LIGJI Nr. 8116, dt 29.3.1996 “KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Neni 44
Paditë kundër të miturve që nuk kanë mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose kundër personave që u është hequr krejtësisht zotësia për të vepruar, ngrihen në gjykatën e vendit ku ka banimin përfaqësuesi ligjor i tyre.
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 17)
Si përfaqësues të palëve me prokurë mund të jenë:
a) avokatët;
b) bashkëshortët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat;
c) juristët dhe punonjësit e tjerë të autorizuar të institucioneve shtetërore ose të personave juridikë;
ç) personat që lejohen nga gjykata për të qenë përfaqësues në një çështje;
d) personat e tjerë që parashikohen me ligj se mund të jenë përfaqësues të palëve.
Nuk mund të jenë përfaqësues të palëve:
a) personat që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç;
b) personat që u është hequr zotësia për të vepruar;
c) avokatët të cilëve u është pezulluar ushtrimi i profesionit për aq kohë sa zgjat kjo masë;
ç) gjyqtarët dhe prokurorët.
Prokura mund të jetë e përgjithshme ose e posaçme. Ajo bëhet me shkrim sipas dispozitave të Kodit Civil si dhe me gojë përpara gjykatës që shqyrton mosmarrëveshjen.
Neni 131
Kur nuk është i mundur njoftimi sipas dispozitës së mësipërme, njoftimi bëhet në vendbanimin apo vendqendrimin e marrësit ose në zyrën apo vendin ku ushtron veprimtarinë tregtare, industriale ose të artizanatit.
Në qoftë se marrësi nuk gjendet në një nga këto vende, njoftimi i dorëzohet një personi të familjes që ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe kur nuk ndodhet ndonjë prej tyre, njoftimi mund të bëhet edhe nëpërmjet fqinjëve, që pranojnë t’ia dorëzojnë atë personit të thirrur, zyrës ose qendrës së punës së tij, përveç kur i thirruri është i mitur, nën gjashtëmbëdhjetë vjeç ose është i pazoti për të vepruar.
Kur nuk është e mundur të bëhet njoftimi, sipas paragrafit të mësipërm, kopja e njoftimit i dorëzohet portierit të ndërtesës së banimit, të zyrës apo të qendrës së punës.
Në të gjitha këto raste, personi që merr njoftimin, duhet të nënshkruajë origjinalin ose kopjen e saj, duke marrë përsipër detyrimin që kopjen tjetër t’ia dorëzojë personit të thirrur. Gjithashtu bëhet shënimi në kopjen që mban nëpunësi i gjykatës edhe për marrëdhëniet e këtij personi me personin që i drejtohet njoftimi.
Neni 173
Gjykimi me dyer të mbyllura
Nuk lejohet qëndrimi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura i të miturve nën 16 vjeç, përveç kur ata thirren nga gjykata.
Gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e organeve të medias dhe publikut gjatë një pjese ose gjatë gjithë zhvillimit të procesit gjyqësor:
a) në interes të moralit;
b) të rendit publik;
c) të ruatjes së informacionit të klasifikuar ose sigurisë kombëtare;
ç) kur e kërkojnë interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve dhe pjesëmarrësve në gjyq;
d) kur përmenden sekrete tregtare ose shpikje industriale, nga publikimi i të cilave mund të cenohen interesa që mbrohen me ligj;
dh) në masën e çmuar nga gjykata, në rrethana të veçanta, publikimi mund të paragjykojë interesat e drejtësisë.
Vendimi shpallet publikisht.
Neni 235
Ndalimi i pyetjes si dëshmitar
Nuk mund të pyeten si dëshmitarë:
– përfaqësuesit e palëve në çështje,për rrethana për të cilat kanë marrë dijeni nga të përfaqësuarit e tyre për shkak të detyrës së tyre si përfaqësues;
– personat që për shkak të metash fizike ose psikike nuk janë të aftë të kuptojnë drejt faktet që kanë rëndësi për çështjen dhe të bëjnë dëshmi të rregullt;
– bashkëshortët ende të pandarë, fëmijët, prindërit, gjyshërit, ose kushërinj, në vijë të drejtë ose të tërthortë deri në shkallë të dytë, përveç kur çështja ka lidhje me probleme personale e familjare, si dhe të miturit nën katërmbëdhjetë vjeç, përveç kur thëniet e tyre janë të domosdoshme për zgjidhjen e çështjes.
Këta persona vendosin vetë nëse do të dëshmojnë dhe nuk mund të dënohen për refuzimin për të bërë dëshmi.
Neni 320
Në përbërje të gjykatave të shkallës së parë krijohen seksione të veçanta për gjykimin e:
a)mosmarrëveshjeve administrative;
b)mosmarrëveshjeve tregtare;
c)mosmarrëveshjeve që lidhen me të miturit dhe familjen.
KREU IV
SHQYRTIMI I MOSMARRËVESHJEVE QË LIDHEN ME FAMILJEN
Neni 349
Kompetencat lëndore
Seksionet për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve familjare pranë gjykatave të shkallës së parë janë kompetente për:
a) shqyrtimin e mosmarrëveshjeve për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, për pavlefshmërinë dhe për anulimin e martesës;
b) vënien dhe heqjen e kujdestarisë mbi të miturit, mbajtjen për rritje dhe edukim të fëmijëve deri në zgjidhjen e martesës dhe ndryshimin e vendimit të gjykatës për shkak të rrethanave të reja;
c) miratimin e birësimit;
ç) mosmarrëveshjet lidhur me dhënien e ndihmës për jetesë;
d) ndarjen e pasurisë bashkëshortore dhe të banesës së bashkëshortëve;
dh) kërkesat për heqjen dhe kthimin pushtetit prindëror.
A. PROCEDURA PËR VENDOSJEN E KUJDESTARISË
Neni 350
Kompetenca tokësore
Kompetent për vendosjen ose heqjen e kujdestarisë, si dhe për heqjen ose kthimin e pushtetit prindëror, është seksioni përkatës i gjykatës së shkallës së parë ku banon i mituri.
Neni 351
E drejta për paraqitjen e kërkesës në gjykatë
Kërkesa për vendosjen e kujdestarisë i paraqitet gjykatës nga të afërmit e fëmijës së mitur dhe nga cilido që merr njoftimin për mbetjen e fëmijës pa prindër, për lindjen e një fëmije me prindër të panjohur dhe për çdo rrethanë tjetër që ligji kërkon vendosjen e kujdestarisë.
Kur në çeljen e një testamenti, noteri, që bën publikimin e tij vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari, duhet të njoftojë gjykatën jo më vonë se 10 ditë nga marrja dijeni, e cila procedon dhe vendos jo më vonë se 15 ditë.
Neni 352
I mituri që ka mbushur moshën 16 vjeç mund të ushtrojë vetë të drejtën që t’i drejtohet gjykatës për vendosjen e kujdestarisë.
Neni 353
Caktimi i kujdestarisë
Gjykata emëron një kujdestar të vetëm edhe kur janë disa vëllezër e motra të mitur. Kur ka konflikt midis interesave të të miturve, ajo mund të caktojë edhe një kujdestar tjetër ose disa kujdestarë.
Neni 354
Gjykata emëron si kujdestar personin e caktuar me testament dhe, në mungesë të tij, një nga të afërmit në linjë të drejtë dhe, pas kësaj, në linjë të tërthortë.
Gjykata, nëse vlerëson se zgjidhja nuk është bërë në interes të fëmijës, vepron vetë për caktimin e kujdestarit.
Neni 355
Kujdestari i posaçëm
Gjykata emëron një kujdestar të posaçëm, kur këtë e kërkojnë interesat e të miturit.
Kujdestaria e posaçme hiqet, kur pushojnë shkaqet për të cilat është vendosur.
Neni 356
Pyetja e të miturit nga gjykata
Gjykata, përpara se të procedojë për emërimin e kujdestarit, duhet të pyesë edhe të miturin, kur ai e ka mbushur moshën 10 vjeç.
Kujdestaria merr fund kur i mituri mbush moshën 18 vjeç ose kur e mitura martohet para kësaj moshe.
Neni 357
Zëvendësimi i kujdestarit
Me kërkesën e personave të përmendur në nenin 351, gjykata e heq kujdestarin në çdo kohë dhe e zëvendëson me një tjetër, kur vëren se ai ka shpërdorur të drejtat që i takojnë si kujdestar, kur është treguar i pakujdesshëm në kryerjen e detyrës ose kur me mënyra të tjera ka vënë në rrezik interesat e të miturit, si dhe kur vetë kujdestari kërkon shkarkimin e tij për shkaqe të arsyeshme.
Gjykata mund ta heqë kujdestarin vetëm pasi ta ketë dëgjuar ose njoftuar atë rregullisht.
B. GJYKIME NË LIDHJE ME MARTESËN
Neni 358
Padia për shkurorëzim
Padia për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, përveç sa parashikohet në nenin 154 të këtij Kodi, duhet të përmbajë edhe:
– identitetin e fëmijëve të mitur dhe pranë cilit nga bashkëshortët ose ndonjë personi tjetër bashkëjetojnë;
– burimet dhe sasinë e të ardhurave që siguron çdo bashkëshort, nëse kanë fëmijë të mitur ose ndonjëri prej tyre është i paaftë për punë;
– pasurinë e përbashkët që kanë bashkëshortët, nëse kërkojnë pjesëtimin e saj;
Kërkesëpadisë i bashkëngjiten:
– certifikata e martesës dhe certifikatat e lindjes së fëmijëve.
Neni 360
Kërkesëpadia e përbashkët e të dy bashkëshortëve duhet të shoqërohet me një marrëveshje me shkrim të tyre, lidhur me lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, mbi të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit dhe nëse do ta quajnë të nevojshme edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore të ndërsjella.
Kur e çmon të arsyeshme, dhe sipas rrethanave që parashtrojnë palët, gjykata mund të pranojë edhe një marrëveshje të pjesshme për disa nga çështjet që u interesojnë bashkëshortëve.
Neni 363
Pezullimi i gjykimit me kërkesën e gruas shtatzënë
Kur gruaja është shtatzënë, me kërkesën e saj, gjykata pezullon gjykimin e padisë së shkurorëzimit, gjersa fëmija të arrijë moshën një vjeç.
Neni 364
Bashkimi i kërkimeve të tjera
Në padinë për shkurorëzim kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër, për të përballuar shpenzimet për ushqimin dhe edukimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe kërkimi i dhurimeve dhe pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore, përveç kur kjo do të vështirësonte shqyrtimin e çështjes. Në një rast të tillë, gjykata veçon padinë e shkurorëzimit nga paditë e tjera të lidhura me të.
Neni 365
Marrja e masave të përkohshme
Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për ushqimin dhe edukimin e fëmijëve të mitur, për ushqimin e bashkëshortit, kur ligji parashikon një të drejtë të tillë, për sigurimin e banesës, si dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës.
Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet apo të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta e të plota.
Neni 523
Detyrimi për bashkëpunim
Kur për ekzekutimin e detyrueshëm është e nevojshme të çelet banesa ose ndonjë ndërtesë tjetër e debitorit, pa praninë e tij ose të një personi madhor të familjes së tij, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, detyrohet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i njësisë së qeverisjes vendore. Në çdo rast, përmbaruesi gjyqësor kërkon edhe pjesëmarrjen e dy dëshmitarëve të tjerë.
Në rast nevoje, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, Policia e Rendit detyrohet ta mbështesë atë gjatë procedurave të ekzekutimit.
Kur për ekzekutimin e detyrueshëm është e nevojshme të prishet objekti, të lirohet trualli, të pezullohen punimet, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, inspektorati ndërtimor pranë pushtetit vendor dhe Inspektorati Kombëtar detyrohen të mbështesin përmbaruesin gjyqësor gjatë procedurave të ekzekutimit.
Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt “Takim dhe kujdestari fëmije”, përmbaruesi gjyqësor kërkon asistencën e psikologut, kur ky i fundit është i detyruar në bazë të ligjit për bashkëpunim.
Neni 529
Sendet mbi të cilat nuk mund të vihet sekuestroja
(Shtuar pika 8 me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 25)
Përjashtohen nga sekuestrimi i pasurisë së debitorit:
1. sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobiljet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre;
2. ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj;
3. dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë;
4. librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike të debitorit dhe të familjes së tij;
5. deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljen e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale;
6. ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjarë ose bursa e studimit përveç kur detyrimi është për ushqim. Në këtë rast nuk mund të sekuestrohet më shumë se 1/2 e shumës së pensionit ose të bursës;
7. frutat natyrore një muaj para se ato të piqen.
8. Sendet e nevojshme të punës për sigurimin e jetesës.
Lexo të plotë Kodin e Procedurës Civile, Neni 1-Neni 152
Lexo të plotë Kodin e Procedurës Civile, Neni 153-Neni 302
Lexo të plotë Kodin e Procedurës Civile, Neni 303-Neni 451
Lexo të plotë Kodin e Procedurës Civile, Neni 452-Neni 621
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 9, datë 21 Maj 1996, faqe 343
[2] Ligji nr. 8116/1995 është ndryshuar me:
-
ligjin nr.8491, dt.27.5.1999, Fletore Zyrtare nr.20, dt.21 Korrik 1999, fq.621
-
ligjin nr.8812, dt.17.5.2001, Fletore Zyrtare 32, dt.12 Qershor 2001, fq.973
-
ligjin nr.9953, dt.14.7.2008, Fletore Zyrtare 122, dt.31 Korrik 2008, fq.5415
-
ligjin nr. 10052, dt. 29.12.2008, Fletore Zyrtare 205, dt. 16 Janar 2009, fq. 11065