LIGJI Nr. 8378, dt 22.7.1998 “KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Neni 139
Shpejtësia
1. Është detyrë e drejtuesit të mjetit të rregullojë shpejtësinë e mjetit në mënyrë që, duke pasur parasysh karakteristikat, gjendjen dhe ngarkesën e mjetit, karakteristikat dhe gjendjen e rrugës, trafikun, si dhe çdo rrethanë tjetër të çfarëdo natyre, të mënjanohet çdo rrezik për sigurinë e njerëzve dhe mallrave dhe çdo shkak tjetër që krijon çrregullime për trafikun.
2. Drejtuesi i mjetit duhet të ruajë gjithmonë kontrollin e mjetit dhe të jetë në gjendje të kryejë të gjitha manovrat e nevojshme në kushte të sigurta, veçanërisht frenimin e menjëhershëm të mjetit brenda kufijve të fushëpamjes dhe përpara çdo pengese të mundshme.
3. Veçanërisht drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa, në afërsi të kryqëzimeve dhe shkollave, ose vendeve të tjera të frekuentuara nga fëmijët, të treguar me sinjale të caktuara, në pjerrësi të forta, në kalime të ngushta ose të rënduara, në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ose për shkaqe të tjera, gjatë kalimit në zona të banuara ose në pjesë të rrugës, anash të cilave ka ndërtesa.
4. Drejtuesi i mjetit duhet ta zvogëlojë shpejtësinë deri në ndalim afër kalimeve të këmbësorëve dhe në çdo rast kur këmbësorët që ndodhen në rrugë, vonojnë të largohen ose japin shenja hutimi, si dhe kur me afrimin e mjetit kafshët që gjenden në rrugë japin shenja frikësimi.
5. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të bëjë garë në shpejtësi.
6. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të qarkullojë me shpejtësi të zvogëluar deri në atë masë sa të paraqesë pengesë ose rrezik për qarkullimin normal.
7. Dispozitave të këtij neni i nënshtrohet edhe drejtuesi i biçikletës, i kafshëve tërheqëse, të barrës dhe të shalës.
8. Cilido që shkel dispozitat e pikës 3 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
9. Kur bëhet fjalë për shkelje të kryera nga drejtues mjeti të përmendur në pikën 7, gjoba është nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
10. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 167
Transporti i njerëzve, kafshëve dhe objekteve në mjetet me motor
1. Në të gjitha mjetet drejtuesi duhet të ketë lirshmërinë maksimale të lëvizjes për kryerjen e manovrave të nevojshme për drejtimin e mjetit.
2. Numri i njerëzve që mund të zënë vend në mjete, përveç atyre të treguar në pikën 5, edhe në lidhje me vendosjen e ndenjëseve, nuk mund ta kalojë atë të treguar në lejeqarkullimin.
3. Numri i njerëzve që mund të zënë vend, të ulur ose në këmbë, në automjete dhe trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat, si dhe ngarkesa e përgjithshme e mjetit, nuk mund t’i kalojnë vlerat maksimale korresponduese të treguara në lejeqarkullimin. Vlera të tilla janë përcaktuar në aktet në zbatim në lidhje me tipin dhe karakteristikat e këtyre mjeteve.
4. Gjithë pasagjerët e mjeteve me motor duhet të zënë vend në mënyrë të tillë që të mos kufizojnë lirshmërinë e lëvizjes së drejtuesit dhe të mos i pengojnë atij pamjen. Gjithashtu, në mjete të tilla, duke përjashtuar ciklomotorët me dy rrota dhe motorët, drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri nuk duhet të dalin nga përmasa gabaritë transversale e kabinës.
5. Në autovetura dhe automjete të përshtatshme për transportin e përzier të njerëzve dhe mallrave, lejohet transporti mbi numrin e lejuar të dy fëmijëve me moshë më të vogël se 10 vjeç në kabinë, me kusht që të jenë të shoqëruar nga të paktën një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
6. Në mjete të ndryshme nga ato të autorizuara nga normat përkatëse të ligjit për transportin e kafshëve, është i ndaluar transporti i kafshëve në numër më të madh se 3 dhe sidoqoftë në kushte të tilla që të përbëjnë pengesë ose rrezik për drejtimin e mjetit. Është i lejuar vetëm transporti i kafshëve shtëpiake me përmasa të vogla, edhe në numër më të madh, me kusht që të jenë të ruajtura në kafaze ose mbajtëse të caktuara në hapësirën prapa vendit të drejtimit të mjetit ndarë me rrjetë ose mjet tjetër të ngjashëm me të që, nëse vendosen në mënyrë të përhershme, duhet të jenë të autorizuara nga dega e rrethit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
7. Cilido që drejton mjete ose trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat, që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të madhe se vlerat maksimale të treguara në lejeqarkullimet, si dhe transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
8. Kur shkeljet e treguara në pikën 7 janë kryer duke e dhënë mjetin në mënyrë abuzive në përdorim të të tretëve, zbatohet masa administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, si dhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejeqarkullimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
9. Cilido që shkel dispozitat e mësipërme, kur bëhet fjalë për autovetura, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
10. Cilido që shkel dispozitat e treguara në pikën 6, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 170
Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit
1. Kohëzgjatja e udhëtimit të automjeteve të caktuara për transportin e njerëzve e të mallrave dhe kontrollet përkatëse, të kryera në rrugë ose në zyrat e ndërmarrjes, rregullohen me ligjet në fuqi dhe aktet nënligjore në zbatim të tyre.
2. Drejtuesi i mjetit është i detyruar të kontrollojë vazhdimisht funksionimin normal të rripave të sigurisë dhe, në rast mosfunksionimi siç duhet, t’i zëvendësojë ato me rripa të tjerë të homologuar për tipin e mjetit ku do të vendosen.
3. Përjashtohen nga detyrimi për vendosjen e rripave të sigurisë:
a) anëtarët e forcave të policisë gjatë përmbushjes së një shërbimi emergjence;
b) drejtuesit e mjetit dhe personeli i mjeteve zjarrfikëse dhe të shëndetësisë, në rastet e ndërhyrjeve emergjente;
c) drejtuesit e automjeteve të shërbimit të transportit taksi të njerëzve ose ato të shërbimit të qiradhënies me drejtues mjeti, gjatë shërbimit në qendrat e banuara;
d) njerëzit me shtatgjatësi më të vogël se 1.50 m dhe më të madhe se 1.90 m; ky kusht duhet të vërtetohet nga një dokument njohjeje;
e) njerëzit që, në bazë të certifikatave të lëshuara nga zyra shëndetësore lokale, rezultojnë të prekur nga sëmundje të veçanta, të cilat nuk lejojnë përdorimin e rripit të sigurimit;
f) gratë në gjendje shtatzënie, në bazë të certifikatës së lëshuar nga gjinekologu që i kuron dhe që vërteton krijimin e rreziqeve të veçantë nga përdorimi i rripit të sigurisë;
g) anëtarët e shërbimeve të rojës private që kryejnë shoqërime dhe që kanë dokumentacionin njohës sipas rregullave përkatëse.
Në rastet e shkronjave “d”, “e”, “f” dhe “g” certifikatat ose vërtetimet e përcaktuara duhet t’u tregohen organeve të policisë me kërkesën e tyre, sipas nenit 12. Janë, gjithashtu, të përjashtuar nga detyrimi për përdorimin e rripave të sigurisë dhe sistemeve të tjera fiksuese drejtuesit dhe pasagjerët e mjeteve që nuk janë të pajisur, që nga prodhimi i tyre, me pjesët e veçanta mbërthyese.
4. Pasagjerët deri në moshën 12 vjeç mund të rrinë në vendet e përparme të mjeteve të kategorisë M1 dhe N1 të klasifikuar në nenin 47, pika 2, vetëm kur mbahen nga sisteme të përshtatshme fiksuese.
5. Pasagjerët deri në moshën 4 vjeç që rrinë në vendet e pasme të mjeteve të kategorisë M1, duhet të mbahen nëpërmjet sistemeve të posaçme të fiksimit. Në rast se në vendet e pasme rrinë më shumë se dy pasagjerë me moshë deri në 4 vjeç, vetëm ai me moshë më të vogël duhet të mbahet nëpërmjet sistemeve të posaçme të fiksimit, me kusht që të tjerët të jenë të shoqëruar të paktën nga një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
6. Norma e pikës 5 nuk zbatohet për pasagjerët deri në moshën 4 vjeç që udhëtojnë me autovetura të shërbimit publik taksi për transport njerëzish ose të shërbimit me qiradhënie me drejtues mjeti gjatë shërbimit, kur qarkullojnë në qendrat e banuara a në itinerare nga ose për në stacionin e trenit, porte dhe aeroporte, me kusht që të jenë të shoqëruar të paktën nga një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
7. Sistemet e fiksimit për pasagjerët duhet të përputhen me një tip të homologuar, sipas normativave të përcaktuara nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.
8. Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jo madhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në momentin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.
9. Cilido që, ndonëse e përdor rripin e sigurisë, ndryshon a pengon funksionimin normal të tij, ose e zëvendëson me një tip të pahomologuar për mjetin ku është vendosur, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
10. Cilido që importon ose prodhon për tregti në territorin kombëtar ose tregton rripa sigurimi apo sisteme fiksimi të tipave të pahomologuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Gjithashtu, kur rripat dhe sistemet e fiksimit nuk janë vendosur ende në mjete, janë subjekt konfiskimi.
Neni 180
Qarkullimi i biçikletave
1. Drejtuesit e biçikletave duhet të ecin në një rresht në të gjitha rastet, në rrugë brenda dhe jashtë qendrave të banuara, përveçse kur njëri prej tyre është më i vogël se 10 vjeç dhe lëviz në të djathtë të tjetrit. Kur lëvizet në korsi të veçanta për biçikleta, asnjëherë nuk mund të jenë më shumë se dy rreshta.
2. Drejtuesit e biçikletave duhet të kenë të lirë përdorimin e krahëve e të duarve dhe ta mbajnë timonin të paktën me një dorë. Ata duhet të jenë në gjendje në çdo moment të shikojnë lirisht përpara tyre në të dy krahët dhe të kryejnë me lirshmëri maksimale, gatishmëri dhe lehtësi manovrat e nevojshme.
3. Ndalohet tërheqja e mjeteve, të mbajnë kafshë dhe të tërhiqen nga një mjet tjetër.
4. Drejtuesit e biçikletave duhet ta marrin mjetin për dore, kur si pasojë e kushteve të qarkullimit, bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët. Në një rast të tillë bashkohen me këmbësorët dhe duhet të përdorin kujdesin dhe gatishmërinë e zakonshme.
5. Është i ndaluar transportimi i njerëzve të tjerë në biçikleta, kur nuk janë të ndërtuara dhe të pajisura për një qëllim të tillë. I lejohet sidoqoftë drejtuesit të mjetit madhor transporti i një fëmije deri në moshën 6 vjeç, i siguruar në mënyrë të përshtatshme me pajisjet e nevojshme të përcaktuara nga aktet në zbatim.
6. Biçikletat e ndërtuara dhe të njohura për transportin e njerëzve të tjerë, përveç drejtuesit, mund të drejtohen, kur janë me më shumë se dy rrota simetrike, nga dy drejtues. Në një rast të tillë duhet të pedalojnë vetëm këta persona.
7. Në mjetet e përmendura në pikën 6 nuk mund të transportohen më shumë se 4 persona madhorë, duke përfshirë edhe drejtuesit; lejohet dhe transportimi i njëkohshëm i dy fëmijëve me moshë deri në 10 vjeç.
8. Për transportin e mallrave dhe kafshëve zbatohet neni 168.
9. Biçikletat duhet të kalojnë në pistat e rezervuara për to, kur ato ekzistojnë, përveç ndalimeve për kategori të caktuara me mënyrat e përcaktuara nga aktet në zbatim.
10. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Për biçikletat e përmendura në pikën 6, gjoba është nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 189
Sjellja e drejtuesve të mjeteve ndaj këmbësorëve
1. Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t’i japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore. Drejtuesit e mjeteve që kthehen për t’u futur në një rrugë tjetër, në hyrjen e së cilës gjendet një vendkalim këmbësorësh, duhet t’u japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkapercimet këmbësore, kur atyre nuk u është ndaluar kalimi.
2. Në rrugë të papajisura me vendkalime këmbësorësh drejtuesit e mjeteve duhet t’i lejojnë këmbësorit, që ka filluar kapërcimin e karrexhatës, të arrijë i sigurt në anën tjetër.
3. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndalojnë, kur një person invalid me aftësi lëvizjeje të kufizuara ose që lëviz me karrocë invalidësh, ose i pajisur me shkop të bardhë, ose i shoqëruar me një qen drejtues, ose sidoqoftë i dallueshëm në njëfarë mënyre, kapërcen karrexhatën, ose ka ndërmend ta kapërcejë, dhe duhet të shmangin situata të rrezikshme që mund të shkaktohen nga veprime të gabuara a të ngathëta të fëmijëve dhe të të moshuarve.
4. Cilido që shkel dispozitat e neneve 188 dhe 189, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 19, datë 18 Nëntor 1998, faqe 651
[2] Ligji nr. 8378/1998, është ndryshuar me:
- ligjin nr.8738, dt.12.2.2001, bot.Fletore Zyrtare nr.7, dt.16 Mars 2001, fq.169
- ligjin nr.9189, dt.12.2.2004, Fletore Zyrtare nr.13, dt.16 Mars 2004, fq.544
- ligjin nr.9808, dt.24.9.2007, Fletore Zyrtare nr.130, dt.3 Tetor 2007, fq.3631
- vendim nr.12, dt.14.4.2010, Fletore Zyrtare nr.48, dt.27 Prill 2010, fq.1793
- ligjin nr.10488, dt.05.12.2011, Fletore Zyrtare 166, dt.27 Dhjetor 2011, fq.8373