SIPERMARRJA
KREU VII
SIPëRMARRJA
Përmbajtja
Neni 850
Sipërmarrja është kontrata me të cilën njëra palë (sipërmarrësi) detyrohet, që me mjetet e saj dhe duke marrë përsipër rrezikun, të kryejë një vepër (punë), ose të bëjë një shërbim apo një zbatim të pavarur të punimeve, ndërsa pala tjetër detyrohet ta pranojë atë kundrejt çmimit të caktuar në kontratë.
Caktimi i çmimit
Neni 851
Kur palët nuk e kanë caktuar çmimin e sipërmarrjes dhe as nuk kanë vendosur mënyrën për ta përcaktuar atë, ai llogaritet në bazë të tarifave ekzistuese ose në bazë të zakonit të vendit. Në rast mosmarrëveshjeje, caktohet nga gjykata.
Neni 852
Materialet e nevojshme për kryerjen e veprës duhet të sigurohen nga sipërmarrësi, në qoftë se marrëveshja nuk parashikon ndryshe.
Të drejta e detyrime të sipërmarrësit
Neni 853
Sipërmarrësi duhet të paralajmërojë në kohën e duhur porositësin:
a) kur materiali i dhënë nga porositësi për veprën është me cilësi jo të mirë, kur kjo zbulohet gjatë punimeve dhe dëmton cilësinë e veprës;
b) kur udhëzimet e porositësit nuk mund të zbatohen ose kur zbatimi i tyre bën që vepra të mos jetë e qëndrueshme ose e përshtatshme;
c) kur ka rrethana, që nuk varen nga sipërmarrësi, të cilat ndikojnë që vepra të mos jetë e qëndrueshme ose e përshtatshme.
Sipërmarrësi përgjigjet për dëmin që pëson porositësi, po qe se nuk e paralajmëron atë përsa më sipër.
Neni 854
Sipërmarrësi ka të drejtë që të heqë dorë nga zbatimi i kontratës dhe të kërkojë që të shpërblehet për dëmin që ka pësuar kur porositësi nuk zëvendëson materialin me cilësi jo të mirë ose të papërshtatshëm, ose kur nuk ndryshon udhëzimet për kryerjen e veprës, megjithëse është paralajmëruar në kohën e duhur prej tij.
Neni 855
Sipërmarrësi përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e materialit që i është dhënë nga porositësi, përveç kur provohet se humbja ose dëmtimi i tij ka ndodhur për shkak se materiali ka qenë i një cilësie jo të mirë, ose i papërshtatshëm, ose për shkak të zbatimit të udhëzimeve të porositësit për kryerjen e veprës, megjithëse për këto sipërmarrësi kishte paralajmëruar në kohën e duhur porositësin.
Neni 856
Sipërmarrësi ka të drejtë të kërkojë t’i paguhet puna e kryer prej tij, kur vepra, para se t’i dorëzohet porositësit, humbet ose dëmtohet për shkak se materiali ka qenë i një cilësie jo të mirë, ose i papërshtatshëm, ose për shkak të zbatimit të udhëzimeve të porositësit për kryerjen e veprës, megjithëse për këto sipërmarrësi kishte paralajmëruar në kohën e duhur porositësin.
Neni 857
Sipërmarrësi nuk mund të japë me nënsipërmarrje kryerjen e veprës ose kryerjen e shërbimeve, pa u marrë pëlqimi nga porositësi.
Neni 858
Sipërmarrësi nuk mund të ndryshojë mënyrat e caktuara në kontratë për kryerjen e veprës, pa pëlqimin me shkrim të porositësit.
Edhe kur është dhënë pëlqimi, sipërmarrësi, po qe se çmimi i plotë i veprës është caktuar në total, nuk ka të drejtë të kompensohet për ndryshimet ose për shtesat, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
Neni 859
Në qoftë se për kryerjen e veprës sipas standardeve është e nevojshme që projekti të ndryshohet dhe për këtë gjë palët nuk merren vesh, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
Në qoftë se ndryshimet në çmimet tejkalojnë një të gjashtën e madhësisë së çmimit të caktuar, sipërmarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës dhe sipas rrethanave, një shpërblim të përshtatshëm të dëmeve.
Në qoftë se ndryshimet janë të konsiderueshme, porositësi mund të tërhiqet nga kontrata duke paguar një dëmshpërblim të përshtatshëm.
Të drejta e detyrime të porositësit
Neni 860
Porositësi mund të bëje ndryshime në projekt, me kusht që madhësia e tyre të mos kalojë një të gjashtën e çmimit të përgjithshëm të caktuar. Sipërmarrësi ka të drejtë të kompensohet për punimet kryesore të kryera, edhe pse çmimi i veprës është caktuar në total.
Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet për ndryshimet në projekt që, megjithëse u përmbahen caqeve të lartpërmendura, sjellin ndryshime të konsiderueshme në natyrën e veprës ose në anën sasiore të kategorive të veçanta të punimeve të parashikuara në kontratë për kryerjen e së njëjtës vepër.
Neni 861
Porositësi ka të drejtë të kontrollojë kryerjen e punimeve dhe gjendjen e tyre me shpenzimet e veta.
Kur, gjatë punimeve, zbulohet se kryerja e tyre nuk vazhdon sipas kushteve të caktuara në kontratë dhe sipas standardeve, porositësi mund të caktojë një afat të arsyeshëm brenda të cilit sipërmarrësi duhet të pajtohet me ato kushte. Kur afati i caktuar ka kaluar pa sjellë ndonjë dobi, kontrata zgjidhet, pa cenuar të drejtën e porositësit për shpërblimin e dëmeve.
Neni 862
Në qoftë se si rrjedhim i rrethanave të paparashikuara, kanë ndodhur rritje ose ulje të kostos së materialeve ose të krahut të punës, që përcaktojnë një rritje ose një zbritje në një masë më të madhe se një e dhjeta e çmimit të përgjithshëm të caktuar, sipërmarrësi ose porositësi mund të kërkojnë rishikimin e çmimit. Ky rishikim mund të caktohet vetëm për masën e diferencës që tejkalon një të dhjetën. Kur gjatë punimeve hasen vështirësi të karakterit gjeologjik, hidrik dhe të tjera të ngjashme me to, të paparashikuara nga palët, të cilat e bëjnë mjaft më të vështirë detyrën e sipërmarrësit, ky ka të drejtë për një kompensim të përshtatshëm.
Neni 863
Porositësi, përpara se të marrë në dorëzim veprën e mbaruar, ka të drejtë ta kontrollojë atë.
Kontrolli duhet të kryhet nga porositësi, sapo sipërmarrësi të krijojë kushtet e duhura për kontrollin.
Në qoftë se, megjithë ftesën e bërë prej sipërmarrësit, porositësi nuk e kryen kontrollin pa patur arsye të bazuara, ose kur nuk njofton rezultatin e kontrollit brenda një afati të shkurtër, vepra konsiderohet e pranuar. Në qoftë se porositësi merr në dorëzim veprën pa paraqitur ndonjë rezervë, ajo konsiderohet e pranuar edhe pse nuk është kryer kontrolli.
Sipërmarrësi ka të drejtë të kërkojë të paguhet me vleftën e caktuar kur vepra pranohet nga porositësi, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
Garancia dhe denoncimi i të metave të veprës
Neni 864
Sipërmarrësi detyrohet të japë garanci për deformmet dhe veset e veprës. Garancia nuk kërkohet kur porositësi e ka pranuar veprën dhe deformimet ose veset njiheshin prej tij ose ishin të dallueshme, përveç kur ato janë fshehur me keqbesim nga sipërmarrësi.
Porositësi duhet t’i njoftojë sipërmarrësit deformimet ose veset brenda 60 ditëve nga zbulimi i tyre me kusht dekadence, që sjell humbjen e kësaj të drejte. Njoftimi nuk është i domosdoshëm kur sipërmarrësi i ka njohur e pranuar deformimet dhe veset ose kur i ka fshehur ato.
Padia kundër sipërmarrësit parashkruhet brenda dy vjetëve nga data e dorëzimit të veprës. Porositësi i paditur për pagim mund të zbatojë gjithmonë garancinë, me kusht që deformimet dhe veset të njoftohen brenda 60 ditëve nga data e zbulimit dhe para se të kenë kaluar dy vjet nga data e dorëzimit.
Neni 865
Porositësi mund të kërkojë që deformimet ose veset të eliminohen me shpenzimet e sipërmarrësit, ose që çmimi të zbritet përpjesëtimisht, duke ruajtur të drejtën e shpërblimit të dëmit në rast se sipërmarrësi ka faj.
Por, në qoftë se deformimi ose cenet e veprës janë të tilla sa e bëjnë atë krejt të papërshtatshme për destinimin e saj, porositësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës.
Neni 866
Kur sipërmarrja ka për objekt ndërtesa ose sende të tjera të paluajtshme të cilat, për nga natyra e tyre, kanë destinim afatgjatë, po qe se, gjatë një periudhe prej dhjetë vjetësh nga përfundimi, vepra, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, shëmbet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shëmbjeje ose defekte të tjera të rënda, sipërmarrësi përgjegjet kundrejt porositësit dhe palëve që fitojnë të drejta prej tij, me kusht që denoncimi i tyre të bëhet brenda një viti nga zbulimi.
E drejta e porositësit parashkruhet brenda një viti nga kallëzimi.
Neni 867
Sipërmarrësi, për të ushtruar të drejtën e padisë së kthimit kundrejt nënsipërmarrësve, duhet që t’i njoftojë ata për denoncimin brenda gjashtëdhjetë ditëve nga marrja dijeni me kusht dekadence, që sjell humbjen e kësaj të drejte.
Zgjidhja e kontratës dhe pasojat juridike
Neni 868
Porositësi mund të tërhiqet nga kontrata, edhe kur ka filluar zbatimi i veprës ose kryerja e shërbimit, me kusht që ta kompensojë sipërmarrësin për shpenzimet e kryera, për punimet e bëra dhe për fitimin e munguar.
Neni 869
Kur kontrata zgjidhet sepse zbatimi i veprës është bërë i pamundur si pasojë i një shkaku që nuk mund t’i atribuohet asnjërës palë, porositësi paguan pjesën e veprës së kryer në kufijtë brenda të cilëve është e dobishme për të, në përpjesëtim me çmimin e caktuar për të gjithë veprën.
Neni 870
Kur materiali që i është dhënë sipërmarrësit nga porositësi, ose kur vepra e përgatitur me këtë material humbet ose dëmtohet, si dhe kur përfundimi i veprës bëhet i pamundshëm pa fajin e asnjërit prej tyre, por në çdo rast pasi sipërmarrësi të jetë në vonesë për dorëzimin e veprës, ky është i detyruar t’i shpërblejë porositësit vleftën e materialit dhe nuk ka të drejtë të kërkojë prej tij që t’i paguajë punën e kryer.
Neni 871
Kur vepra e përgatitur me material të sipërmarrësit humbet ose dëmtohet, si dhe kur përfundimi i saj bëhet i pamundshëm para se të ketë mbaruar afati për dorëzimin e veprës, por në çdo rast pa fajin e asnjërit prej tyre, sipërmarrësi nuk ka të drejtë t’i kërkojë porositësit që t’i paguajë vleftën e materialit dhe punën e kryer.
Neni 872
Kur vepra e përgatitur me material të sipërmarrësit humbet ose dëmtohet, si dhe kur përfundimi i saj bëhet i pamundshëm pa fajin e sipërmarrësit ose të porositësit, por pasi porositësi është në vonesë për marrjen e veprës në dorëzim, ky detyrohet t’i paguajë sipërmarrësit vleftën e materialit dhe punën e kryer.
Neni 873
Kontrata e sipërmarrjes nuk zgjidhet me vdekjen e sipërmarrësit, përveç kur personi i sipërmarrësit konsiderohej i domosdoshëm për kryerjen e veprës. Porositësi mundet gjithmonë të tërhiqet nga kontrata, po qe se trashëgimtarëve të sipërmarrësit, nuk mund t’u besohet për kryerjen e mirë të veprës ose të shërbimit.
Neni 874
Në rastin e zgjidhjes së kontratës për shkak të vdekjes së sipërmarrësit, porositësi detyrohet t’u paguajë trashëgimtarëve vleftën e veprës së kryer, duke u mbështetur në çmimin e caktuar, si dhe shpenzimet e kryera për ekzekutimin e pjesës së mbetur, por vetëm brenda kufijve në të cilët vepra e kryer dhe shpenzimet e bëra janë të dobishme për të. Porositësi ka të drejtë të kërkojë dorëzimin, kundrejt një kompensimi të përshtatshëm, të vleftës së materialeve të përgatitura dhe planeve në zbatim e sipër, për aq sa lejojnë normat për mbrojtjen e shpikjeve dhe të pronësisë intelektuale.
Neni 875
Personat të cilët, duke qënë në varësi të sipërmarrësit, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre për zbatimin e veprës ose kryerjen e shërbimit, mund të ngrejnë padi drejtpërdrejt kundër porositësit për të marrë atë çka u takon deri në plotësimin e detyrës që porositësi ka ndaj sipërmarrësit në kohën kur ata ngrejnë padinë.
Dispozitë referuese
Neni 876
Kur sipërmarrja ka për objekt kryerje shërbimesh të vazhdueshme ose periodike, zbatohen, për aq sa janë të pajtueshme, normat e këtij titulli dhe ato lidhur me kontratën e furnizimit.
KREU VIII
TRANSPORTI
A. Transporti i personave
Neni 877
Me kontratën e transportit të personave, transportuesi merr përsipër të transportojë persona nga njëri vend në një vend tjetër.
Neni 878
Përveç përgjegjësisë për vonesën dhe për mospërmbushjen në kryerjen e transportit, transportuesi përgjigjet për fatkeqesitë që godasin personin udhëtar gjatë udhëtimit dhe për humbjen ose për dëmtimin e sendeve që udhëtari merr me vete, në qoftë se nuk provon se ka marrë të gjitha masat e përshtatshme për shmangien e dëmit, dhe në lidhje me rethanat e posaçme të rastit.
Janë të pavlefshme kushtet që kufizojnë përgjegjësinë e transportuesit për rreziqet që godasin udhëtarin.
Kjo dispozitë zbatohet edhe në kontratat e transportit falas.
Neni 879
Në transportin me itinerare që lidhen njëri me tjetrin, çdo transportues përgjigjet për udhëtimin e vet.
Megjithatë, dëmi për vonesën ose për ndërprerjen e udhëtimit llogaritet duke pasur parasysh të gjithë rrugën.
B. Transporti i sendeve
Neni 880
Me kontratën e transportit të sendeve, transportuesi merr përsipër të transportojë sende nga një vend në një vend tjetër.
Neni 881
Transportuesi duhet t’i vërë sendet e transportuara në dispozicion të marrësit në vendin, në afatin dhe nëpërmjet mënyrave të treguara në kontratë.
Në qoftë se dorëzimi nuk duhet të kryhet pranë marrësit, transportuesi duhet ta njoftojë atë menjëherë për mbërritjen e sendeve të transportuara.
Në qoftë se nga dërguesi është lëshuar një fletë shoqërimi, transportuesi duhet t’ia tregojë atë marrësit.
Neni 882
Dërguesi duhet t’i tregojë transportuesit me saktësi emrin e marrësit dhe vendin e destinimit, llojin, peshën, sasinë dhe numrin e sendeve për t’u transportuar dhe të dhëna të tjera të nevojshme për kryerjen e transportit.
Në qoftë se për kryerjen e transportit nevojiten dokumente të posaçme, dërguesi duhet t’ia japë ato transportuesit në momentin kur dorëzon sendet per t’u transportuar.
Janë në ngarkim të dërguesit dëmet që rrjedhin nga mungesa ose pasaktësia e të dhënave ose nga mosdorëzimi apo parregullsia e dokumenteve.
Neni 883
Me kërkesën e transportuesit, dorëzuesi lëshon një fletë shoqërimi me nënshkrimin e vet, e cila përmban emrin e vet, vendqëndrimin ose qendrën e punës, vendin dhe datën e lëshimit, të dhënat e paraqitura në nenin e mësipërm dhe kushtet e caktuara për transportin.
Kur fletëshoqërimi jepet në disa kopje, numri i kopjeve duhet të tregohet në çdo ekzemplar. Kopjet e mbetura humbasin vlerën pasi sendet i dorëzohen mbajtësit të titullit.
Këto të dhëna janë të besueshme, derisa të mos jetë provuar e kundërta kundrejt transportuesit, i cili ka për detyrë t’i verifikojë ato, duke zbatuar përkujdesjen profesionale.
Me kërkesën e dërguesit, transportuesi lëshon një dublikatë të fletës të shoqërimit me nënshkrimin e vet ose, në qoftë se nuk i është lëshuar fleta e shoqërimit, një fletë marrje në dorëzim, që të përmbajë të njëjtat të dhëna.
Neni 884
Kontrata e transportit quhet e lidhur nga çasti që është bërë dokumenti i transportimit dhe dërguesi i mallrave ka bërë pagesën e transportimit, përveç kur në kontratë ose në ligj parashikohet ndryshe.
Neni 885
Në qoftë se fillimi ose vazhdimi i transportit pengohen ose vonohen së tepërmi për shkaqe që nuk mund t’i ngarkohen transportuesit, ky menjëherë duhet t’i kërkojë udhëzime dërguesit, duke marrë masa për ruajtjen e sendeve që i janë dorëzuar atij.
Transportuesi ruan të drejtën e ripagimit të shpenzimeve.
Në qofte se transporti ka filluar, ai ka të drejta edhe për pagimin e çmimit në përpjestim me rrugën që ka kryer, përveç rastit kur ndërprerja e transportit ka ndodhur për shkak të humbjes së plotë të sendeve si pasojë e rastit fator.
Po qe se rrethanat e bëjnë të pamundur marrjen e udhëzimeve nga dërguesi, ose në qoftë se udhëzimet nuk janë të zbatueshme, transportuesi mund t’i depozitojë sendet ose, po qe se rrezikohen të dëmtohen, ose përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për sigurinë e vendeve ku janë ruajtur, ai mund të marrë masa për shitjen e tyre me çmimin më të mirë.
Transportuesi duhet të njoftojë menjëherë dërguesin për depozitimin ose shitjen.
Rregullat e mësipërme zbatohen edhe në rastin kur pritësi nuk gjendet ose refuzon apo vonon të kërkojë marrjen në dorëzim të sendeve, edhe në rastin kur lind mosmarrëveshje midis disa marrësve ose për të drejtën e marrësit për marrjen në dorëzim apo për ekzekutimin e saj.
Neni 886
Dërguesi mund të pezullojë transportimin dhe të kërkojë kthimin e sendeve, ose të urdhërojë dorëzimin tek një marrës tjetër i ndryshëm nga ai i treguar në fillim ose mund të vendosë ndryshe, gjithmonë duke ruajtur detyrimin për të riparuar shpenzimet dhe për të shpërblyer dëmet që rrjedhin nga urdhri i dytë.
Kur nga ana e transportuesit i është lëshuar dërguesit një dublikatë e fletës së shoqërimit ose e fletë ngarkesës, dorëzuesi nuk mund të disponojë sendet e dorëzuara për transport po qe se nuk i paraqet transportuesit dublikatën ose faturën për të treguar të dhënat e reja. Këto duhet të nënshkruhen edhe nga transportuesi.
Dërguesi nuk mund të disponojë sende të transportuara qysh prej momentit kur ato kanë kaluar në dispozicion të pritësit.
Neni 887
Të drejtat që rrjedhin nga kontrata e transportit ndaj transportuesit i kalojnë pritësit nga momenti kur, pasi sendet kanë mbërritur në destinacion ose ka skaduar afati në të cilin duhet të kishin mbërritur. Pritësi kërkon marrjen në dorëzim nga transportuesi, pritësi nuk mund të ushtrojë të drejtat që lindin nga kontrata, përveç se duke i paguar transportuesit kreditë që rrjedhin nga transporti dhe faturat që shoqërojnë sendet e transportuara. Kur ka mosmarrëveshje për shumën e detyruar, marrësi duhet të depozitojë diferencën e vënë në dyshim pranë një të treti.
Neni 888
Transportuesi që i dorëzon pritësit sendet pa mbledhur kreditë e veta ose faturat që shoqërojnë sendet e transportuara, ose pa kërkuar depozitimin e shumës së diskutueshme, është përgjegjës ndaj dërguesit për vleftën që i detyrohet atij dhe nuk mund t’i kërkojë këtij të fundit pagimin e kredive të veta. Megjithatë e drejta për të paditur pritësin nuk cenohet.
Përgjegjësia për humbjen ose dëmtimin e sendeve gjatë transportimit
Neni 889
Transportuesi është përgjegjës për humbjen dhe dëmtimin e sendeve të dorëzuara atij qysh nga momenti kur i merr, deri në momentin kur ia dorëzon pritësit, po qe se nuk provon që humbja ose dëmtimi janë pasojë e rastit fator, e veprimit të dërguesit, të pritësit ose të pronarit të sendeve të dërguara, nga firot ose nga lloji e nga veset e vetë sendeve.
Në qoftë se transportuesi i pranon sendet për transportim pa rezervë, prezumohet se sendet nuk paraqesin të meta të dukshme ambalazhi.
Transportuesi, me kërkesën e pritësit, detyrohet të mbajë procesverbal për humbjen ose dëmtimin e sendeve të dorëzuara për transportim.
Neni 890
Transportuesi duhet të njoftojë pritësin pa vonesë dhe përpara dorëzimit të sendeve, për dëmet që sendet mund të kenë pësuar.
Neni 891
Në qoftë se sendet kanë humbur ose janë dëmtuar, dëmi llogaritet, përveç marrëveshjes së kundërt, sipas çmimit të tyre në kohën e ngarkimit nga ana e transportuesit. Po qe se sendet dëmtohen, transportuesi duhet të shpërblejë dëmin në masën e diferencës midis vleftës së sendeve në momentin e ngarkimit dhe vleftës në momentin e dorëzimit.
Neni 892
Pritësi ka të drejtë të sigurohet, me shpenzimet e veta, përpara marrjes në dorëzim, për identitetin dhe gjendjen e sendeve të transportuara.
Neni 893
Marrja në dorëzim pa rezervë e sendeve të transportuara duke paguar transportuesin për aq sa i takon, heq mundësinë për ngritje të padisë që rrjedh nga kontrata, përveç rastit të mashtrimit ose të pakujdesisë së rëndë të transportuesit. Nuk cenohen të drejtat për të kërkuar humbjen e pjesshme ose për dëmtime të tilla që nuk mund të dallohen në momentin e marrjes në dorëzim, me kusht që transportuesi të njoftohet menjëherë sa të zbulohet dëmi dhe jo më vonë se 20 ditë nga data e marrjes në dorëzim.
Neni 894
Kur transportuesi detyrohet t’i përcjellë sendet e transportuara përtej linjave të tij, nëpërmjet transportuesish të tjerë, pa marrë nga dorëzuesi një fletë shoqërimi të drejtpërdrejtë për në vendin e destinimit, prezumohet që ai merr, për transportin përtej linjave të veta, detyrimet e një spedicioneri.
Transportimi i kryer nga disa transportues
Neni 895
Në transportin e sendeve që kryhet bashkërisht nga disa transportues të njëpasnjëshëm me një kontratë të vetme, transportuesit përgjigjen solidarisht për përmbushjen e kontratës nga vendi fillestar i nisjes deri në vendin e destinimit.
Transportuesi që paditet për një veprim për të cilin nuk ka përgjegjësi, ka të drejtën e padisë kundrejt transportuesve të tjerë, qoftë veç e veç, qoftë bashkërisht. Po qe se del se veprimi që ka sjellë dëmtimin ka ndodhur në rrugën e njërit prej transportuesve, ky detyrohet të bëjë shpërblimin e plotë të dëmit; në rast të kundërt, detyrohen të shpërblejnë transportuesit përpjestimisht me rrugët e tyre, duke përjashtuar ata transportues që provojnë se dëmi nuk ka ndodhur në rrugën e vet.
Neni 896
Transportuesit e njëpasnjëshëm kanë të drejtë të deklarojnë, në fletëshoqërimin ose në një akt të veçantë, gjendjen e sendeve për t’u transportuar në momentin kur u janë dorëzuar atyre. Në mungesë të deklaratës, prezumohet se i kanë marrë në gjendje të mirë dhe në përputhje me fletë shoqërimin.
Përgjegjësia e dërguesit dhe e transportuesit për vonesën
Neni 897
Kur dorëzimi i sendeve për transportim ose dorëzimi i sendeve pritësit nuk bëhet në afatet e caktuara në kontratë, pala që është në vonesë shpërblen dëmin përkatës.
Neni 898
Kreditë që rrjedhin nga transporti kanë prvilegj mbi sendet e transportuara deri sa këto të mbeten pranë transportuesit. Transportuesi mund të mbajë sendin që i nënshtrohet privilegjit deri sa të shpërblehet kredia e tij dhe mundet edhe ta shesë sipas rregullave të caktuara për shitjen e pengut.
Përgjegjësia e transportuesit të fundit
Neni 899
Transportuesi i fundit përfaqëson transportuesit e mëparshëm për mbledhjen e kredive përkatëse që lindin nga kontrata e transportit dhe për ushtrimin e privilegjit mbi sendet e transportuara. Në qoftë se ai nuk i mbledh kreditë ose nuk ushtron privilegjin, përgjigjet para kreditorëve paraardhës për shumat e detyruara, përveç të drejtës së padisë kundrejt pritësit.
Dispozitë referuese
Neni 900
Për transportimet me rrugë ujore, ajrore dhe për ato hekurudhore e postare, kur mungon legjislacioni i posaçëm, zbatohen dispozitat e kësaj kontrate.