takon atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të asaj radhe.

 

Trashëgimtari i paaftë për punë

Neni 371

Trashëgimtarë të paaftë për punë janë ata që në kohën e vdekjes së trashëgimlënësit nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç, ose 18 vjeç kur vazhdojnë mësimet, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë që kanë mbushur moshën 55 vjeç si dhe, pavarësisht nga mosha, ata që janë invalidë të grupit të parë dhe të grupit të dytë.

 

TITULLI III

TRASHëGIMIA ME TESTAMENT

 

Kuptimi i testamentit

Neni 372

Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij për kohën pas vdekjes.

Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime reciproke.

 

Zotësia për të disponuar me testament

Neni 373

Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar.

I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij.

Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.

 

Zotësia për të fituar me testament

Neni 374

Janë të pazotë për të fituar me testament ata që janë të pazotë për të trashëguar me ligj me përjashtim të fëmijëve të pandërmjetshëm të një personi të caktuar dhe të gjallë në kohën e vdekjes së testatorit edhe sikur ata fëmijë të mos jenë zënë ende.

 

Neni 375

Kujdestari nuk mundet në asnjë rast të përfitojë nga disponimet testamentare të personit në kujdestari kur ato janë bërë para miratimit të llogarisë përfundimtare, edhe sikur testatori të ketë vdekur pas miratimit të llogarisë.

Janë të vlefshme disponimet e bëra në favorin e kujdestarit, kur ky është i paralindur, i paslindur, vëlla, motër ose, bashkëshorti i testatorit.

 

Neni 376

Disponimi testamentar në favor të personave të pazotë që përmenden në nenet 374 e 375 të këtij Kodi, është i pavlefshëm edhe sikur të jetë fshehur nën formën e një kontrate me shpërblim ose të jetë bërë nën emrin e një personi të ndërvënë.

Quhen persona të ndërvënë: i ati, e ëma, të paslindurit dhe bashkëshorti i personit të pazot.

 

Caktimi i trashëgimtarit

Neni 377

Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra, ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik.

 

Përjashtimi nga trashëgimia

Neni 378

Trashëgimlënësi edhe pa caktuar trashëgimtarë në testament mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore një ose më shumë trashëgimtarë të tij.

 

Rezervë ligjore

Neni 379

Trashëgimlënësi nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore fëmijët e tij të mitur ose trashëgimtarë të tjerë të mitur që trashëgojnë me zëvendësim (neni 361, paragrafi i dytë), si dhe trashëgimtarët e tij të tjerë të paaftë për punë në qoftë se thirren në trashëgim, dhe as të cenojë me testament në çdo mënyrë qoftë, pjesën që u takon këtyre trashëgimtarëve në bazë të trashëgimisë ligjore, përveç kur këta janë bërë të padenjë për të trashëguar.

 

Neni 380

Kur testatori disponon me testament një uzufrukt ose një rentë jetësore, të ardhurat e të cilave kalojnë ato të pjesës së disponueshme, trashëgimtarët që kanë të drejtë në rezervën ligjore munden të ekzekutojnë këtë disponim ose të heqin dorë nga të drejtat mbi pjesën e disponueshme.

Po këtë të drejtë zgjedhjeje e kanë edhe personat që përfitojnë nga rezerva ligjore në rast se testatori ka disponuar pronësinë e zhveshur të një pjese që kalon masën e disponueshme.

 

Zëvendësimi

Neni 381

Trashëgimlënësi mund të caktojë në testament që në rast se trashëgimtari vdes para tij ose bëhet i padenjë, ose heq dorë nga trashëgimi, ta marrë trashëgimin një nga trashëgimtarët e tjerë që tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, dhe kur nuk ka asnjë nga këta, ta marrë një njeri tjetër.

Por trashëgimlënësi nuk mund të detyrojë trashëgimtarin që të ruajë dhe, pas vdekjes së tij t’ia dorëzojë një personi tjetër të gjithë ose një pjesë të trashëgimit që ka marrë.

 

E drejta e shtimit

Neni 382

Kur trashëgimlënësi ua ka lënë të gjithë pasurinë e tij trashëgimtarëve të caktuar në testament dhe një nga këta trashëgimtarë ka vdekur para tij, ose është bërë i padenjë, ose ka hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar për këto raste një trashëgimtar tjetër në vend të tij, si dhe kur një trashëgimtar është përjashtuar nga trashëgimi, pjesa që i takon atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të tjerë të caktuar në testament në përpjestim me pjesët e tyre trashëgimore.

Në qoftë se disa nga trashëgimtarët janë caktuar së bashku në një pjesë të pasurisë, shtimi bëhet vetëm midis këtyre bashkëtrashë-gimtarëve.

 

Neni 383

Kur trashëgimlënësi ka lënë me testament vetëm një pjesë të pasurisë së tij, edhe sikur në këtë pjesë të ketë caktuar së bashku shumë trashëgimtarë, pjesa e atij që për shkaqet e treguara në nenin e sipërm nuk mund ose nuk do të jetë trashëgimtar, u kalon trashëgimtarëve ligjore të trashëgimlënësit.

 

Legu dhe barra

Neni 384

Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose trashëgimtarët e caktuar në testament, nga ata që tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, që t’u japin një ose më shumë trashëgimtarëve ligjorë një përfitim pasuror nga trashëgimi, pa i bërë këta trashëgimtarë (legu).

Kur trashëgimlënësi, që nuk ka trashëgimtarë nga ata që tregohen në nenet 361, 363, 364, ka caktuar në testament si trashëgimtarë persona të tjerë, mund t’i ngarkojë këta me lege në dobi të çdo njeriu.

Dispozitat e zotësisë për të trashëguar vlejnë edhe për personin që i është lënë legu.

 

Neni 385

Legatari ka të drejtë të kërkojë frutat ose kamatat që rrjedhin nga legu, nga dita që i është caktuar dorëzimi i legut dhe në mungesë të saj, nga dita e njoftimit të kërkesë-padisë.

Ato mund të kërkohen nga dita e vdekjes së trashëgimlënësit, kur trashëgimlënësi ka disponuar shprehimisht ose kur legu është një depozitë në para.

 

Neni 386

Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose trashëgimtarët e caktuar në testament që të kryejnë ndonjë veprim të dobishëm për shoqërinë ose ndonjë veprim tjetër, pa i dhënë të drejtë një personi të caktuar mbi këtë veprim (barrë).

Kur trashëgimlënësi i lë me testament pasurinë shtetit, organeve të tij, ose enteve të ndryshëm, ka të drejtë të caktojë qëllimin për të cilin duhet të përdoret pasuria.

 

Neni 387

Kur trashëgimtari i ngarkuar me legun ose barrën ka vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një trashëgimtar tjetër në vend të tij, për ekzekutimin e detyrimeve në lidhje me legun ose me barrën ngarkohen bashkëtrashëgimtarët ose trashëgimtarët ligjorë, të cilëve u shtohet ose u kalon pjesa e atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar.

Në qoftë se ekzekutimi i detyrimeve në lidhje me legun ose barrën është lidhur ngushtë me personin e atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar, legu ose barra mbetet pa fuqi.

 

Neni 388

Në rast se ndërmjet trashëgimtarëve, asnjëri prej tyre nuk është ngarkuar nga trashëgimlënësi testamentar për të shlyer legun, secili trashëgimtar detyrohet të kontribuojë për shlyerjen e tij sipas pjesës takuese.

 

Neni 389

Kur sendi i dhënë në leg është treguar vetëm si lloj ose si masë, e drejta e zgjedhjes i takon trashëgimtarit, por sendi nuk mund të jetë nën kualitetin mesatar.

 

Neni 390

Kur personi, të cilit i është lënë legu, ka vdekur para trashëgimlënësit ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga legu dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një person tjetër në vend të tij, legu shkon në dobi të trashëgimtarit të ngarkuar me atë leg.

Por në qoftë se legu u është lënë shumë personave së bashku, pjesa e atij që nuk mund ose nuk do të marrë legun u shtohet bashkëpjesëtarëve të tij në përpjesëtim me pjesët e tyre.

 

Neni 391

Personi, të cilit i është lënë legu, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtari i ngarkuar ekzekutimin e detyrimit në lidhje me legun.

Ekzekutimi i detyrimit të trashëgimtarit në lidhje me barrën mund të kërkohet nga ekzekutori i testamentit, nga bashkëtrashëgimtarët, nga organizatat përkatëse shtetërore ose private.

Detyrimet në lidhje me legun dhe barrën ekzekutohen pas detyrimeve që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore.

 

Format e testamentit

Neni 392

Testamenti bëhet në dy forma: ollograf dhe me akt noterial.

 

Testamenti ollograf

Neni 393

Testamenti ollograf shkruhet tërësisht me dorën e testatorit duke vënë datën dhe nënshkrimin e vet.

Data e testamentit duhet të tregojë ditën, muajin dhe vitin.

Nënshkrimi vihet në fund të disponimeve.

 

Neni 394

Personi që nuk është i zoti të lexojë dorëshkrimin e vet nuk mund të bëjë testament ollograf.

 

Neni 395

Personat që nuk dëgjojnë (shurdhë) ose që nuk dëgjojnë e nuk flasin (shurdhëmemecë), mund të disponojnë me testament ollograf ose me testament të marrë nga noteri, sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”.

 

 

Neni 396

Testamenti ollograf mund të depozitohet tek noteri për ruajtje sipas dispozitave për depozitimin e dokumenteve në noteri.

 

Testamenti me akt noterial

Neni 397

Testamenti me akt noterial redaktohet nga noteri dhe nënshkruhet nga trashëgimlënësi në prani të noterit.

Kur trashëgimlënësi nuk di, ose për shkak sëmundjeje ose të metash fizike nuk mund të nënshkruajë, testamenti nënshkruhet sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”.

 

Testamente të posaçme

Neni 398

(Shfuqizuar fjalët “ose sekretari” me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 25)

Në vendet ku nuk ka noter, testamenti mund të vërtetohet nga kryetari i bashkisë ose i komunës.

 

Neni 399

Testamenti i një personi që ndodhet në shërbim ushtarak, mund të vërtetohet nga komandanti i njësisë ushtarake në të cilën ai bën pjesë dhe kur është shtruar në spital për mjekim nga drejtori i spitalit.

 

Neni 400

Testamenti i një personi që ndodhet në një anije shqiptare në lundrim ose që ka qëndruar në një liman të huaj, mund të vërtetohet nga kapiteni i anijes.

 

Neni 401

Disponimi me testament i bërë me kusht pezullues, mbetet pa efekt kur personi në favor të cilit është bërë, vdes para trashëgimlënësit.

 

Revokimi i testamentit

Neni 402

Testamenti me një datë të mëvonshme lë pa fuqi atë me datë të mëparëshme në tërësi ose vetëm për pjesën që nuk pajtohet me testamentin e ri.

Testamenti mbetet pa fuqi edhe me anë të një deklarate të bërë nga trashëgimlënësi në noteri.

 

Pavlefshmëria e testamentit

Neni 403

Testamenti është i pavlefshëm kur bëhet nga një person që nuk mund të bëjë testament (neni 373).

 

Neni 404

Testamenti është i pavlefshëm kur nuk është bërë në formën e kërkuar nga ligji.

 

Neni 405

Testamenti është i pavlefshëm kur disponohet me testament në dobi të personave që nuk mund të trashëgojnë (nenet 374, 375).

 

Neni 406

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është në kundërshtim me nenet 377 e 384 të këtij Kodi.

 

Neni 407

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament i trashëgimlënësit, i përjashton nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore.

 

Neni 408

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë në kundërshtim me ligjin ose në mashtrim të ligjit.

 

Neni 409

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë me ndikimin e mashtrimit, kanosjes ose dhunës, ose për shkak të një lajthimi, pa të cilën trashëgimlënësi nuk do kishte bërë këtë disponim.

 

Neni 410

Kur testamenti deklarohet nga gjykata i pavlefshëm, në trashëgim thirren trashëgimtarët ligjorë, përveç kur është rasti i shtimit në dobi të trashëgimtarëve të caktuar në testament sipas nenit 381.

Kur deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e testamentit, disponimet e tjera mbeten në fuqi.

 

Neni 411

Padia për pavlefshmërinë e testamentit ose të disponimit me testament mund të ngrihet nga trashëgimtari dhe nga çdo tjetër person i interesuar brenda tre vjetëve nga çelja e trashëgimisë.

 

Neni 412

Kur disponimi me testament është i pavlefshëm për shkak se disponimi nga trashëgimlënësi ka përjashtuar nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore (neni 407), trashëgimtari, i përjashtuar nga trashëgimi ose të cilit i është cenuar pjesa ligjore, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtarët e tjerë, sipas rastit, dorëzimin ose plotësimin e pjesës që i takon atij në bazë të trashëgimisë ligjore.

 

Neni 413

Për caktimin e kësaj pjese bashkohet e gjithë pasuria që kishte trashëgimlënësi në kohën e vdekjes së tij, duke u zbritur detyrimet që rëndojnë mbi trashëgiminë dhe pjesëtohet me numrin e trashëgimtarëve që do të thirreshin në trashëgim në qoftë se trashëgimlënësi nuk do kishte bërë testament.

 

Ekzekutori i testamentit

Neni 414

Trashëgimlënësi mund të ngarkojë një ose më shumë persona për të ekzekutuar testamentin.

Caktimi si ekzekutor duhet të pranohet prej këtij në vetë testamentin ose me një deklaratë të veçantë që i bashkohet testamentit.

Në qoftë se trashëgimlënësi nuk cakton ekzekutor të testamentit, ekzekutimi i këtij u ngarkohet trashëgimtarëve të caktuar në të.

 

Neni 415

Ekzekutori i testamentit duhet të bëjë inventarin e pasurisë trashëgimore, duke ftuar të marrin pjesë trashëgimtarët dhe personat e tjerë që përfitojnë nga testamenti.

Ekzekutori i testamentit administron pasurinë trashëgimore, duke kryer veprimet që janë të nevojshme për ekzekutimin e disponimeve të testamentit, por nuk mund të tjetërsojë pasurinë trashëgimore, përveç kur shfaqet nevoja dhe me lejen e gjykatës, e cila vendos pasi më parë të dëgjojë trashëgimtarët.

 

Neni 416

Gjykata e rrethit, me kërkesën e trashëgimtarëve ose të personave që kanë interes, mund të shkarkojë nga detyra ekzekutorin e testamentit për shkelje të rënda të detyrës së tij ose për pazotësi në administrimin e pasurisë trashëgimore.

 

Neni 417

Tagret e ekzekutorit testamentar nuk transmetohen në trashëgimtarët e tij.

 

Neni 418

Kur janë shumë ekzekutorë testamentarë, në mungesën e të tjerëve mund të veprojë edhe njëri prej tyre, por të gjithë ata janë përgjegjës solidarë për sendet që u janë besuar, përveç kur testatori u ka ndarë detyrat.

 

 

PJESA IV

 

DETYRIMET

 

TITULLI I

 

DISPOZITA Të PëRGJITHME

 

KREU I

 

KUPTIMI DHE LINDJA E DETYRIMEVE

 

Kuptimi i detyrimit

Neni 419

Detyrimi është një marrëdhënie juridike me anën e së cilës një person (debitori) detyrohet të japë diçka ose të kryejë apo të mos kryejë një veprim të caktuar në dobi të një personi tjetër (kreditori), i cili ka, gjithashtu, të drejtë të kërkojë t’i jepet diçka, ose të kryhet apo të mos kryhet veprimi.

 

Lindja e detyrimeve

Neni 420

Detyrimet lindin nga kontratat ose nga ligji.

 

Natyra ekonomike e detyrimit

Neni 421

Objekt i detyrimit duhet të ketë një vlerësim ekonomik dhe t’i përgjigjet interesave qoftë dhe jopasurore të kreditorit.

 

Korrektesa e pjesëmarrësve në detyrim

Neni 422

Kreditori dhe debitori duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me korrektesë, me paanësi dhe sipas kërkesave të arsyes.

 

 

KREU II

 

DETYRIMET SOLIDARE

 

Neni 423

Detyrimi është solidar kur kreditori ose secili nga kreditorët ka të drejtë të kërkojë ekzekutimin e të njëjtit detyrim tërësisht apo pjesërisht si nga debitorët së bashku, ashtu dhe nga secili prej tyre veç e veç.

 

Neni 424

Detyrimi është solidar kur del nga vullneti i palëve ose është parashikuar me ligj.

 

Neni 425

 

Detyrimi është solidar edhe kur debitorët të jenë detyruar secili në mënyrë të ndryshme ose dhe kur debitori i përbashkët të jetë detyruar në mënyrë të ndryshme ndaj secilit kreditor.

 

Neni 426

Ekzekutimi i detyrimit nga njëri prej debitorëve solidarë i shkarkon të gjithë debitorët e tjerë.

Debitorët solidarë shkarkohen nga detyrimi edhe nëpërmjet dhënies së një sendi në ekzekutim të detyrimit apo të kompensimit të kredisë nga njëri prej debitorëve solidarë ndaj kreditorit.

 

Neni 427

Qenia në vonesë e kreditorit ndaj njërit nga debitorët solidarë e shtrin efektin ndaj të gjithë debitorëve të tjerë.

Debitori solidar nuk mund të kompensojë detyrimin e tij me kreditë që kanë debitorët e tjerë ndaj kreditorit.

Debitori solidar nuk mund t’i kundrejtojë kreditorit prapsimet personale të debitorëve të tjerë.

Çdo njëri nga debitorët solidarë nuk duhet që me veprimet e tij të rëndojë pozitën e të tjerëve, përveç kur parashikohet ndryshe në ligj.

 

Neni 428

Debitori ka të drejtë të zgjedhë për të paguar njërin apo tjetrin kreditor solidar, përveç kur është penguar më parë me anë të një njoftimi me shkrim prej ndonjërit prej tyre.

Kreditorët janë solidarë kur secili prej tyre ka të drejtën të kërkojë pagimin e gjithë detyrimit dhe pagimi i bërë njërit prej tyre, liron debitorin ndaj gjithë kreditorëve.

 

Neni 429

Përtëritja e detyrimit që bën debitori me njërin nga kreditorët, shkarkon të gjithë debitorët e tjerë, përveç kur kreditori i ka ruajtur të drejtat ndaj tyre.

Falja e detyrimit të bërë njërit prej debitorëve solidarë,shkarkon të gjithë debitorët e tjerë. Kur falet vetëm pjesa e një debitori, detyrimi i debitorëve të tjerë pakësohet për aq sa është pjesa e falur.

Bashkimi i cilësive të kreditorit me atë të debitorit solidar në një person të vetëm, shuan detyrimin e debitorëve të tjerë, për pjesën e këtij debitori.

 

Neni 430

Në marrëdhëniet ndërmjet tyre debitorët solidarë marrin pjesë në shlyerjen e detyrimit secili sipas pjesës së vet.

Debitori që ka ekzekutuar një detyrim solidar, ka të drejtë të kërkojë nga debitorët e tjerë pagimin në pjesë të barabarta të detyrimit të ekzekutuar prej tij, përveç kur në ligj ose në kontratë është parashikuar ndryshe.

Kur debitori solidar, që ka ekzekutuar detyrimin, nuk ka mundur të nxjerrë nga një debitor pjesën e tij të detyrimit, ajo ndahet sipas rastit në pjesë të barabarta ose proporcionalisht ndërmjet debitorëve të tjerë, duke përfshirë edhe atë.

 

Neni 431

Debitorët solidarë janë të detyruar të përballojnë në proporcion me pjesët e tyre të gjitha shpenzimet që vërtetohen se kanë qenë të nevojshme të kryhen nga debitorët që kanë ekzekutuar detyrimin.

 

Neni 432

Debitori solidar që ekzekuton detyrimin duhet t’i kundrejtojë kreditorit prapsimet e përbashkëta për të gjithë debitorët, përndryshe i humb e drejta të kërkojë nga debitorët e tjerë pjesën që atyre u takon për shlyerjen e detyrimit. Gjithashtu, ai e humbet këtë të drejtë edhe kur nuk ka njoftuar debitorët e tjerë se ka ekzekutuar detyrimin dhe, si rrjedhim njëri nga debitorët e tjerë ka ekzekutuar veçmas atë.

 

Neni 433

Ndërprerja e parashkrimit me veprimet e kreditorit ndaj njërit prej debitorëve solidarë, si dhe ndërprerja e parashkrimit nga njëri prej kreditorëve solidarë ndaj debitorit të përbashkët, ka efekt si ndaj debitorëve të tjerë ashtu edhe ndaj kreditorëve të tjerë.

Pezullimi i parashkrimit ndaj njërit debitor ose ndaj njërit kreditor solidar, nuk ka efekt ndaj të tjerëve.

Heqja dorë nga parashkrimi në përputhje me nenin 126 të këtij Kodi e bërë nga njëri prej debitorëve solidarë, nuk ka efekt ndaj të tjerëve, ndërsa heqja dorë nga parashkrimi nga njëri prej kreditorëve solidarë, ka efekt ndaj të tjerëve.

 

Neni 434

Debitori solidar të cilit i kërkohet pagimi i pjesës së tij nga detyrimi, nuk mund t’i kundrejtojë debitorit, që ka paguar atë, parashkrimin e padisë së kreditorit, përveç kur ai vetë dhe debitori që kërkon pjesën kanë patur mundësinë që t’i kundrejtonin parashkrimin e plotësuar.

Ky paragraf nuk zbatohet kur me marrëveshje debitorët solidarë kanë vendosur ndryshe.

 

Neni 435

Në rast se ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur, për fajin ose gjatë vazhdimit të vonesës së njërit ose disa debitorëve solidarë, debitorë të tjerë nuk shkarkohen nga detyrimi për plotësimin e tij.

Kreditori mund të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar për një shkak të tillë, vetëm nga debitorët solidarë ose nga secili prej tyre, për fajin e të cilëve është bërë i pamundur ekzekutimi i detyrimit ose që kanë qenë me vonesë. Debitorët e tjerë mbetën solidarë vetëm për detyrimin e parë.

Vonesa e njërit nga debitorët solidarë nuk sjell ndonjë pasojë juridike për debitorët e tjerë.

KREU III

 

DETYRIMET ALTERNATIVE

 

Neni 436

Detyrimi është alternativ kur debitori shkarkohet prej tij, duke përmbushur njërin nga llojet e tij të përmendura veç e veç sipas dëshirës së tij, ose të kreditorit apo të një të treti. Debitori nuk mund të kërkojë nga kreditori të pranojë përmbushjen e detyrimit pjesërisht nga njëri lloj e pjesërisht nga lloji tjetër i tij.

 

Neni 437

E drejta e zgjedhjes i takon debitorit, përveç kur është parashikuar nga ligji apo nga kontrata që t’i lihet kreditorit apo një të treti.

Zgjedhja bëhet e parevokueshme me përmbushjen e njërit nga llojet e detyrimit, ose me njoftimin e deklaratës së zgjedhjes palës tjetër ose të dy palëve, kur e drejta e zgjedhjes i takon një të treti.

Kur e drejta e zgjedhjes u takon shumë personave dhe ata nuk merren vesh, gjykata u cakton atyre një afat. Kur zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar, atë e bën gjykata.

 

Neni 438

Kur në një detyrim alternativ, debitori nuk ekzekuton ndonjërin nga llojet e detyrimeve në afatin e caktuar, e drejta e zgjedhjes i kalon kreditorit.

Në rast se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit dhe ky nuk e ka ushtruar në afatin e caktuar në marrëveshje ose të caktuar nga debitori, zgjedhja i kalon këtij të fundit.

Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë një të treti dhe ai nuk e ushtron në afatin e caktuar, zgjedhja bëhet nga gjykata.

Kur kjo e drejtë u është lënë disa personave, gjykata u cakton atyre një afat. Në rast se zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar, ajo bëhet nga gjykata.

 

Neni 439

Detyrimi alternativ është i thjeshtë kur njëri nga të dy llojet e detyrimit nuk mund të bëhet objekt detyrimi, ose kur përmbushja e tij është bërë e pamundur pa fajin e asnjërës palë.

 

Neni 440

Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë debitorit, detyrimi alternativ bëhet i thjeshtë në rast se njëri nga të dy llojet e detyrimit bëhet i pamundur dhe për fajin e tij. Në rast se kjo pamundësi ndodh për fajin e kreditorit, debitori shkarkohet nga detyrimi kur ai nuk pranon të zbatohet detyrimi tjetër dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.

Kur zgjedhja i është lënë kreditorit, debitori shkarkohet nga detyrimi kur pamundësia e përmbushjes së njërit nga të dy llojet e detyrimit ka ndodhur për faj të kreditorit dhe ky nuk pranon të ekzekutohet lloji tjetër i detyrimit dhe të kërkojë të shpërblehet dëmi. Në rast se zgjedhja i është lënë kreditorit dhe pamundësia i ngarkohet debitorit, kreditori mund të zgjedhë detyrimin tjetër ose të kërkojë shpërblimin e dëmit.

 

Neni 441

Kur të dy llojet e detyrimit janë bërë të pamundura dhe debitori duhet të përgjigjet për njërin prej tyre, ai duhet të paguajë vleftën e detyrimit që është bërë i pamundur i fundit, në qoftë se zgjedhja i është lënë atij.

Në qoftë se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit, ky ka të drejtë të kërkojë vleftën e njërit ose tjetrit lloj detyrimi.

 

 

KREU IV

 

DETYRIME Të PJESëTUESHME E Të PAPJESëTUESHME

 

Detyrime të pjesëtueshme

Neni 442

Kur shumë debitorë ose kreditorë marrin pjesë në të njëjtin detyrim dhe ky është i pjesëtueshëm, secili debitor është i detyruar të ekzekutojë dhe secili kreditor ka të drejtë të kërkojë një pjesë të barabartë të detyrimit, përveç kur në kontratë ose në ligj është parashikuar ndryshe.

 

Detyrime të papjesëtueshme

Neni 443

Kur janë shumë debitorë në të njëjtin detyrim, që është i papjesëtueshëm, të gjithë debitorët quhen debitorë solidarë.

Detyrimi është i papjesëtueshëm nga vetë natyra e tij si i tillë dhe nga qëllimi i palëve në kontratë. Në të tilla raste detyrimi mbetet i papjesëtueshëm edhe për trashëgimtarët e debitorëve.

 

Neni 444

Detyrimet e papjesëtueshme rregullohen nga dispozita që kanë lidhje me detyrimet solidare, përveç sa parashikohet në këtë kre.

 

KREU V

 

DETYRIMET MONETARE

 

Neni 445

Detyrimi për të paguar një shumë parash shlyhet me vleftën e vet nominale, përveç kur rezulton ndryshe nga ligji ose nga kontrata.

 

Neni 446

Detyrimi monetar përmbushet me monedhën që është në qarkullim në shtetin ku bëhet pagimi ose me monedhën e pranuar në kontratë.

 

Neni 447

Kur kreditori ka një llogari rrjedhëse në shtetin ku duhet ose mund të bëhet pagesa, debitori mund të përmbushë detyrimin duke kredituar në këtë llogari shumën përkatëse, përveç kur kreditori e ka përjashtuar pagesën në këtë llogari.

Pagesa quhet e kryer në momentin e kreditimit të saj në llogari.

 

Neni 448

Pagesa kryhet në vendbanimin e kreditorit në datën e pagesës. Kreditori mund të caktojë një vend tjetër brenda kufijve të shtetit ku ka vendbanimin në kohën e pagimit ose të lindjes së detyrimit.

 

Neni 449

Në rast se pagimi duhet të kryhet në një vend tjetër nga vendbanimi i kreditorit në kohën e lindjes së detyrimit dhe përmbushja e këtij detyrimi do të vështirësohej së tepërmi debitori mund të pezullojë pagimin derisa kreditori të ketë caktuar një vend tjetër i cili do të mënjanonte shpenzimet e tepërta.

 

Neni 450

Shpërblimi për dëmin e shkaktuar si rrjedhim i vonesës në pagimin e një shume parash, përbëhet nga kamatat e arrira, prej datës së fillimit të vonesës së debitorit, me monedhën zyrtare të vendit ku bëhet pagimi. Përqindja e kamatës caktohet me ligj.

Në mbarim të çdo viti kamatat e arrira i shtohen shumës së  detyruar mbi bazën e të cilës është bërë llogaritja e tyre.

Kamata ligjore paguhet pa qenë i detyruar kreditori të provojë ndonjë dëm. Kur kreditori provon se ka pësuar një dëm më të madh se kamata ligjore, debitori detyrohet t’i paguajë atij pjesën tjetër të dëmit.

 

Neni 451

Kur detyrimi lidhet me pagesen e një shume parash në monedhë që nuk ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin në monedhën që ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, përveç kur në ligj ose në kontratë parashikohet ndryshe.

 

Neni 452

Kur detyrimi lidhet me pagesën e një shume parash në monedhë të ndryshme nga ajo e vendit ku duhet të kryhet pagesa dhe debitori pretendon se nuk është në gjendje të shlyejë detyrimin në këtë monedhë, kreditori mund të pranojë shlyerjen në monedhën e vendit të kryerjes së pagesës.

Rregulli i mësipërm zbatohet edhe kur debitori detyrohet të bëjë pagesën me monedhën e pranuar në fillim.

 

Neni 453

Kur detyrimi duhet të ekzekutohet me një monedhë të ndryshme nga ajo e pranuar në fillim, konvertimi duhet të bëhet me kursin zyrtar të këmbimit të ditës së pagimit.

 

Neni 454

Neni 450 i këtij Kodi nuk i heq të drejtën kreditorit që të kërkojë shpërblimin e dëmit të pësuar nga fakti që nga dita e vënies në vonesë të debitorit ka pësuar ndryshime kursi i këmbimit të monedhës që përcaktohet në detyrim.

 

 

TITULLI II

 

EKZEKUTIMI DHE SHUARJA E DETYRIMEVE

 

KREU I

 

EKZEKUTIMI I DETYRIMEVE

 

Neni 455

Debitori dhe kreditori duhet të tregojnë kujdesin e duhur e të jenë të përpiktë në përmbushjen e detyrimit sipas përmbajtjes së tij.

 

Neni 456

Detyrimi për dorëzimin e një sendi të caktuar përmban edhe kujdesin që duhet të tregohet për ruajtjen e tij në dorëzim.

 

Neni 457

Kur objekti i detyrimit është dorëzimi i sendeve të përcaktuara vetëm në lloj, ato nuk mund të jenë me cilësi më të dobët se sa cilësia mesatare.

 

Neni 458

Dorëzimi i sendeve bëhet sipas mënyrës së caktuar në kontratë dhe kur kjo nuk është caktuar bëhet:

a) me dhënien e tyre në dorë personit që ka fituar pronësinë e tyre ose personit që heq të drejta prej tij;

b) me dhënien transportuesit ose postës për t’ia dorëzuar fituesit, në vendin e treguar prej tij;

c) me dhënien fituesit në dorë ose me dërgim nëpërmjet postës

të dokumenteve (fletë ngarkese, dëshmi depozitimi) që i japin atij të drejtën e disponimit të mallit.

 

Neni 459

Debitori nuk mund të ekzekutojë detyrimin pjesë-pjesë edhe sikur ai të jetë i pjesëtueshëm, pa pëlqimin e kreditorit.

 

Neni 460

Detyrimi mund të ekzekutohet edhe nga një person i tretë, që nuk është debitor, përveç kur kreditori është i interesuar që ekzekutimi të bëhet nga debitori, ose kur kreditorit i është njoftuar kundërshtimi i debitorit.

 

Vendi i ekzekutimit të detyruar

Neni 461

Në rast se vendi ku duhet të ekzekutohet detyrimi nuk caktohet në kontratë, nga ligji ose nuk kuptohet nga vetë natyra e detyrimit, ekzekutimi bëhet:

a) për dorëzimin e një sendi të paluajtshëm, në vendin ku ndodhet ai;

b) për sendet që janë të përcaktuara në mënyrë individuale, në vendin ku ndodheshin kur lindi detyrimi;

c) për dorëzimin e një sendi të përcaktuar në lloj dhe në sasi, në vendin ku debitori ushtron veprimtarinë e tij profesionale ose në vendbanimin e tij;

ç) për detyrimet në para, sipas rregullave të përcaktuara në kreun V të pjesës IV të këtij Kodi.

 

Neni 462

Kreditori nuk mund të detyrohet të pranojë një gjë të ndryshme nga sa është përcaktuar në objektin e detyrimit edhe sikur vlefta e gjësë së ofruar të jetë më e madhe.

 

Afati i ekzekutimit të detyrimit

Neni 463

Ekzekutimi i detyrimit duhet të bëhet në afatin e caktuar në kontratë. Kur në kontratë nuk është caktuar afat ose ekzekutimi i detyrimit është lënë në kërkimin e kreditorit, ky mund të kërkojë ekzekutimin në çdo kohë dhe debitori duhet ta ekzekutojë atë brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e kërkimit.

 

Neni 464

Afati i caktuar në kontratë prezumohet se është caktuar në dobi të debitorit, përveç kur nga vullneti i palëve ose natyra e detyrimit del ndryshe.

Ekzekutimi i detyrimit para mbarimit të afatit nuk quhet i pavlefshëm, përveç kur afati është caktuar në dobi të kreditorit.

 

Neni 465

Debitori nuk mund të pretendojë të drejtën e afatit kur:

a) ka falimentuar;

b) nuk ka dhënë garancitë e premtuara;

c) garancitë që sigurojnë kredinë janë pakësuar për fajin e tij, përveç kur ato mbeten, përbëjnë ende një siguri të mjaftueshme për ekzekutimin e detyrimit

 

 

Ekzekutimi ndaj kreditorit

Neni 466

Ekzekutimi i detyrimit duhet t’i bëhet vetë kreditorit ose përfaqësuesit të vet, ose një personi të autorizuar nga kreditori, nga ligji ose nga gjykata.

Ekzekutimi i detyrimit që i bëhet një personi që nuk është autorizuar për ta pranuar, e shkarkon debitorin vetëm në rast se kreditori ka pranuar më vonë ekzekutimin, ose vërtetohet se ka përfituar prej tij.

 

Ekzekutimi ndaj një të treti

Neni 467

Debitori që ekzekuton një detyrim ndaj një personi, i cili sipas rrethanave të padyshimta duket se është i autorizuar ta pranojë atë, shkarkohet nga detyrimi në qoftë se provon se ka qënë në mirëbesim.

Personi që ka pranuar ekzekutimin e detyrimit, është i detyruar t’i kthejë kreditorit të vërtetë, atë që ka marrë nga ekzekutimi i detyrimit.

 

Ekzekutimi ndaj kreditorit të pazotë për të vepruar

Neni 468

Kur ekzekutimi i detyrimit i është bërë një kreditori që nuk ka zotësi për të vepruar, shkarkon debitorin po aq sa ka vajtur në dobi të këtij kreditori, ose të përfaqësuesit të tij ligjor.

 

Ekzekutimi për llogari të shumë detyrimeve

Neni 469

Kur ekzekutimi kryhet për llogari të shumë detyrimeve dhe ndaj të njëjtit kreditor, debitori mund të përcaktojë në kohën e ekzekutimit se cilin detyrim po ekzekuton.

Kur nuk ekziston një përcaktim i debitorit për rradhën e ekzekutimit, në fillim ekzekutohet detyrimi që i ka kaluar afati, nëse ekzistojnë më shumë të tillë, ekzekutimi fillon nga detyrimi me vlerë dhe në rast se janë disa të tillë, fillon nga më i vjetri dhe kur këta kanë të njëjtën vjetërsi, ekzekutimi bëhet proporcionalisht.

 

Neni 470

Ekzekutimi në para për llogari të një detyrimi të caktuar, përmban në fillim shlyerjen e shpenzimeve, pastaj atë të kamatave të arrira dhe pastaj të vetë detyrimit e të kamatave të zakonshme ndaj tij.

Kreditori mund të refuzojë pagesën, në rast se debitori gjatë ekzekutimit cakton një renditje tjetër ose mund të mos pranojë shlyerjen e plotë të vleftës së detyrimit; pa marrë edhe kamatat e arrira, ato në vazhdimësi si dhe shpenzimet përkatëse.

 

Neni 471

Kreditori mund të mos pranojë ekzekutimin e detyrimit për dorëzimin e një sendi të ndryshëm nga ai që është përcaktuar në kontratë edhe sikur vlefta e sendit të ofruar të jetë e barabartë apo më e madhe.

 

 

Shpenzimet e ekzekutimit, dëftesat përkatëse

Neni 472

Shpenzimet janë në ngarkim të atij që ekzekuton detyrimin, ndërsa shpenzimet e dëftesës janë në ngarkim të atij, në favor të të cilit ajo është lëshuar.

 

Neni 473

Për çdo pagesë të kryer në ekzekutim të detyrimit kreditori jep një dëftesë, përveç kur rezulton ndryshe nga kontrata.

Në rast se kreditori disponon një dokument nga përmbajtja e të cilit rezulton detyrimi, debitori që e ka ekzekutuar atë mund të kërkojë kthimin ose prishjen e dokumentit, përveç kur kreditori ka interesa të arsyeshme për ruajtjen e tij dhe me kusht që ai të shënojë në dokument ekzekutimin e detyrimit.

Kur kreditori refuzon të zbatojë detyrimin sipas paragrafit të mësipërm, debitori mund të pezullojë ekzekutimin e detyrimit. Kur kreditori pretendon se ka humbur dokumnetin detyrohet t’i japë debitorit një deklaratë me shkrim ku të pranohet ekzekutimi i detyrimit. Deklarata duhet të jetë noteriale kur kërkohet nga ligji.

 

Neni 474

Kur pagesat e njëllojta për shlyerjen e detyrimit duhet të bëhen në mënyrë periodike, dëftesat e lëshuara për dy pagesa rradhazi prezumojnë kryerjen edhe të pagesave të mëparëshme.

Dëftesa e lëshuar nga kreditori për detyrimin kryesor, prezumon se janë shlyer gjithashtu edhe kamatat e shpenzimet e këtij detyrimi.

 

Lirimi i sendeve nga garancitë

Neni 475

Kreditori që ka pranuar ekzekutimin e detyrimit, duhet të lirojë sendet nga garancitë reale që janë dhënë për sigurimin e ekzekutimit të detyrimit edhe nga çdo ndalim tjetër që mund të kufizojë përdorimin e pasurisë.

 

KREU II

 

EFEKTET E MOSEKZEKUTIMIT Të DETYRIMEVE

 

DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

 

Neni 476

Çdo mangësi në ekzekutimin e detyrimeve e detyron debitorin të shpërblejë dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij.

Në këtë rast kreditori ka të drejtë:

a) të kërkojë ekzekutimin në natyrë të detyrimit, veçanërisht dorëzimin e sendit ose kryerjen e punimeve, si dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit; ose

b) shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i detyrimit.

 

Neni 477

Debitori që në ekzekutimin e detyrimit përdor punën e të tretëve përgjigjet për veprimet e tyre, të kryera me faj, si të ishin të vetat.

 

Neni 478

Kur detyrimi ka lidhje me veprime që mund të kryhen edhe nga persona të tjerë dhe debitori nuk ekzekuton detyrimin, kreditori ka të drejtë të kërkojë t’i kryejë ai vetë për llogari të debitorit.

 

Neni 479

Çdo marrëveshje që përjashton ose kufizon palët nga përgjegjësia për mosekzekutimin e detyrimeve është e pavlefshme.

 

Neni 480

Kur ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur për fajin e debitorit, kreditori ka të drejtë të kërkojë prej tij shpërblimin e dëmit të shkaktuar.

Debitori është me faj kur, me dashje ose nga pakujdesia, ka krijuar rrethana që e kanë bërë të pamundur ekzekutimin ose kur nuk ka marrë masa për ta ndaluar atë.

 

Vonesa e debitorit

Neni 481

Debitori që nuk përmbush një detyrim të kërkueshëm në afatin e caktuar, quhet se ështe në vonesë (morë), përveç kur mosekzekutimi është rrjedhim i rrethanave që nuk kanë lidhje me fajin e debitorit.

Debitori vihet në vonesë me anë të një njoftimi me shkrim.

Nuk është e nevojshme vënia në vonesë kur:

a) debitori ka deklaruar me shkrim se nuk dëshiron të ekzekutojë detyrimin;

b) ka kaluar afati brenda të cilit do të ekzekutohej detyrimi.

Kur debitori vdes dhe afati i caktuar për ekzekutimin e detyrimit mbaron pas vdekjes së tij, trashëgimtarët e tij quhen se janë në vonesë me mbarimin e 15 ditëve nga dita e njoftimit me shkrim nga kreditori.

c) kur detyrimi rrjedh nga një akt i paligjshëm.

 

Neni 482

Debitori që është në vonesë nuk çlirohet nga pamundësia e papritur e përmbushjes së detyrimit, edhe sikur kjo të jetë shkaktuar pa fajin e tij e të kreditorit, përveç kur provon se objekti i detyrimit do të ishte shkatëruar apo dëmtuar edhe sikur të ishte nën kujdesin e kreditorit.

Humbja ose dëmtimi i një sendi të marrë në menyrë të paligjshme, nuk e shkarkon personin që e ka marrë atë nga detyrimi për të rikthyer vleftën e tij.

 

 

Neni 483

Dispozitat mbi vonesën nuk zbatohen për detyrimet që përmbajnë mosveprime. Çdo veprim i kundërt përbën mospërmbushje të detyrimit.

 

Neni 484

Kreditori mund të mos pranojë ofertën e debitorit që është me vonesë për ekzekutimin e detyrimit, në rast se ajo nuk përmban edhe shpërblimin e dëmit të pësuar dhe shpenzimet e bëra gjatë vonesës, ose kur kreditori për shkak të vonesës së debitorit nuk ka interes për ekzekutimin e detyrimit.

 

Neni 485

Debitori që ka një kredi të kërkueshme ndaj kreditorit të tij, mund të pezullojë zbatimin e detyrimit deri në pagesën e kredisë, me kusht që ndërmjet kredisë dhe detyrimit të ketë lidhje të mjaftueshme, siç mund të jetë ndër të tjera, qënia e një raporti të vetëm juridik ose të marrëdhënieve që palët kanë patur rregullisht.

Pezullimi i ekzekutimit të detyrimit nuk mund të kërkohet kur:

a) ekzekutimi i detyrimit nga pala tjetër bëhet i pamundur për shkak të vonesës së kreditorit, ose është i pamundur në mënyrë të përherëshme;

b) kredia e palës tjetër është e pasekuestrueshme.

 

Neni 486

Dëmi që duhet të shpërblehet nga debitori për mosekzekutimin e detyrimit përbëhet nga të gjitha humbjet e pësuara nga pakësimi i pasurisë, si dhe fitimi që mund të nxirrej në kushtet e zakonshme të tregut (fitimi i munguar). Bëjnë pjesë në shpërblimin për riparimin e dëmit edhe shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të parandaluar ose për të pakësuar dëmin, që kanë lidhje me rrethanat mbi të cilat bazohet përgjegjësia e palës, shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të përcaktuar dëmin dhe përgjegjësinë, si dhe ato që janë nevojitur për të gjetur një zgjidhje jashtë gjyqësore të përmbushjes së detyrimit.

 

Neni 487

Në kontratë me detyrime të dyanshme, palët duhet të ekzekutojnë detyrimin e tyre në të njëjtën kohë, përveç kur nga kontrata ose nga natyra e detyrimit del se njëra palë duhet të ekzekutojë detyrimin e saj më parë se tjetra.

 

Neni 488

Kur në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i detyrimit të një pale është bërë i pamundur pa fajin e asnjërës palë, secila prej tyre nuk ka të drejtë të kërkojë nga tjetra ekzekutimin e detyrimit ose shpërblimin e dëmit, përveç kur në ligj ose në kontratë është parashikuar ndryshe. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë nga pala tjetër që t’i kthejë atë që është dhënë për ekzekutimin e detyrimit.

 

Neni 489

Në qoftë se në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i detyrimit të njërës palë është bërë i pamundur, për shkak se pala tjetër ka rënë në paaftësi paguese, ose ka falimentuar ose për ndonjë rrethanë tjetër të ndodhur për faj të saj, pala tjetër ka të drejtë të mos zbatojë detyrimet e veta, derisa t’i garantohet ekzekutimi i detyrimit në dobi të saj, ose të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i kontratës.

 

Neni 490

Kur është vendosur që kreditorit t’i paguhet shpërblimi për mosekzekutimin e detyrimit ose për ekzekutimin me vonesë të tij, gjykata duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit, mund të caktojë një afat tjetër për pagimin e këtij shpërblimi, ose të lejojë që të paguhet me këste.

 

Vonesa e kreditorit

Neni 491

Kreditori është në vonesë kur pa ndonjë shkak të ligjshëm nuk pranon ekzekutimin e detyrimit nga ana e debitorit, ose që për shkak të rrethanave të krijuara me faj prej tij, nuk përmbush detyrimin ndaj debitorit, pa të cilin ky nuk mund të ekzekutojë detyrimin e tij.

 

Neni 492

Kur kreditori është në vonesë, debitori ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar prej saj dhe lirohet nga përgjegjësia në rast se më vonë ekzekutimi i detyrimit të tij bëhet i pamundur, përveç kur pamundësia e ekzekutimit ndodh për fajin e tij.

Në detyrimet në para, kur kreditori është në vonesë, debitori nuk paguan kamatë.

 

Neni 493

Kur dëmi i ardhur nga mosekzekutimi i detyrimit është shkaktuar ose është shtuar edhe nga veprimet ose mosveprimet me faj të kreditorit, ose kur ky nuk ka treguar kujdesin e duhur për pakësimin e këtij dëmi, gjykata sipas rastit mund të pakësojë shumën e shpërblimit të dëmit ose të shkarkojë krejtësisht debitorin nga detyrimi për shpërblimin e tij.

 

Neni 494

Kreditori gjatë vonesës së tij nuk mund të kërkojë marrjen e masave për një ekzekutim të detyruar.

 

Neni 495

Kur kreditori është në vonesë ose nuk gjendet, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin duke e depozituar sendin në një person që ushtron veprimtari depozitimi ose në një vend që caktohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit të detyrimit. Kur objekt i detyrimit janë para, letra ose dokumente me vleftë ose sende të çmueshme, depozitohen në bankë.

Me depozitimin ndërpritet kamata.

Në rastet kur depozitimi kërkon shpenzime të mëdha, bëhet me vështirësi ose sendi që vihet në depozitë prishet shpejt ose për vetë natyrën e tij, nuk mund të lihet në depozitë, debitori, pasi të ketë lajmëruar kreditorin, kërkon nga gjykata që të lejohet të shesë sendin e mësipërm dhe vleftën e nxjerrë nga shitja ta depozitojë në bankën e shtetit në emër të kreditorit.

Kur debitori tërheq sendin e depozituar para se të jetë pranuar nga kreditori, depozitimi quhet se nuk është bërë.

Depozituesi i dorëzon sendin kreditorit vetëm pasi ky të ketë shlyer të gjitha shpenzimet për ekzekutimin e detyrimit.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim